Gazeta Nacional Albania

Naum R. Prifti: Si vizita e Mareshallit Georgi Zhukov në Shqipëri përfundoi në Histori me Shpata

Udhëheqësit komunistë të Shqipërisë njiheshin në gjithë botën lindore si satelitët më besnikë të Bashkimit Sovjetik. Duhet pranuar se satelitllëku kishte në qendër një individ, i cili ishte atëherë Sekretari i Parë i Partisë Komuniste dhe Kryeministër i qeverisë ruse Josif Visarionoviç Stalin. Drejtuesit shqiptarë krenoheshin për dallueshmërinë si aleatët më besnikë dhe më të devotshëm të kampit komunist. Ndryshe nga shtetet e tjera të Europës Lindore ata nuk i kishin sjellë kurrë asnjë problem Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe qeverisë së saj sepse kurdoherë ishin treguar të gatshëm të zbatonin me zell direktivat dhe udhëzimet e tyre. Kishte një lloj konkurence për të qenë më të bindshmit e “klasës” nga vendet e kampit lindor prandaj ishte me rëndësi të jashtëzakonshme ardhja në Shqipëri e një delegacioni ushtarak rus të kryesuar nga Mareshalli Georgi Zhukov – heroi i Luftës Patriotike dhe një nga arkitektët e fitores mbi Gjermaninë naziste të Hitlerit. I dekoruar dhe i respektuar për meritat dhe aftësitë, Zhukovi gëzonte edhe postin e lartë të Ministrit të Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. Dallueshëm nga ministrat e tjerë dhe deputet e Dumës, ai nuk e solli familjen në Moskë. Për të theksuar origjinën e tij prej plebeu, familjarët e tij jetonin në vendlindje pranë maleve Urale.
Vizita e Zhukovit në Shqipëri bëhej pas një takimi të shkurtër zyrtar në Beograd për të theksuar lidhjet e ngushta miqësore e politike me popujt sllavë. Të tilla takime të nivelit të lartë kryheshin nga zyrtarë me peshë dhe të besuar. Kjo ardhje sinjalizonte trajektoren në ngjitje të Mareshallit Georgi Zhukov në elitën politike ruse. Për udhëheqjen komuniste shqiptare ishte një nder i hatashëm që Mareshalli, personaliteti më i lartë zyrtar sovjetik, po shkelte në vendin tonë, pranë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, në ujërat e kaltëra e të ngrohta të Mesdheut, për të cilat rusët qysh nga koha e Pjetrit të Madh dhe Careshës Katerinë ishin të dëshiruar. Për ata Mesdheu kishte qenë një ëndërr që gjenerata sovjetike e pasluftës së dytë botërore po e jetësonte.
Komunistët shqiptarë u impenjuan shumë seriozisht për t’i bërë nderet që i përkasin një personaliteti të rangut të lartë që kalonte përtej sferës politike meqë grada e mareshallit në nomenklaturën ushtarake qe më sipër se ajo e gjeneralit. Veç kësaj sipas traditave tona miqtë meritojnë jo vetëm nderime por edhe dhurata me qëllim që të na kujtojnë edhe pasi largohen nga trojet tona.
