Gazeta Nacional Albania

Milazim KRASNIQI: FJALIM I PAMBAJTUR NË PARLAMENTIN BRITANIK

FJALIM I PAMBAJTUR NË PARLAMENTIN BRITANIK

Shqiptarët janë hakmarrës
edhe kur nuk e dinë që janë.
shqiptarët hakmirren
edhe kur nuk e dinë çka bëjnë.

Kush janë këta piratë kokëkrisur
“shqiptarë të egër”, siç i quante Bajron lapërdhari
që kaq brutalisht po na futen në Mbretëri,
duke lundruar me gomone nëpër oqean
me një pasion që s’mund të përshkruhet me fjalë,
as të kuptohet me logjikë?

Pse janë aq këmbëngulës si demat në arenë?
Pse kanë urrejtje si ujqit e uritur,
kur dihet se janë si ne racë e bardhë
dhe s’kanë pse të na urrejnë në këtë pikë?

Në këto pyetje të thjeshta
Nuk po ka përgjigje as MI6,
as marina jonë gjigande,
as media investiguese, që s’lë pordhë pa zbuluar,
as vetë Dauning strit 16
edhe pse bëjnë analiza në baza ditore
dhe kanë organizuar operacione speciale
në tokë e gjithandej në det.

Është e vështirë t’i detektosh
e aq më pak t’i kuptosh këta piratë shqiptarë,
sepse këta janë në të vërtetë fantazma
nga errësirat e verbëra të shekujve,
këta na vijnë nga pakohësia,
ku nuk bën punë as shërbimi sekret,
as ushtria, as diplomacia, as qeveria.

Këta shqiptarë janë pasardhës e pjesëtarë
të një kombi të cilin ne e kemi vrarë.

Ne i patëm vrarë për t’i fshirë nga historia
e kockat e tyre ua hodhëm ujqve të Ballkanit,
sepse këta piratë i kishim si një pykë
në detrat e ngrohta të Mesdheut,
ku ishin sovranë, nën skeptrin e sulltanit.

Këta shqiptarë përmbysnin detrat dhe dherat
me gjeninë dhe barbarinë e tyre,
me të cilin qenë mëkuar që nga Iliria.
Nuk linin anijet të lira të lundronin
Mediteranin e patën shndërruar në det të vetin,
në alancë me Marokon dhe Algjerin.

Ne na u desh rrugë të tjera të kërkonim drejt Indisë
Darës shqiptare t’i shpëtonim.

Qe fat i madh se ashtu i zbuluam Amerikat
por faji u mbeti këtyre shqiptarëve
sepse ata na ndëshkonin
për kryqëzatat, për Inkuizicionin.

Na u desh kohë t’ua prenim rrugët e detrave
Të izolonim Vlorën, Durrësin, Ulqinin, Selanikun
Dhe t’i fusnim nën dare ata shqiptarë
barbarë.

Kur na erdhi dita i premë në fyt në Londër,
i bëmë pluhur e hi në Versajë
ku u hakmorëm edhe për Galipolin.
I masakruam edhe në Llozanë.
I gjymtuam edhe në Jalltë.
Për Korfuzin i varrosëm të gjallë
ndërsa kryegjëmën ua bëmë në veri
duke u lënë mbi krye-shizofreniken Serbi.

Thjesht ne deshëm që ata të mos ekzistonin.
po ata mbijetuan dhe ja ku janë
Ante portas, po aq barbarë, si më parë.

Na janë qepur me një dashuri perverse,
me një obsesion të marrë.
Shtëpitë tona t’i bëjnë shtëpi bari,
fëmijët tanë t’i bëjnë skllevër drogash të forta
nën hyqmit e tyre të rikthehet Evropa.

Të jetë kjo një hakmarrje e tyre njerëzore
Pse desëhm t’ shfarosnim këta të mjerë?
Apo mos është një ndëshkim nga Zoti
që thotë në Librin e Shenjtë
se disa mizorë i lufton me disa mizorë të tjerë?

Të nderuar deputet,
Ndonëse me vonë të palejueshme
duhet të lexohen raportet e konsujve tanë në vitit 1912!

Këta piratë modern që nuk e kanë frikë
as burgun as vdekjen,
meqë atdheun ua patëm kthyer në burg e në vdekje
sikur po na thonë:
këtu na kini deri në Ditën e Gjykimit,
do na e paguani tagrin e krimit.

Nëse ky mallkim po na vie nga parardhësit e tyre
Nuk mund ta shmangim ndëshkimin.
Nëse është sinjal nga Zoti,
Me pendesë mund ta arrijmë shpëtimin.

Falemnderit shumë që nuk dëgjuat!
Keq nëse nuk kuptuat!
14 mars 2023