Gazeta Nacional Albania

Ndahet nga jeta poeti i famshëm Faslli Haliti. Gjurmët e tij në poezinw shqipe Studim nga Mujë Bucpapaj

 

 

 

 

“Faslli Haliti, bashkohet me brezin e poetëve të vitit 1970 për frymën eksperimenale që ai zgjodhi, kohën e botimit dhe përfshirjen në gjykimin jashtëletrar të kritikës zyrtare ndaj kësaj gjenerate e sulmuar në bllok, në vitet 1970-1973”.

 

 

Faslli Haliti është një poet i cili i ndoqi impulset e veta krijuese. Me një sponatitet letrar por edhe i vënë në kërkim të një forme të re shprehjeje poetike, në fillim të viteve 1970 ai u sulmua ashpër nga kritika e nisur nga zyrat e pushtetit, si përgjegjës për një braktisje të qëllimtë të rregullave të letërsisë afirmuese socialiste.

Faslli Haliti, bashkohet me brezin e poetëve të vitit 1970 për frymën eksperimenale që ai zgjodhi, kohën e botimit dhe përfshirjen në gjykimin jashtëletrar të kritikës zyrtare ndaj kësaj gjenerate e sulmuar në bllok, në vitet 1970-1973.

Ky brez poetik i përbërë nga F. Haliti, M. Zeqo, F. Rreshpja, Xh. Spahiu, N. Papleka, S. Bejko, S. Buçpapaj, S. Mato, R. Marku, A. Iskau, K.Petriti, B. Londo, N. Lako etj, e afirmoi modernitetin e tij në mënyrë individuale, pa qëllime desidence dhe pa një platformë estetike, ndërsa i bashkoi përpjekja për esksperimentim dhe risi.

Këta poetë u denoncuan dhe u përndoqën nga regjimi pasi tentuan të hidhnin në erë rregullat e vjetra tradicionale të poezisë, duke e çuar deri në fund fantazinë e tyre krijuese, pavarësisht pasojave me të cilën u përballën.

Falli Haliti u gjykua rreptë për shkak se në ciklin e poezive të botuar në revistën “Nëntori”, të prillit 1972 dhe sidomos në poemën “Dielli dhe rrëkerat” të botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, në dhjetor 1972, një numër poezish evidentonin degjenerimin e pushtetit komunist dhe përodormit të posteve për përfitime personale, çka u interpretua si nxirje të realitetit dhe mohim i arritjeve socialiste.

 

Në fakt F. Haliti, në kontrast me të ashtuquajturin progres socialist të zhvillimit të jetës, shihte në poemat e tij tjetërsimin e individit, deri në poshtërim, përpara drejtuesëve burokratë të partisë, si në poezitë “Djali i sekretarit”, “Çifligu”, apo poemën “Dielli dhe rrëkerat”, si dhe nga ana tjetër shkatërrimin e parimeve të drejtësisë sociale dhe barazisë utopike, për të cilat thuhej se luftonte teorikisht socializmi.

Përveç kësaj poezia e Faslliut shquhej si një strukturë e krejt të çrregullt, me shfaqje të dukshme formalizimi ligjerimor, që e bënte edhe më të lehtë për t’u sulmuar nga rojet vigjilente të artit dhe letërsisë, por edhe nga militantë të stilit të letrës së dhjetë gjimnanzistëve të cilët, më  25 janar të vitit 1973 në gazetën lokale të Lushnjës “Shkëndia” e paralajmërojnë partinë për shkitjen e këtij poeti në modernizëm, formalizëmin dekadent dhe në prehrin e borgjezisë, që investone për shkatërrimin e artit revoucionar në vend dhe të vetë fitoreve të socializimit, e në radhë të parë të “njeriut të ri”, të huazuar si model nga revolucioni kulturor kinez, që për hir të çështjes së socializmit ngrihej mbi interesat personale të rehatisë dhe komoditetit dhe luftonte për triumfin në botë të mrekullisë komuniste.

Faslliu sipas tyre, në vend të afirmimit të të rejave socialiste edhe heronjve të tipit socialist, kishte zgjedhur interesin e sëmurë vetjak, frymën disfatiste, pesimiste dhe qaramane, me një stil larg frymës revolucionare të realizmit socialist.

Në vijim, bazuar në të dhënat e marra direkt nga poeti apo në intervista të ndryshme të dhëna prej tij në shtypin shqiptar, jam ndalur në disa aspekte jetësore të poetit, duke filluar me disa momente të veçanta të peripecive të shkollimit, deri sa ai plotëson përmbushjen e tij të plotë kulturore dhe arsimore, çfarë mendoj se kanë ndikuar edhe në jetën e tij letrare dhe vetë krjimtarinë e tij.

Duket se poeti të gjitha i ka me vonesë, klasën e parë, mbarimin e shkollës së mesme, të shkollës së lartë dhe të vetë botimit të librit të parë, heqjen për disa vjet të të drejtës së botimit dhe rikthimit dëshpërimisht të vonuar në garën letrare të ndërprerë përdhunshëm prej 11 vjetësh, të dhëna këto që hyjnë në veçoritë jetësore dhe letrare të tij.

 

2.

Poeti Faslli Haliti ka lindur më 5 dhjetor 1935 në Plug i Madh, një lagje periferike e qytetit të Lushnjës, siç thotë vetë poeti “me karakteristika të plota fshati.”

Faslliu në një intervsitë të dhënë për shtypin e Tiranës në vitin 2008, duke folur për fshatin e tij të lindjes kujton se aty “Të gjithë, pothuaj merreshin me bujqësi e blegtori, me përjashtim të babait tim që ishte tregëtar mishi në qytet, së bashku me dy ortakë çamë: Duro dhe Tefik Qerimi.”[1]

 

Faslliu thotë në vijim e “Në poezitë e mia nuk e kam përmendur, pothuaj, asnjëherë emrin e lagjes Plug, por ajo është e pranishme në poezinë dhe në tregimet e mia. Udha e Vidhishtës dhe Përroi i Zi janë dy emra të lagjes sime, Plug i Madh, që hasen shpesh në poezitë dhe tregimet e mia.”[2]

Ai sqaron se “Në rrethin e Lushnjës kanë ekzistuar dy vendbanime me emrat Plug i Madh dhe Plug i Vogël. Plugu i Madh ishte lagje e qytetit të Lushnjës, kurse Plugu i Vogël, ishte fshat i rrethit Lushnjë. Plugu i Vogël ishte një fshat buzë kënetës së Tërbufit, i banuar kryesisht nga bujqit e fisit Loshaj dhe Pirra. Për ditë vere ne shkonim për toli tomoli në Plug të Vogël dhe u binim këmborëve para dyerve të fshatarëve si mesagjerë të pranverës dhe fshatarët na i mbushnin shportat me vezë pulash e rosash që rriteshin me shumicë buzë kënetës së Tërbufit. Gjatë periudhës së socializmit, Plugu i Vogël u bë sektor i Fermës Bujqësore «29 Nëntori» dhe kamp përqëndrimi për të internuarit politikë. Udha e Vidhishtës ishte e gjerë dhe e gjatë sa një fushë futbolli. Për ne djemtë e lagjes Plug i Madh ajo ishte fusha ku ne luanim futboll me topa lecke në vitet pesëdhjetë.”[3]

 

 

SHKOLLIMI

 

Faslli Haliti ka një histori të çuditshme, të kompletimit të arsimimit të tij, që nga fillorja deri në universitet, me vonesa dhe pengesa nga më të ndryshmet.

 

Ai hyri në klasë të parë në qytetin e Lushnjës në moshën nëntë vjeçe, e konsideruar një moshë e rritur dhe vetëm pasi fillorja ishte bërë arsim i detyrueshëm, për ta përfunduar atë në vitin 1950. Në fakt ai kishte mësuar shkrim dhe këndim para se të hynte në shkollë më ndihmën e së motrës e cila ishte në klasë të tretë dhe kjo e ndihmon atë të arrijë rezultate të mira, ku shquhet në vizatim dhe letërsi, shpesh hartimet e tij  lexohen para klase.

Faslliu thotë se “Nga shkolla fillore veçoj si të jashtëzakonshëm ditën dhe çastin, kur para gjithë shkollës, m’u dha Flamuri i Diturisë, në përfundim të një konkursi të organizuar nga Drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me Seksionin e Arsimit të rrethit, drejtuar nga mësuesi pasionant Andon Billo.”[4]

Pas mbarimit të shkollës fillore, gjatë viteve 1950-1953, nuk e vazhdon rregullisht shkollën shtatëvjeçare siç thotë poeti “për arsye ekonomike punova tre vjet si bujk.” Në këto rrethana shkollën 7-vjeçare e kryen natën duke qenë një nxënës sistematik dhe shumë i mirë.

Faslliu më tej tregon për një njëri që i jep drejtim jetës së tij artistike. Siç kujton ai “Në qershor të vitit 1953, aktori dhe piktori i Shtëpisë së Kulturës, Lushnjë, Ilia Shyti, më përzgjodhi midis disa anëtarëve të kursit të pikturës dhe më dërgoi në Tiranë që t’i nënshtrohesha konkursit të pranimit për në Liceun Artistik, në degën e pikturës me bazë fillore. Konkurrova dhe e fitova konkursin. Kur më erdhi përgjigjja që kisha fituar konkursin për pikturë dhe do të shkoja në Liceun Artistik, isha duke vaditur dhe në shtator, kur u nisa për në Lice, isha duke korrur misrin.”[5]

Pas një viti në Liceun e Tiranës, në dhjetor të vitit 1954, e marrin ushtar. Fillmi me vonesë i klasës së parë, ndërprerja për tre vjet e shkollës pas fillores dhe puna si bujk në fshat i kishin humbur shumë vite.

Siç kujton Faslliu “Në ushtri u njoha me Pjetër Arbnorin dhe Leka Totën. Këta kishin mbaruar gjimnazin. Pjetri kish qenë edhe mësues. Shoqëria me ta më ndihmoi shumë. Ata më jepnin libra të autorëve të mëdhenj dhe unë i përpija me etjen më të madhe. Me Pjetrin fillova të mësoj algjebër, me qëllim që kur të mbaroja shërbimin ushtarak, të vazhdoja klasën e gjashtë e të shtatë të shkollës shtatëvjeçare. Gjatë viteve 1956 dhe gjer në korrik të vitit 1957, vazhdova shkollën e natës, pa shkëputje nga puna dhe mbarova njëherësh klasën e gjashtë dhe të shtatë gjë që atëherë ishte e lejueshme. Në shtator të vitit 1957 u ktheva përsëri në Lice për pikturë.

Marrëdhëniet e mia me mësuesit e Liceut nuk kanë qenë dhe aq harmonike. Unë isha një nxënës oponent me mësuesit dhe debatues me ta dhe njëherë gati nuk e pësova keq, kur deklaron se “në Shqipëri nuk ka liri shprehje.” [6]

Faslliu kishte profesor piktorin e njohur Guri Madhi i cili edhe u kujdes për të gjatë viteve të shkollës. Faslliu ishte një talent jo vetëm në pikturë edhe në letërsi. Kishte shkruar poezi dhe bënte hartime të bukura. Ai kujton “Dita më e bukur e shkollës ka qenë dita, kur profesori Qemal Xhomo i cili na jepte letërsinë në maturë, lexoi para klasës hartimin tim.”[7]

Por ishte shumë i dobët në fiskulturë aq sa për pak nuk e përjashtojnë nga shkolla për shkak të mungesave në këtë lëndë.

Pas maturës, në vitin 1961, Faslliu fillon punë si mësues vizatimi në shkollat e Lushnjes deri më 1973, kur edhe dërgohet për riedukim në prodhim.

Në përpjekje për të kryer studimet e larta pengesat nuk i ndahen. Ai edhe pse fiton konkursin për në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, nuk lejohet “nga pushteti dhe partia në rreth që të vazhdonte studimet e larta për pikturë.”

Gjashtë vjetë pas mbarimit të Liceut Artistik, në vitin 1967 iu dha, më në fund, e drejta që të vazhdonte studimet për gjuhë dhe letërsi në UT, siç thotë poeti “me dëshirën time të plotë.”

Mbaron studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe, me korrespondencë, duke u diplomuar si “Mësues për shkollat e mesme”.

Në vitet 1973-1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si bujk i thjeshtë për katër vjet në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë dhe 6 vjet tjera në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq dhe e drejta e botimit.

 

 

NGA POEZITË E PARA DERI TEK “DIELLI DHE RRËKERAT”

Koha nga fillimi i krijimtarisë në klasat e fillores deri tek botimi i poezisë së parë në moshën 28 vjeçare është një periudhë që për Faslli Halitin ka qënë plot dilema, mes pikturës dhe letërsisë, kthesave spontane që jeta e tij ka marrë mes përkushtimit të bujkut, arsimimit të ndërprerë, shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rikthimit përsëri tek piktura dhe liceu, tek fillimi i punës si arsimtar e më në fund tek studimet e larta për letërsi si prioritet i parë krijues.

Faslli Haliti në intervistën e tij pohon që poezinë e parë ta ketë shkruar që në shkollën fillore.

Siç thotë ai “Por poezinë e parë e kam botuar në Almanakun e Lushnjës më 1961, kurse poezinë e parë në shtypin qendror letrar, e kam botuar në gazetën Drita më 22 prill 1963. Tregimin e parë e kam shkruar në vitin 1966 dhe fitova çmim inkurajues në konkursin kombëtar, organizuar me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të PPSH. Tregimin e dërgova në konkurs me emrin e një shokut tim, që në fakt ishte pseudonimi im. Këtë e bëra ngaqë isha kritikuar në gazetën «Drita» për poezinë «Shtergët» e cila u konsiderua e gabuar politikisht dhe druhesha se mos nuk do të ma pranonin në konkurs.” [8]

Në vitin 1969 Faslliu boton librin e parë me poezi “Sot”, i cili pritet mirë nga kritika profesioniste në Tiranë, por që kritikohet nga amatorë dashakëqij në Lushnje.

