N’ANDËRR TI JE ANDRRA JEME
Nga Eva Gjoni
Eja tek unë ashtu si je
Pa krehur flokët, jo e veshur bukur
Si mike, si armiku i njohur
Ose si njeriu që dua
Mos më bëj të besoj te humbja
Në çdo gjë mungon diçka Ti!
****
N’andërr ti je andrra jeme
Tutem të zgjoj andrrën
Kapërcyllem realitetesh t’rreme
menime t’mrapshta largoj
***
Eja me mua në perëndim
Dikur atje anijet ishin me vela të bardha
Deti është i ftohtë, lahu në mbrëmje
Mbi rërë ndjen nxehtësinë e diellit
përzier me afshin e tokës. Shtriu mbi të
mbyll sytë, çlirohu, lëre të të prekë dielli
Trupi yt do të flasë, është ende i gjallë
Ndaj eja me mua në perëndim,
ti ke nevojë për të, ashtu si perëndimi
është i humbur pa ty
***
Si asnjëherë
mallin e futa në një enë që s’e nxinte
Me të freskova fytyrën e mëngjesit
qyteti, ende i përgjumur, gëlltit
gërvishtjen e rrotave të bagazhit në ikje
***
Të gjithë do ikin një ditë të njohur, të panjohur dhe ne me ta
Dhe vdekjen, si rininë, do e kujtojmë
Me pyetjen, si nuk ndenjëm edhe pak?
Por mirë na bën që të gjitha
për atë që ne do vazhdojmë
Unikalë si vijat e gishtave
në yjësitë do zëmë vend.

