Gazeta Nacional Albania

Nafi Çegrani : MALLI PËR NËNËN (Çfarë është Nëna ? )

…Një rrëfim për lotët e Nënës sime të vuajtur gjersa unë kaloja vite e vite i prangosur në burgjet komunite jugosllave në Bonje…Malli më diqte dejt e mi, lotët e saj prekëse më digjnin si prrush zjarri! Ajo … Ishte jeta ime, Nëna ime fytyrë ndritur dhe fisnike!
Në qeli të burgut, gardiani hapi derën e rëndë dhe ma dha një letër të cilën ma kishin dërguar familja, ishte edhe një fotografi e zverdhëlluar nga koha. E mora dhe e putha me afsh disa here. Nëna ime ato flokë si kreshtë mali, ishte thinjur fare. E putha sërish fotografinë dhe e futa në gji.
Gardiani më pyeti: “Kush është kjo?”
U përgjigja me krenari: “Nëna ime!”
“Po çka është me të, punë e madhe se qenka Nëna yte? Këtu nuk ka as Nënë dhe as baba! Morre vesht?”- i vrejtur dhe plotë zmrim u kërcënua njeriu me uniformë.
“Roje burgu, nuk ka shpirt se Nëna është Nënë!”-mendova me vete.
“Po ty si të ka lindur nëna?”- i thash si me ngadalë.
« Po, por, tani, kështu si je as nëna jote nuk të njeh ty? »- tha me urejtje gardiani i cili mbante pseodonimin « Crnagorac ».
« Jo, ore « crnagorac » , ajo më njeh dhe e di se unë jam djali i saj! Madje, edhe Perëndia që më ka krijuar e di se ajo është Nëna ime »- iu përgjigja.
Atëherë, ai, duke ikur, sikur nuk më dëgjoi, e përplasi derën me hidhërim dhe me çelsin metalik të cilin e rrotulloi disa herë me rrëmbim, e mbylli me hekura.
Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës! Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar! Nëna është engjëllore!

( Në foto : Nëna ime e vuajtur!)

Njerëzit e kësaj bote, nga të gjitha meridianet e planeit ku jetojmë, me admirim vazhdojnë të bëjnë të pamundurën për mallin ndaj Nënës, ecin shtigjeve të gjata duke bërë lutje dhe përpjekje në rrugëtimet e tyre, që në jetë sa është gjallë Ajo, por edhe pas kalimit të saj në botën e amshimit, I luten Perëndisë për mirëqënien dhe lumtuerinë e parajsës, sepse, kudo që të jetë ajo e meriton: dashurinë dhe mallin prej Nëne!

…Edhe sot, gjersa shkruaj këta rreshta, kujtoj fytyrën bujare të Nënës sime ! Por, a qanë burri? Po, po. Ai qanë vetëm kur kujton fytyrën e Nënës, dhe nuk I duken gjë as burgjet, as prangat e hekurit, qanë kur kujton lotët e asaj që e lindi, në fytyrën e saj dhimbjen, flokët e thinjura, ballin e qëndisur nga rrudhat, të cilat, secila veç e veç, shënojnë një epokë trishtimi, vite mallëngjimi nëpër të cilët ka kaluar ajo, e venitur nga brenga për djalin që ia rrëmbyen hajnat kriminele të natës…
Regjimi jugosllav komunist i kohës, ata të cilët ishin si egërsira të pangopur me gjak shqiptari, e akuzuan me shpifje e trillime, duke e nxjerr para kordonit të pushkatimit…Nëna e shkretë plasi nga e keqja, nga mërzia për djalin që e rriti dhe shkolloi me shumë mundime dhe skamje. Madje ishte bir i veteranit të Frontit të Sremit, i cili gjatë kthimit, kishte luftuar burrërisht herë në malet e Shumadisë kundër bandave çetnike…Madje, pasi kishte vrarë majorin shqipfolës Pavlen antishqiptarë nga Dibra, i cili i kishte kurdis një kurthë tradhtie në Grykën e Zabllaçes, ku babai im ishte caktur me 4 shqiptarë të tjerë në të ashtuquajtur “Roja e vdekjes”!Majori Pavle e kishte urdhëruar magacionerin për municion, që tim et, t’ jepeshin plumba manovrimi ose të quajtur plumba “qorr)” me qëllim që të binte në pritë të hordhive me kokarde. Me këtë rast, kur babai im, e heton tradhtinë, e ndihmojnë shokët të cilët e furnizojnë me municion luftarak…E kur gjatë natës me hënë, vardise majori kryeneq që ta kontrollonte shqiptarin në vendin “Roje e vdekjes”, babai im e qëllon me një rafal të gjatë të mitralozit të rëndë, dhe nga ajo oshëtimë kanë gjëmuar gjithandej malet e Shumadisë…!
Dhe, për shkak të vrasjes së Pavles djallëzor dhe shovinist, komandantët e arradhës si Nafi Sulejmani i Manastirit, Hasan Tuhini i Kërçovës, gjenerali Beno Ruso etj. e nxjerrin babain tim për ta pushkatuar. Me këtë rast, gjithë shqiptarët atdhetarë hedhin armët poshtë në shenjë proteste, dhe kështu ai pushkatim mbetet i pa realizuar… Megjithatë, babai im, shpejt plagoset diku në afërsi të Çaçakut, dhe pas dy javësh shërimi, demobilizohen nga Brigada, duke kaluar male e herë në Kosovë, del në Shqipëri, dhe për sia vite vendosen në fshatin Bicaj ( e ndihmon Abdyl Kullezi) dhe nga Tirana, përmes Korabit më 1948 kthehet në vendlindje !
(Për të gjitha këto, UDB-a e ka mbajtur në survejim të fshehtë dhe dosje voluminoze si shqiptar kryengritës, e cila edhe sot ekziston në arkivat e saj të Beogradit).
Babai im krenar dhe i papërkulur ndaj furtunave gjatë viteve dhe epokës së djajve…!

