Gazeta Nacional Albania

Nexhat Rexha: Veçori poetike në librin e Hyrije Jusufit, “Zhveshja e unit”

Nexhat Rexha: Veçori poetike në librin e Hyrije Jusufit, “Zhveshja e unit”

Bota e mendimit artistik saktëson botën shpirtërore të njeriut, Hyrije Jusufi në veprën më të re të saj “Zhveshja e unit”, tejkalon tkurrjen e mendimit të brendshëm. Idetë e meditimit të shpalosura nëpër vargjet e racionalizuara të këtij vëllimi poetik, arsyetojnë zgjedhjen e fjalës në përceptimin e idesë. Meditimi dhe kreativiteti i parashtruar në vargje komunikon me botën e mendimit filozofik, si zgjedhje e konsoliduar për të dhënë në kornizim qartësinë e poezive. Poezia nëpër këto depërtime, dallon nga veprat tjera të autores. Me këtë paraqitje, autorja shpreh dhe dikton fjalën e saj në mënyrë tjetër, ajo ka krijuar lidhshmëri të mendimit poetik me figuracionin e fjalës së urtë, e cila komunikon si vargnim dhe si artikulim i sofistikuar nëpër labirintet e jetës.
Zhveshja e pamjes së jashtme, të ofron depërtime në pikturim të Monalizës, si portretizim i përkryer i bukurisë dhe qëndrueshmërisë artistike, në realitet vetë Monaliza dhe vështrimet e saj që kanë pushtuar botën, krijojnë realitetin përtej nesh, në ruajtje të vlerave të dalluara artistike me portretin e paarritshëm në ngjyrimet e kohëve.
Zhveshja e dukshme përmes unit, si bartje e mendimit të brendshëm, në vete ruan magjinë e përjetimeve që tjetërsojnë figurat e dukshme, me ato figura që krijojnë realitetin e njerëzor. Ekzistenca e njeriut i ka edhe prioritetet e veta, në këtë sistem derivohen, konstruktiviteti që konsiston në prirjet e trajtimit të hapur të poezisë, e cila i jep kuptimësinë e atributin e duhur mendimit poetik. Në këto shtrirje, vargjet e Hyrijes krijojnë afërsinë e përjetimit, ato të japin emocionin e mjaftueshëm, të rikthejnë nëpër pikat e pritjeve, të cilat ruajnë identitete të kërkuara nëpër ëndrrat e shtegtimeve tona. Shqiptimi i gjërave të përditshmërisë të përcakton në identifikim të ngjyrimeve artistike, të cilat vijnë si realitet i përjetimeve të përmes shtrirjes së unifikimit. Poetja konsiston në amshuemshmërinë poetike për të realizuar idenë e përceptimit artistik, duke bartur mendimin nga intimiteti me reflektim të angazhimit si dhe për t`i dhënë gjallëri vargut në hapje të organizimit poetik dhe si mozaik që ofron bashkështegtimin e mendimit artistik në atë imagjinativ.
Lënda poetike e shtruar brenda kopertinave të librit ka shtrirje të gjerë në idejshmëri poetike, të cilat në ndonjë rast i kanë edhe kontrastet e veta. Në realitet poetja ngërthen brenda vargjeve melodinë e ngjyrave të zemrës dhe melodinë e heshtjes, e cila kapërdinë mundimet për të arrirë deri tek magjia e buzëqeshjes shpirtërore, si në vargjet:
Unë nën hijen e një lisi me laps
Një cicërimë zogu në sqep
Të gjitha vargjet i akordova
Melodi e lehtë shpirti që flet
Këto dialogime, konsistojnë në akordim të fjalës së zgjedhu, kurse figuracioni artistik ndjen, krijon lidhjet e kohëve nëpër sakrificat e mundimshme, sepse në shumë ballafaqime jeta e njeriut ndeshet me dilemën për të zgjedhur rrugën si ecje dhe si tejkalim. Komunikimi krijon marrëdhënie në mes autorit dhe lexuesit, në këtë komuinikim kërkohet zbardhja e shkëmbimit të përjetimit dhe mesazhit që krijon shtrirje përjetimi në pikëtakimet e simboleve në unin e brendshëm të lexuesit.
Poezia e Hyrijes në këtë vëllim ka artikulime të drejtpërdrejta, ato vijnë të sinkronizuara natyrshëm me individualitetin e preokupimit, në kërkim të zgjidhjes së nyjës gordiane.
Unë e dinakja jemi dy rrugë
Kahje kronologjishë
Po munda ta nxë t`i shqyej maskën
Perënditë do vdesin të njëjtën ditë
Njeriu, duke kaluar nëpër këto situata komplekse arrin në konstatime se emocionalja dhe natyrshmëria kërkojnë unitetin për të udhëhequr mendimin e peshuar në peshoren e arsyes. Dhe realisht jetëshkrimi i poetik në librin e Hyrijes arrin të prekë segmente të arsyeshme, ato krijojnë mundësin e njohjes, mundësinë e përjetimit, mundësinë e mundjes për të keqen në ardhje.
