Site icon Gazeta Nacional Albania

NË  AEROPORTIN  E  HUAJ. Tregim nga  ILIAZ  BOBAJ

 

 

Në aeroportin e huaj do të rrija vetëm katër orë,për të pritur aeroplanin e linjës.Mendova të mos largohesha nga aeroporti dhe,si njeri i ngeshëm që isha,u nisa në drejtim të njerit prej bareve të tij.Ecja ngadalë,me një vështim të përhumbur e të papërqëndruar,si një njeri,të cilit nuk  intereson

aspak mjedisi ku ndodhet.Njerëzve pothuajse nuk jua hidhja sytë.Për arsyen e thjeshtë se nuk prisja të takoja ndonjë të njohur.I tillë bëhem përherë në udhëtimet e mi jashtë shtetit.Mbyllem në vetvete.Me mendimin tim.Më së shumti skicoj në mend ngrehinën e ndonjë tregimi apo të ndonjë poezie.E ngre në këmbë,i vë kollonat,katet,i hedh dyshemenë,çatinë.Për një çast e shemb të gjithë përtokë.E ngre përsëri e përsëri.Në forma të ndryshme.Kur më pëlqen përfundimisht,e regjistroj projektin në tru dhe e ruaj me kujdes të veçantë.Këtë projekt nuk e humbas kurrë.Nuk duhet veçse çasti i përshtatshëm për ta hedhur në letër. Edhe këtë herë po më ndodhte e njëjta gjë.Vërtitesha nëpër mendime të ndryshëm,por pa mundur të qëndroja në ndonjerin prej tyre.I ngjaja një njeriu të shpërqëndruar,që nuk di ç’kërkon nga vetja. Në barin ku hyra,kishte një qetësi që të hutonte.Ai i ngjante holleve të hoteleve të shtrenjtë,ku qetësia është autoritare dhe ku gjithkush që hyn aty,i nënështrohet rregullave të saj të rreptë.Këtë qetësi e thyenin vetëm fluturimet e avionëve,që uleshin dhe ngriheshin me atë rregullsinë e tyre të përpiktë,e cila i ngjan hyrjes dhe daljes së profesorëve në sallat e leksioneve.Gjithë puna në një aeroport i ngjan një ore.Mekanizmat e saj kanë një përkim të përpiktë në kohërrotullimin e vet. Tokësorët kanë vendosur aty rregullat e qiellit.Ose më mirë,kanë harmonizuar rregullat e tokës me ato të qiellit. Ndërsa rrija i vetëm duke pritur kamerierin,vura re se para meje qëndronte dikush.Ngrita sytë pa interes.Përballë meje rrinte një grua.Sapo ndeshi në vështrimin tim,ravijëzoi një buzëqeshje të lehtë.

-O zot !Ti këtu…!thirra si i zgjuar nga një ëndërr dhe mbeta si i ngrirë me sy të mbërthyer mbi sytë e saj.

Ajo buzëqeshi përsëri,këtë herë më ngrohtë,sikur donte të shkrinte ngrirjen time.

-Të pashë që kur hyre tek porta.Si je ? më pyeti qetë.

U ngrita në këmbë si një mekanizëm i ngadaltë.Pa ia ndarë sytë.

-Nuk e prisja të të takoja këtu.Po tani që të takova,u gëzova me gjithë shpirt ! i thashë me çiltërsi.

-Edhe unë.Kemi shumë vite pa u takuar…

E mbyta me pyetje,si një fëmijë kureshtar.

-Nga vjen ? Ku shkon ? e pyeta më në fund.

-Isha në SHBA.Kam djalin me studime aty.Tani kthehem në shtëpinë time,në Tiranë.Po ti ?

-Shkoj në Angli tek vajza.E kam me studime në Oksford.Nesër duhet të jem aty.Merr doktoratën.

I tregova shkurt për veten dhe familjen time,gruan dhe dy fëmijtë e mi.Dhe prapë u riktheva tek pyetjet e shpeshta,të ngutura,të cilat nuk i linin radhën njera-tjetrës tek portat e buzëve.Kureshtja për të mësuar gjithshka për shokët e vjetër të shkollës,i ngjan një etjeje,e cila do gjithë ujin e nevojshëm për t’u shuar.

-Më thuaj gjithshka ! Ku je ? Si je ?

Por ajo nuk ngutej aq shumë sa unë.Ishte më e qetë,më e matur.E tillë ka qenë qysh atëherë.Vitet,mesa dukej,e kishin bërë edhe më të matur.Ndërsa unë i ngjaja një vizitori të nxituar,ajo i ngjante një rojeje të matur,të qetë.

-Banoj në Tiranë.Punoj mësuese në një shkollë të mesme.Aty kam edhe vajzën.Vjet mbaroi universitetin.Punon ekonomiste në një firmë private.

-Po Adriani?Ku është?Si është? nxitova përsëri unë.

Mori frymë thellë,lëshoi një uh,si të donte të nxirrte diçka jashtë vetes,më hodhi një vështrim të ftohtë dhe më tha me fjalë të thata:-Jemi ndarë.Kemi njëzet vjet.Ti  nuk di gjë ?