Recenzenti i librit kishte qenë Kadare që sipas Faslliut “e ndihmoi shumë botimin e librit.”

“Për librin Kadare shkroi edhe një artikull dashamirës në gazetën ’’Drita’’, shkrim i cili pati shumë impakt te lexuesi shqiptar, por edhe ngjalli shumë xhelozi te disa krijues të qarqeve letrare. Libri titullohej ’’Sot’’ dhe fitoi çmimin e tretë kombëtar në konkursin e shpallur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit.”[9]

Në një shënimin kritik të Kadaresë rreth librit të Faslliut, të cilin e kishte ndjekur edhe gjatë fazës së redaktimit dhe përgatitjes ai thotë: “Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij “Sot” që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse “Naim Frashëri.”[10]

Për Kadarenë, në atë kohë redaktor në gazetën “Drita”: Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë: Nata, Bulevardi, Fshesari dhe unë. Eja fshesar, Jemi kolegë. Ndize një cigar. Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore.”[11]

Një vit pas daljes së vëllimit poetik “Sot”, më 1970 shkrimtari Kapllan Resuli, në atë kohë mësues në Lushnje, i nis një letër gazetës së partisë “Zërit i popullit” të shkruar në bashkëautorësi me Spiro Dinakun një  nëpunës i qytetit dhe Hysen Kurtin një punëtor i komunales (i cili botonte herë pas here lajme të vogla kulturore nga Myzeqeja në shtypin e Tiranës), ku denocohet vëllimi me poezi “Sot” nëpërmjet një analizë të detajuar mirë dhe kuptohet me frymë  dashakeqe, inatçore me poetin. Me sa merret vesh gazeta nuk ia boton shkrimin, dërgohet për analizë në Lidhjen e Shkimtarëve, përfundon në zyrën e Ramiz Alisë në Komitetin Qendror, për t’u  zbuluar vetëm pas rreth 4 dekadash nga hulumtuesi i njohur Dashnor Kaloçi, në Arkivin Qendror të shtetit. Konkretisht e futur brenda një dosjeje pune të përgatitur për Ramiz Alinë nga sekretari i tij personal, Ilo Kodra, lidhur me reagimet në Lushnje pas botimit të poemës “Dielli dhe rrëketë” të Faslli Halitit.

Më 1972 Faslliu boton në revistën “Nëndori” Nr. 4, një cikël me poezi. Cikli bëhet shkak që të vihet në qendër të kritikave me ngjyrime politike në Lushnje, por edhe në Tiranë.

Kundërvënia e tij ndaj disa shfaqjeve të burokratizmit, dhe marrëdhënieve të sëmura që ushqenin njerëzit “me autoritet politik”, merret si nxirje e qëllimshme e realitetit socialist.

Poezitë  “Djali i sekretarit” dhe “Çifliku”, trajtonin qartazi këtë temë.

Më 16 dhjetor 1972, në gazetën “Zëri i Rinisë” boton poemën “Dielli dhe rrëkerat”, e cila ngre një furtunë politike kundër tij.

Më 25 janar të vitit 1973 gazeta lokale e Lushnjës “Shkëndia” boton një shkrim kritik të dhjetë gjimnazistëve me titull; “Dielli, dhe një poemë që spekullon me të.”

Sulmi i filluar në gazetën “Shkëndia” të Lushnjes arrin deri në zyrën e Sekretarit të KQ të PPSH-së, RamizAlia, të cilën poeti e takon  në shkurt të vitit 1973 në përpjekje për t’u mbrojtur nga sulmet e dirigjuara nga udhëheqja partiake në rreth. Sipas Faslliut, me udhëheqësin komunist flasin për kritikën që i ishte bërë ato ditë poemës së tij «Dielli dhe rrëkerat» dhe ai e njofton se në ditët në vijim do të ketë diskutim për poemën, në bazë.

Faslliu e kujton takimin me detaje edhe pas shumë vjetësh:” Më priti mirë. Biseda ishte e lirë disi liberale, disi demokratike. Ai nxori nga sirtari gazetën «Zëri i rinisë», ku ishte botuar poema ime dhe gazetën «Shkëndija», ku ishte botuar kritika aktakuzë kundër poemës «Dielli dhe rrëkerat» e dhjetë gjimnazistëve të mbështetur nga komiteti i Partisë dhe personalisht nga sekretari i parë Rrapi Gjermeni, i prekur më tepër nga një poezi imja me titull «Djali i sekretarit», në revistën «Nëntori.» A bëjmë një diskutim, tha Ramiz Alia, për poemën dhe kritikën që i bëhet poemës? Bëjmë, i thashë unë. Poema është e gabuar ideologjikisht, më tha Ramiz Alia, po ne nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan politik e personal. Do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës Shkëndia, tha dhe instruktorit që mbulon gazetën në komitet të partisë. Kështu?

U gëzova, por pas dy-ti ditësh Ramiz Alia në një mbledhje me punonjësit e shtypit tha se Zëri i rinisë, ka botuar poemën «Dielli dhe rrëkerat» e poetit Faslli Haliti që është e përshtatshme për t’u botuar në gazetën «Le Monde». Kaq deshi Rrapi Gjermeni, bëri shpejt e shpejt një mbledhje autodafe si ato të inkuizicionit mesjetar, më ndërseu gjimnazistët e indoktrinuar e të manipuluar nga ai vetë dhe më dërgoi për riedukim ideologjik e politik në orizore.”[12]

Orëve të demaskimit të madh i paraprijnë përgatitja opinionit kundër tij, dhe sidomos përpunimi i gjimnazistëve. Kjo ishte një praktikë tipike e socializimit, më saktë e sigurimit të shtetit, kundër veprave të shkrimtarëve dhe vetë shkrimtarëve. Për shembull për ndalimin e novelës “Natë me hënë” të Kadaresë një gjimnaziste kishte nisur një letër tek udhëheqja e lartë komuniste me shqetësimin se novela cënonte moralin komunist të të rejave shqiptare.

Në këtë praktikë në fillim të marsit 1973 rrethi letrar i Lushnjës organizon një diskutim rreth poemës “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Haliti ku merr pjesë nga LSHA shkrimtari Teodor Laço, i cili e merr në mbrojtje Faslliun dhe dekurajon kritizerët. Në një relacion të sekretarit të parë të partisë të rrethit Lushnje nisur KQ të partisë disa ditë më vonë më 24 prill 1973 thuhet: ” Në këtë diskutim i dërguari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shkrimtari Teodor Laço, i cili gjatë diskutimit të tij, megjithëse vuri në dukje gabimet ideologjike të poemës në fund u shpreh: “Sidoqoftë pemën me kokrra të gjithë e qëllojnë me gurë.”[13]

Në fund të marsit  të vitit 1973, në shtëpinë e kulturës të qytetit Lushnje organizohet për 14 orë demaskimi i poetit, në një sallë të tejmbushur ku poeti detyrohet të qëndrojë në këmbë dhe t’u përgjigjet pyetjeve ironike dhe shantazhuese të sekretarit të partisë dhe të militantëve të tij në sallë.

Në fund të kësaj mbledhje dilet me propozimin që poeti denohet me punë të detyruar në orizore në një prej  kooperativave bujqësore të Lushnjës dhe pas katër vjetësh, dënimi do të vazhdonte në ndërmarrjen komunale edhe për gjashtë vjet të tjera.

 

KRITIKA E DHJETË  GJIMNAZISTËVE PËR POEMËN “DIELLI DHE RRËKERAT”

Jam ndalur tek letra denoncuese e dhjetë gjimnazistëve të Lushnjës jo thjeshtë për ta vlerësuar si një dokument që pasuron studimin tim, por për të parë frymën e shantazhit dhe fantazinë e ligë që prodhonte ai sistem kundër njerëzve të pambrojtur, pra edhe të poetëve dhe shkrimtarëve që kishin cënuar drejtuesit e partisë, prekur  sado pak  në sedër apo lënduar.

Së dyti për të parë urrejtjen dhe hakmarrjen e njerëzve të pushtetit komunist që nuk ndalin para asgjëje, duke përdorur hafije, servilë dhe të rekrutuar të tjerë në provincë, deri edhe fëmijë shkolle duke fallsifikuar një një dokument në emër të tyre, pasi është krejt e qartë se ajo letër nuk ishte shkruar asnjëherë në dora e disa gjimnazistëve të cilët marrin vetëm disa njohuri bazë në letërsi, por nga një dorë e stërvitur në këto punë.

Letra e botuar në gazetën “Shkëndija”më 25 janar 1973, me titull “Shënime kritike nga dhjetë gjimnazistë”, fillon me fjalët se “Nuk na e priste mendja se Faslli Haliti do të shkruante një poemë të tillë si “Dielli dhe rrëkerat”. Ajo është frut i një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë, të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin.”[14]

Pasi bën një analizë ideologjike hyrjes së poemës, letra vijon me shqëtëismin që gjoja poema i ka bërë moralit të pushtetit popullor. “Nga e gjithë poema del se pushteti ynë qenka burokratizuar deri sa nuk mban më, se askush nuk i qan hallet e popullit, se punëtorët duhet ta rregullojnë vetë strehën e tyre dhe në poemë u jepet “urdhër” atyre që t’u thyejnë “dhëmballët burokracisë” dhe po u munguan gurët të shkulin dhëmbët e nëpunësave. Si t’i marrim të gjitha këto, si vargje figurash të bujshme, apo si pikëpamje të gabuara për realitetin tonë revolucionar? Jo, ato nuk tingëllojnë aspak drejtë në luftën kundër burokratizmit, flamurin e secilës e mban kurdoherë partia, por gumëzhijnë për anarshi dhe rebelizëm.”[15]

Letra vazhdon duke çuar në esktrem domethënien e vargjeve dhe figuracionit të poemës, deri deformim të natyrës artistike të poemës, duke bërë aludime të qëllimshme me sens politik, për të dëmtuar sa më shumë poetin, mundësisht burgosur në vend. ”Sipas poemës askush nuk bën gjë, kështu që i mbetet “unit të poetit” të japë “urdhërin”: “Thyejani dhëmbët burokracisë!” Ky është një shtrembërim flagrant i së vërtetës, që e ka burimin në mentalitetin e vjetër e tërë të çara të autorit, që ose shitet shumë “naiv” në politikë, ose është prej atyre që shfrytëzon situatat revolucionare për të nxjerrë në shesh kundërshtimet e tij prej mikroborgjezi. [16]

Letra në stilin e frymës së kohës, kujton faktin se devijimi nga fryma e qartë partiake është bërë një mënyrë rutinë e autorit, duke i përmendur edhe botimet tjera, po aq të gabuara sipas tyre, biles duke shënuar faktin se ata nuk kanë qënë dakort me to.

Pra Faslliu duhet të kishte marrë miratimin e gjimnazistëve të letrës, para se të dërgonte për botim poemën apo ciklin me poezi, të publikuara tek revista “Nëntori”.

“Poema “Dielli dhe rrëkerat” botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 16 dhjetor 1972, na kujtoi se ky konfuzion ideologjik ka pasë nxjerrë kokë edhe në krijime të mëparshme të F. Halitit, me të cilat ne nuk kemi qenë dakord. Mjaft vjersha të tij ideologjikisht të gabuara apo gjysëm formaliste që lexonin nëpër faqet e organeve letrare (duke u çuditur si botoheshin) ne na revoltonin. Prandaj për këtë poemën e fundit, është kjo arsyeja që menduam se do të gabonim sikur të heshtnim më gjatë.”[17]

Në fund letra paralajmëron edhe fundin e poetit dhe kalvarin e riedukimit e tij, siç thuhej atëherë, diku në kudhrën e klasës punëtore ose të aleatës së saj, fshatrësisë kooperativiste. “Pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez F. Haliti nuk mund të na japë poezi të shëndosha të realizmit socialist, por përkundrazi ashtu siç vihet re nga ecuria e krijimtarisë së tij, ai ka rrezik të thellohet në çoroditjen ideologjike dhe atëhere do të jetë tepër vonë”[18], përfundon letra që nisi në të vërtetë demaskimin publik të tij

 

DOSJA E FASLI HALITIT NË ZYRËN E RAMIZ ALISË, POETI I SHPËTON PËR  PAK  BURGUT

 

Është vështirë të kuptosh mekanizmat e sofistikuar të diktaturës ndaj artit, biles edhe ndaj vetë jetës së artistit apo poetit, ndërsa ata vepronin me një përsosmëri të frikshme dhe njëkohësisht banale. Siç thotë Ismail Kadare:” Komunistët i trembte arti. Udhëzimet e shefave të tyre më të lartë, duke përfshirë Lenin dhe Marksin, ishin aq të cekta saqë mijëra punonjës të kulturës torturonin trutë ditë e natë për të kuptuar se ç’donte të thoshte Lenini, në të vetmin librushkë të tij për letërsinë: Organizata e letërsisë dhe letërsia e partisë”.[19]

Në të gjitha vendet komuniste të Europës vepronte thuajse i njëjti mekanzimën kontrolli dhe censure, në krye të të cilave qëndonte aparati qendror i partisë dhe vetë udhëheqja e lartë, por në Shqipërinë “stërstaliniste” “siç shprehet Kadare, këta mekanizma ishin më brutal dhe të frikshëm. Ky sistem presioni që merrte në vazhdim trajtat e një terrori të vertetë ndaj shkrimtarit, është përdorur edhe ndaj poetit Faslli Haliti, ashtu siç ishte përdorur më parë ndaj  Frederik Rreshpjes, Vilson Blloshmit, Genc Leka, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit etj.

Më poshtë po jap të plotë servirjen që sekretari i Ramiz Alisë i bën çështjes së Faslli Halitit, duke ia përmbledhur në një dosje. Aty ka çdo detaj për një poemë, të denjë për një seancë gjyqësore, kur është shkruar, kur është botuar, çfarë komentesh ka patur për të, kush e ka sulmuar dhe kush e ka mbrojtur, dëshmitarët nga provinca, gjimnazistët e shqetësuar  të Lushnjës dhe letra e tyre. Natyrisht edhe letra mbrojtëse e poetit. Fjala e fundit e tij.

