Site icon Gazeta Nacional Albania

Nikoll Ulndreaj: MËNGJESET E PSHERTIMAVE, POEZI

POEZIA
Poezia është zjarr që psherëtin në shkronja flakërore,
Univers i pafund që pulson si zemra e yjeve, orkestër valësh të fshehta, melodi era.
Është ylberi i shpirtit që lind pas stuhisë së dhimbjes, pasioni i zjarrit të fshehur në akull,
Oqeani i heshtjes ku notojnë ëndrrat e mia të harruara, qielli që thërret me vetëtima zjarrthënëse.
Poezia më përkëdhel ballin si fllad i lehtë pranvere,
Është etja që digjet si rreze hëne mbi gurë të vjetër, çast romantik i mbështjellë në mjegull,
Parfumi i yjeve që shpaloset në errësirën e shpirtit, klithma që ringjall hije të harruara,
Një magji e fshehtë që shpërthen si trëndafil nën mjegullën e mëngjesit.
Është qetësia që vallëzon me dritën e hënës së plotë dhe rrezet e përqafimit të diellit,
Drithërimë e lehtë si fije mëndafshi nëpër valët e një përralle të lashtë, joshje princeshe nga legjendat e harruara,
Puthje që fluturon si shqiponjë në shpatet e zemrës, premtim i shkruar në retë e harruara,
Buza jote, shkëmb në mes të detit tim, buza ime — liqeni ku pasqyrohet hëna.
Është loti i gjakut që rrjedh si lumë i kuq në gurët e heshtjes, malli që digjet si zjarr stuhie, gëzimi që shpërthen si stina e luleve,
Ekuacion i ndjenjave të pathëna, pije joshëse në flladin e pranverës së harruar,
Zambaku dhe trëndafili — dansues të pafajshëm në aromën e dashurisë së fshehtë,
Aureolë drite në strehën e dhimbjes, djep i puthjeve të përjetshme që rriten si hije në mure.
Është ndjenja që shkrehet si rrufe në natën e qetë, emocioni që ndriçon si yll i largët, ylli që udhëheq në errësirë,
Hëna, dielli, kandili që ndizet në mes të mjegullës së shpirtit…
Poezia është jeta — një sekret i lashtë, një dritë e pafund, një shpresë që nuk shuhet kurrë.
Tiranë, 02.05.2022

SYTHI NË LASTAR KËNGËN NISI

Kambanat e bjeshkës bien, sythi në lastar këngën nisi.
I trembur ikën dimri, fustanin e larmë fërfëllon pranvera.
Mahnitur hap krahët pisha, bredhi, ahu, shkoza dhe lisi.
Nimfat krehin flokët kaçurrela, që ua ka shpupuritur era…

Në shkëmbin shpirt-brishtë, heshtja thyhet si pasqyra.
Me ngjyra të qiellta mbin lule, që ndjellin dashuri.
I përmalluar si fëmijë sugar, buzëqesh ëmbël natyra —
Pikëllimin ia fshin lëkurës time. Dimri ik, tretet si qiri…

Syri i ortekut qan; qesh luleshtrydhja që po nxjerr krye.
Boronica zgjohet qetë, mjedra shpejton të lulojë e para.
Larat e borës i përpin dielli, zana qëndis shaminë me yje.
Zjarre xixëllonjash ndez bjeshka, kau byryleget ndër ara…

Vuajtja e lules nën borë harrohet, zogjtë ngrenë çerdhe.
Zbathur vrapoj nëpër bjeshkë, vetminë për zverku e zë.
Skamnori i ngre dolli pranverës, i thonë: “Mirë se erdhe!”
Dete sysh kaltërojnë, ofshama e Ajkunës s’dëgjohet më…

