Gazeta Nacional Albania

Ndue Dedaj: Kadare, “Tri këngë zie për Kosovën” si testament lirie

Ndue Dedaj: Kadare, “Tri këngë zie për Kosovën” si testament lirie

Rileximi i Kadaresë është diçka e nevojshme për lexuesin e kultivuar, ashtu si i gjithë gjenive të letërsisë, pasi prurjet e tyre artistike, si të papërsëritshme, mbartin kumte që i flasin çdo kohe. Nuk bëjme fjalë për leximin për së pari, pasi në rastin e këtij shkrimtari, e quajmë domosdoshmëri për gjeneratat e reja – përmes shkollës, bibliotekave, mediumeve letrare etj.

Njëzet e pesë vjet më parë, më 1998, Ismail Kadare botoi librin “Tri këngë zie për Kosovën”, me botues “Onufri” – n. Ky libër përbëhet nga novelat: “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, që na shpien larg në kohë, në betejën e Fushë – Kosovës 1389, që ende na vjen përmes letërsisë si një jehonë e kobshme ballkanase. Autori me imagjinatën e tij pjellore ka zbritur në histori dhe ka projektuar një nga gjëmat e Gadishullit luajtur në tokën shqiptare. Nuk ka dashur të japë si te “Kështjella” përmasat epike të betejës, alarmet, gjëmimin e topave, zemëratën e princërve, por përmes shtjellimit filozofik të vërë në spikamë pësimet e historisë, ato që nuk u bënë kurrë mësime. Ai na thotë se ballkanasit nuk fituan as të vetmen herë që u bënë bashkë, ngaqë mendjen e kishin vetëm te gardhi i tyre, dmth ndarjet e përçarjet. Një përballje etnish, perandorish, religjionesh, kulturash, qytetërimesh, ku medoemos dikush duhej të humbiste e dikush tjetër të fitonte, duke qenë më pas fituesi (sido që të ishte) sunduesi i rendit të ri. Kadare, me stilin e tij dantesk, rikrijon artistikisht plojën e asaj lufte apokaliptike ballkanase, kur lëviznin korrierë memecë e korrierë llafazane, përhapeshin kumte të rreme e kumte të vërteta: “Që këmbeheshin letra të shkruara në gjashtë gjuhë e katër alfabete, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Po se ç’shkruhej në to, veç një Zot e dinte. Do të ndeshet Islami me Kryqin, thuhej se shkruhej në dërgesën e sulltanit turk. O njëri, o tjetri le të bjerë. Po një tjetër burim sillte të kundërtën. S’ka nevojë të vrugëllojmë armët, bijtë e mi, në tokë, ashtu si në qiell, ka vend për të gjithë, edhe për kryqin tuaj, edhe për gjysmëhënën tonë”. (Tri këngë zie, f. 14.)

Lexo Edhe:

Mjekët u befasuan, ky ilaç heq shpejt dhimbjen e kyçeve!

Drashkoviq paralajmëron “lëvizje radikale” nga SHBA-të – Gazeta Express
Ishte vetëm një ditë para Luftës dhe ndërsa ushtria turke po i jepte dorën e fundit taktikës së mundjes se të krishterëve ballkanas (serbë, shqiptarë, boshnjakë, rumunë, bullgarë etj.) si të mos kishin kuptuar asgjë, “rapsodët kishin nisur ndërkaq fillimet e këngëve të tyre, secili në gjuhën e vet. Ato ngjanin me këngët e hershme, madje dhe fjalët ishin po ato. Ndonëse “princat kishin bërë besëlidhje kundër turqve”, pleqtë serbë këndonin: “O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”, dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: “Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë”. (Tri këngë zie, f. 18.) A nuk është ky refreni i gjashtëqind vjetëve mes këtyre dy popujve? “Këngët e tyre ishin po aq të egra sa dhe armët e tyre”, shkruan Kadare.