“Përmbajtja: Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkesë e Faslli Halitit, artikull i gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së;

-Mbi vëllimin poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që s’pasqyron tipiken.

-Mbi artikullin “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”

Mbi kërkesën për takim të Faslli Halitit

Është shkrimtar. Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull “Dielli dhe rrëkerat” dhe e paraqiti në redaksinë e Almanakut të Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë, Hasan Çobani, ngriti çështjen se poema ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që të largohej nga mbledhja Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të tjerë se këtë poezi duhet ta dorëzonte në Degën e Punëve të Brendshme si material armiqësor.

Më vonë unë e dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, mbasi e ripunova sipas vërejtjeve që më bënë dhe ajo e botoi.

Disa ditë më vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për poezinë tonë dhe aty thuhet se poezia e Faslli Halitit karakterizohet nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një, personalen me të përgjithshmen”.

Kjo gjë nuk i pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky përgatiti një shkrim kundër, jo vetëm ndaj poezisë në fjalë, por ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në gazetën lokale “Shkëndija” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të rinjve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe drejtonjës i grupit vetë shoku Hasan.

Në këtë artikull ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.

Dua të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj, por në mbledhjen ku u diskutua për poezinë time ishin vetëm 10. Një nga të rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku Hasan u kishte thënë se do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e keqe dhe ne duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që ta firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.

Kur ndonjëri nga të rinjtë shfaqi ngurrim, ai iu tha këtë gjë e di edhe sekretari i Partisë.

Lutet të shihet çështja nga ana jonë.

27.10.1973   Ilo Kodra[20]

 

DEMASKIMI PUBLIK I POETIT SI FORMË PRESIONI NDAJ  LETËRSISË

 

 

Shkrimtarët dhe poetët e viteve 1970 refuzuan modelin e letërsisë që afirmonte vetëm arritjet e socializmit. Por nga ana tjetër, shkrimtarët dhe poetët që ju mënjanuan temave të mëdha dhe shkruan për një tjetërsim të shoqërisë, si dhe për dështimet e socializimit për të siguruar minimumin jetik të njerëzve si një shtëpi apo banesë, siç thotë edhe poema e F. Haliti, e gjetën vetëm përpara një gjyqi popullor, me një mijë akuza të rënda, pas të cilave vinte heqja e të drejtës së botimit, puna në prodhim dhe akoma më keq burgu. Një situatë të tillë është gjendur edhe Faslliu, fund të marsit të vitit 1973, të cilën e përshkruan me detaje ish-gjimnazisti Tahsin Xh. Demiraj, anëtar i rrethit letrar të gjimnazit të Lushnjës, ndër të patët nxënës që mbrojti poetin hpatazi në sallën e demaskimit. Ai i tregon kështu orët dramatike të linçimit politik të Faslliut  në një dorëshkim të botuar pjesërisht në gazetën letrare “Nacional.”

 

“Atë fund të marsit të vitit 1973, rreth orës tre pasdite në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës së qytetit, filluan të vijnë shkrimtarët e besuar, beniaminët e Partisë, pas tyre erdhi dhe grupi i krijuesëve të rinj të rrethit letrar të gjimnazit, me mësuesin e tyre të letërsisë në krye të «gardistëve» të kuq.

Unë me Faslliun arritëm me një frymë në Shtëpinë e Kulturës ku, salla ishte mbushur plot e për plot.

Të gjithë e përpinë me sy Faslliun që zuri vend në radhën e tretë të sallës, afër shokut të tij më të besuar, Halil Jaçellarit. Unë u ula në radhën e parë. Ndërkohë hyri Sekretari i parë. Të gjithë u ngritën në këmbë. Sekretari bëri shenjë me dorë që të uleshim dhe ne u ulëm.

Fjalën e mori sekretari i parë i komitetit: Dua që secili të më flasë për krijimtarinë e tij, tha Sekretari i parë. Në sallë nuk dëgjohej asnjë pipëtimë.

Po ai Faslli Haliti është këtu…?  pyeti sallën sekretari. Këtu jam, tha Faslliu dhe u ngrit në këmbë disi i qetë.

Pa na fol për atë krijimtarizezën tënde, i tha sekretari poetit. Faslliu dukej sikur po i ngarkonin dy kuintalë peshë mbi supe. Pa na thuaj një çikë, i tha prerë sekretari, ç’të shtyu ty, të shkruash poezi të tilla katran me bojë, si këto: Njeriu me kobure, Zhurmë, Djali i sekretarit, Njeriu i zi, Çifligu, Thyerje… Pa na thuaj këtu, ç’ke dashur të thuash me to; sidomos me poezinë Çifligu, çifligjet ua mori reforma agrare çifligarëve. Ç’na përrallis ti, apo do që t’u kthehen prapë atyre…? Po me ato vargjet yrnekë: Rroftë dielli President i plazhit e, ku di unë… Kush të shtyu të shkruash poemën katran me bojë Dielli dhe rrëkerat, Tirana?  Tirana e gjithë jo, xhanëm, se në Tiranë jeton e punon edhe shoku Enver, po e kam fjalën se kush të shtyu nga ata rrufjanët politikë, për të cilët flet shoku Enver në fjalimin e tij historik, mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor…?

Nuk kam ç’të them shoku sekretar… Unë i bëj poezitë dhe i dërgoj për botim… tha poeti që qëndronte vazhdimisht në këmbë, si para një gjyqi apo autodafeje mesjetare. Ai deshi të ulej, por sekretari e urdhëroi të qëndronte në këmbë… Po, po, e dimë këtë. Për botimin e tyre do të përgjigjen ata që t’i kanë botuar. Ti do të përgjigjesh për veten tënde… Ç’të shtyu të shkruash poezi të tilla katran me bojë..? Realiteti, lufta që bën Partia kundër burokratizmit, u përgjigj poeti i gozhduar. Po pse more ti, ky është realiteti ynë socialist…?  Do të flasësh si duhet ti, apooo…,  shkreptiu sekretari.

Faslliu  u ul, por sekretari e ngriti përsëri dhe ai ndenji në këmbë gjatë gjithë mbledhjes e cila zgjati gati 10,  12, 14 orë. Dashakeqët i hidhnin sytë me vetulla të ngrysura dhe ngriheshin nga pak e merrnin poza kinezçe që t’i shihte sekretari. Dashamirët menduan me pikëllim se kaq e pati i ziu poet… “[21]

Ky material i bazuar me korrektesë në zhvillimin e mbledhjes së demaskimit politik të poetit, sjell edhe disa diskutime tipike për ngjarje të tilla tragji-komike, me fjalorin e asaj kohe.

Shkrimtari K. G: “Faslliu ka bërë vazhdimisht poezi të gabuara. Ia kemi thënë disa herë në mbledhjen e  Degës tonë të Lidhjes… Faslliu duhej të na dëgjonte ne që jemi më me eksperiencë se ai, me formim të plotë të partishëm. Poemëzeza Dielli dhe rrëkerat dhe i thamë se ishte e gabuar, me përmbajtje armiqësor, se e godiste Pushtetin tonë Popullor. Faslliu duhej ta griste atë poemë katran me bojë…”

Sekretari i parë: Poema nuk është vetëm e gabuar, por është një poemë plotësisht me përmbajtje armiqësore. Ky farë poeti, apo p-e-o-t-i, bën thirrje që llumi, domethënë të deklasuarit, të rrokin armët kundër Pushtetit Popullor.

Shkrimtari D.Ç  që mbahej si njohës i thellë i letërsisë: “Ne nuk do të lejojmë, që armiku të depërtojë në radhët tona. Unë i rekomandoj poetit që të lexojë “Organizata e Partisë dhe letërsia e Partisë të shokut Lenin”, të lexojë gjithashtu dhe romanin “Si u kalit çeliku” të shokut Gorki dhe romanin “Nëna” të shokut Majakovski… Salla  u shkri së qeshuri.  Pooo, të lexojë nga letërsia e popullit të madh kinez, sidomos romanin e shokut Lejfen që mua më kanë pëlqyer më shumë, jashtëzakonisht shumë domethënë.”

Thoma Lala (shef i kulturës në komitet): Unë e njoh që në fëmijëri Faslliun dhe të them të drejtën, poema për të cilën jemi mbledhur e po e diskutojmë këtu si poemë reaksionare, nuk e kuptoj se si më paska pëlqyer mua që jam edhe shef i seksionit të kulturës! Nuk e mohoj, më pëlqeu…”

-Letrari amator Naser G:  “Unë mendoj se në rastin e Faslli Halitit, nuk kemi të bëjmë me një rrëshqitje, por me një predispozitë. Ai nuk gabon për herë të parë… Dhe mbi të gjitha nuk kemi bindje se ai përsëri do të gabojë, sepse ai nuk rregullohet kurrë, nuk shëndoshet kurrë sepse nuk i shijon ushqimi i partisë.”

Duke parë pjesëmarrësit në sallë që ishin trullosur me të tilla diskutime si gjellë qensh dhe se ora po shkonte 00,45 minuta, se kishim gati 13 orë të mbyllur, në sallën e provave të Shtëpisë së Kulturës, kurse poeti 14 orë në këmbë… ndërhyra duke propozuar që meqenëse do të jepej një masë riedukimi në prodhim, poeti të shkojë në metalurgjik.

Sekretari: “Nuk është nevoja të shkojë në Metalurgjik, mendoj unë. Kemi kooperativat tona bujqësore këtu, ku Faslliu mund të vejë të punojë dhe të mësojë sesi nxirret buka dhe për kë duhet të shkruajë e si të shkruajë.

Ngrihemi!, se u bë vonë, dha urdhër sekretari.

Të gjithë u ngritën si të mpirë… Dashakeqët dilnin nga salla të kënaqur, dikush fërkonte duart me gëzimin e njeriut të vogël, ne, shokët e poetit dilnim të vrarë dhe të mërzitur nga ajo mbledhje gjyq, autodafe, kurse vetë poeti, as i gjallë e as i vdekur, mori rrugën, i vetmuar tutje në jug të qytetit,  për në shtëpinë e tij.”[22]

 

 

LETRA E DËRGUAR NË GAZETËN  “ZËRI I POPULLIT”  PËR LIBRIN “SOT”  TË FASLLI HALITIT

 

Në fushatën kundër  Faslli Haliti, një poeti me jetë të kontrolluar  dhe shumë korrekte më të gjithë në qytetin e tij, u përfshinë shumë njerëz, institucione dhe organzata, si ajo  e rinisë, frontit, gruas, biles edhe vetë sigurimit të shtetit. Përveç problemeve të mprehta sociale që trajtonte poezia e tij dhe që e kishte armiqësuar me drejtuesit lokalë në rreth, mundet që shkrimtarët e provincës ta kenë përjetuar si sfidë ndaj tyre edhe suksesin letrar të Faslliut, të konfirmuar edhe nga shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, me një shkrim të botuar në gazetën “Drita”,çfarë e bëri edhe më të plotë këtë inat të përzishëm për ta.

Nga ana tjetër ka patur zëra qysh atëherë që mendojnë se gjithë fushata u dirigjua ndaj autorit të librit, por në fakt synonte recenzentin dhe mentorin e tij në shtyp që ishte Ismail Kadare, i cili kishte lejuar të botohej një libër i tillë kundër partisë dhe socializmit.

Një nga këto dokumente që e provon këtë dashakeqësi dhe mundet edhe komplotin ndaj poetit, apo të dyve bashkë (autorit dhe recenzentit) është edhe një letër që shkrimtari Kapllan Resuli, nëpunësi Spiro Dinaku dhe punëtori Hysen Kurti, i nisin gazetës partiake “Zëri i popullit”. Letra me titull “Poezi që s’pasqyron tipiken. Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit”, nuk ka një datë fikse.

Sipas studiuesit të arkivave Dashnor Kaloci “Ky shkrim i cili u refuzua të botohej nga gazeta  “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë, (në kohën që goditej e kritikohej Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej në burg), i është dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e grumbullimit “të provave materiale” për fajësimin e goditjen e poetit të ri myzeqar, F.Haliti.[23]

Por nisur nga shënimi i sekretarit të Ramzi Alisë, Ilo Kodra me 27. 10.1973, se letra ka shkuar në adresë të gazetës “ZP” dy-tre vjet më parë i bie që te jetë shkruar gjatë vitit 1970, pak muaj pasi ishte botuar vëllimi “Sot” i Faslliut (Tiranë 1969) dhe disa shkrimeve promovuese për të, përveç shkrimit të Kadaresë, recenca afrimuese ishin botuar edhe nga Myzafer Xhaxhiu, Teodor Laço, Klara Kodra, Adriatik Kallulli etj. Sido që Resulli e ka mohuar ta këtë shkruar letrën dhe t’i këtë njohur dy bashkautorët e tjerë të saj, në disa prononcime të bëra menjëherë pas publikimit të materialit arkivor me 2018, ai ruan akoma frymën jo miqësore me F. Halitin.

Kapllani dhe dy të tjerët shkruajnë në letër se “Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllimi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjershat e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit?.[24]

Shkrimi i tre autorëve kundër librit “Sot” vijon :

“Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit:Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.

 

“Marsi,

Me kokën e kaltër

Me trupin e gjelbër

Kitarë e ujrave vari në qafë

Si tela kitarash rrëkerat i dredh

Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.

(Marsi në Sarandë)

 

“Mbi koka jeshile pemësh

Natyra derdhi bojë të verdhë

Vjeshta krahët e artë

Mbi fusha i hodhi,

Dhe kodrave lart”.

(Ardhja e vjeshtës)

 

“Nyja nyjën thërret

Me rrezet paralele zgjaten kërcellet

Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf

Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta

Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt

Nis zbukuron me lulet e veta,

(Unë nuhas pranverën)

 

Ja disa strofa të këtyre peizazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto peizazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare.

Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

 

“Njerëz që venë në kamp në Durrës

Që venë të takojnë të fejuarën

Që nisen të shohin një ndeshje futbolli

Që nisen të marrin provimin e parë

Që nisen të marrin provimin e fundit

Që nisen kufirit ushtarë”.