-Oh, më fal,të lutem ! Nuk e dija.Më fal që të lëndova !

-Është një plagë që lëndohet vetë…!

Gjithë ai vrrull fjalësh në këtë takim të papritur,u duk sikur mbeti në vend.Si uji i një përroi të shpejtë,të furrishëm,që mbetet papritur në një pellg.Ky takim kaq i këndshëm,qe kthyer në një çast ngushëllimi. Dhe unë duhej të gjeja fjalët e nevojshme për të ngushëlluar shoqen time.

E pashë që biseda jonë hyri në një fazë të vdekur,prandaj mendova t’i jipja pakëz jetë.Vendosa të ndërroj takt.Nxorra fotografitë e gruas dhe të dy fëmijve të mi,të cilat i mbaj përherë me vete dhe ia tregova.

Tek fotografia e vajzës ndaloi gjatë.Në një çast lëshoi një buzëqeshje domethënëse.E vërreja me kujdes.

Fytyra i kish mbetur e bukur.Ravijëzimet e viteve,nuk kishin mundur ta zbehnin atë pamjen e saj të hijshme,tërheqëse,fytyrën e saj të pastër,me dy sytë e saj të kthyer në fund si bishti i bajames.Vetëm flokët,edhe pse të lyer dhe të krehur me kujdes,nuk e kishin atë brishtësinë e njëhershme.U ngjanin më tepër ca fijeve plastikë të ngrirë,sesa flokëve të gjallë.

E lashë kundrimin e fytyrës së saj.

-Pse nënqeshe pak më parë? e pyeta.

-Vajza të ngjan tërësisht.Është kokë e këmbë ashtu siç ishe ti atëherë…

-Ah,ajo kohë… ! Nuk e di pse,por gjithnjë e kam krahasuar me një pemë.Nxjerr   një lulëri të harlisur, por pak prej tyre mbeten për të lidhur fruta.Edhe ato që lidhin,nuk mbeten të gjitha në degë.Pak prej tyre piqen.

Përherë kam pyetur veten:është pafuqia e pemës për t’i mbajtur,apo fuqia e krimbit për t’i gërryer nga brenda?

-Herë njera,herë tjetra.Herë-herë edhe të dyja së bashku.

-Ndonjëherë dua të kujtoj gjithshka të atyre viteve.Ndonjëherë nuk dua të kujtoj asgjë.

-Nuk më thua,ku është Teuta? më pyeti krejt papritur,duke më lënduar plagën e vjetër.

-Është martuar në Fier.Kam vite pa e parë.Me vete mbart vetëm brengën e saj.

-Të gjithë e mbartim nga një brengë të asaj kohe,ma ktheu,duke më parë drejt e në sy.

-Edhe ti? e pyeta me kërshëri.

-Natyrisht, edhe unë.Si gjithë të tjerët.

-Po ti e more atë që deshe.Paçka se më pas…

-Kjo është brenga ime.Se nuk  mora atë që desha.

-Nuk të kuptoj…

-Brenga e tjetrit nuk kuptohet lehtë.Ajo i dhemb vetëm atij që e vuan.Trungun e brerë nga brenda e ndjen vetëm pema që e ka.

-Është e çuditshme, por me këto gjëra të vdekura, njeriu rron gjithë jetën.

-Se janë këto gjëra të vdekura, të cilat e mbajnë gjallë.

-Simbiozë e habitshme, e nevojshme, e domosdoshme.Por nuk ma thatë të fshehtën tuaj…!

-I hymë një bisede pa krye.Ndoshta do të ishte më mirë ta lëmë !

-Edhe po e the,nuk shembet bota ! ngulmova unë.

-Bota jo ! Shemben vetëm muret,që e mbajnë brenda tyre sekretin tim.Po ti vërtet nuk di gjë?

-Jo,asgjë.Dhe është pikërisht kjo që ma nxit kureshtjen.

Ndenji disa çaste  e menduar, me vështrim të hedhur diku në hapësirat e barit.

-Kisha vendosur të mos e prekja  sekretin tim.Mendoja se ti e dije.Por tani që po e marr vesh se

ti nuk di asgjë,ndoshta është më mirë ta ndajmë së bashku.Ndoshta është më mirë që edhe ti të marrësh pjesën që të takon.Kam kohë që e mbaj përbrenda.Më rëndon shumë…

Në çast, fytyra e saj mori një pamje të lodhur.Ravijëzimet në fytyrë iu theksuan,si nga një laps i padukshëm, balli iu rrudh,qepallat iu rënduan.Gjithë pesha e viteve i rëndoi në fytyrë.

-Ishin muajt e fundit të maturës, filloi të rrëfente më në fund.Me fjalë të matura, të qeta, të ftohta.-Atëhere  Adrianin e kisha thjesht një shok.E besoja si të tillë. Ditët iknin me shpejtësi.Veçanërisht dashuritë e heshtura nuk duronin më.Një ditë i dhashë Adrianit një libër.Në libër kisha vënë një letër.Ishte për ty. Isha shumë e turpshme, e ndrydhur.Mendova se kjo ishte mënyra më e mirë për të ta dhënë.Asnjëherë në jetën time nuk i kam ndjerë fjalët si fjalët e asaj letre.Aty kisha hedhur të gjithë parfumin e shpirtit tim.Ia dhe ?- e pyeta të nesërmen.