MOS MA KTHE KOKËN MËNJANË, TANUSHË

Mos ma kthe kokën mënjanë, Tanushë, pashë të Madhin Zot.
Pashë Perëndinë që përmbys qiellin e tokën.
E di se jeta s’ka kuptim vetmuar, kur lotin mbledh në gotë.
Ika mërgimtar, se nuk kisha çati ku të fus kokën…
Në zemrën tënde hyra, mikja ime, njashtu si hyn çdo djalë.
Ti zemëroheshe, bëheshe stuhi dhe shtrëngatë.
Nuk hyra të pushtoj shpirtin dhunshëm me të drunjtin kalë,
as pse i kishe harruar dritares së zemrës hapur një kanatë…
Dallga e dashurisë më përpiu, hyra në zemrën tënde dhe mbeta.
Ah, ti ishe shegë, shegë je ende, shegë e pakafshuar.
Atëherë unë të thosha: “Jam Romeo”, ti më thoshe: “Jam Zhuljeta”.
Ti ishe flladnajë për shpirtin tim të përvëluar…
Të kujtohet, moj, kur çikat me ngjyra ylberi thurnin shporta?
Në hije të mrizit bënin vello nusërie për vjeshtë.
Krijesa e Zotit, magjiplotë, i priste katër-pesë hapa nga porta,
sapo zogu i muzgut ulej një çast në kreshtë…
Ika, shpirtin lash aty ku Muji priste koka bajlozësh në fushë.
S’kisha ç’të bëja, se për shtetin tim isha “kopil”.
Vendlindjen, bjeshkët, hënën, yjet, diellin i lash aty, Tanushë.
Me vete mora dy xixëllonja që bëjnë dritë sa një kandil…
Kalova dete, ika larg, larg – një fije shprese flakë të ndez.
Kur nuk shikoj ty, Tanushë – as miq, as farë, as fis.
Lodhem, zhytem në dhimbje, se i kam larg sytë e tu të zes,
duke më gërryer malli si krimbi në lis…
Të bëhem në yje se të dua ende – qielli i shpirtit nuk është thyer.
Vendi i huaj nuk ka kurajo as forcë të më ndalë.
Je engjëll me zemër dashurie, me fuqi hyjnore më ke ngazëllyer.
Shpirtin ma mban ngrohtë në vend të huaj ku më ka hedh kali…
Mos ma kthe kokën mënjanë, Tanushë, pashë të Madhin Zot.
Se është rritur shpresa sa një lis, sa një çetinë.
Lumenjtë rrjedhin rrëmisht… detet trazuar kanë një mot.
Jam veç një klithmë në kthim – hana e dielli më ndrin…

ZOGU I MALLIT S’KA MË HAPSIRË FLUTURIMI SIVJET

Zogu i mallit s’ka më hapësirë fluturimi sivjet.
As era e bjeshkës, as aroma e barit, nuk fshinë më lot.
Dëshiroja të isha këngë e kronit të Qafës, jo poet,
Në sytë zi të Tanushës të isha i qelibartë, një pikël lot…
Të isha vërshëllimë e pishës në shkëmb,
Fërfëllimë gjelbërimi bjeshke, pse jo dhe mbret sot.
Të prekja me dorë plagën lules kur i dhëmb,
E nëse nuk mund ti shëroj plagën, në sy ti bëhem lot…
Valë e shkrumbëzuar e lumit të Bardhë,
Të isha, të isha dhe tamel më borë, etshëm të më pinë.
Afshi i tokës të më bëjë lule në dardhë,
Eshtrat t’mi kallen flakënaja e verdhë, dimri kur të vinë…
Pse jo të isha në bjeshkë një larë diellorë,
Të hallakatem luginave, si vezullimë, si pishë e si prush.
Të ngroh një filiz toke që rënkon nën dëborë,
Të shohë qiellin si hap sytë, shpirtin e molisur limfë kur e mbush…
Fluturave të mëndafshta t’u bëhem push,
Fytyrë e vërtetë shkëmbi ku shtrihet rrath-rrath ashpërsia.
Në pikun e vapës vashës në gji ti bëhem prush,
Ferrë e egër, thumb blete, pendë zogu, kur ta deh dashuria…
Tingull i ëmbël i bylbyli të isha, a syth në lis,
Afsh i ngrohtë moti a porta e Tanushës që ka mbyllur vet.
Ehu, edhe në maje të Hekurave të isha i bardhi plis,
Qumësht delje në kusi, në vlim të isha, veçse kurrsesi poet…
Zogu i mallit s’ka më hapësirë fluturimi sivjet.
As era e bjeshkës, as aroma e barit, nuk fshinë më lot.
Dëshiroja të isha këngë e kronit të Qafës, jo poet,
Në sytë zi të Tanushës të isha i qelibartë, një pikël lot…

QESH E QAN SYRI I ZI

Sytë e tu të thellë – det,
Kur kam hyrë aty – kam mbet.
Mbylli sytë, moj, mbylli sytë,
Se kur hyra – jam mbytë.