 

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na servir si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale

Ç’vargje të neveritshme?!”[25]

 

Ndërkohë që Faslli Halit i ishte kundërvënë burokracisë së sistemit dhe egërsisë më të cilën trajtonte njeriun e thjeshtë, mekanizimi politik i pushtetit, shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë, natyrisht të imponuar, i shkruanin në grup letra drejtuar Enver Hoxhës me zotimin se “do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.” Njëra prej këtyre letrave është e prillit të vitit 1973.

Letra në fakt është një dëshmi edhe e presionit të fortë politik ndaj shkrimtarëve dhe artistëve. Në vitet 1967-1970 një numër i lartë i shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës ishin degdisur nëpër kooperativa, ndërmarrje dhe kantiere ndërtimi në zonat më të largëta të vendit, nën pretekstin për të njohur jetën socialiste dhe pulsin e zhvillimit socialist, por në fakt ishte një presion direkt për t’i nënshtruar dhe siguruar një bindje qorre dhe poshtëruese ndaj direktivave partiake që natyrisht  shkonin gjithnjë në kundërshtim me natyrën e pavarur të artit dhe letërsisë. Ja teksti i letrës: “Me besim, optimizëm e frymëzim revolucionar ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.

Shokut Enver Hoxha

Sekretar i parë i Komiteit Qendror të PPSH

I dashur shoku Enver,

Ne shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë socialiste, jemi të ndërgjegjshëm për detyrën e lartë, që na kanë ngarkuar populli e partia për të milituar në frontin e madh të ideologjisë dhe të kulturës sonë të re. Pikërisht për këtë na kanë rrethuar dashuria dhe respekti i popullit, i partisë dhe juaji i dashur shoku Enver.

Me besim të patundur në mësimet tuaja, duke njohur thellë gëzimet dhe hallet e popullit ne do të vazhdojmë më me ngulm luftën për forcimin e partishmërisë në letërsi dhe arte, për forcimin e tabanit të tyre kombëtar popullor socialist, për ngritjen në një nivel më të lartë teorik marksist-leninist të kritikës letrare e artistike dhe të shtypit tonë.

Me besim e optimizëm të plotë me frymëzim, ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, revolucionare të denja për partinë për popullin, për komunizmin.”[26]

 

FRYMA DASHAKEQE NDAJ LIBRIT “SOT”, QYSH NË DISKUTIMET E PARA MË 1970

 

 

Është e çuditshme përse gjithë kjo kundërvënie provokuese ndaj një libri të një autori të ri, pikërisht nga mjediset ku ai jetonte dhe ku kishte marrë frymëzimin, në Lushnje. Mundet që edhe letra agresive e treshes së kryesuar nga shkrimtari K. R të jetë shkruar ato ditë kur ishte bërë edhe diskutimi i parë krijues i librit “Sot” po në fillim të vitit 1970. Këtë zhvillim negativ dhe të çuditshëm e konfirmon edhe Ismail Kadare në raportin e mbajtur prej tij në Konferencën Kombëtare të talenteve të reja, në prill 1970.

Ismaili, ndërsa flet për një përkujdesje dhe dashamirësi më të madhe që LSHA duhet të tregojë  për promovimin e  librave të autorëve të rinj, evidenton edhe raste negative, dashakeqe sidomos ndaj poetit Faslli Haliti.

Ai posaçërisht ndalet tek rasti i F.Halitit ndërsa thotë: “Ka patur raste kur në ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në gazetën “Drita” nga një letrar i ri i Lushnjës, i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që iu bë librit “Sot”, të poetit të ri Faslli Haliti nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër  ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër  të mirë poetik, ata jo vetëm që e pritën në këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushatë akuzash spekulative.”[27]

 

Kadare në këtë raport kryesor të Konferencës  përmend me pozitivitet ”Vjershat e  Faslli Halitit, Natasha Lakos, Sadik Bejkos, Moikom Zeqos, Ndoc Paplekës, Spiro Dedës, Mehmet Elezit etj.”

Në analizën e Kadaresë më tej thuhet: “Nuk është e vështirë të dallosh vargjet e ngrohta, plot mendime, që kanë gjithmonë një rrjedhë të vetvetishme të Sadik Bejkos nga vjershat e shkurtra disa herë çapkëne, plot të papritura të këndshme të Fasli Halitit…” (Ismail Kadare: Fjala e shkrimtarit mbajtur në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, 25 prill 1970.[28]

Kadare shprehet i shqetësuar kundër procedurave paragjykuese të ndjekura nga enti i vetëm botues i vendit ndaj disa autorëve të rinj, talentuar si Sadik Bejko, për vonesat që po haste poeti i ri për botimin e librit të parë. “Fakti që vite me radhë, poeti i ri i talentuar Sadik Bejko, nuk po boton dot një libër vjershash, nuk mund të përligjet…”[29]

 

Poeti Sadik Bejko e kujton këtë periudhë të vështirë ku siç thotë ai “Për shumë vite mua më ktheheshin librat që çoja për botim. Vjershën e parë e botova në janar 1965, librin e parë e botova në dhjetor 1972.”

Në këtë studim kam botuar edhe informacione që drejtuesit e shtëpinë botuese “Naim Frashëri” i raportonin sekretarit për kulturën në Komitetin Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia për politikën e censurës që ndiqnin ndaj disa autorëve në mesin e të cilëve përmendej edhe libri “Rrënjët” i Sadik Bejkos, të cilën ia kishin kthyer disa herë autorit. Libri kishte figuracion të errët dhe prirje hermetike si tek poezitë:“Lumi” “Meditim”, dhe “Rrënjët”.

Ja poezia  “Lumi”[30], një nga vershat e bukura për të cilat libri ishte rikthyer disa herë për hermetizëm dhe që autori pas ripunimit i ka dhënë këtë trajtë që përsëri ngjan një krijim interesant.

 

Mbrëmjeve në trurin tim feksin

as vetë s’e di çfarë por ka diçka që feks.

 

Paralel me rrugën rrjedh një lumë.

Mbi të kërruset e bie qyteti i mahnitshëm nëpër

reflekse.

reflekse, që e joshin

sa nuk e verbojnë nëpër net.

 

Mbrëmje, gjysmerrësirë, eci unë

dhe lumi me drita mbi shpinë;

 

Lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,

ndërsa rrëshqet vjedhuraz nën to,

si prind që s’do t’i zemërohet fëmija.

 

Ato e përkëdhelin nëpër trup,

ato ia dinë edhe gurët e ftohtë që ka në fund.

 

Po ai s’mund të mos ikë

s’mund të ndalet, s’mund të presi;

Në imazhin e tij,

në mishin e tij,

në shqetësimin e tij, është deti.

 

Dhe kur i dalin përpara fushat,

ai këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet

ndërsa mes të dy brigjeve brenda shtartit të tij

rrëshqet,

por mua, kur eci pranë tij mbrëmjeve,

nëpër tru diçka më feks.

Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë

me tërë dritat, gjërësinë dhe shqetësimin e vet

Në qetësinë a në gëzimin,

në lodhjen a në mërzinë time

dhe fare padashjen time dritat e tij më feksin,

Më feksin,

ndërsa si lumi shtartin,

hapat e mia rrugën ndjekin.

 

Sadik Bejko arrin më në fund të botojë librin më 1972, i cili ishte nga librat më të mirë poetik dhe në kohën e mbajtjes së Festivalit të 11-të, të Këngës në RTSH (Dhjetor 1973), ai ishte redaktor i teksteve në këtë institucion.

Festivali u vu në shënjestrën e vetë udhëheqësit komunist qysh në fillim të vitit 1973. Dihen, tashmë pasojat, që pësuan kompozitorët, këngëtarët, prezantuesit dhe autorët e teksteve. Sadik Bejko ishte autor i teksteve të tre prej këngëve të këtij festivali dhe goditjet ndaj tij do të ishin të ashpra.

Bejko dënohet me riedukim si punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit Memaliaj për gjashtë vjet (janar 1974- nëntor 1980), duke iu hequr edhe e drejta e botimit dhe po kështu libri nga qarkullimi.

Një histori persekutimi e vazhdueshme ndaj poetit, të cilit nuk dihet kush ia kishte veshur me dashakeqësi një biografi të keqe, pasojat e së cilës nuk i ishin ndarë asnjëherë.

Poet shumë vite më vonë në një intervistë thotë: “Kam qenë njeri me nder të cënuar, me të drejta të kufizuara, i ndëshkuar që të mos ushtroj profesionin tim si mësues, të mos ushtroj të drejtën e të qenit shkrimtar. Njeri që duhet t’i nënshtrohesha kokëulur padrejtësisë, arbitaritetit shtetëror. Për këto nuk ka asnjë vendim gjykate, asnjë urdhër administativ të shkruar. Me urdhra verbalë që vinin nga lart me telefon ti mund të ndëshkoheshe pa të drejtë që t’i nënshtroheshe një gjykimi. Gruaja ime e pësoi se nuk më ndau (kërkesë që iu bë verbalisht), nga mësuese ajo punoi mbi dhjetë vjet si normiste me turne, me rrogë të përgjysmuar.”[31]

 

SHTYPI I EMIGRACIONIT POLITIK MERR NË MBROJTJE FASLLI HALITIN

 

Kritika letrare në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe vetë letërsia, ishte e kontrolluar dhe e orientuar politikisht, gjithashtu. Në Kosovë tregohej vëmendje për prurjet e reja nga Tirana.“Rilindja” botonte shumë libra të seleksionuar në Prishtinë dhe po ashtu merreshin në shqyrtim librat e autorëve të shquar në poezi dhe në prozë. Kritika atje nuk ndërhynte me komente të natyrës politike apo duke bërë hulumtime për autorë që dënoheshin, hiqeshin nga qarkullli apo gjendeshin në fushata presionesh në Shqipëri siç ishte rasti i Faslli Halitit, sido që veprat e tyre atje qarkullonin, pavarësisht fatit politik të autorëve të tyre në Tiranë.

Shtypi letrar i diasporës ishte i pakët dhe kryesohej nga “Shejzat” e Ernest Koliqit (1903-1975). Shkrimtari dhe albanologu i njohur e drejtoi revistën e tij akademike për 18 vjet më radhë (1957-1975), duke patur bashkëpunëtorë edhe shumë figura të njohura të emigracionit si Martin Camaj, Arshi Pipa etj. Revista tregonte vëmendje edhe ndaj zhvillimeve letrare dhe kulturore në Shqipëri.

Në një koment të tij për tablonë e letërsisë socialiste në Shqipëri, Ernest Koliqi e përmend edhe persekutimin e Faslli Halitit, për shkak të poezive të tij, denoncuese ndaj njerëzve të pushtetit.

“Për të plotësuar portretin e xhelatit humanist e artdashës (Mehmet Shehu), na duket e përshtatshme vjersha “Njeriu me kobure” e poetit Faslli Haliti, zëri i të cilit është mbytur nga Partia.[32]

Një tjetër revistë që u botua për 30 vjet në Itali ishte   “Koha e jonë”, njëra  nga  periodiket e rëndësishme të shtypit shqiptar në emigracion pas Luftës së Dytë Botërore.

“Koha e jonë”[33], në një nga numrat e saj të (janar-shkurt-mars të vitit 1974), merr në mbrojtje poetin Faslli Haliti. Nuk dihet se si botuesi, Elez Ndreu, kishte marrë informacion rreth dënimit të poetit pas një procesi demaskimi publik për shkak të poemës  “armiqësore”  “Dielli dhe rrëkerat”, por shkrimi flet me detaje rreth ngjarjes dhe hedhin dyshime për fatin e poetit, pas zhdukjes së emrit të poetit nga faqet e shtypit të Tiranës.

Revista periodike “Koha e jonë”, e përkohshme, politike, kulturore dhe shoqërore, u botua në Firence prej vitit 1962 deri me 1992 dhe në faqet e saj gjatë 30 vjetëve kanë botuar shumica e eksponentëve të shquar të emigracionit politik shqiptar në Europë dhe SHBA.

Në një shkrim të titulluar “Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e sotme” dhe të nënshkruar me pseudonimin nga Ujk Mali, vlerësohet kritika nga brenda që i vjen sistemit komunist. Për këtë, pas Shollzhnecinit rus ai merr si shembull kritikën që Faslli Haliti i ka bërë abuzimit të komunistëve me parimet utopike të komunzimit.

“Ky fakt kuptohet nga çdo njeri anti-doktrinar në qoftë se ai merr parasysh komunizmin thjesht si ide. Shqiptarët që jetojnë në një mërgim politik, me vuajtje të shumta dhe me një urrejtje të zjarrtë kundër sunduesëve në Tiranë, me zor mund të përfytyrojnë pozitivisht  idenë e komunizmit.  Por kush mund të mohonte me argumenta bindëse humanizmin e thellë nga i cili buron kjo ide: lirinë, vllazërinë, barazinë ekonomike, kulturale e shoqërore! Fajin e kanë ata, që këtë ide të bukur e kanë shfrytëzuar edhe abuzuar për qëllimet e veta…”[34]

Sipas shënimit kritik “Mendime të tilla vërtetohen nga gjendja e mjerë në të cilën po shtypet dhe shpërdorohet letërsia në R. P. të Shqipërisë. Si mjet agjitacioni letërsia gjendet në duart e partisë. Çdo hap në drejtim tjetër dënohet me rreptësinë më të madhe. Partia ka nevojë për një farë kritike po gjithnjë në kuadrin e “tendenciozitetit klasor” apo “partishmërisë”; pra, një kritikë objektive, sado modeste që të jetë, s’mund të zhvillohet në kushte të tilla. Lypset të tregojsh përgjysmë dhe jo deri në fund të vargut…”[35]

Më tej shkrimi në mbrojtje të Faslli Halitit thotë se “Do të flasim për poetin e ri Faslli Haliti. Për rrethanat e tij personale nuk dimë gjë. Por fati i tij shqetëson. Gjatë vitit 1973 zëri i tij është mbytur. Ai fliste kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare, ndoshta fliste tepër qartë. Do të botojmë këtu disa nga vjershat e Faslli Haliti për të treguar si u zhvillua ai si poet. Në fund të studimit do të ndjekin rrugën e trishtuar të kritikës letrare, që shkon hap pas hapi sipas porosive të partisë fuqiplotë.[36]

Në revistën “Nëndori” nr.4, 1972, u botuan 9 vjersha të F. Halitit. Një temë kryesore në to është burokratizmi, marrëdhëniet e sëmura që ushqehen nga njerëzit “me autoritet” dhe ambienti i tyre.” Komentuesi jep si shembuj dy nga vjershat në fjalë, “Djali i sekretarit” dhe “Çifliku” të cilat i boton të plota.

