Gazeta Nacional Albania

Naum Prifti: DRITERO AGOLLI – SHEMBELLIM I SHQIPERISE NE LETERSINE E TIJ

In Memoriam (13 tetor 1931- 3 shkurt 2017)

Krijimtaria dhe jeta e tij janë pjesë e pandarë e unit shqiptar ku gjenden episode e fragmente të historisë dhe rrugëtimit tonë nga koha e besimit në idetë komuniste, shkëputja nga Bashkimi Sovjetik, te vetëdijësimi për reformim te sistemit dhe guximi për ta pranuar vetveten.

DRITEROI NE ZERIN E POPULLIT

Si një nga gazetarët më të përgatitur të gazetës Zëri i Popullit, Dritëroi shkruante reportazhe me tema nga kultura, arti, bujqësia, industria, ku lexuesi informohej për segmente të caktuara të jetës në socializëm. Një reportazh që tërhoqi shumë vëmendje si nga titulli, ashtu dhe nga përmbajtja ishte Cile Muken e kam pranë dhe Kulturën Përkarshi. Padyshim se ishte shkrim jashtë standarteve të gazetave të kohës. Personazhi i reportazhit, Cile Muka, ishte i zoti i kafehanes në pjesën e sipërme të qytetit të Gjirokastrës, diku pranë Qafës së Pazarit, ku ndahet rruga për të shkuar lart te Kalaja e famshme e Gjirokastrës. Me thjeshtësi shpotitëse, Dritëroi vërente kontrastin e madh midis gjallërisë së kafehanes së Cile Mukës që gumëzhinte prej myshterinjve nga mëngjesi në mbrëmje dhe qetësisë së Shtëpisë së Kulturës për karshi kafenesë, me porta të mbyllura. As të rinj, as të moshuar, as burra, as gra nuk hynin e dilnin sepse nuk kishte kurrgjë që t’i tërhiqte, as shfaqje artistike, as koncerte, as ekspozitë. Dritëroi guxoi të shkruante një artikull të pazakonshëm për “karshillëkun” midis kafenesë dhe pallatit të ashtuquajtur të kulturës, në një qytet të lashtë që lavdërohej për tradita kulture. Me penën e tij të mprehtë, Dritëroi xhvishte himnizimet e thashethemet e sokakëve dhe e paraqiste qendrën e kulturës së Gjirokastrës socialiste, të heshtur dhe të fjetur. Shpotia e Agollit synonte të zgjonte nga dremitja pushtetin lokal në duart e të cilit kultura anemike e sistemit nuk mund të rivalizonte me kafenë e Cile Mukës.

DRITEROI NË POGRADEC

Ndërsa ishte me shërbim në Pogradec si gazetar, një miku i tij e ftoi Dritëroin të shkonin për vizitë në një fshat ku mysafirët e largët e të nderuar do t’i priste në shtëpi kryetari i këshillit të kooperativës. Sikurse ua donte zemra dhe zakonet e vendit, në fshatrat përqark Pogradecit e Mokës ruheshin traditat e mikpritjes tradicionale shqiptare.
Dritëroi dhe shoku i tij shkuan për darkë te kryetari dhe tryeza u mbush me meze, me djathë e salcë kosi, me llukanikë të fërguar – specialiteti i vendit dhe natyrisht me gota e shishe raki. Mikpritësit ngrinin shëndete e kthenin gotat për miqtë e largët dhe të ftuarit ua shpërblenin nderin duke ngritur dolli për mikpritësit dhe duke i kthyer gotat me fund. Për një hop kohe kryetarit i ra koka mbi tryezë dhe tha me zë të lartë: Obobo, u turpëruam me shokun Dritëro që na ka ardhur nga gazeta. Dritëro e mblodhi veten shpejt dhe e ftoi të pinin edhe një gotë për njohjen dhe miqësinë e tyre të re. Darka zgjati me pije e biseda deri në orët e vona të natës. Kur jashtë nisi të feksi drita e hershme e agimit, Dritëroi kërkoi leje të dilte pak nga dhoma. Duke u kthyer për të hyrë në shtëpi, pa një derë të hapur, dhe u fut brenda por këtë herë dalloi një tog misrash të xhvokshura të cilin nuk e kishte vërejtur gjatë darkës. Mendoi se të zotët e shtëpisë do ta kishin sjellë aty për të fjetur.
Pasi kaloi pak kohë, ai dëgjoi zërin e kryetarit të këshillit që mërmëriste “Obobo ç’u turpëruam me shokun Dritëro”. Miku që e kishte sjellë aty nisi ta qortonte:
– More Dritëro, po a e di që e bëre me turp të zotin e shtëpisë? Kur doje më shumë raki, pse nuk na the të ta sillnim në sofër, po vajte u fute në qilar?
Dritëroi e sqaroi se në qilar nuk qe futur për bidonat e shishet e rakisë por për të marrë një sy gjumë dhe incidenti kaloi me të qeshura.

“ME MIRE PERBALLE”
Pas një takimi të rastësishëm me pesë a gjashtë shkrimtarë, shëtitëm pak dhe u ulëm të pimë kafe te Vollga, një nga lokalet më të frekuantuara në Tiranë që servirte kafe të mira të stilit allaturk ashtu edhe ekspres. Dikush propozoi ta vazhdonim gëzimin e takimit me ndonje gote pije në Klubin e Ministrisë së Brendshme pranë Teatrit Popullor. Njëri kundërshtoi me ngulm për të mos shkuar aty. –Pse jo? e pyeti dikush tjetër nga grupi. –Sepse atje janë ata, – arsyetoi ai. Përemri “ata” nënkuptonte agjentët e fshehtë të sigurimit, apo spiunët vullnetarë, sikurse i quanim shpesh midis nesh. Për një moment ra heshtja, të cilin e theu zëri i Dritëroit: “Atje do të vemi! Se është më mirë t’i kemi përballë, sesa anash, apo prapa kurrizit”. Thënia e tij “më mirë përballë se pas kurrizit” gjeti miratim nga gjithë grupi ynë, ndaj edhe e përsërisnim shpesh mes nesh.

