Gazeta Nacional Albania

Murat Aliaj: A e ka tejkaluar letërsia liberale e postkomuniste atë të realizmit socialist ?

Murat Aliaj: A e ka tejkaluar letërsia liberale e postkomuniste atë të realizmit socialist ?

LETËRSIA DJE DHE SOT

-“A e ka tejkaluar letërsia liberale e postkomuniste atë të realizmit socialist? Është fare e thjeshtë që kësaj dileme t’i përgjigjesh me dy tri fjalë, sa për të shprehur pikëpamjen tënde, por duke qenë se problemi është kompleks dhe letërsia është produkt i një sërë marrëdhëniesh mes njerëzve dhe sistemeve, mendoj se është i dobishëm zgjerimi i këtij vështrimi. E kuptoj se një shkaqet e krijimit të kësaj dileme është prishja e ekuilibrit shkrimtar−lexues, i cili ka nevojë urgjente për tu vendosur serish.”

-“Mendoj se letërsia jonë postkomuniste, i pati të gjitha mundësitë që ta tejkalonte paraardhësen e saj, sepse në themel të kësaj krijimtarie, ishte liria krijuese, e cila duhej të ishte shfrytëzuar me të gjitha hapësirat që ajo ofron. Për mua, tregues bazë i cilësisë mbetet tirazhi.”