 

 

DJALI I SEKRETARIT

 

Ju jeni burra.

Mos e fusni djalin e sekretarit

Klubeve, pastiçerive, kafeneve.

Mos ja hidhëroni buzët me kafe,

Mos i jepni cigare me filtër,

Mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat,

Mos e mësoni me birrë,

Me verë,

Konjak,

E raki,

Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë

Ai ende është adoleshent, fare i ri,

 

Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.

Ju jeni pleq.

Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,

Djali i sekretarit nuk është vaksinë,

Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.

 

 

ÇIFLIKU

 

Reforma agrare i zhduku çifligjet,

I ngushtuam oborret kooperativistët.

Por mbeti në ndërgjegjen individuale, në shpirt,

Çifligu i miqësisë,

Çifligu i shoqërisë.

 

Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,

Shëndoshen deshët rudak të favoreve,

Kali i zi i hatëreve bredh

Dhe ik e ndale po deshe dot,

Të turfullon në fytyrë,

Të shkel me këmbë,

Të merr përpara me gjoks.

 

Çifligu miqësi,

Çifligu shoqëri.

I përjetshëm të duket,

I pashpronësueshëm të duket ty?

Por ja ne shpikëm një tjetër reformë,

Reformën e kontrollit punëtor;

Shpronësimi filloi,

Shpronësimi vazhdon.

 

A don të thotë poeti se “gutta cavat lapiden” apo “me  satire” se po shpiken reforma, por “çifliku”, padrejtësi e sistemit, vazhdon? Me paqartësinë në vjershë mund të thuhen shumë gjëra! Të lexohet me shumë kujdes në poemën e fundit të poetit fjalët e vargjeve si edhe fjalët midis vargjeve![37]

Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Nuk e dimë, siç thamë, pas një botimi të kësaj poeme në gazetën “Zëri i Rinisë” më 16 dhjetor 1972, poeti nuk duket më si autor në shtypin shqiptar. Pas një viti ka shkak për shqetësim.

Çdo vëzhgues me një njohuri sado të pakët në çështjet e brendshme shqiptare mund të kuptojë çfarë shqetësim ka shkaktuar një poemë e tillë. Ajo trajton një problem të pranueshëm (burokratizmin) por me aluzione të palejueshme (rolin e partisë). Do të japim disa pjesë nga kritikat letrare të botuara rreth kësaj poeme, po koment, vetëm me disa nënvizime, sepse gjykimet mund të bëhen me lehtësi nga lexuesit vetë. Grupimi i kritikave është bërë nga ne.” Përfundon komenti.[38]

 

Komenti i gazetës “Koha e jonë” mbyllet më këtë konkluzuon: “Po, nuk kemi dyshim: Moikom Zeqo e shpëtoi lëkurën. Nga ana tjetër ai e humbi shpirtin. Për Faslli Halitin – vetëm heshtje. Ra martir, apo?

Të kërkojmë përgjigje! Në qoftë se nuk jepet llogari do t’i themi botës:

Për një vepër letrare si kjo dënohet me heshtje apo më keq një autor i talentuar në një vën t’Europës në shekullin XX! Dielli i Partisë ndriçon – dhe rrëkerat e tiranisë vazhdojnë.”[39]

 

 

GJYKIMI IDEOLOGJIK VAZHDON

 

Qysh kur Lenini shkroi në artikullin e tij se “”Letërsia duhet t’i takojë Partisë”, jeta e shkrimtarëve dhe poetëve të botës socialiste dhe bashkë më të edhe letërsia e tyre kishte marrë një kthesë dramatike.

Siç dihet tashmë, fillmisht në Bashkimin Sovjetik dhe pastaj në gjithë kampin socialist pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtarëve iu kërkua që të bindeshin në mënyrë të verbër ndaj direktivave të Partisë.

Nga ky aneksim brutal, apo shtetëzim i letërsisë, ata që humbën jo vetëm shpirtin krijues por edhe vetë jetën, qënë shkrimtarët, për faktin e thjeshtë se “individualiteti dhe liria e tyre nuk u morën parasysh.”

Që këtu fillon urrjetja e shkrimtarëve dhe e poetëve ndaj komunizmit shtrëngues, mospajtimi i tyre i përhershëm me kufizimet e njëpasnjëshme që fillonin me dashurinë dhe mbaronin me mospranimin e Zotit.

Njëkohësisht tek ky mosbesim fillon edhe mbikëqyrja e stilit policor e shtetit ndaj shkrimtarëve.

Ndërsa partia bënte thirrje që letërsia të frymëzohej nga lufta e klasës punëtore apo të bënte pasqyrimin me objektivitet e realizëm të jetës së tyre, partia kërkonte që letërsia të mbushej me heronj të pathyeshëm që luftonin për çështjen e revolucionit, pa u ankuar për asgjë dhe natyrisht pa treguar asnjë dobësi të natyrës njerëzore.

Është e qartë se kjo letërsi ishte shumë larg asaj krejtësisht i rremë.

Nëse poeti apo shkrimtari paqyronte me realizëm jetën e klasës punëtore dhe fshatarësisë punonjëse dhe gjithe jetën shoqërore në socializëm, me varfërinë e skajshme, me zyrtarë dhe aparatçikë të tjerë që abuzonin me postet e tyre dhe përfitonin më një mijë mënyra, me njerëz të dënuar nëpër burgje për shkak të ideve të tyre, me të tjerë që jetonin si kafshë nëpër kampet e punës, dënoheshe nga partia për nxirje të realitetit.

Realiteti ishte jo ai që ekzistonte me të vertetë, por ai që i pëlqente partisë. Prej këtej, përgjithësisht letërisa dhe artet në socializëm gjykoheshin mbi kritere politike.

Akademike Floresha Dado duke analizuar këtë femomen shkruan se “Shkrimtarët e kohës së socializmit nuk patën asnjëherë shansin të kuptonin vlerat reale artistike. Ata u ndien të lavdëruar apo të kritikuar, vetëm në aspektin ideor. “[40]

Edhe  poezia e Faslli Halitit nuk i shpëtoi këtij gjykimi të nisur gjithnjë nga strukturat e partisë, nganjëherë hapur dhe herë të tjera  të bëra në mënyrë të fshehtë përmes raportesh, informacionesh dhe analizazh të ekspertëve nëpër zyra. Poezia sociale e F. Halitit, ndryshonte në thelb nga ajo që shkruante M. Zeqo apo F. Rreshpja, ndërsa ngjante shpeshherë e afërt me tematikën kundër burokratizmit me poezitë e Xhevahir Spahiut, siç është “Hiqi syzet Miço” etj. Kjo lloji poezie që sulmonte socializmin në pikën e tij më të ndjeshme, si burokratizmi, ishte e rrezikshme po aq sa edhe hermetizmi i Zeqos, metaforizmi i Rreshpjes apo ekztencializmi i Spahiut. Prandaj rezulton i përgjuar dhe i kontrolluar dhe i vënë në shënjestër.

Njëri prej këtyre informacioneve që raportonte në Komitetin Qendror rreth një diskutimi “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973, Faslli Haliti, akuzohet për nxirje të realitetit, për përshkrim të saj me ngjyra të errëta dhe  pa perspektivë, biles edhe për rënie në pozitat e një mikroborgjezi.

“ Duke e parë jetën nga pozitat e një mikroborgjezi që kërkon prej shoqërisë t’i plotësohen disa kërkesa rehatllëku, disa poetë në ndonjë poemë e deformojnë realitetin. Ata i zmadhojnë me tendecë të metat që vihen re në shoqërinë tonë, duke u ankuar dhe duke rrahur gjoksin. Në këtë mënyrë në ndonjë krijim (si në poemën “Dielli dhe rrëketë” të Faslli Halitit) jeta shkruhet me ngjyra të errëta, pa perspektivë. Në ndonjë rast tjetër (si në poemën e Viktor Qurkut “Shkëlqim”) forcat shoqërore të shëndetshme, pozitive janë të pafuqishme dhe nuk arrijnë të kundërvihen, të kundërveprojnë me ato negative. Të dyja këto poema u quajtën se kanë ndikime të huaja, revizioniste. Në to realiteti ynë shtrembërohet.”[41]

Në fakt poeti i shqetësuar për problemet sociale të njerëzve, siç ishte strehimi dhe indiferencës me të cilën priteshin qytetarët nga zyrtarët e lokalë, në pjesën e parë të poemës duket sikur po vajton.

Kjo përmbajtje e dyshimtë përbënte një tjetër shkitje ideore, pasi dilte jashtë përkufizimit doktrinar të njërit prej themeluesëve të realizmit socialist, Maksim Gorkit, i cili kishte pohuar se “Shkrimtarët janë mamia e socializmit, dhe varri i kapitalizmit.”

Ja si e përshkruan Faslliu këtë jetë në poemën e tij e cila do të konsiderohej menjëherë me frymë armiqësore, revizioniste.[42]

***

“Çatia ime sentimentale,

Dy re në qiell-

Ajo vu lotët,

Dy re në qiell-

Ajo vu me të madhe.

Nga sytë e tavanit tim

Rrjedhin lot gjerbësh vu, vu,

Vu,

Vu,

Natë e ditë,

Rrjedhin me të madhe,

Rrjedhin

Pi-

kë,

 

pi-

 

kë!

Janë dadot tona,

Janë gjyshet tona

Këto pikë,

Këto gjerbë

Që na vënë në gjumë,

Me zërin e tyre të verdhë

Dhe për çudi,

Këto gjerbë,

Këto pikë

Vënë në gjumë edhe shokun Lili

(Shefin e strehimit në komitetin ekzekutiv.)

 

Poema alarmoi pushtetin e kohës i cili filloi gradualisht t’i kundërvihej autorit, me mjete politike duke futur në punë mekanzimat e tij; fillimisht të dënimit të poemës, pastaj të demaskimit të autorit në publik dhe në fund, dënimit të vetë poetit. Aty fillonte edhe rënia e poetit, ndalimi i veprave, nxjerrja nga qarkullimi i tyre, që shoqërohej në vijim me dënimin që do të caktonte partia duke filluar nga burgu, puna e detyruar në kooperativa apo në kantiere ndërtimi.

Faslli Haliti tashmë kishte hyrë në ingranazhet e institucioneve mbikqyrëse, nga ato të sigurimit deri tek ato informuese. Në një raport tjetër që i shkonte Komitetit Qendror me temë rreth disa problemeve të letërsisë dhe arteve të asaj  periudhe, siç thuhej “të  revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, poema “Dielli dhe rrëkerat” e Faslli  Halitit evidentohet nga më armiqësoret dhe problematiket.

Devijim nga fryma progresive e realizimit socialist dhe rënie në ndikimin e huaj revizionist apo borgjez, “ …sipas informacionit kohët e fundit janë ndeshur … edhe në ndonjë poemë, si “Dielli dhe rrëkerat” e F. Halitit,  dhe “Shkëlqimi “ i V. Qurkut, vjersha si jetë e Xh. Spahiut, ciklet hermetike të F. Arapit, M. Zeqos e ndonjë tjetër.”[43]

Poema njerëzore e Faslliut, sido që e shkruar në frymën revolucionare të Majakovskit, biles edhe në stilin e tij me vargje dhe fjalë të thyera, përmban ngarkesa të mëdha emocionale dhe shpirt revolte kundër burokracisë që ua nxinte jetën disa të varfërve që nuk kishin ndikim dhe miqësira në komitetin ekzekutiv të rrethit sa për të marrë në kohë një shtëpi, ndërsa të tjerët shpërbleheshin në mënyrë të padrejtë dhe abuzive përmes rrugëve të dyshimta, si ryshfetet, thotë poeti, fenomene me të cilat letërsia socialiste nuk i pranonte, biles edhe vetë sistemi i refuzonte si të huaja, pasi e konsideronte si një shfaqje të kapitalizmit apo borgjezisë ndërkombëtare.

Dyshimi në drejtësinë e Partisë Komuniste dhe pushtetit popullor ishte i ndaluar të mendohej dhe jo më pastaj të demonstrohej në një poemë dhe akoma më keq të botohej edhe në një gazetë të rëndësishme për kohën si “Zëri i rinisë” në Tiranë. Të gjithë e dimë që një pjesë e madhe e njërëzve të shtypit, sido të kontrolluar dhe stërkontrolluar përpiqeshin t’i jepnin udhë në gazetat ku punonin, denoncimit të disa fenomeneve që edhe për atë sistem që bazohej teorikisht tek utopia e barazisë apo barazisë në varfëri ishin të rënda. Këto hapësira mbylleshin shpejt me urdhër nga lart, ndërsa për gazetarët merreshin masa.

Edhe në fund të viteve 1980, disa gazetarë të njohur që punonin në gazetat qendrore vazhduan të dënoheshin apo të shkonin në prodhim për nxirje të realitetit socialist. Për shembull, gazetari F. C u dënua pse kishte shkruar një shkrim problemor ta zëmë pse ishte qelbur peshku në Durrës, gazetari M. C për një vëzhgim ku thoshte se nuk kishte marmulatë, apo marmalata ishte jashtë standardit, gazetari H.B qe dënuar përsëri me riedukim në prodhim, pse kishte denoncuar një problem krejt banal sot, ndarjen me hatër dhe jo me transparencë të veshmbathjeve, gjithnjë dhe më të munguara në tregun e qytetit e të shumë gazetarëve të tjerë të dënuar nëpër burgje me këtë akuzë, pra të nxirjes së realitetit. E solla këtë shembull se edhe brenda atij sistemi të spastruar për katër pesë dekada me radhë nga armiqtë e brendshëm, pati deri në fund zëra që luftonin kundër tij në aspektin social  e njerëzor.