Në këto novela ravijëzohen silueta rapsodësh ballkanikë, “rreth një dyzinë”, që presin të hedhin në telat e lahutës betejat, fitoret, lavditë, por që në këtë luftë Fushë Kosove nuk kanë se ç’këndojnë, pasi princat dhe ushtritë ballkanase kanë pësuar disfatë të rëndë. Kanë humbur luftën. Vrasja e sulltan Muradit plak nuk është një ngushëllim për ta, edhe pse në vetvete ishte një ngjarje e rrallë. Por edhe pse kishin humbur, edhe pse rapsodi serb Vladan mund t’ia merrte hua lahutën rapsdoit shqiptar, Gjorg Shkrelit, ngaqë e kishte humbur të veten, ata prapë këndonin “njëri pas tjetrit, secili në gjuhën e vet, këngën e vjetër e të ftohtë si guri. Mjegull e madhe fushën e mëllenjave e mbuloi, ngrehuni serbë, se Kosovën e mori shqiptari. O se ç’ra një mjegull e zezë, çohuni shqiptarë se në Kosovë ra shkjau”. (Tri këngë zie, f. 70.) Metafora e mjegullës nuk është e rastit në këtë pasazh, ashtu si dhe dy perdet e tymit që ushtritë ndërluftuese (ballkanike dhe turke) krijojnë me anë të zjarrit, për të mos parë njëra-tjetrën, si për të thënë se ajo luftë vjen e mjegulluar, si nga legjendat. Në kështjellën ku ishin ftuar të këndonin rapsodët europianë, ndërsa ata frengj e gjermanë këndonin këngët epike të heronjve të tyre (përkatësisht Rolandit e Zigfridit) etj., ballkanasit, me gjithë dëshirën e Zonjës së Madhe që të flisnin a të këndonin për gjëra të tjera të popujve të tyre, nuk arrinin ta bënin këtë, pasi ishin rapsodë lufte dhe dinin vetëm të urreheshin mes tyre, si një shëmbëllesë e largët e tragjedive greke. Ajo nuk mund të mos tmerrohet kur vëren se osmanët kanë shpërthyer oborrin e shtëpisë së madhe, që është Europa, kurse ballkanasit nuk shohin asgjë, por forcojnë portat e kështjellave të tyre, shtojnë rojet te pirgjet, teksa për më larg sytë i kanë të verbuar. Bash për këtë moskuptim të tyre tragjik (duke perifrazuar një vepër tjetër të Kadaresë – Laokoontin) duket se ajo bie “dëshmore” e idealit të saj europian.

Ashtu siç ndodh gjithnjë me veprat e Kadaresë, të gjendurit përherë mes situatash befasuese, në pjesën e tretë, Muradi I, duke kundruar ngjarjet ballkanike në pasvdekjen e tij pesë-gjashtë shekullore bën “lutjen mbretërore” të pazakontë: “Jepmë më në fund harrimin, Zoti im! Bëj që ta heqin gjakun tim nga kjo fushë e ftohtë…” Ngjan se të gjithë heronjtë apo antiheronjtë duan të çlirohen nga pengjet e së kaluarës, përpos atyre që ende i mbajnë ngrehur muranat e përgjakura të Ballkanit.

“Tri këngë zie për Kosovën”, falë mjeshtrisë së autorit, është një prozë e gjithkohshme, si të jetë shkruar në shekullin XIV, si në motin e fundit të shekullit XX, aq gjatë ka shtegtuar “rapsodia” e urrejtjes mes ballkanasve. Libri është njëherësh një pamflet artistik, që nuk mban anësi. Kadare e ka parë dramën në rrafsh filozofik, ndryshe nga rapsodët, gjegjësisht udhëheqësit e popujve të rajonit që ende nuk e kanë gjetur gjuhën e bashkëkohësisë, europezmit, për të cilën u vetësakrifikua në novelë Zonja e Madhe, që më shumë se një personazh ngjan një ikonë simbolike që shfaqet kurdoherë si një yll polar për të na kujtuar udhën kah Europa. Tashmë Kosova këndon këngën e saj të paqes, ani se prapë mjegullnaja rreth saj nuk është larguar krejt, siç shohim herë pas here të ngrihet e trazuar mbi Ibër, si ato “perdet” e tymit që ushtritë e Fushë Kosovës shkaktonin përmes zjarrit të ndezur para shatorreve të mbretërve të tyre…