Nuk kisha ndër mend t’i futesha punës, për trajtimin teorik të një prej temave më të rëndësishme të krijimtarisë, sikur të mos ishte nxitja e zotërinjve të gazetës prestigjioze dhe elitare “Nacional” që më tunduan, pas një këmbimi mesazhesh të rastit.
Me këtë rast u shpreh mirënjohjen, per poltiken e tyre editoriale ten je meida te hapur ndaj debateve per letersine dhe artin, debate që më shtynë të futesha në një arë, ku nuk kam pëlqyer të gërmoj. Fjala është për një temë të gjerë diskutimi, që ka hapur gazeta Nacional me titull: A e ka tejkaluar letërsia liberale e postkomuniste atë të realizmit socialist? Është fare e thjeshtë që kësaj dileme t’i përgjigjesh me dy tri fjalë, sa për të shprehur pikëpamjen tënde, por duke qenë se problemi është kompleks dhe letërsia është produkt i një sërë marrëdhëniesh mes njerëzve dhe sistemeve, mendoj se është i dobishëm zgjerimi i këtij vështrimi. E kuptoj se një shkaqet e krijimit të kësaj dileme është prishja e ekuilibrit shkrimtar−lexues, i cili ka nevojë urgjente për tu vendosur serish. Dua të theksoj se parimi bazë i kapitalizmit është puna dhe shpërblimi. Këtij parimi s’ka pse i shpëton edhe letërsia, e cila hyn në punët më skllavëruese të krijuesit. Pra unë do mjaftohem vetëm duke bërë pyetjen: Përse duhet publikuar kaq shumë, kur veç mungesës së shpërblimit, të duhet edhe të heqësh bukën e gojës, për të publikuar krijimin tënd? Vallë jemi budallallepsur kaq shumë, sa të mos dallojmë humbjen nga fitimi, apo diçka tjetër na miklon së brendshmi. Lavdia… dhe jemi vërsulur të gjithë drejt lavdisë, pa përfillur as shenjat e pikësimit të drejtë shkrimit. Unë shpresoj që edhe kjo të jetë periudhë kalimtare, si shumë të tjera. Jam i ndërgjegjshëm se shumë nga ata që shkruajnë, janë idealistë që nuk e përfillin fare shpërblimin dhe për ta ruaj respekt sipëror, por prapë diçka më ngec. Një komb që i numëron apo jo 10 milion banorë, mund të ketë jo më pak se 1 milion shkrimtar e poetë, që punojnë xhaba. Pra, punojne s’i ne kapitalizem e nuk paguhen as si ne socializem. Madje paguajne per publikimin e krijimeve. Po të shikosh cilësinë e kësaj krijimtarie ngelesh i shtangur. Ajo është e nivelit amator. Atëherë përse duhet bërë sakrifica e shkrimit dhe publikimit, dhe duhet bërë apo jo? Pak shekuj më parë në letërsi ekzistonin të tjera marrëdhënie. Krijuesi shpërblehej me përqindje edhe për veprën që akoma nuk e kishte shkruar, por që angazhohej për të. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së Dostojevskit është shpërblyer në këtë mënyrë. Ndodhte kështu edhe për shkakun se krijuesit nuk ishin kaq të shumtë sa sot. Në periudhën që i referohemi si letërsi e realizmit socialist, gjithashtu ekzistonte një shpërblim gati simbolik, i cili kompensohej me stimuj të tjerë moral e mbi të gjitha me një nderim sublim që krijuesi fitonte në masat e gjëra të lexuesve. Sot që shpërblimi është parimi bazë i sistemit, jo vetëm që nuk ekziston asnjë shpërblim, për punën e bërë, por duhet edhe të paguash për ta publikuar. Por këtu flasim për cilësinë, e cila si çdo gjë ka treguesit e vet. Për mua, tregues bazë i cilësisë mbetet tirazhi. Në se do kërkojmë ndonjë arsye përse lexuesi është distancuar nga letërsia, atë do e gjejmë vetëm tek renia e cilesise. Ndryshon një gjë e vockël, që bie në sy menjëherë. Dikur veprat letrare e kishin tirazhin poezia nga 2.000 e deri në 8.000 kopje, ndërsa proza nga 4.000 deri në 100.000, të cilat në pjesën dërrmuese të tirazhit shkonin në dorë të lexuesit dhe bibliotekave. Sot ai është kufizuar në disa qindra kopje, të cilat i zënë të gjorit autor edhe sipërfaqen e banimit, pasi nuk ka kush ia shpërndan e ia shet. Ky është një nga treguesit e padiskutueshem të ndryshimit që ekziston midis letërsisë së dy etapave. Por jo vetëm kaq. Mendoj se letërsia jonë postkomuniste, i pati të gjitha mundësitë që ta tejkalonte paraardhësen e saj, sepse në themel të kësaj krijimtarie, ishte liria krijuese, e cila duhej të ishte shfrytëzuar me të gjitha hapësirat që ajo ofron. Aq më tepër se në të u përfshinë penat më të suksesshme të sistemit të kaluar, të cilët shfrytëzuan përvojën e tyre teknike me lirinë krijuese, që u kishte munguar. Asnjë autor nuk e ka zgjedhur dot kohën e tij të ekzistencës, por të gjithë i janë përgjigjur asaj brenda kushteve, që iu ka lejuar koha. Ndaj unë ndjej keqardhje për shumë jetë krijuesish, që u ndrydhën nën diktaturë, kur mund t’i kishin shtuar vlera