 

Pasi formalizmi i socializmit shqiptar, në kompleks, është i pashembullt në botën komuniste. Nga njëra anë porositej formalisht që të denoncohej burokratizimi dhe nga ana tjetër njerëzit që e ngrenin atë, si problem të degjenerimit politik të vetë sistemit, ose dënoheshin, ose demaskoheshin, me të njëjtën akuzë, për “nxirje të realitetit” dhe akoma më keq “për agjitacion dhe propoganë kundër pushtetit popullor”.

Kjo frymë kundër padrejtësive siç duket ka qënë edhe arsyeja që redaksia e gazetës “Zëri i rinisë” ia kishte botuar poemën Faslli Halitit. Poemë që mbart gjithë mllefin dhe urrejtjen ndaj padrejtësisë dhe jo vetëm metaforike të njerëzve të pafuqishëm, që u kanë mbetur vetëm grushtat, apo gurët, për të bërë drejtësi.

Ja një tjetër fragment i poemës:

 

 

Shkretëtira e kontradiktës së strehimit

Do të bëhet një qytet i ri banimi.

 

Urdhër!

Me grushtin e klasës punëtore

Thyejani dhëmbët burokracisë!

Thyejani dhëmbët shokut Koli,

Shokut Lili!

Po ua thyejmë,

Na duhen gurë,

Makinat në gurore u vonuan.

Po i murosim dhëmbët tuaj.

Ne s’mund të rrimë pa punë

Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë

Enverin,

Partinë,

Ne i kemi piketa duart e tyre,

Piketa ku duhet të hapim themele

Piketa ku duhet të hedhim çatinë.

Partia,

Enveri

Zgjuar rrinë?!

Dhe vënë dorën ku pikon?!

Dhe s’ka gjerbë që s’e dinë?!

 

Si s’ka gjerbë që s’e dinë?![44]

 

Në fillim të viteve 1970, frymës liberale formaliste ku u përfshinë një numër i konsideruar poetësh dhe shkrimtarësh të rinj, disa teoricinë të njohur u përpoqën që t’i jepnin edhe një bazë teorike përmes një debati të hapur në gazetën “Drita”. Më saktë ata tentuan që frymëmarrja që kishte pësuar poezia, piktura, muzika apo teatri, të shoqërohej edhe me një çngurtësim modest të kornizave teorike të realizmit socialist, siç ishte nocioni i heroit pozitiv që e kishte përtharë sidomos prozën shqipe me heronj standard dhe uniformë në çdo vepër. Tre vjet prej fillimit të këtij debati partia mendonte ta stoponte atë, me pretekstin se “Pohimet e bëra gjatë diskutimit mbi heroin pozitiv në gazetën Drita, kishin më se një thënie konfuze, kontraditore dhe të gabuar… “

Pasi kritikohen disa mendime të Kundret Velçës dhe Xhafer Martinit për konceptet e tyre të gabuara për krjimin e një “heroi ide”, japin edhe pamjen tjetër deri në vulgaritet. Grupi i ekstremit të majtë shkonte deri aty sa të konsideronin si hero pozitiv edhe një barakë. Ky detaj, raportohet edhe në informacionin që i shkonte KQ të partisë.

“… duke patur parasysh barakën prej pupuliti në romanin “Dasma” u bë pohimi se “vetë ajo barakë pupuliti është një hero pozitiv”.[45]

Informacioni duke iu referuar debatit të zhvilluar në gazetën “Drita” rreth heroit pozitiv, i referohet edhe pohimeve të kritikut Kudret Velça (i cili bashkë me mendimet e Gjergj Zhejit, konsderoheshin si bartës të mendimeve liberale), i cili thekson se “arti socialist mbeti “në kufijtë e artit të shek. XIX, për të mos thënë edhe më të largët, pa çelur rrugë të reja drejt artit të epokës tonë.[46]

Ky ishte një konstatim i drejtë. Shumë vende të lindjes nga ish-Jugosllavia fqinje deri në BS letërsia ishte hapur në komunikimin e saj me perëndimin, kishin lënë mënjanë disa kufizime ideologjike të kohës së Stalinit dhe Zhdanovit, duke përshtatur edhe shfaqje të formalizimit dhe rrymave të tjera perëndimore.

Ta zëmë në ish-Jugosllavia prej viteve 1950 filloi një kurs liberal në letërsi dhe arte i udhëhequr nga shkrimtari i njohur kroat Mirosllav Kërlezha, ndërsa pjesa tjetër e lindjes pas viteve 1960, ndërsa Shqipëria vijonte me krenari t’i qëndronte korrekt realizmit socialist dhe estetikës ekstremiste, zhdanoviste.

“Kritika tradicionale marksiste u përmbahej akoma termave si “tipizimi, heroi pozitiv, lufta e klasave, konflikti si zgjidhje teknike e luftës së klasave brenda veprës letrare e artistike etj.[47]

Rugova në studimin e tij komenton edhe kritikën moderne marksiste e cila në Tiranë konsiderohej revizioniste dhe dekadente dhe si e tillë e rrezikshme. Sipas tij kritika moderne marksiste, “Ta quajmë kushtimisht kështu, është ajo kritikë e cila kërkon të bazohet në marksizmin si filozofi dhe teori e hapur ndaj problemeve të kohës, sipas shembullit të veprës së Marksit dhe raportit të saj me kohën e vet. Kjo kritikë zë të zhvillohet sidomos mbas viteve 1960 dhe këtej”.[48]

Rugova si shembull të kësaj kritike merr Gjergj Llukacin i cili vë një dilemë të madhe “me konstatimin dhe bindjen se esktetika marksiste ekziston dhe nuk ekziston.“[49]

Në raportin në fjalë dërguar KQ të partisë thuhet se “Në botimet poetike të botuara nga “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i rinisë”, … ka trajtim subjektiv dhe shtrembërim të realitetit. Kështu për shembull në poemën e Faslli halitit “Dielli dhe rrëketë”, nxihet realiteti ynë dhe ka influenca të qarta revizioniste.”[50]

Raporti godet edhe vëllimin me poezi të Fatos Arapit “Me jepni një emër”, i cili nuk u vu në qarkullim. “Shumica e vjershave të këtij vëllimi janë hermetike, mbyllen brenda një simbolike të mjegullt. Me tendenca hermetizmi ka qenë edhe vëllimi i Frederik Rreshpjes “Në këtë qytet” të cilën shtëpia botuese “Naim Frashëri”, ia ktheu autorit dhe ai e solli të ripërtërirë.”[51]

Poema “Dielli dhe rrëkerat” ishte bërë objekt i çdo analize mbi poezinë në atë kohë. Poema denonconte plagën e padrejtësive dhe të ryshfetit tek zyrtarët e pushtetit, të cilët anashkalonin të varfërit dhe të tjerët pa mbështetje, pa miq dhe të njohur në sferat e larta të pushtetit. Ja një fragment nga poema “Dielli dhe rrëkerat”:

 

***

Për një hyrje,

Për një hall,

Ne trokisnim tek ju,

Trokisnim në portat e buzëve tuaja,

Me gishtin e halleve tona trokisnim,

Shoku Koli,

Shoku Lili;

Portat e buzëve tuaja s’hapeshin

Dhëmbët tuaj kyçeshin

Me nervozizëm kërcisnin.

Vinte miqësia,

Hynte pa trokitur,

Vinte shoqëria, hynte pa trokitur,

Portat e buzëve hapeshin vetë,

Muret e dhëmbëve shkëlqenin.

Qindra kërkesat tona thyenin kokën,

Nuk futeshin dot,

Nuk i hapnim dot.

Një trokitje miku,

Një trokitje shoku,

Një cigare me filtër,

I hapte fare lehtë.

Një rekomandim,

Miku,

Shoku,

Një porosi

Shoku,

Miku

Përpara ju vinin ata

Ju vinin përpara një cigare, një paketë.

Ju-

Një hyrje iu vinit atyre përpara

Një apartament

 

Shkrimtari Teodor Laço ishte i njohur me poemën dhe problematikën e saj. Në një shkrim të cilin e boton në gazetën “Drita”, me 12 shkurt 1973, përpiqet të mbrojë poetin si për shfaqje të formalzimit, ashtu edhe për gabime siç thuheshin atëherë ideore, duke thënë se “Autori ka synuar të bëjë një poemë kundër burokratizmit, i cili këtu është kapur në disa prej shfaqjeve të tij si hatërllëku, “shpirti i repartit”,

Sipas Laços: “Në shumë artikuj dhe shënime kritike për poezinë e dy vjetëve të fundit, do të gjesh emrin e poetit Faslli Haliti. Një interesim të tillë i kritikës për të, nuk është i rastit po i diktuar nga dimensionet e reja që ka fituar së fundi poezia e këtij poeti, i cili u prezantua si një zë më vete që në vëllimin e parë “Sot”. Me atë tufë poezish ai na tha se nuk këndon “në përgjithësi” me frymëzimin dhe ndjenjën poetike… Dëshira për të trajtuar tema të mprehta sociale që kanë në brendësi kontradikta të kohës, toni polemik e i zemëruar ndaj fenomeneve regresive e konservatore dhe karakteri konkret i komunikimit të mendimit poetik me lexuesit, mendoj se përbëjnë anët më të mira të poezisë së tij. Megjithëse ndonjëherë gjejmë edhe tek ai refleksin e një farë mode për t’u “ndërlikuar”, në natyrën e vet ai është një poet që komunikon drejt për drejt e në mënyrë të sinqertë dhe andaj s’mund të bëhet fjalë për prirje “gjysmë formaliste” tek ai, siç është shprehur ndonjë mendim për autorin. Tek poema “Dielli dhe rrëkerat”, botuar në “Zërin e Rinisë” më 16 dhjetor 1972, autori nuk e ka gjetur dot udhën dhe s’është orientuar drejt ideologjikisht në atë thellësi ku ka dashur, të hyjë. Autori ka synuar të bëjë një poemë kundër burokratizmit, i cili këtu është kapur në disa prej shfaqjeve të tij si hatërllëku, “shpirti i repartit”. Akraballëku. Autori nuk e ka gjetur dot pikëvështrimin shoqëror të problemit dhe raporti i tij me këtë fenomen ka mbetur deri diku një raport subjektiv. Revolta në poemë nuk përligjet nga pikëpamja sociale. Ajo krijon një kuadër të zymtë për gjëndjen e punëve në këtë fushë të jetës, kurse në një pemë të tillë sintetike, që synon të bëjë një përgjithësim, s’ka pse të ketë vend një tabllo e errët e zymtë e tillë. Në poemë vemë re se edhe kolizioni i disa detajeve dhe figurave artistike me mendimin e përgjithshëm, është i pa qartë. Detajet dhe figurat mendojmë se duheshin zgjedhur në atë mënyrë, që ta ndriçonin fenomenin e të shërbenin për ta përçuar realitetin që përshkruhet tek mendja e lexuesit. Ka mjaft vargje që jo vetëm krijojnë ekuivon dhe kontradiksione mendime brenda poemës, po duke pasur në vetvete detaje e mendime të paqarta nuk i shërbejnë dhënies me vërtetësi të esencës së fenomenit dhe të kohës”.[52]

Sulmi që udhëheqësi komunist Enver Hoxha u bëri në bllok ndikimeve të huaja në letërsi dhe arte në plenumin e qershorit të vitit 1973, u hapi rrugë sulmeve të ashpra ndaj çdo prirje për risi dhe novacion që ishte vënë re në vitet 1970-1973.

“Në disa vepra letrare të letërsisë së artit, drama, poezi e poema, tregime e novela, në ndonjë film etj.. është shtrembëruar realiteti. Kontradiktat e ndryshme dhe lufta që zhvillojnë Partia e popullit kundër fenomeneve negativë, pengesave e vështirësive janë pasqyruar jo nga pozitat e Partisë, por nga pozita të kundërta me to. Kështu, në mjaft raste lufta kundër burokratizmit jepet e gabuar në thelbin e saj, organet e pushteti tonë paraqiten të mbytura nga burokratizmi dhe masat punonjëse krejt të pafuqishme në luftën e burokratëve”.[53]

Në këtë frymë të inicuar nga udhëheqja komuniste qysh prej janarit të vitit 1973 me fjalën e diktatorit komunist në Presidiumin e Kuvendit Popullor reagon edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Shkëndija të shtrembërimit të përmbajtjes ka patur në poezinë tonë edhe vitet e vitit të fundit. Është rasti të përmendim poemën e F. Halitit, e njërit nga poetët më të talentuar, “Dielli dhe rrëkerat”, botuar në “Zëri i Rinisë” 16 dhjetor 1972. Poema jep një panoramë të zymtë të jetës. Forcat e gjalla të shoqërisë e vështrojnë nga larg gjendjen e shtrembër që krijon poeti. Partia dhe shteti duket sikur nuk veprojnë ndaj të metave burokratike, ata vështrojnë dhe heshtin. Gjë që në asnjë mënyrë nuk i përgjigjet së vërtetës”.[54]

Kritiku i njohur Dalan Shapllo pasi komenton poemën “Dielli dhe rrëkerat” dhe prirjet e saj siç thuhet negative ndaj pasqyrimit të figurës së partisë thotë: “Partia nuk pasqyrohet si një forcë aktive, po me nota sentimentale. Shpirti luftarak i ka munguar poetit në këtë rast dhe gjithçka tingëllon me një zë qaraman”.[55]

Po kështu Agolli në një diskutim mbi disa probleme të poezisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shprehet: “Poemat “Dielli dhe rrëkerat” dhe “Shkëlqimi” kanë ndikime të huaja, revizioniste. Në të parën realiteti deformohet, nxihet dhe poeti pa dashur bëhet qaraman…“[56]

Ashtu siç ishte bërë traditë në jetën e regjimit socialist, menjëherë pas orientimeve të udhëheqjes së lartë fillonte një fushatë e zhurmshme në media dhe institucione, biles duke përfshirë çdo qelizë të shoqërisë. Kritika, autoriktika dhe denoncimi në frymën e direktivave të partisë, të devijatorëve, oprtunistëve dhe armiqve të partisë, ishte nja shfaqje tragjikomike, e lodhsme dhe e pafund. Kjo panoramë përfshinte në këtë rast edhe artin. Biles Plenumi i Katërt, ishte marrë posaçërisht me dënimin e shfaqjeve të huaja në letërsi dhe arte, prandaj shkrimtarët dhe artistet ishin të traumatizuar.