Është shkruar shumë për stilin e shkrimtarisë së Kadaresë dhe nuk ka një “përkufizim” të tijin e mbase nuk do të ketë, aq i ndryshëm dhe i pazakontë është ai si rrokje dhe përfytyrim, sintaksë dhe ligjërim, ku epokat shtresëzohen si mademet e një miniere polimetalore nga antikiteti, mesjeta, në fundshekullin XX. “Evropa është si mushkë xanxare, padishahu im, dhe këta tre gadishuj që i varen poshtë, janë si tre këmborët e saj. Pasi ta shurdhojmë të parën tokën e ballkanasve, do t’i sulemi të dytit, Italisë, atje ku ka lindur dhe kryqi i të pabesëve. Pas tij do t’i biem të tretit, vendit të Spanjës, atje ku islami ka qenë dikur dhe e kanë dëbuar” – është ky shpjegimi që pashai i deteve i bën në divanhanen e tij sulltan Muradit përpara hartës së Europës. (Tri këngë zie, f. 17.) Krejt natyrshëm në një frazë me tri fjali të shkurtëra rrinë pranë gjera aq të largëta: “punishtet e armëve dhe tavernat (që) rrinin hapur gjer natën vonë”, “krerët (që) lidhnin e zgjidhnin aleancat”, “gratë (që) shpejtonin të mbeteshin shtatzëna”.

*

Dihet përkushtimi i Kadarësë për Kosovën. Kadare dhe Kosova rrojnë në “shtëpinë” e njëri – tjetrit. Shkrimtari ka qenë gjithnjë syri dhe veshi i Kosovës, kurse kjo e fundit ka qenë fryma e tij e vazhdueshme. Kjo marrëdhënie apo ngjizje ka krijuar poezi kadareane kushtuar fillimisht qiellit kosovar (“mes reve të tua të rënda”) që prej gjashtëdhjetë vitesh, romane, ese, letra për Kosovën drejtuar Rambujesë, bisedë përmes hekurash me Ukshin Hotin etj. Si mund të jenë të rënda, retë? Ato janë të atilla kur gjëmimet e tokës janë të rënda dhe Kosova ashtu i kishte pasur gjëmimet e saj gjatë shekujve. Mesqershori i këtij viti na sjell një përvjetor të trishtë, atë të filozofit e politologut Ukshin Hoti, që do të ishte 80 vjeç, po që ka mbetur 56. Po bëhen njëzet e katër vjet që ai nuk bëhet i gjallë. Të gjithë thonë se është zhdukur, por nuk duam ta besojmë, përderisa ai nuk ka një varr ku të vihen lule dhe të prehen lotët e Kosovës, edhe pse ka një shtatore, një imazh filatelik dhe Univeristetin e Prizrenit që ia trashëgon emrin. Jeta e tij pati një kurbë të shkurtër, 17 qershor 1943 deri më 16 maj 1999. Enigma nuk ka mundur të zgjidhet nga askush, as nga shteti i Kosovës, as nga ndërkombëtarët, as nga organizatat e të drejtave të njeriut. Çfarë, ku dhe si ndodhi gjëma e tij? Befas të ndërmendet “Procesi” i Kafkës. Ditën që Ukshin Hoti do të linte hekurat e kryqëzuara, dy roje të burgut të Dobravës e nxjerrin nga qelia dhe e dërgojnë… në zhdukje, mosgjetje! Aq i madh kishte qenë mallkimi i Millosheviçit ndaj tij, sa ai nuk mund të ishte i gjallë as pasi kishte kryer pesë vite burg. Tirani e dinte se Hoti ishte orakulli i popullit të vet, udhërrefyesi dhe fatthënësi i Kosovës. Kadare, që e kishte përjetuar fatin e rëndë të ideologut, duke u përpjekur të bëhej shpëtimtar i tij, do të shkruante më pas: “Ukshin Hoti ndodhet tani në larginë. Le të shpresojmë që ai të jetë ende në botën e të gjallëve. Megjithëse çfarëdo qoftë trajta e tij trupore, guri ku mbështet kryet ose mbulesa sipër tij, shpirti i tij është i paprekur. Ai shpirt i lirë ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat e në letrat e tij. E mbi të gjitha ai shtjellet i plotë e ngadhënjyes në lirinë e Kosovës”. Heroi i mendimit Ukshin Hoti pati fatin, që rrallë filozof tjetër ka pasur, t’i nënshkruante me gjakun e tij idetë dhe idealin për çështjen shqiptare. Thënia e tij “Një Serbi që mban të pushtuar Kosovën, nuk është as vetë e lirë”, vlen dhe për sot, përderisa Beogradi nuk rresht së vëni barrikada herë pas here mbi udhët e veriut të Mitrovicës.