PERSEKUTIMI I FISIT BUCPAPAJ NGA PARTIA E PUNES SHKRUAR NGA DASHNOR KALOCI

 

Kemi dënuar me 6 vjet burg anëtarin e Partisë, Zenel Buçpapaj, se s’pranoi të bënte qitje mbi tabelën me kokën e Titos…”/ Zbulohet relacioni i sekretarit të parë të Tropojës

 

Dashnor Kaloçi  |

Letra

Madhësia e tekstit:

 

Publikohet një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1977, ku ndodhet një raport-informacion i Sekretarit të Parë të rrethit të Tropojës, Hysen Papa, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, ku midis të tjerash ai informon për arrestimin e kooperativistit Zenel Buçpapaj, nga fshati Bujan i rrethit të Tropojës, i cili jo vetëm që bënte agjitacion e propagandë tek kooperativistët, duke u thënë se: “Tito është kokë e madhe dhe lufton për paqen”, etj., ai nuk pranonte të bënte qitje me tabelat, ku ishte koka e Titos! Relacioni i plotë i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, dërguar Komitetit Qendror, ku përveç akuzave ndaj anëtarit të partisë, Zenel Buçpapaj, jepen edhe disa të dhëna biografike për fisin Buçpapaj, ku një xhaxha i tij, që kishte shërbyer si ushtarak në Tiranë, ishte dënuar me burg politik, si “Bashkëpunëtor i Grupit puçist të Beqir Ballukut”!

 

Nisur nga lidhjet e shumta miqësore dhe farefisnore që kishin banorët e rrethit të Tropojës me ata të malësisë së Gjakovës dhe trevave të tjera të Kosovës, vëmendja e tyre ndaj Jugosllavisë së Titos ishte dhe më e madhe se e krahinave dhe rretheve të tjera më në brendësi të vendit, gjë të cilën e favorizonte edhe pozita gjeografike e atij rrethi veri-lindor, ku valët e kanaleve të televizioneve jugosllave dhe atij të Prishtinës, depërtonin më me lehtësi sin ë qytetin e “Bajram Currit”, ashtu dhe në të gjithë rrethin e Tropojës.

 

Nisur nga këto, natyrshëm që në biseda të ndryshme, ku hapur dhe ku nën zë, banorët e rrethit të Tropojës do të diskutonin me njëri tjetrin edhe për Jugosllavinë dhe udhëheqësin e saj, Josif Broz Tito, i cili falë politikës së të “paangazhuarit”, ku e kishte futur Jugosllavinë (apo siç e etiketonte propaganda zyrtare e regjimit komunist të Tiranës si “Bota e tretë”), që nga mesi i viteve ’70-të, e deri sa vdiq në 1980-ën, ishte në vëmendje të qarqeve politike botërore, gjë e cila u duk qartë edhe në varrimin e tij më 4 maj 1980, ku morën pjesë përfaqësues të lartë dhe kryetar shtetesh nga 120 shtete të botës, e gjithashtu nga 200 parti politike nga të pesë kontinentet.

 

Por siç dihet tashmë kjo gjë nuk vlente për Shqipërinë komuniste dhe Tiranën zyrtare, ku Josif Broz Tito ishte deklaruar botërisht nga Enver Hoxha, si “revizionist” dhe një nga “armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar”! Kësisoj, përmendja e emrit të tij, apo më saktë lavdërimet në adresë të Titos, ishin me pasoja të rënda për këdo, pasi as më pak dhe as më shumë, ato biseda me karakter politik konsideroheshin “agjitacion e propagandë” dhe shtetasit e ndryshëm që denoncoheshin për ato fjalë, dënoheshin me burg politik.

 

Kështu i ka ndodhur edhe Zenel Buçpapajt, nga fshati Dojan i Bujanit të Tropojës, i cili në vitin 1977, në biseda të ndryshme gjatë zborit ushtarak, ishte shprehur dhe kishte dhënë konsideratat e tij pozitive për Josif Broz Titon. Madje duke e konsideruar atë si “kokë e madhe” dhe politikan që “lufton për paqen” etj., etj. Por kjo “herezi” e tij është denoncuar në “organet kompetente” (Sigurimi i Shtetit), ku ai është arrestuar menjëherë dhe është dënuar me gjashtë vjet burg politik.

 

Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë shkrim, ku Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tropojës, Hysen Papaj, me anë të një letre që mban datën 17 dhjetor 1977, ka informuar Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi dënimin e Zenelit, i cili deri në momentin e arrestimit ishte dhe komunist me teserën e anëtarit të partisë në xhep.

 

Sipas dokumentit në fjalë, për dënimin e Zenelit bëhet e ditur se; “Tek ky njeri ka ndikuar drejt për drejt propaganda e armikut, shtypi, radiot dhe televizioni jugosllav, sidomos propaganda që ju bë Titos gjatë vizitës së tij në Kinë dhe se Zenel Buçpapaj kishte filluar pakënaqësitë e tij, pas dënimit të xhaxhait të tij, oficer madhor, me grupet puçiste”, gjë e cila rezulton të jetë e vërtetë, pasi xhaxhai i Zenelit, Rustem Arif Haxhiaj,(Buçapaj), ushtarak madhor në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, dhe i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, diku nga viti 1975, u arrestua si “bashkëpunëtor i Beqir Ballukut” dhe u dënua me 15 vjet burg politik.

 

Kjo gjë e rëndoi së tepërmi pozitën shoqërore dhe politike të familjes dhe gjithë fisit Buçpapaj, gjë e cila thuhet se u bë edhe shkaku kryesor që ndikoi në arrestimin dhe dënimin e Zenel Buçpapajt, në pragun e vitit të ri 1977. Këto dënime me burg politik të dy prej burrave më në zë të fisit Buçpapaj, të cilët nga komunistë u kthyen në “armiq të popullit”, dukej se “mjaftonin” që pjesëtarë të tjerë të atij fisi, të shikoheshin me sy tjetër nga regjimi komunist dhe pushteti popullor i asaj kohe.

 

Kështu sipas dëshmisë së djalit të Zenel Buçpapajt, Ademit, ndërsa i ati vuante dënimin në burgun e Ballshit, jo vetëm familja e tij që pati pasoja persekucioni, por ajo gjë u ndie dhe tek pjesa më e madhe fisit të tyre, si p.sh. te kushërinjtë e afërt, siç ishte Skënder Buçpapaj, letrar i ri në atë kohë, të cilit ju privua shkolla e lartë për disa vjet dhe u detyrua që të punonte në gurore si punëtor i thjeshtë dhe hekurkthyes për vite me rradhë.

 

Të njëjtin “fat” pati dhe i vëllai, Mujo Buçpapaj, gjithashtu letrar i ri dhe i vlerësuar për talentin e tij si poet dhe prozator, ku për shkak të biografisë, nuk iu botua një libër që ai e kishte dorëzuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë dhe për vite atij i’u mohua edhe e drejta e shkollës së lartë gjithashtu, siç ishte mohuar dhe Skënderit, të cilët mundën që të fitonin të drejtën e studimit, vetëm pas ndërhyrjes dhe ndihmës së madhe të shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, asokohe në funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e deputet në Kuvendin Popullor.

 

Relacioni i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, Hysen Papaj, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së

 

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

 

KOMITETI I PARTISE RRETHIT Bajram Curri, më 27.12.1977

 

T R O P O J E

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here