DRITEROI NE KONGRES
Në vitin 1991 kur sapo ishte rrëzuar diktatura dhe kishte nisur një frymë demokratike, në Kongresin që ktheu Partinë e Punës në Parti Socialiste (9-10 qershor 1991), Dritëroi, si deputet, u ngrit nga rreshti në mes të sallës dhe doli në podium. Në atë sallë përpara mikrofonit ai tha se Partia Socialiste duhej të ndryshonte në pajtim me kohën dhe madje t’i printe transformimit në një rend demokratik, ndwrsa edhe kritikoi ashpwr kultin e diktatorit Enver Hoxha duke i bwrw njw radiografi tw shkelqyer regjimit tw dwshtuar socialist. Ndërsa ai po fliste, salla filloi të mërmëriste dhe pastaj nga deputet të tjerë u ngrit ushëtima e parrullës së kohës: Parti-Enver Jemi gati kurdoherë! Dritëroi e ndërpreu fjalën dhe duke iu drejtuar sallës i bërtiti: “Kështu siç e keni nisur ju s’keni për t’u rinovuar as për 100 vjet”! Ai pati guximin të artikulonte pa frikë një kritikë të sinqertë dhe të hapur për paralizën morale dhe ngurtësinë mendore të partisë socialiste.

DRITEROI NE BASHKIMIN SOVJETIK

Gjatë studimeve universitare në Bashkimin Sovjetik, Driteroi u martua me një vajzë ruse, e cila kishte kryer specializim për letërsinë angleze. Pas acarimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, qeveria komuniste e Shqipërisë nisi t’u bënte presion gjithë studentëve a diplomantëve të martuar me “gra të huaja” të ndaheshin prej tyre. Kështu u shkatërruan me dhjetra familje në emër të pastërtisë ideologjike. Madje një mikut tim mjek i njohur ia quajtën gabim të rëndë që kishte shoqëruar bashkëshorten e tij deri në aeroport. Gjykimet e marra nuk i njohin kufijtë e zakonshëm të mirësjelljes familjare a etikës shoqërore.
Dritëroi e ndau gruan ruse jo sipas formulës së zakonshme të divorceve të asaj kohe për mospajtim karakteresh, por gjasme se ajo donte të kthehej në vendlindje, pranë prindërve të saj. Më vonë Dritëroi u martua me Sadijen dhe bashkë kishin dy fëmijë. Ish bashkëshortja i dërgoi një ftesë për të vizituar së bashku me familjen Bashkimin Sovjetik, vendin ku kishte kryer universitetin dhe ishte pajisur me kulturë botërore. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës Sadija, e shoqja e Dritëroit, ishte shemra e ish gruas ruse, por zemërgjerësia dhe mirëkuptimi i saj meritojnë nderim dhe respekt. Familja e Dritëroit e kujtonte me kënaqësi takimin dhe mikpritjen e përzemërt ruse.

DRITËROI NË AMERIKË

Në vitin 1996 Dritëroi dhe Sadija erdhën për vizitë në Nju York ku kishin shumë shokë, miq e të njohur si Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Justina Aliaj dhe një sërë artistësh të tjerë. Unë sugjerova idenë për një darkë në restorantin Bruno në Manhattan tek miku dhe dashamiri Bruno Selimaj, i cili ishte mikpritës dhe simpatizant i Dritëro Agollit. Ftesa në restorant jepte mundësinë e takimit edhe me disa shokë e miq të tjerë. Pasi hëngrëm në sallën poshtë, Brunoja propozoi të ngjiteshim në terracë për një gotë pas darke. Biseda me Dritëroin kurdoherë rridhte me lehtësi sepse ai ishte një
bashkëbisedues i këndshëm, dhe dinte ta kripte bisedën me shaka dhe qyfyre nga jeta. Për të na nderuar shoqërinë erdhi edhe bashkëshortje e Bruno Selimajt, Kumrija, një grua fisnike e cila e gjeti shpejt tema interesante të bisedave me gratë. Në orët e vona të natës kur filluam të dilnim nga restoranti, dhe po përshëndeteshim, Sadija si kurdoherë e vëmendshme dhe e kujdesshme e porositi: Dritëro, takoje Kumrijen! Paksa i turbulluar nga pija, Dritëroi e pyeti: “Ç’thotë kjo mo? Po ku hip unë dot në pemë kështu si jam tani që të takoj kumrijen? Edhe sot e kujtojmë këtë episod komik nga mbrëmja te Bruno në Nju Jork.
***
Ky mozaik modest me kujtime e sjell figurën e Dritëro Agollit me vërtetësinë e vet të patjetërsueshme. Ai ka folur me zemër dhe ka thumbuar me mendje! Tek ai shfaqet shëmbëllimi ynë i përbashkët që mund të duket në rimat bukolike apo në vargjeve përmendore të Nënë Shqipërisë, tek heronjtë e ashpër të prozës së tij dhe në thellësinë lirike të përkthimeve, në humorin dhe mprehtësinë e fabulave dhe rrëfimeve. Në krijimtari ashtu si edhe në kujtimet për të ka mbetur i përjetësuar
karakteri i tij human.

Foto nga e majta: Anastas Kondo, Fatos Arapi, Kin Dushi, Dritëro Agolli, Vito Koçi, Naum Prifti, përpara klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tiranë, 1964