të padiskutueshme artit shqiptar, por nga ana tjetër shpresoj se me këto drama të rënda të kohës, arti vazhdon të zhvillohet nga pena të talentuara, që gjithsesi do e mbushin boshllëkun Shpërthyen talentet e ndrydhura që për 45 vjet pritën në ngujim këtë shpërthim. Falë kësaj buluan vepra e emra të padëgjuar, që ta kish ënda për t’i lexuar. Por në këtë begati nuk munguan as spekulantët e panumërt, të cilët e përmbytën këtë dëshirë të sinqertë krijimtarie. Ata demonstrojnë sot një ego kaq të neveritshme sa që janë gati të publikojnë në gjuhë e shtete të huaja krijimet e tyre, duke vendosur në kopertinën e librit te tyre, shënimin: Librin që keni në dorë e ka shkruar poeti më i mirë i Shqipërisë ! dhe ti që e njeh mirë krijimtarinë e vendit tënd, pyet veten i çuditur: Jam çmendur unë, që nuk e njohkam këtë krijues, apo diçka e çuditshme është duke ndodhur? Fatkeqësisht raste të tillë nuk janë të paktë. E di që ndokush do dëshironte që këtu unë të përmendja emra të këtyre spekulantëve. Nuk do e bëj, jo për ndonjë arsye tjetër, por për të respektuar artin human të cilit i kam kushtuar edhe unë jetën time. Ata edhe pse pa e kuptuar po i shkaktojnë një dëm të madh letërsisë, meritojnë edhe pak respekt, pasi po ngrenë një gur Sizifi, pa pritur asnjë shpërblim. Dhe, mirë që shpërblim nuk u japim dot, por t’i përmendim edhe këtu si shembuj negativ?! Kjo gjë sikur nuk shkon. Por le të kthehemi tek dilema e fillimit: A është tejkaluar letërsia e realizmit socialist? Jam i sigurt se ajo letërsi vazhdon të ketë admirues. Pa përmendur veprat më të mira të letërsisë së djeshme shqipe, të autorëve tanë më të zëshëm, qe akoma vazhdojne udhetimin neper bote, unë po zgjedh disa nga radha. Vepra si Pallati i ëndrrave, Shkëlqimi i Zylos, Deti në mes, Lëndina e lotëve, Korbat mbi mermer, Përballimi e disa vepra të tjera historike si Ali Pashë Tepela, Skënderbeu, akoma nuk janë arritur. Një nga vlerat e tyre të padiskutuara, është kultura e të shkruarit. Jam optimist se ato do kapërcehen, por sot që flasim, jemi akoma larg. Ato vepra erdhën në letërsinë shqipe si rezultat i përpjekjeve të autorëve për të gjet metodën gjuhën dhe elementët e duhur të trajtimit. Ajo letërsi nuk u krijua lehtë. Në shumicën dërrmuese ajo ishte një letërsi humane, që hëngri vetveten dhe autorët që iu kushtuan. Si një pikë uji që të pikon në çaçkë të kokës. Në fillim ajo të freskon trutë e lodhur, por shpejt kthehet në turjelë që të shkatërron gjithë sistemin nervor. Ajo ishte letërsi me një kontroll politik të tmerrshëm. Ku fatmirësisht kishte edhe një ndihmë të lavdërueshme në përdorimin e gjuhës e detajeve të tjera të nevojshme për krijimtarine. Sepse nuk ka të keqe, që ashtu si padashur të mos sjellë me vete edhe ndonjë të mirë, të cilën mund ta vlerësojmë sot, kur vlerësimi për gjuhën, kompozicionin e elementëve të tjerë krijues, kanë mbetur si pika të papërfillura. E kam fjalen per redaktoret, korektoret e punonjesit e shumte qe ndikonin ne permiresimin e librit e qe sot u ndihet mungesa. Mendoj se nga këto shpërfillje vijnë edhe dobësitë kryesore të letërsisë së sotme. Duke medituar për këtë temë, kam parasysh edhe ecurinë krijuese të vendeve fqinje, që jetuan në kushte të ngjashme. Fenomene të tillë shpërfillje nuk i krijuam ne. Duke qenë prej mbi 30 vjetësh emigrant, jam detyruar ta ndjek krijimtarinë tonë në atdhe, nëpërmjet miqve, që na sillnin prej atdheut shumë nga botimet e këtyre kohëve. Tek ne, si edhe në vendet fqinje, dallohen dy lloje krijuesish.
1.- Ata që kishin krijuar qysh në periudhën e mëparshme e për të mbijetuar duhej të përshtateshin me parimet krijuese të një letërsie të lirë.
2.- Dhe ata që krijuan vetëm në kushtet e një krijimtarie të lirë, tërësisht të pa kompromentuar me metodën e mëparshme.