Në analizat e para pas këtij plenumi, bëhej evidentimi i shfaqjeve liberale në letërsi me theks nxirjen e realitetit socialist. “Fryma e nxirjes së realitetit, gjoja për hir të thellimit të realizmit, përshkon poemat “Dielli dhe rrëkerat” të F.Halitit dhe të ndonjë tjetri, të cilat në fakt goditnin vijën e Partisë”.[57]

Një tjetër kritikë e cila evidenton devijimet në brendinë e disa veprave letrare thotë: “Nga një e metë e tillë gjithmonë në raport me brendinë e vet vuajnë edhe poemat “Dielli dhe rrëkerat” e F.Halitit dhe “Shkëlqimi” e V. Qurkut ku sundon humbja e besimit në forcat e vërteta pozitive, që e çojnë shoqërinë dhe jetën përpara.”[58]

 

CIKLI ME POEZI I FASLLIUT I BOTUAR NË REVISTËN “NËNTORI” PRILL 1972

 

Cikli me poezi i Faslliut i botuar në revistën “Nëntori” të prillit 1972[59], u dha shkas kritikëve të evidentonin një prirje të poetit ndaj denoncimit të realitetit socialist i zhytur në frikë, servilizëm dhe terror. Kjo atmosferë  shfaqet sidomos në poezinë “Njeriu me kobure”[60], ku  aparatçikë të sigurimit terrorizonin, ashtu si pa dashje, njerëzit duke demonstruar forcën e armëve.

Ai pret të fryjë era

Jo që të zhvishen pemët,

Jo që të shkunden gjethet e verdha,

Por që t’i ngrihet cepi xhaketës,

T’i duket pas brezit koburja.

Ai pret të vijë pranvera

Jo që të mbjellë e të korrë.

Por që të xhveshë xhaketën

T’i duket pas brezit

Koburja.

 

Në një tjetër poezi të titulluar “O popull”[61], poeti kërkon të vetëdijësojë popullin për braktisjën dhe indiferencën që ata atje lart kanë ndaj tij. Duke e kamufluar poezinë me burokratizmin  dhe qëndrimet meskine të ndonjë aparatçiku në provincë, në fakt ai ka dhënë një panoramë të asaj që ishte në theb ai sistem i cili  përfitonte nga ato pak të mira që kishte për vete, ndërsa populli jetonte në mjerim dhe i përbuzur. Kjo ishte diçka e ditur nga njerëzit, por ta denoncosh atë në një poezi ishte shumë e rrezikshme.

 

O popull …

(Sa i vogël të duket vetja kur i drejtohesh popullit,

Sa i zbehtë të duket edhe zëri më i fortë).

O popull!

Ka njerëz me 4

me 8,

me 40, 200 sy

Por i kanë për vete

Të 4,

të 8,

të 40, të 200

Dhe asnjë s’e kanë për ty.

 

Por edhe një gjysëm syri po më mbeti

Do ta qorroja netëve me siguri

Për ty o popull

O popull për ty!

 

 

Faslliu ndërton një poezi të miksuar me fjalë numra dhe shprehje algjebrike sa të duket se je në një orë matematike, por llogaria e tij filzofike është e drejpërdrejtë dhe e tmershme për kohën.

Në këtë cikël, poeti eksperimenton nga njëra poezi tek tjetra me fjalën, me vargun dhe me strofën, duke na dhënë një grafi të çuditshme të poezisë, e cila nuk ishte përdorur në poezinë tradicionale. Poezia “Marrëdhënie”[62], ka vërtet një imazh të ri.

 

 Nxënësve të mirë.

          

F

a

t

b           V

a            i

r            s

d     u    a

h     n    r

i      ë     i

Kështu ne dilnim shëtitje,

Kështu diskutonim të tre,

Renditja ishte thjesht estetike,

Unë qëndroja midis jush

Si me i shkurtër

Dhe jo si mësues.

 

Një tjetër poezi e ciklit të “Nëntorit” është ajo me titull “Djalë i mirë”[63] e cila shpreh rebelimin e poetit ndaj shefit të tij burokat dhe fodul duke iu përgjigjur paralelisht me të njëjtën mënyrë. Koncepti burokratik që e vë në barazim “djalin e mirë” me “djalin e bindur”që përbën në fakt thelbin tragjik të vetë socializmit që pas njeriut të ri, nënkuptonte mes të tjerash edhe njeriun e bindur, njeriun robot, një makineri  të socializmit, të zhveshur nga ndjenja personale dhe qëndrimet opozitare. Përmes një dialogu të ngjeshur poetik, poeti vë në dyshim kriteret politike të njeriut të kërkuar të sistemit, të nënshtruar dhe pa ide.

 

 

Ai qënka djalë i mirë

Unë qenkam djalë i keq.

Ti këte ma thua shpesh.

 

Pse shoku shef?

Pse — “po”

Pse : “mirë”

Pse : “ urdhëro!”

Të thotë ai ty shpesh

 

Kur ti ke dhe s’ke të drejtë?

 

Pse të ngrihet në këmbë

Kur ti e pyet këmbë përmbi këmbë,

Kurse unë të përgjigjem këmbë përmbi këmbë,

Kur ti më pyet këmbë përmbi këmbë?

 

Pse duart nga xhepat ai i heq

Kur ti me duar në xhepa e përshëndet,

Kurse unë të përshëndes me duar në xhepa

Kur ti me duar në xhepa më përshëndet?

Për këtë ai qenka djalë i mirë

Dhe unë qenkam djalë i keq?

 

 

 

KRITIKA POZITIVE

 

 

Në këtë pjesë të studimit tim kam përfshirë një pjesë të kritikave afirmuese për poezinë e Faslli Haliti në vitet 1969-1972. Këtu përfshihen forume letrare, konferenca e talenteve të reja, analiza të LSHA, komente dhe renceca të kritikeve të kohës, bërë në gazetën “Drita”, revistën “Nëntori” apo “Zëri i rinisë”.

 

Kjo kritkë është thuajse shabllone, që fillon me lajmin për botimin e librit apo të ciklit, ndalet në tematikën e tij, duke evidentuar motivet aktuale të aksioneve, të revolucionarizmit të jetës, arritjeve të socializimit, jetës së re dhe mbyllet me temën kundër armiqve të jashtëm. Pra për fat të keq analizoheshin vetëm poezitë tematike, apo të frymëzuar politikisht për të qënë në rregull me politikat editoriale të gazetave, një politikë e paracaktuar nga partia.

Sido që kritika e kohës ishte e thatë dhe e zhveshur nga mjetet e analizës tekstore, stilistike e gjuhësore, bëheshin disa orvatje të vogla që nuk i kalonin dhjetë radhë ku flitej për gjuhën stilin, fjalorin, figuracioin etj. Zakonisht në këto raste thuhej: “Ka një stil lakonik, gjuhë të pasur dhe fuguracion të qartë” dhe me kaq mbyllej analiza. Kishte edhe ndonjë kritik që përpiqej që përtej rregullave shabllone të ndalej edhe tek ndonjë element të veçantisë së stilit, të gjuhës poetike, figuracionit etj.

Poeti dhe studiuesi i njohur prof. Myzafer Xhahiu në një shkrim të tij rreth arritjeve të poezisë së kohës shkruan: “Poezia me një frazë poetike të ngjeshur dallohet dhe vjersha e F. Halitit, i cili sjell në vargje mbresa të gjalla nga jeta duke krijuar kështu akuarele me ngjyra të mbrojtura herë me lirizëm e herë me një humor të lehtë që godet diku hapur e dikur tërthorazi. Në një cikël vjershash botuar në revistën “Nëndori”, dhjetor 1970, si dhe në vjershën e gjatë pamflet “Dielli dhe rrëkerat”, botuar në “Zërin e Rinisë” dhjetor 1972, poeti duket se po e çon më tutje prirjen për të shkrirë në një personalen me shoqëroren”.[64]

Kjo kritikë afirmuese e tij do të përfshihej në dosjen e poetit që do t’i shkonte Ramiz Alisë disa muaj më vonë, mundet që miq të poetit dëshironin të ekuilibronin mendimet dashakeqe të nisura nga Lushnja, me ndonjë mendim të pavarur dhe profesional si shkrimi i prof. Xhaxhiut.

Edhe poezia “Pëlhura e zezë”[65] sjell një mozaik jetësor pa shumë ngarkesa ideologjike, por me një spektër të gjërë nuancash dhe profilesh lirike të këndshme, bashkë me shfaqjen e tyre sociale, me ngarkesa të ndryshme emocionale si vetë jeta. Poeti i qëndron besnik prirjes për të trajtuar me pasion poezinë sociale.

 

Lida.

Ne e pamë festivalin tek Bashkimi.

U mblodhëm shoqërisht.

Midis nesh, punëtorë,

Nënpunës,

Mësues,

Mekanikë,

Midis nesh një kozmopolit.

 

Ti dole.

 

Na qeshi, buza, na qeshën sytë,

Zhurma u ndërpre në fabrikë,

Domethënë të dëgjonim ne, Lida.

Të dëgjonin edhe shokët e turnit të dytë.

 

Fillove,

 

Tezgjahët mbetën gojëhapur,

Sovajkat vallen e ndërprenë,

Kozmopoliti hapi gojën.

Sovajka e gjuhës së tij filloi të endë:

Kjo për rritëse pulash, po,

Kjo për mjelse është e mirë,

Kurse Iva, Orjeta kanë lindur për muzikë,

Por unë të mbrojta ty Lida,

Shokët e mi të mbrojtën,

Ç’ishin në dhomë të mbrojtën të gjithë.

 

Ja grisëm pëlhurën e zezë

Që kozmopoliti endi midis nesh.

Por unë e di.

Shokët e dinë

Edhe ti Lida vetë e di

Orjeta këndon më mirë,

Iva këndon më mirë se ti.

Por unë këngën tënde e kam si vajzen time,

Vazja ime tashti po çohet në këmbë,

Ajo tashi ka filluar të eci nëpër bulevard,

Ecën,

Nxitohet, qesh,

I ngatërrohen këmbët

Dhe bie mbi asfalt.

Por unë e ngre,

E ngrenë dhe ata që shetisin në bulevard.

Kjo është një rënie madhështore, Lida,

Kjo është rënia e ngritjes sa më lart.

 

Edhe kritikja e njohur Klara Kodra e cila në atë periudhë ka botuar shumë studime dhe analiza për poezinë bashkëkohore e vlerëson Faslli Halitin  si një poet që lëvron poezinë sociale, që demaskon shfaqjet e burokratizmit dhe revoltohet kundër tyre në emër të drejtësisë humane. “Poezia e F.Halitit është një poezi e problematikës së mprehtë, e trajtuar në detaje konkrete e formë sintetike”.[66]

 

Shkrimtari  Teodor Laço, një tjetër njohës i krijimtarisë poetike të F.Halitit shprehet qysh atëherë se vëmendja e kritikës ndaj profilit origjinal të këtij poeti është domethënëse dhe flet për veçantitë e tij krijuese.”Në shumë artikuj dhe shënime kritike për poezinë e dy vjetëve të fundit, do të gjesh emrin e poetit Faslli Haliti. Një interesim të tillë i kritikës për të, nuk është i rastit po i diktuar nga dimensionet e reja që ka fituar së fundi poezia e këtij poeti, i cili u prezantua si një zë me vete që në vëllimin e parë “Sot”. Me atë tufë poezish ai na tha se nuk këndon “në përgjithësi” me këtë apo atë rast, po vetëm kur realiteti i jep impulse të atilla që i zgjojnë frymëzimin dhe ndjenjën poetike… Dëshira për të trajtuar tema të mprehta sociale që kanë në brendësi kontradikta të kohës, toni polemik e i zemëruar ndaj fenomeneve regresive e konservatore dhe karakteri konkret i komunikimit të mendimit poetik me lexuesit, mendoj se përbëjnë anët më të mira të poezisë së tij.[67]

Studiuesi Gjergj Zheji, e veçon  qysh atëherë Faslliun për kultin e fjalës, ndjenjen e shndritshme dhe  idetë interesante.

“Faslli Haliti me vëllimin e tij të parë (Sot)  na ka dhënë një tufë akuarelesh të freskët nga jeta jonë. …këto akuarele të komunikojnë ndjenja të shndritshme,  ide interesante që mund të të bëjnë edhe të mendohesh. Ky poet i ri, në rrugën e formimit  të tij, ka, mbase më shumë se çdo poet tjetër yni, kultin fjalës.[68]

Një nga këto poezi plot jetë dhe atmosferë është edhe “Unë, mësuesi i fshatit”[69], poezi e cila u bë preh e kritikës dashakeqe dhe letrave kundërthënëse për shtrembërim të figurës së mësuesit, i cili sipas letërshkruesit nuk duhet të lagej edhe kur bënte dy orë në këmbë përmes shiut dhe baltës për të shkuar në shkollë.

 

„Çaj baltrat e rrugës,

Çizmet mbyten e zhyten në baltë.

Prapa, në llucë,

Mbeten gjurmët e mia,

Si mbresa të thella në trurin e rrugës,

Mbeten gjurmët e çizmeve

Të NISH- gomave-Durrës.

 

Eci.

