Arben Veselaj: Krijimtaria e Kadaresë, në kundërvënie ndaj mitit serb për Kosovën

Triptiku “Tri këngë zie për Kosovën” i Ismail Kadaresë është një libër që u kundërvihet miteve që letërsia dhe historiografia serbe i sajoi për Betejën e Kosovës gjatë shekullit XIX. “Tri këngë zie për Kosovën” na provokon ta lexojmë çdo fundqershori kur nacionalizimi serb zbret në Fushë të Kosovës për t’i ringjallur fantazmat e vjetra të luftërave në Ballkan.

Tema e Kosovës është mjaft e përhapur në letërsitë e popujve ballkanikë. Letërsia dhe historiografia serbe ka qenë ajo që e ka shpikur një luftë imagjinare, të cilën, sipas serbëve, e udhëhoqi princi serb, Llazari, kundër ushtrisë otomane, të komanduar nga sulltan Murati, në Fushë të Kosovës, më 28 qershor të vitit 1389.

PROMOTED CONTENT

A peshoni 80 kg? Do të arrini 56 kg! Shkruani recetën
Slim Fit

Kjo metodë shtëpiake do të ndalojë dhimbjen e kyceve në vetëm 3
Ossein+
Need Some Air?
Megatek

Zgjidhja më e lehtë për të hequr Psoriasis në kushte shtëpie
Silki Skin

Unë shkatërrova venat merimangë brenda 72 orëve
EasyFlow

Merrni 1 filxhan nga kjo (para gjumit) dhe shkrini yndyrën tuaj!
GoSlim
E vërteta është se historiografia botërore kurrë nuk ka arritur ta dokumentojë sa duhet këtë ngjarje. Mungesa e argumenteve shkon deri aty sa shkenca historiografike jo rrallë, “luftën njëditore” e vë fare në dyshim.

E, përderisa historiografia bazohet sall në këngë popullore dhe në mite të letërsisë, kjo luftë mund të mos jetë e vërtetë.

Sidoqoftë, tema e Kosovës ka zënë vend edhe në letërsinë shqipe, sidomos në letërsinë e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Tema e Kosovës në librat e Kadaresë është krejtësisht kundërvënie ndaj letërsisë dhe historiografisë propagandistike e nacionaliste serbe.

Kosova, si problem historik e politik, në fakt, është trajtuar sa në prozën letrare, po aq dhe në poezi, por më së shumti në librat eseistikë e publicistikë të Ismail Kadaresë.

Vlen të përmendet këtu novela “Krushqit janë të ngrirë”, botuar pas demonstratave të studentëve kosovarë në vitin 1981, pastaj tregimi “Baladë për vdekjen e J. G”, i cili flet për vrasjen e shkrimtarit dhe gazetarit kosovar në Gjermani, Jusuf Gërvalla, në vitin 1982, poezitë shumë të njohura si: “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, “Kosova”, “Terrori në Kosovë” etj.

Ndërkaq nga librat eseistikë e publicistikë që trajtojnë çështjen e Kosovës (historinë dhe mitin, politikën dhe luftën etj.), veçohen: ditari për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” (1999), “Bisedë përmes hekurash”, (1999) – seria e letrave të shkëmbyera mes Kadaresë dhe Ukshin Hotit, në vitet kur ky i fundit mbahej në burg nga shteti serb, pastaj eseja “Shqiptarët në mijëvjeçarin e tretë”, si dhe shumë shkrime, letra dhe intervista të ndryshme etj.

Por, është një libër i vogël për nga faqet, por i madh për nga vlerat, “Tri këngë zie për Kosovën”, ai që shpalos më së miri prosedeun kadarean të çmitizimit të miteve përmes letërsisë.

Siç dihet, letërsia e Kadaresë, në pjesën dërmuese të saj, rrek tema të mëdha letrare, në mesin e tyre edhe çmitizimin e historisë. Temat historike për të cilat shkruan Kadareja, në disa raste dalin krejtësisht të zhveshura nga të gjitha paragjykimet nacionale, ideologjike dhe të tjera.

Kështu ndodh edhe me librin “Tri këngë zie për Kosovën”. Ky libër nuk “himnizon” vlera historike të asnjë kombi, bile as ato të kombit shqiptar. Pas leximit të librit titulli “Tri këngë zie për Kosovën”, na del një lloj “mashtrim optik”. Këtu nuk vajtohet Kosova e pushtuar dhe e persekutuar, por përshkruhet saktësisht koha kur lindi miti serb për Kosovën.

Këtu Kadareja nuk na jep as baladën e as elegjinë për Kosovën. Përkundrazi, na jep të kuptojmë se popujt ballkanas u detyrohen fatkeqësive dhe luftërave të vazhdueshme pikërisht për shkak se janë peng të hipotekave historike.

Ballkanasit kanë më shumë se gjashtë shekuj që kur vazhdojnë të jenë viktimë e miteve të rreme, apo siç i koncepton Kadareja në këtë vepër: i këngëve që ndjellin zinë dhe kobin. Në këtë kontekst do të mund të konkludonim se ky libër i Kadaresë është saga më e bukur letrare e humbjes së fisnikërisë evropiane të popujve ballkanas.

Ashtu si dhe një numër i konsiderueshëm i librave të Kadaresë edhe “Tri këngë zie për Kosovën” nuk mund të klasifikohet me saktësi në një gjini të caktuar letrare. Dikush e ka quajtur roman i vogël trepjesësh, dikush libër novelash, dikush tregim parabolik, dikush tjetër përmbledhje me tregime etj. Vet autori, duke rrëmuar thellë në misteret dhe honet e historisë dhe të miteve, këto tregime i ka quajtur këngë – këngë zie.