Mirëpo këtu lindi një problem zgjidhja e të cilit nuk qe aspak e lehtë. Çka mund t’i falej apo dhurohej një ushtaraku nga Bashkimi Sovjetik me gradën e Mareshallit? Sigurisht jo shishe konjaku qoftë dhe nga ai i Korçës, as qese me duhan sheldije, as paketa cigaresh me filtër, as ndonjë qilim apo sixhade nuk mund t’ia falje se nuk ishte e hijshme ta ngarkoje goxha mareshall me peshë të rëndë që nuk ishin të denja as për të, as për ata që ia dhuronin. Nuk qe aspak e lehtë ta përcaktoje llojin e dhuratës. Shefat dhe zyrtarët tanë të shumësikletosur kryen një seri me konsultime me historianë, etnografë dhe njohës të traditave shqiptare. Nga çdo takim përforcohej mendimi se dhurata duhej t’i përshtatej rangut dhe pozitës e influencës së tij. Një historian me emrin Pepo, të cilin s’para e përfillnin shumë, u kujtoi zyrtarëve se Ali Pashë Tepelena u falte miqve të huaj që vinin nga Europa për ta vizituar nga një shpatë me mill të praruar që ta kishin kujtim nga ajo vizitë. Historiani solli edhe kopje të vogla të pikturave të anglezit Eduard Lear, i cili shoqëronte Lordin Bajron në vendin tonë. U ndje një lehtësim tek të gjithë të pranishmit që kaploi shpejt zyrat e përgjegjësve dhe drejtuesve të mëdhenj partiakë ndërkohë që pa humbur kohë nisën hulumtimet për armëtarët. Zanatçinjtë e armëve më të njohur anekënd Europës për shpatat e forta dhe të bukura ishin mjeshtrit shkodranë. Armët e punuara prej tyre nderonin atë që i mbante në brez por edhe vetë dhuruesin. I entuziazmuar nga propozimi i parë, historiani tha se do ishte mirë që Zhukovit t’i falnin dy shpata për arsye estetike por edhe për ta bërë mikun të ndihej dyfish i vlerësuar. Kur ia përcollën porosinë armëtarit shkodran ai u gëzua dhe ju kërkoi 126.000 lekë. Çmimi ngjalli disa diskutime sepse qeverisë iu duk shumë i lartë. Armëbërësi i sqaroi se ajo qe vlera e arit dhe argjendit të ndërfutur në millin e shpatës dhe zbukurimet te doreza e saj, ndërsa për punën e tij ai s’po kërkonte asgjë duke e dhuruar me dëshirë mundin për kauzën komuniste. Nëpunësit e vlerësuan këtë gjest qytetari me ndërgjegje të zhvilluar politike dhe çmimi nuk u diskutua më gjatë.
Në Shqipëri vizita dhe dhënia e dhuratës u kryen me radhë sipas nderimeve dhe protokolleve diplomatike. Përcjellja e Mareshallit Georgi Zhukov nga Tirana ndihej të kishte momente padurimi nga ana e udhëheqësve shqiptarë me oreks të shtuar për mesazhe dhe letra falënderimi nga qeveria sovjetike mbase edhe nga vetë Mareshalli. Dihet se falenderimet për mikpritjen gjatë qëndrimit në Shqipëri ishin rutinë dhe pjesë e shkëmbimeve në diplomacinë zyrtare ndërshtetërore. Ngutshmëria e zyrtarëve shqiptarë kishte më shumë të bënte me dhuratat që nuk i ishin dhënë asnjë zyrtari tjetër gjatë epokës komuniste – dy shpata të punuara artistikisht nga armëtari i njohur shkodran! Në rastin e një kuadri të lartë ushtarak dhe politik, ata me të drejtë ishin kureshtarë të mësonin se çfarë do t’i bënte më shumë përshtypje Zhukovit, gjesti i një dhurate të dyfishtë apo vetë arma, cilësia e punimit dhe e mjeshtërisë artistike të tyre.
Ndërsa aeroplani rus po i afrohej pistës së aeroportit të Vukovos dhe bagazhit të Marshallit ende nuk i ishte bërë dalja, në valët e radios u transmetua dekreti qeveritar se Zhukovi qe shkarkuar nga detyra. Ende pa shkelur në tokën ruse, ai nuk ishte më as anëtar qeverie, as ministër i mbrojtjes, por veçse një ushtarak në pension. Bashkë me befasinë dhe shokimin nga ky lajm, komunistët shqiptarë pyesnin njeri-tjetrin ç’u bë me shpatat që i dhuruan. Nuk gjenin dot ngushëllim edhe për faktin se Zhukovi nuk kishte djem që do mund t’i mbanin shpatat në brez qoftë edhe për mburrje. Sipas tyre, tri vajzat e Zhukovit nuk do preferonin armë lufte por zbukurime e bizhuteri për stolisje. Ndërsa Zhukovin e degdisën në poste të largëta ushtarake, vendndodhja dhe historia e dy shpatave të çmuara shqiptare mbeti e panjohur. Ato ranë viktimë e xhelozisë së Stalinit për famën e fituar nga Shefi i Forcave Supreme të tij, heroit të Ushtrisë së Kuqe, mbrojtësit të Leningradit dhe legjendës së fitores së kushtueshme të rusëve në Stalingrad, dhe përfaqësuesit të dërguar prej tij në aktin formal të nënshkrimit të dorëzimit të Gjermanisë në vitin 1945.
Vetëm pas vdekjes së Stalinit në mars 1953, udhëheqësit rusë e kthyen Zhukovin në Ministrinë e Mbrojtjes, por atëhere Shqipëria ishte larguar nga orbita ruse.Fati i shpatave mbeti një mister në kapitujt e fundit të prerjes së miqësisë shqiptaro-sovjetike.