Pedagoge e Gjuhës Angleze pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë / Përkthyese letrare
Sot, përmes programeve Erasmus+, studentët shqiptarë – qoftë në Bachelor, Master apo Doktoraturë – kanë mundësinë të përjetojnë një eksperiencë unike akademike jashtë vendit. Një mundësi që brezat e mëparshëm nuk e kishin, por që tashmë është bërë realitet për shumë të rinj që dëshirojnë të studiojnë në një nga universitetet evropiane, edhe kur mungesa e mjeteve financiare përbën një pengesë.
Edhe për mua, kryerja e një mobiliteti jashtë Shqipërisë ka qenë një ëndërr e hershme, e cila u realizua falë programit Erasmus+ KA171, gjatë studimeve të mia doktorale në Universitetin e Tiranës.
Përvoja ime pranë Universitetit të Valladolidit në Spanjë ka qenë e pasur dhe frytdhënëse, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë kulturor e njerëzor. Kam marrë pjesë në leksione dhe seminare mbi përkthimin dhe mësimdhënien, të zhvilluara në gjuhën angleze dhe spanjolle; kam diskutuar me profesorë dhe studentë mbi çështjet e përkthimit dhe përshtatjes letrare ndërkulturore; si edhe jam përfshirë në veprimtari që kanë ndihmuar rritjen time si pedagoge dhe kërkuese shkencore.
Përveçse më ka mësuar metoda të reja pedagogjike dhe më ka dhënë ide për kërkimin në fushën e përkthimit dhe letërsisë, kjo përvojë më ka pasuruar edhe me aftësi ndërkulturore, duke më ndihmuar të kuptoj më thellë diversitetin kulturor dhe mënyrat e reja të komunikimit.
Erasmus+ nuk është vetëm një program studimi. Është një urë që lidh universitete, kultura dhe njerëz. Është një mundësi për ta parë botën nga një këndvështrim tjetër dhe për ta sjellë këtë pasuri të çmuar në vendin tënd.
Prandaj, i ftoj studentët e të gjitha niveleve të studimit – Bachelor, Master apo Doktoral – të bëhen pjesë e këtyre programeve. Përvoja që fitohet është e pakrahasueshme dhe ndikon drejtpërdrejt në formimin profesional dhe personal.
Mirënjohje të veçantë shpreh ndaj anëtarëve të ekipit të Erasmus+ KA171 në Universitetin e Valladolidit, të cilët, me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre, e shndërruan këtë përvojë në një kujtim të paharrueshëm akademik dhe kulturor për mua.