Sidoqoftë, tregimet që e përbëjnë këtë libër: “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, na japin “antitezat” letrare të Kadaresë mbi luftën e zhvilluar në Fushë të Kosovës më 1389, mes të ballkanasve të krishterë dhe ushtrisë së Perandorisë Otomane, që kishte nisur pushtimin e Evropës.

Tregimi i parë “Lufta e vjetër” bënë fjalë për përgatitjet që dy palët – në njërën anë otomanët pushtues, dhe, në anën tjetër, mbrojtësit ballkanas, i bëjnë para se të ndeshen në një betejë të përgjakshme në ditën e 28 qershorit të vitit 1389.

Tregimi sjell ankthin e një lufte të pashmangshme, ndjenjën për humbjen e pashmangshme në betejë, si dhe vdekjen e pashmangshme që vjen në fund (duke përfshirë këtu, siç thotë autori “dy vdekjet e mëdha” – të princit serb, Llazarit dhe sulltanit osman, Muratit). Këtu ndihet ankthi mesjetar i parabetejës, frika të cilën mezi e fshehin princërit ballkanas dhe, natyrisht, e pashmangshmja “kapardisja ballkanase”.

Tregimi i dytë “Zonja e madhe”, i cili mund të konsiderohet më i realizuari brenda këtij libri, flet për krejt atë që (mund të) ndodhë pas një beteje ku kanë lënë kokat dy mbretër, pas përgjakjes dhe pas humbjes së madhe.

“Zonja e madhe”, që ka kuptimin metaforik për Europën, është, po ashtu, sinonim i vendit të ikjes nga lufta, i mërgimit, i arratisjes etj. Rrëfimi për rapsodët, që zë vendin pothuajse qendror të këtij tregimi, na jep një pasqyrë reale të mendësisë së ballkanasve: fiksimit të tyre për ta kthyer për vete historinë (për ta krijuar për vete eposin dhe mitin), edhe nëse ajo sajohet mbi fakte krejtësisht të paqena.

Përshkrimi se si tërhiqen rapsodët (lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë e vllehë etj.) mbi një kodër, prej nga ku e vështrojnë plojën e përgjakshme të Fushës së Kosovës, na jep njërën nga tablotë më të goditura letrare, mbi luftën që më të madhe e ka hijen e mitit se sa fuqinë e argumentit historik.

Këtu Kadareja, si asnjë autor tjetër, na jep tablonë e saktë mbi zanafillën e mitit për Kosovën – atë çastin fillestar kur lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë stisin historina trimërie dhe heroizmi për luftën e Kosovës ashtu siç u shkon për shtati zotëve (padronëve) të tyre.

Tregim i tretë (i fundit) i këtij libri “Lutje mbretërore”, që është një monolog i sulltanit turk, Muratit, është një nga tekstet më të fuqishme që ka shkruar ndonjëherë Ismail Kadare. Ky monolog mbase e përshkruan përmasën më reale dhe më të saktë të fatkeqësive ballkanike. Sulltan Murati, nga varri i tij i madh (shih ironinë: ai varr i madh është krejtësisht bosh!) në Fushë të Kosovës, paralajmëron luftëra të reja, fatkeqësi të reja mbi Ballkan.

“Allah, u lodha gjashtëqind e ca vjet, mbret i vetëm midis gjithëkahnajës së krishterë. Nganjëherë, në orët më të rënda më sillet dyshimi se mos gjaku im është zanafillë e këtij tmerri. Zot, bëj që ta heqin gjakun tim nga kjo fushë e ftoftë. Bëje o Zot, shkule krejt baltën përreth sepse mjaftojnë vetëm ca pika gjaku për ta ndryrë brenda gjithë kujtesën e botës”.

Libri “Tri këngë zie për Kosovën” është shkruar pikërisht në kohën e luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, e, ndërkaq, pikërisht në atë kohë Kadareja e kishte shkruar dhe një tjetër libër me temë Kosovën – ditarin “Ra ky mort e u pamë”, përmes të cilit ai, natyrisht, merrte anën e shqiptarëve duke iu kundërvënë ashpër agresionit serb. Pra, në rastin e parë kemi një prozë letrare (“Tri këngë zie për Kosovën”) ku autori nuk mban anë të asnjërës palë, kurse në rastin e dytë – në veprën publicistike “Ra ky mor e u pamë”, ai hapur del kundër serbëve.

I vetëdijshëm se shkrimtarët me veprat e tyre fiksionale shpeshherë mund të bien në kurthet e moskuptimit dhe të keqinterpretimit, ashtu si edhe në disa vepra të tjera, edhe tek “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja, si një mjeshtër i madh, na i jep të dekoduara figurat historike; na i jep të zhveshura kumtet e errëta të miteve që nxorën historitë nacionale të popujve ballkanas, dhe, në fund, na i parqet lakuriq prapaskenat nacionaliste e politike që vazhdojnë të rrojnë nga mitet ballkanike.

Për fund duhet thënë se libri “Tri këngë zie për Kosovën” është një libër i veçantë që u kundërvihet miteve që nxorën historitë e popujve ballkanas dhe që provokon ta lexojmë çdo fundqershori kur nacionalizimi serb zbret në Fushë të Kosovës për t’i ringjallur fantazmat e vjetra të luftërave në Ballkan.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here