Në kokë formula,

Konvencione,

Kryengritje fshatare,

Esklamacione dhe vargje poetësh

Dhe imazhi i vajzës brune,

Që prapa mbeti,

Kur mua më përcolli

Herët nga qyteti.

 

Futem në klasë.

Era shtyn malet me gjoks.

Nxënësit shikojnë çizmet e mia me baltë,

Pantallonat e mia zhytur në çizme,

Flokët e mi të qullur,

Që kullojnë,

Që varen teposhtë

Si flokët e Senekës,

Shikojnë ditarin e lagur

Dhe supet qull të xhaketës.

 

Dhe lodhja më ikën, më zhduket pas kësaj,

Si balta që rrugëve thahet,

Si balta që zhduket në maj…”

 

Përgjithësisht, kritika afirmuese ndaj këtij poeti, qysh me dënimin e tij në prodhim, nuk u pa më. Pas ikjes së valës së tërbuar të Plenumit të Katërt ku poeti ishte në çdo evidencë të ndikimeve të huaja, apo në radhët e poetëve që kishin shkitur në pozitat e armiqve të partisë, emri i tij u harrua, për t’u rikthyer vetëm pas viteve 1990.

 

 

 

FASLLI HALITI POET I METAFORËS SË  FUSHËS

 

Në këtë studim mora në analizë fazën e parë të krijimtarisë poetike  të Faslli Halitit, periudhën 1969-1973,  që përfshinë vëllimin poetik “Sot”(Tiranë 1969), poemën “Dielli dhe rrëkerat” (“Zëri i rinisë”, dhjetor 1972), si dhe disa cikle poetike të botuara gjatë kësaj shtrirje kohore në revistën “Nëntori”, si  dhe gazetat “Drita” dhe “Zëri i rinisë.”

Poeti Faslli Haliti, gjatë kësaj periudhe, rezulton të jetë  një nga emrat më të lakuar të kohës, i cili duke trajtuar tema nga jeta e provincës së vogël, u bë shpejt i njohur në nivel kombëtar për guximin poetik me të cilin u kundërvihej  padrejtësive të burokracisë atje, duke patur burrërinë për t’u ballafaquar me to deri në fund.

Stili konciz, kryesisht me vargje të shkurtëra, ngandonjëherë vetëm me një fjalë apo një rrokje, me një paraqitje shpesh gjeometrike dhe të ngarkuara emocionalisht, ai u dha fytyrë ndryshimeve që pësoi poezia shqipe  në vitet e pranverës së shkurtër liberale 1970-1973 me origjinalitetetin e temave, ideve dhe strukturës poetike.

Faslli Haliti solli metaforën e fushës së Myzeqesë dhe diellit që pjek si saç ditëve të gjata të stinëve të ngarkuara me punë të rënda dhe mbijetësë së intelektualit antikonformist në socializmin e kohës.

Ai solli në poezinë tonë më mirë se kushdo tjetër imazhin e fushës, ashtu siç e kishte sjellë Moikom Zeqo imazhin e detit, Ndoc Papleka imazhin e epikës së Bjeshkëve të Namuna, Frederik Rreshpja imazhin e maleve të  Dukagjinit dhe Xh. Spahiu  imazhin dhe mitin e Tomorrit.

Ismail Kadare, në një nga analizat e para të botuara për librin e tij “Sot” plot 40 vjet më parë, shkruante: “Sot” bije në sy freskia e motvieve, ngjyrat e çelëta të fushës, hapësira, ajri, drita. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsia e saj. Për të dhënë imazhet e fushës që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurshme, me krahasime tepër të kapshme, të guximshme dhe konkrete.[70]

Sipas Kadaresë: “Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë: Nata, Bulevardi, Fshesari dhe unë. Eja fshesar, Jemi kolegë. Ndize një cigar. Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore.”[71]

Faslli Haliti është një poet origjinal, konçiz dhe i angazhuar me guxim kundër padrejtësive sociale dhe politike të kohës, që pati për pasojë një kalavar të gjatë direfencimesh, përndjekjesh dhe ndalimesh  që preken edhe krijimtarinë e tij. Poeti gjatë viteve 1973-1984 bëri një jetë skëterrë në prodhim, duke qenë i mbikëqyrur, i braktisur dhe akoma më keq pa të drejtë botimi.

Faslli Haliti, sido që ishte një poet i angazhuar, mbeti larg natyrës së poetit brohoritës, komformist  të kohës. Edhe pse lëvroi edhe poezinë tematike, revolucionare që afirmonin ndryshimet  socialiste të kohës, ai i shpëtoi tjetërsimit stilistik duke ruajtur karakterin e një poezie metaforike, simbolike dhe natyrën e tij njerëzore.

Ai nuk ishte një poet disident dhe as kundër sistemit, por iu kundërvu nëpërmjet letërsisë shfaqjeve mizore të tij, si luftës së klasave, diferencimit social, ryshfetit dhe padrejtësive të tjera që po shtoheshin çdo ditë, si ligësia me bazë hakmarrjen nëpërmjet karriges, që socializmi mohonte t’i kishte. Në fakt ato ishin të rënda dhe mbytëse për shoqërinë masive dhe poezia e Halitit e konfirmon atë qartë.

Për këtë sisitemi e ndëshkoi më punë të rënda në orizore, heshtje dhe poshtërim.

“Nëse duam të gjejmë një vepër me të vërtetë kritike kundër realitetit dhe burokracisë komuniste të regjimit, atëherë duhet t’i referohemi poemës së famshme të Faslli Halitit “Dielli dhe rrëkerat” [72]

Shkrimtari Dritëro Agolli i cili ka shkruar për Faslliun në ditë të mira dhe të këqija të tij, më së shumti i kufizuar për shkak të postit dhe frymës ideologjike që kontrollonte gjithë infrastrukturën letrare të vendit, shprehet i sigurtë se poezia e tij do të jetojë gjatë. “Poezia e Faslli Halitit nuk ka firo. Ka gjëra gjë jetojnë gjatë. Tipar tjetër është tendenca e fortë në estetikë, shpirt qytetar, patriotik. Dihet se te çdo njeri fle një luan, por e gjithë puna është se kur zgjohet ky luan te njëri e te tjetri. Te Faslli Haliti, luani është zgjuar herët. Poezia e Faslli Halitit të habit. Na ka habitur në sistemin socialist, na habit edhe sot në sistemin kapitalist. Është thirrje për të vërtetën dhe drejtësinë sociale, përmes metaforës.[73].

 

Për poetin Xhevahir Spahiu, një tjetër bashkëvuajtës i kohës,  Faslli Haliti e ka krijuar stilin e tij dhe është identifikuar në pasqyrën e krijimtarisë së tij me një simbol që  është fusha.“Ka poetë që shkruajnë bukur, me mjeshtëri, një jetë të tërë, por nuk krijojnë stil. Faslli Haliti e ka krijuar stilin e tij dhe është identifikuar në pasqyrën e krijimtarisë së tij që është fusha. Ai nuk mund të kuptohet pa fushën, pa origjinalitetin, konçizitetin dhe pa shqetësimin social. Pra Lasgush Poradeci identifikohet me liqenin, dashurinë dhe yjet, kozmosin, Faslli Haliti, identifikohet me fushën, me poezinë polemike, me peizazhin piktorik filozofik. Faslli Haliti ka ditur ta administrojë talentin. Poezia Njeriu me kobure, poezi antologjike, është konkretja pa mure. Po ti vdekje, bijë e kujt je, poezi kjo që të kujton mençurinë e poetëve të mëdhenj, të poetëve grekë të cilët do ta kishin zili këtë poezi. Dhuna e burgos lirinë, Faslli Haliti e zhburgos lirinë. Faslli  Haliti ende nuk e ka marrë atë që i takon.[74]

Faslli Haliti  e ka pasuruar krijimtarinë e tij dhe vetë poezinë shqipe, pas vitit 1990 e në vijim, duke qënë një shkrimtar dhe përkthyes serioz. Ai mbetët një zë origjinal i poezisë shqipe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html.

 

[2] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html.

[3] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[4] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[5] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[6] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[7]Po aty.

[8] Faslli Haliti: Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[9] Faslli Haliti:Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi. Cituar: http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[10] Ismail Kadare: Ditët e sotme në poezinë e një të riu.” Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969.

[11] Ismail Kadare: Ditët e sotme në poezinë e një të riu.” Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969

[12] Shih:http://www.zemrashqiptare.net/news/3792/faslli-haliti-librin-e-pare-e-kam-botuar-me-1969-kadare-ishte-recensent-.html

[13] Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[14] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[15] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[16] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[17] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

[18] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[19] Ismail Kadare: Kur sunduesit grinden. Rreth misterit të telefonimit Stalin-Patërnak”, Tiranë, 2018, f.77

[20] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.” Të shënohet si fusnotë e tërë letra e sekretarit të Ramiz Alisë.

 

[21] Tahsin Xh. Demiraj: Material në dorëshkim i botuar pjesërisht në gazetën letrare “Nacional.”

[22] Tahsin Xh. Demiraj: Material në dorëshkim i botuar pjesërisht në gazetën letrare “Nacional.”

[23] Dashnor Kaloçi: Kadare i denoncuar”, Tiranë 2015, f. 203.

[24] Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[25] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.

[26] Gazeta Drita, 15 prill 1973, faqe 1.

[27] Ismail Kadare: Fjala e shkrimtarit mbajtur në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, 25 prill 1970. Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156 , Viti 1970, Fl. 4  dhe 25-51.

[28] Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror te PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156 , Viti 1970, Fl. 4  dhe 25-51

[29] Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror te PPSH-së, (Struktura), Fondi 724. Dosja 156, Viti 1970, Fl. 4  dhe 25-51.

[30] Sadik Bejko: Libri “Rrënjët”, Tiranë 1972, f. 18

[31] Sadik Bejko. Gazeta Shqiptraja.com. 10 prill 2018. https://shqiptarja.com/lajm/te-heshtim-apo-te-perligjim-krimet-e-diktatures

 

[32] Ernest Koliqi,  revista “Shenjzat”, Romë, 1975.

[33]

Numri i parë  revistës periodike “Koha e jonë”,  doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte si vend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Revista “KOHA E JONË”, Fletë mendimesh dhe opinionesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte e Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Botues i revistës ishte Isa Ndreu.

 

[34] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3,  vjeti  XIII,      Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974.

[35] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme  Politike  Kulturore  Shoqnore. Nr. 1-2-3,  vjeti   XIII,  Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974.

[36] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike   Kulturore  Shoqnore. Nr. 1-2-3,  vjeti   XIII, Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974.

[37] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti  XIII,  Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974

[38] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti  XIII,  Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974.

[39] Revista “Koha e jonë”, E përkohshme Politike Kulturore Shoqnore. Nr. 1-2-3, vjeti  XIII,  Janar – Shkurt  –  Mars, Firence 1974

[40] Floresha Dado: “Letërsi e painterpretuar”, Tiranë, 2010, faqe. 248.

[41] Informacion për diskutimin “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973. Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 46, Viti 1973. Fl. 4-7

[42] Gazeta “Zëri i Rinisë”, Tiranë, 16 dhjetor 1972,  fragment nga poema “Dielli dhe rrëkërat”.

 

[43] Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”,  Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59. 

 

[44] Gazeta “Zëri i Rinisë”, Tiranë, 16 dhjetor 1972,  fragment nga poema “Dielli dhe rrëkërat”.

 

[45] Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59 .

[46]  Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59

[47] Ibrahim Rugova:  “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 147

[48] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148.

[49] Ibrahim Rugova:  “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148

[50] Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, Raport dërguar KQ, Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 294, Viti 1973. Fl. 19-59

[51] Mbi ndikimet e huaja në fushën e kulturës dhe arteve në frymën e fjalimeve të fundit të shokut Enver. Informacion për KQ të PPSh-së, rreth konkluzioneve të diskutuara dhe aprovuara nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, më 15 maj 1973. Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 240, Viti 1973. Fl. 16-48

[52] Teodor Laço: “Për një konceptim më realist të fenomeneve”, gazeta “Drita” 25 shkurt 1973.

[53] E. Hoxha, Fjala në Plenumin e Katërt të KQ të PPSH-së, Tiranë, 26-28 qershor 1973

[54] D.Agolli:  “Pulsi i jetës dhe pulsi i poezisë”, gazeta Drita 11 mars 1973.

[55]Për një poezi më realiste të qartë dhe të bukur” , gazeta “Drita” 18 mars 1973.

[56] D.Agolli: revista  “Nëntori” nr. 5  1973.

[57] Raporti i Dritëro Agollit në Pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 25 korrik 1973

[58] Dilaver Dilaveri: “Për të mbajtur përherë të pastër brendinë socialiste të letërsisë dhe artit tonë”, gazeta Drita, 14 tetor 1973.

[59] Revista “Nëntori” 1971, nr. 4

[60] Revista “Nëntori” 1971, nr. 4

 

[61] Revista “Nëntori” 1971, nr. 4

 

[62] Revista “Nëntori” 1971, nr. 4

 

[63] Revista “Nëntori” 1971, nr. 4.

[64]Myzafer Xhaxhiu: “Poezia jonë në rrugën e pasqyrimit të gjërë të jetës”. Gazeta “Drita” 21 janar 1973.

[65] Revista “Nëntori”, 1972, nr. 4.

[66] Klara Kodra: “Probleme ideore dhe estetike të poezisë së të rinjve.” Gazeta “Drita”, 28 janar 1973.

[67] . Teodor Laço: Gazeta “Drita” 25 shkurt 1973.

[68] Gjergj Zheji:”Artisti dhe jeta”, 1973.

[69] Marrë nga libri “Sot”, f. 13.

 

[70] Ismail Kadare: Ditët e sotme në poezinë e një të riu.” Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969

[71] Ismail Kadare: Ditët e sotme në poezinë e një të riu.” Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969

[72] Kudret Velça, Gjergj Zheji: Tribuna Demokratike, 21 prill 1992.  

[73] Dritëro Agolli:”Republika”, 12 maj 1998.

[74] Xhevahir Spahiu: gazeta “Ballkan”, 2000