Poezia të jep ide dhe të merr ëndrrën deri në flijim të vargut të fundit, për të konstatuar se gjakimi artistik pushton hapësirën më të lartë qiellore. Lirika e dashurisë harmonizon metamorfizimin e dridhjeve të ndërlikuara, ajo shkrinë ekzistencën nëpër thellësitë e fokusimet e pamjeve në imazhet parafytyruara. Këto meditime poetike të autores, krijojnë jetëgjatësi dhe i japin energji ditëve e netëve t`pagjumta deri në pavdekësi.
Portretizimin e dukurive në shoqëri poetja e ka vënë në kapërcim të situatave brenda të mundshmes, duke manifestuar nëpër kohë e ngjarje edhe dramatike. Këto identifikime karakterizojnë në koordinata të njohura nëpër kohë. Tematika poetike krijon momente të ndodhive nëpër kohë e vende të ndryshme. Autorja në vrojtimet e gjërave të përbotshme krijon motivin e njohjeve të reja në korrespondim të:
Pranvera e kovidit kishte tërhequr litarin
Mbështjellur globi
As barë, as lule mallkimi
Sytë katandisur muresh
Gojëqepur para dere
Këto dhe vargje dhe të tjera, e përkujtojnë njeriun nëpër rrjedhën e ngjarjeve, ndodhive si kjo e ditëve tona me kovidin, ajo në Hiroshimë, pastaj relikti mitik dhe roli e Zanës shqiptare nëpër epokat e diktateve. Përkundër këtyre ndodhive të kaluarës së largët dhe këto të ditëve tona. Autorja i tejkalon këto vështirësi me dashuri njerëzore, rikthen gjallërimin përtej vështirësive të botës sociale.
Vëllimi poetik ”Zhveshja e unit”, në tërësinë e saj ka ndërtime të arrira artistike, nëpër laryshinë e vargjeve, lexuesi ndeshet me prekjet e situatave nga më të ndryshmet, ato kanë prejudikimi kah bota e progresit ekzistencial. Poezia ka ndërtim të përngjasimit të haikut, edhepse shtrirja e vargjeve tejkalon masën e poezisë së trevargëshit. Shtjellimi tematik në veprën e Hyrijes, krijon sistemin e lirë të vargnimit në përmbajtjen mes poezive, pasi ato kanë ndërlidhjet e tyre brenda vargjeve, të cilat nuk kanë përkufizim të titujve brenda librit. Mirëpo, në këto rreshtime poetike, autorja i ka kushtuar rëndësi e përqëndim anës filozofike dhe asaj i ka dhënë përkufizim të melodisë shpirtërore.
Në tërësinë këtyre poezive, poetja ka ndërlidhur aktualitete të brendshme, të cilat frymojnë lirshëm në lexim, kurse poetika funksionalizon, ruan idenë e autores në përkufizimet e dhëna artistike. Kur fjala të rikthen në përballime të fiksimit dhe reagimit në zbërthim të enigmës së padukshme, mesazhi poetik orienton lexuesin në vizionin e fuqisë drejt zhveshjes së dukurive të ndërlikuara në qeniet njerëzore.
Tipologjia e reagimit dhe ndërtimit poetik në poezinë e Hyrijes, qartëson kërkesat vegimatre, si liri brenda gjakimit për t`i dhënë fisnikërimin fjalës dhe unit artistik.
Qershor- 2022
“MENDIMET E LARTA GJENDEN NË FJALI TË SHKURTËRA”
Poezia është art personal, i një sofre, në të cilën kanë vend të gjithë njerëzit. Ajo jeton në harmoni me ndjenjat personale të atij që e ndjen dhe e di që e ka në qenien e tij. Si e këtillë është shoqëruesja më besnike e njeriut, i cili është i preokupuar me ndonjë ngarkesë shpirtërore me synim të tejkalimit të saj, përkatësisht të zbutjes në mënyrën më të mirë. Kjo dhunti e këtij arti, ndër më të pranueshmit, më të përhapurit e më të shumëllojshmit, ka lindur bashkë me njeriun, duke e shoqëruar atë deri në gërhamat e fundit të jetës. Miku më i sinqertë dhe ngushëlluesi më i pa zë, por me ndikim ndjesor, që nga thellësitë më të mëdha e deri tek ajo që manifestohet edhe me lot e psherëtima.
Në forma të tilla, ndjenja e njeriut, nëpër etapa jetësore, ka krijuar sajesa të shumëllojta që njeriun gjithmonë do ta shoqërojë dhe inspirojë të krijojë.
Shembujt dhe konstatimet janë të shumta, sa të bukura po aq edhe shoqëruese në rrugëtimin jetësor të secilit shpirt njeriu që nga lashtësi të thella.
