VERË ISHTE DJE
(Pak frymë nga Baudelaire)
Verë ishte dje, sot vjeshtë e parë shkeli pragun e stinës
Të nesërmen e një nate gushti me yje që bien
Zogjtë çukisin thërmiat mbetur nga banketi
i festës
Të tjerë larg ikin para se të vijë dimri.
Verë ishte dje, sot mbrëmja zbret me shpejt
Të tjere do te ulen, për të rindezur qirinjtë e shpresës.
2
VJESHTA
Bëj një hap, dy, tre, për të hyrë në një stinë tjetër.
Jashtë, këtu jashtë, filloi shiu i ditës së parë të vjeshtës
dhe sigurisht i fundverës.
U hapën ombrellat e përgjumura të lulediellta
për të dëgjuar sërish simfoninë e shiut.
Tek-tuk, bashkë me erën, gjethet e para fluturojnë qiellit
e të tjera rrëzohen
duke u kthyer në lajmëtare ëndrrash
për ata që rrinë të heshtur pas dritareve.
Dita e parë e vjeshtës mban aromën e tokës
dhe toka gjithashtu mban aromën e jetës.
Cicërima zogjsh nën strehën e lagur
dhe hapa që nxitojnë ngjyrave të zverdhura.
3
KY SHIU I VJESHTËS
Hedh hapat udhëtimit të tij të gjatë
Kujdesshëm, shtruar, ngadalë
Si një plak i mençur vjeshtës së tij
Bën bilançin e ditëve, netëve, stinëve.
Asnjëra e njëjtë, njësoj të gjitha.
Një jetë, një lumë, një oqean
shtratit të tij, ka lënë pantoflat
Shtruar ky shiu i vjeshtës e ka marrë…
4
SEKUENCË VJESHTE
Në një ditë si kjo, lumi rrjedh shtratit
të vjeshtës
Gjethet, pikturuar me diell, si varka të vogla
rrëshqasin mbi ujë
Vezullimet e kristalta reflektojnë në
mijera pasqyra yjesh
Magjinë e një stine që përshëndet ikjen e
dallëndyshes së fundit…
5
KY SHI VJESHTE
(Panoramë stine)
Ky shi vjeshte gjerbon mbi çatitë e vjetra
ku myshku aty-këtu shfaqet si hartë demografike
e shpalos diaporama historish të gdhendura,
ende pa u fshirë.
Zogjtë fillojnë të ndërrojnë shtëpitë si qeraxhinj stinorë
Qiejt e lagur sjellin të ftohtin e radhës
u harruan ylberet me diellin në lojën e të fshehurit
ndonjeherë nxjerr kryet pas një reje,
e ikën me hijen e mungesës në perëndim.
Era fishkëllen pas dere natën e korbit
e macet jashtë mjaullijnë.
Vjeshta, kjo piktore e ngjyrave portokallli
na hedh krahëve shallin e ngrohtë të melankolisë.
6
LETRAT E VJESHTËS
Poezitë flenë e zgjohen në papiruse shekujsh,
pluhurosur e shpluhurosur rafteve të bibliotekave
diku gërricur nga brejtës,
diku një gërmë fshirë prej lotit,
diku një tym cigare mbetur paragrafeve…
Poezitë e sharmit,
vargjet e Ovide, Khajam, Baudelaire…
zërat e shuar në përshpirtjen e Echos,
kyçur në postën e letrave të vjeshtës.
7
VARGJE MBI QELQ
Perdet e shiut pështjellin butësisht dritaren
Mbi avullin e ngrohtë nis e shkruaj ca vargje
Çuditërisht jo për shiun,
as vjeshtën e melankolisë
Por për diellin lutje si në ritet pagane.
Dikur avulli nis të thahet ashtu pak nga pak
Gërmat zhduken sikur kurrë të mos qenë shkruar
E desha diellin të ma ngrohte ditën vetëm pak
Mbi qelq gishtërinjtë lanë gjurmë të kohës së shkuar.
8
JU IKNI PA NA FOLUR PËR VJESHTËN…
Me ju ikin përrallat dhe magjia fëmijërisë
kuverta bie mbi dysheme
tërhequr nga monstrat fantazmat e natës
ku sy nuk do të mbyllim asnjëherë.
Pa ju kurorat e lule margaritës thahen
me pëshpëritjet tona sekrete dhe rrëfimet e gjysheve.
Pas jush lulet e limonit i merr era,
frutat zverdhen prej rrezeve lënë nga zemra.
Ju ikni pa na folur për vjeshtën…
@Mirela Leka Xhava
Francë