Janë të shumtë krijuesit e llojit të parë, që u përshtatën mrekullisht e dhanë vepra të admirueshme si Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Fatos Kongoli, Zija Cela e plot të tjerë që do e zgjeronin shumë këtë listë. Këta nuk u renditën në krye sepse ishin të përkëdhelur të sistemit, por sepse krijuan letërsi të një niveli të lartë artistik. Por edhe sot ka plot krijues të rinj, që po debutojnë sukseshëm si: Thanas Medi, Istref Haxhillari, Grigor Jovani, Edmond Shallvari, Lea Ypi, Romeo Çollaku, Shkëlqim Hoxha e plot të tjerë, që gëlojnë suksesshëm në shtypin e sotëm letrar. Në grupin e parë të krijuesve që përmenda më sipër, gjen edhe shumë emra që dje në kushtet e diktaturës, kishin debutuar me sukses e në këto kushtet e tjera ishte e pritshme që pikërisht këta të shpërthenin. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Emra të shumtë të letërsisë së djeshme, sot dështuan plotësisht sepse në vend të shfrytëzonin lirinë që u garantonte e sotmja, shfrytëzuan lavdinë e arritur të djeshmen. Janë me dhjetëra romane të autorëve tanë të nderuar, të cilëve më me qejf mund tu lexosh romanet që shkruan dje, se sa ato që po shkruajnë në këto vite lirie. Krejt ndryshe qëndron puna me krijuesit e grupit të dytë, të cilëve u mjafton vetëm liria krijuese, pa e vrarë mendjen se si do e thonë fjalën e tyre artistike. Dhe ulen, shkruajnë e shkruajnë… Jo rastësisht më vjen ndër mend një moment nga takimet tona gjatë mërgimit, ku krijuesit gëlojnë me një përkushtim të admirueshëm. Një ditë, ndërsa flisnim për planet tona krijuese, në grupin tonë u ndodh edhe një dashamirës letërsie, që e ndiqte në heshtje gjithë krijimtarinë tonë. Po flisnim të gjithë për planet tona krijuese. Njëri s’po linte radhë duke lavdëruar dhjetëra tituj të krijimtarisë së tij. Ndërhyri, pikërisht ky admiruesi, lexuesi, ai për të cilin shkruhet letërsia dhe si me naivitet pyeti: −Po mirë or miq, ju keni shkruar e publikuar dhjetëra romane, tregime e drama, por a keni shitur ndonjë. Se ju mund të na thoni sa të doni se lexuesi mezi po e pret fjalën tuaj, dhe kjo gjë është e vështirë që të verifikohet, por ka një ndërgjegje që duhet të vërë radhë në këto punë. Dakord që krijuesi nuk tregton. Por… çfarë kuptim ka krijimtaria kur ajo nuk shkon tek lexuesi? Dhe më tej akoma, përse duhet hequr buka e gojës për të publikuar libra e krijimtari me vlera të dyshimta? Dikush e bën këtë sakrificë për hir të vlerave kombëtare, që duhet t’i shtojë letërsisë, sepse ka edhe idealist të tillë që kapin kufijtë e çmendurisë. Sot ekzistojnë edhe krijues të një lloji tjetër. Janë ata që krijojnë në heshtje, larg turmës dhe tam tameve, sepse i përgjigjen zërit të shpirtit të tyre, që vlerat të mos i marrin me vete. Ky është lloji tjetër i idealistëve të artit të cilët janë po aq kot sa edhe të mëparshmit. Krijimtaria bëhet për tu shpërndarë. Po qe se ajo nuk bëhet pronë e lexuesit, nuk ia vlen mundi për tu marrë me të. Sa për krahasim kujtoj se sot funksionojnë dhjetëra ente botuese të cilave nuk u qasesh dot, se të matin kokën me spango e po kështu portale për letërsinë dhe unë këtë e konsideroj kontribut të çmuar, por s’mund të jetë serioz ky kontribut kur të gjithë krijuesit vlerësohen si të spikatur e përdoren superlative të tilla të vjetruara, me të cilat të hapin barkun e të largojnë prej librit. Mjafton vetëm një shfletim rutinë i ndonjë libri të këtyre shkrimtarëve “të spikatur”, që të kuptosh se ke të bësh me nivele mediokër. Natyrisht unë nuk jam për t’i shpallur luftë as kësaj kategorie, pasi mirëdashja dhe përkrahja e më të rinjve është detyrë. Por kjo ndihme që u jepet atyre, më shumë i dëmton. Praktika ka vërtetuar se kritika dashamirëse është shumë herë më e efektshme se sa lavdërimet hiperbolike, që kryejnë efekte të kundërta. Sot?!… Letërsia e ka të siguruar lirinë, por i mungon diçka tjetër, cilësia. Kushdo është lirë të bëjë një provë të thjeshtë, gati mekanike. Pa hyrë në brendësi thellësisë së temave, personazheve, intrigave etj. Merrni dy libra. Njërin të periudhës së realizmit socialist e tjetrin të sotëm. Shfletojini ata në të njejten faqe dhe zgjidhni për të lexuar një paragraf. Krahasojini ato dhe do e kuptoni sa i madh është ndryshimi. Liria krijuese nuk është shpërfillje e rregullave bazë të krijimtarisë. E konsideroj plotësisht të arritshme duke i kushtuar vëmendje përgatitjes individuale, zgjerimit të nivelit kulturor që kryhet nëpërmjet leximit të pareshtur të letërsisë së brezave dhe asaj bashkëkohore, tonës e të huajës dhe shfrytëzimit të saj me sqimë e nivel. Prandaj nuk duhet të na shqetësojë fort fakti në se është më superiore letërsia e djeshme apo e sotmja. Ato janë që të dyja pasuri shpirtërore e popullit, të cilat duhen çuar më përpara. sigurisht që nuk është e lehtë, por se pari koha kërkon vendosje ekijlibrash të rinj mes krijuesve dhe lexuesve, pasi këtu, më duket se ka humbur orientimi. Unë jam optimist se letërsia jonë ka të ardhme. Këtë siguri ma jep përpjekja e popullit për mbijetesë dhe renditja e tij ndër kombet, që ka ç’i jep botës edhe nga ana shpirtërore.

29. 9. 2024