Me këtë rast po e zëmë në gojë një tufë poezish ose intimash të shprehura me shkrim nga krijuesja Hyrije Jusufi, e cila lexuesve të poezisë, deri tani, ua fali tri vepra të bukura poetike: “Kthinave të jetës”, “Rilindur nëpër stinë” dhe “Psherëtimë zane” të cilat mrekullueshëm dhe përshtatshmërisht me shpirtin e saj krijues bashkëjetojnë dhe e bëjnë rrugëtimin nëpër lexues gjithandej.
Ajo na e fali edhe një vepër të bukur, një ndjenjë e një psherëtimë “Zhveshja e unit” e cila cilësohet edhe një arritje e autores me të cilën do të na shoqërojë.
Fryma krijuese e saj, në këtë përmbledhje vargjesh, simbolizon një epitet të gjetur e të thënë. “Miratim erërash” do të jetë pohimi vijues i Hyrijes që në vazhdim me këtë lejueshmëri futet në margjina ndjenjash që pasqyrojnë jo vetëm dashuri për vargun e saj që ia nxjer intuita nga ndjenja personale por dëshmon dhe vulos vendosmërinë dhe njëmendësinë, se vargu i saj është shoqëruesi i më besnik dhe jetik. Kjo poete vargun e sheh në brendinë e kornizave të shpirtit dhe në shenjëstërinë e saj për ta nxjerur e për ta bërë realitet, si loti kur rrjedh faqeve, për ta vazhduar historinë kudo edhe në shekujt e kaluar, “ku merr frymë lirshëm” edhe e zgjedhura e saj Monaliza…
Duke u bazuar në realitetin që ka bashkëjetuar me të parët e saj, ajo na e pasqyron një realitet ndjesor “kur të gjallët kanë fjetur varreve” nga se, duke qenë në robëri, askush nuk e mendonte jetën si zogu me krihë, por “të gjallët si të vdekurit” sa rënd e sa dhimbshëm për poeten e cila e psherëtinë me varg…
“Si në vegim” ose si në ëndrra, hapëronte njeriu ynë, detyrimisht prej situate në situate, duke u ndeshur me të papritura që ndodhnin në bazë të projekteve dhe komponimeve të imponuara nëpër pentagrame ogurësh dhe rrugë tjera enigmatike. Në këtë vegim spikat ëmbëlsia dhe butësia e shprehjeve në krijimet e shkurtëra por të mbrojtura me forcën e mohimit që na dalin medituese duke e ngjizur edhe me tigull të thellë e aty këtu edhe me tronditje që si rrjedhojë kanë hapërimet nëpër relievin jetësor të gjallërimit duke qenë gjithë-përfshirëse në kuptimin e realitetit që pasqyron poetja.
Jo pa arsye, kjo krijuese, e gjen një shprehje të bukur poetike “jetuni i strukur” që bëhet pararojë e rrjedhimeve shumëngjyrëshe që has nëpër to, sikur nën ndërskamësa duke i rradhitur me shprehje dhe gjetje të bukura si shpirt i çmendur, përbindësh i pakapur, përflakje në udhë, natë e thellë, malli zhbiron, hijembetur e deri te vargu “ndryshku kishte zhbiruar hekur e pranga”:
Sonte në natën e thellë
Malli zhbiron të gjitha kujtimet me emër
Hijembetur, bebëzhumbur, harruar
Porta e mbyllur e zemrës lëngonte
Ndryshku kishte zhbiruar hekur e pranga …
Forca krijuese e Hyrije Jusufit, në librin “Zhveshja e unit” prej poezie në poezi nuk vjen duke u zbehur, ajo e ruan ritmin e shpërfaqjeve të ndjenjave, figurave, e gjetjeve të ndryshme deri në fund të librit. Ajo e përmend “pushtimin e pabesisë” si shprehje metaforike, duke mos mundur t’ia thej unin krijues as forcën krijuese. Hyrija shkon tutje gjetjeve të tjera të cilat hapërojnë me emocione që autoren e shëndrrojnë në kalorëse drejt hapërimeve të pagjetura.
“Ai që është flakëruar në flakë nuk duhet të ikë” ose “Njeriu nga varri shpëtohet me një fjali përshëndetëse”, “Në meshën e praruar fali edhe shpirtin” –janë gjetje që zbukurojnë poetikën e saj sepse në plan të parë poetja e ka rrugëtimin poetik për ta gjetur të shndritshmen, dritën e flakëruar ose një hapësirë ku dominon e mira.
Një thirrje enigmatike
Mbrenda borxhit të përfolur
Ec në litar kohe në duar
Ik nga e nesërmja e harruar
Është poezia me të cilën poetja e përfundon këtë tufë vargjesh të bukura me të cilën si duket e simbolizon veteveten që synon të “Ik nga e nesërmja e harruar” për ta gjetur të pasnesërmen e ndritur.
Përmbledhja me poezi pakvargjëshe, “Zhveshja e unit” por me kuptim të thellë ngjajshmërisht me aforizmën e Sami Frashërit: “Mendimet e larta gjenden në fjali të shkurtëra” e begaton opusin e vet krijues, e cila synim kryesor ka depërtimin në thellësitë e imagjinatës dhe vënjen në letër të shpirtit krijues të saj.