Të gjitha këto tipare i mbanin krenarë dy prindërit e mi, dhe gjatë gjithë viteve të regjimit komunist dinin si të silleshin, duke u bërë ballë , pavarësishtë nga vinin stuhitë që i sillte koha, në vorbullën e jetës. Madje ajo, Nëna e vuajtur, krenarinë e kishte të brumosur me vitet e dekada të hershme!
Lotët e saj dhe dhimbjen për të birin e prangosur në burgun famkeq të Zenicës që nga 1981, i ndjenin e gjithë mahalla e fshatit… Sidomos kur shkonte dhe kthehej nga vizita, ku isha unë i burgosur: ndeshej me lloj-lloj poshtrimesh e ofendimesh dhe provokimesh nga më të ndryshmet të egra dhe jo njerëzore që ua bënin rojet e burgut gjatë vizitave Nënave shqiptare dhe familjarëve të të burgosurve nga Kosova.
Kështu i pat ndodhur edhe Nënës sime, duke e sharë, se qenka nënë e një “krimineli”. Ajo sërish kishte derdh lotë rrëke… duke u dridhur dhe e friksuar në shpirt se, a tha vallë, çfarë torturash e keqtrajtime më kishin bërë me vite në qeliat skëterë…të ftohta dhe me mure të përgjakura!
Nuk kaloi shumë kohë nga ajo vizitë e para dhe e fundit e Nënës sime, diku në fund të prillit ose fillim i majit të vitit 1985, nuk e mbaj mend datën sakt, më nxorën nga qelia e hetuesisë në burgun e Zenicës, bri një mali si thikë, me mure të larta rrethuar dhe tela me gjemba…Aty takova dhe njoha edhe shumë të burgosur të tjerë shqiptarë nga Kosova, të dënuar për “faje” sepse kishin kërkuar të bëhej Kosova Republikë, siç ishin Sabri Lushi, një djalosh fisnik dhe idealist i çështjes për Bashkimin Kombëtarë. Aty njoha edhe Meriman Brahën, Basri Musmuratin, Islam Morinën, Skënder Ametin, Islam Mustafën, kodoshin Ilmi Pllanën etj. Por, brenda burgut të Zenicës njoha edhe kroatin Dragan Kovaçeviqin i cili edhe shoqërohej me të burgosurit shqiptarë , duke e mësuar të fliste shqip. Madje dhe Vojsllav Sheshelin. Ky i funditi njohur si i vetëquajtur “Vojvoda çetniku” ( i cili në arkivat e UDB-së delte edhe si informator i saj me pseudonimin “Magistar”!).
“Postjeri” i burgut ma dha një letër, të cilën nga shkrimi e njoha, e shkruante babai im. E hapa me të shpejt, nisa ta lexoja dhe u shtanga nga lajmi i hidhur. Nuk u besoja syve të mi…e lexova edhe njëherë, madje edhe disa herë rradhasi:
“…Letrën tënde që na e dërgove para ca kohësh e lexuam dhe kuptuam se të kanë nxjerr nga qelia e hetuesisë në burgun ku ka njerëz. Ne jemi mirë, edhe fëmijët gjithë janë mirë me mësime. Por, edhe ata si ne, dhe Qama, jemi të mërzitur. Vllau Sula ka ardhur nga Amerika, përshkak se Nëna yte, aq e dashur dhe e vuajtur, Mahija, ndrroi jetë! Varrimin e bëmë para një jave… Ajo me mallë ruante në gji letrën tënde të parë. Zoti ia faltë xhenetin !”
Nisa të qaja… Qaja i mbështetur pranë një trungu peme në oborrin e burgut të nemur.
“Qëndrro, he burrë! Ke durrimin…Se burri nuk qanë kollaj!”- foli një i burgosur.
“Le të qaje ! Lerenja rehat…ai nuk ka qarë me vite në pranga. Por tani qanë…qanë burri kur i vdes Nëna!”- tha Sabri Lushi.
E falënderova, sepse qaja për Nënën, e ila nuk më besohej se kishte vdekur…
E tillë është jeta! Jeta e shqiptarit plotë stuhi e brenga, vuajtje e përmallime…!

“…Rrënjët tona shtrihen thellë në të kaluarën, kurse degët dhe trungu ynë kanë majat e tyre thellë në ardhmëri. Nga rrënjët ne marrim lëngun e jetës, kurse gjethet tona, thithin rrezet e Diellit “alegorik” të Madh, të cilin nuk ka forcë (e lëre më re, që sado e zezë që të jetë) që ta errësojë…
Prandaj gjërat e shenjta për ne janë : optimizmi, dashuria për njerëzit, gëzimi, qëllimet dhe suskseset… Mërzia na e prish hijeshinë…, pesimizmi na shëmton- larg nga ato!”-shkruan në letrën e tij një i burgosur shqiptar.

Me Nënën nuk krahasot asgjë në botë. Ajo është vetë jeta e fëmijës që e lindi! Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!
Ajo ishte nëna ime e dashur dhe e shtrejtë, hyjneshëe falë nga Perëndia…
(Fragment shkëputur nga libri “Lotët e Nënës”)