-Po,më tha.

Prita reagimin tënd.Ti ishe ai i zakonshmi.Si është e mundur,thoshja me vete,që ajo letër,ku unë kam vënë gjithë zjarrin e shpirtit tim,të mos ndizte qoftë edhe një shkëndijëz të vetme në shpirtin tënd? Ky mendim më mundoi gjatë.

Ai më digjte përbrenda si një zjarr i fuqishëm.Më dogji aq shumë,sa më la vetëm hirin.U ftoha krejtësisht.Pikërisht kur unë po vuaja brengën time,Adriani u tregua i afërt me mua.Ai gjeti rastin dhe u bë ngushëllimi im.E dashurova pa e kuptuar nëse e doja vërtet apo jo.

E dëgjoja me një habi,që po më shqyente portat e kureshtjes.Isha bërë sy e veshë.Edhe frymën që merrja,më dukej se e peshoja.E kisha rrokur të tërën në vështrimin tim, sikur prisja me padurim të më rrëfente sekretet e ndonjë thesari përrallor.Nuk doja t’u besoja veshëve për atë të vërtetë tronditëse,të cilën e dëgjoja nga goja e saj pas kaq e kaq vjetësh.Aq shumë isha përqëndruar në dëgjimin e asaj që po më rrëfente shoqja ime,sa nuk më lëvizte asnjë nerv.Ndërsa sytë i kisha mbërthyer tek buzët e saj me një përqëndrim të tillë,saqë ata ia rrëmbenin fjalët

drejt e nga goja, pa i lënë të mbërrinin  tek veshët e mi.Nuk e di sa kohë ndenja në atë gjendje.Ajo kish kohë që kish mbarruar rrëfimin e saj.Di vetëm se fola si përçart:

-…Është hera e parë që po e dëgjoj.Atë letër nuk e kam marrë kurrë…!

-Natyrisht.Letrën nuk kishit si ta merrnit.Atë e kishte Adriani.Ajo nuk kishte datë dhe Adriani e përdori në gjyq kundër meje, si provë për lidhje jashtëmartesore.Aty mora vesh se gjykata të kishte dërguar edhe ty një shkresë për t’u paraqitur në gjyq si dëshmitar. Kërkova nga gjykatësi ta shihja letrën dhe, kur e mora në dorë, nuk ia dhashë më.Pranova të isha

unë fajtorja, kështuqë letra nuk kishte më rëndësi si provë shkresore kundër meje.Nëse deri atëherë Adrianin nuk e dashurova kurrë,atë çast e urreva me gjithë shpirt.Por ishte vonë, tepër vonë…Ndërsa ftesën që të dërgoi ty gjykata,nuk e di nëse e more apo jo.

Unë vijoja të rrija si i ngrirë.Në buzë ndjeja një etje të ndezur.Zëri i saj vinte nga një kohë tjetër.Por edhe unë isha larguar në kohë.

-As ftesën për në gjyq nuk e kam marrë kurrë!, i thashë me një zë të mekur.

-Çudi,të gjitha ato që janë nisur për mua,nuk kanë mbërritur kurrë…!

-Që prej asaj dite atë letër e mbaj përherë me vete.E kam këtu në çantë.Dhe preku çantën me faqen e dorës.

-Nuk di ç’të them…Do të doja edhe ta shihja,por edhe të mos e prekja atë dhimbje…!

-Jo ! Tani,jo ! Atëhere ishte për ty ! Tani është imja ! Nuk ia jap askujt !

Gjithshka ishte mbyllur ashtu siç ishte hapur.

-Oh !- tha më në fund.-Ndoshta nuk ia vlente kjo bisedë e vonuar ! Por edhe brenda nuk mund të mbahej më ! U lodha duke mbartur brengën time ! Me dikë duhej ta ndaja ! Aq më tepër me ty…! Tani po ngrihem.Pas gjysmë ore, avioni niset për në Tiranë.

Më dha dorën dhe u largua.

E ndoqa me sy derisa doli nga bari.Solla ndërmend buzëqeshjen e saj të dlirë dhe të hijshme të atyre viteve shkollore.Pastaj atë vështrimin e saj të çiltër, domethënës.Atë vështrim,që donte të më thoshte të fshehtën e saj,por që unë nuk e kuptova kurrë.Sa i pazoti që paskisha qenë…! Po aq i pazoti për të njohur edhe Adrianin…!

– Uh !- shfryva me vete.

-Kot themi që sekretet më të mëdha na i fsheh e ardhmja . E shkuara është ajo që na mban peng të fshehtat tona më

të mëdha.Dashuritë dhe intrigat.Dhe ne njohim aq pak prej tyre, ndërsa mendojmë se dimë gjithshka…!

Pashë orën dhe u ngrita si i mpirë.

Exit mobile version