Me ata sy bëj kujdes,
Dua të jetoj, jo të vdes.
Kur i shikoj – në zjarr më kallin,
Kur i mbyll – mallin s’ma shuan askush vallë.

Unë me veten në hall kam ra,
Sytë e tu – s’mund rri pa i pa.
Sytë e tu të thellë – det,
M’bëjnë skllav e m’bajnë mbret.

Faqet lule – për bukuri,
Belin hollë, shtatin – selvi,
Qafën e gjatë – por si xhirafa,
Diellin varur, varëse në qafa.

Buzët e kuqe – qershi e pjekur,
Trupi – tamël, nga dielli pa prekur.
Gjoksi – dardhë, si ftua i fryrë,
Aty – era kurrë s’ka hyrë.

Sa herë në bjeshkë hëna leu,
Erdh syzeza e më rrëmbeu.
Erdh me gaz, erdh me dëfrim –
E solli Zoti për bekim.

Ke për mua, moj, pak mëshirë?
Mos më thuaj: “Lamtumirë!”
Dua t’i puth ata sy të zi
N’hije të pishës, në Kaki.

Iku vera… dhe kur vjen vera,
Mëngjes për mëngjes më zgjon era.
Më zgjon era – vetëm, në stan,
Syri i zi qesh… e qan.

Qesh e qan syri i zi,
Në hark të ylberit – përmbi Dri.

NË SHEKULLIN E SIZIFIT

Njerëzit pa tru duartrokasin urrejtjen e tyre çdo mëngjes,
Si mallkim, neutronët e përvëluar sërish djegin Trojën.
Aksidente, bombardime, të vdekur, skllevër me litar në brez —
Bota në prag lufte: Rusia, Irani, Izraeli e nisin lojën.

Në mëngjes u ndjeva mirë, lexova gazetën me ngarkesat e saj:
SHBA – bastisje masive emigrantësh, shtete në kolaps ekonomik.
Palestina e përgjakur, mijëra fëmijë barkthatë, me sy në vaj…
Ç’pjellë e pashpirt është krijuar në shekullin e Sizifit, or mik!

Intelektualët e kafeneve flasin sesi mbyllet lufta Rusi–Ukrainë,
U ngjajnë lakuriqve të fjetur, që s’shohin dritën e ditës dot.
Bota në kaos, Lufta e Tretë Botërore po afron — shpatat virgëllijnë,
Vdes popullsia civile, kufoma të pavarrosura mbytur në gjak e lot.

Një baba vajton djalin, një nënë vajton nëntë fëmijët e vrarë,
Të dëshpëruarit kryejnë vetëvrasje, miliarderët ndërrrojnë bunkierë…
Udhëheqës të çmendur kënaqin pasionin e shfrenuar kureshtar —
Oqeanet mbajnë zi për të vrarët, Juda ngre flamurin, nga fryn era…

SHKURRA E SHPIRTIT

Më thanë se një poezi shkruar për diktatorin duhet të vdesë,
Ca njerëz me stilolaps në dorë që skanojnë metafora,
Hedhin poshtë çdo varg, pa iu dridhur syri as dora…
Unë qetë pi duhan në flladin e një margaritari, pa pendesë.

Klithmat e erës më përkëdhelin zbehtë, hëna në qiell varkon,
Endem shtigjeve të ashpra të melankolisë, duke matur e peshuar;
Më duket vetja si shkurre me lule të bardha, që aroma lëndon –
Si shkurre që nuk i reziston kohës, edhe pse shpirti e ka krijuar…

MËNGJESET LINDIN PSHERËTIMA SHKRONJASH

Edhe këtë ditë, ditën tjetër… e sa të tjera? Nuk e di!
Kjo jetë rebele ma ka thelluar rrudhën në ballë,
Ma ka bërë të pamundur të shkel ndonjë rudinë me diell.
Pavarësisht se më kalëron i ftohti, e acari,
Fytyra më mufatet, zverdhet në hije të çelësit,
Që më ka mbyllur në një apartamentpa tapi.

Çdo ditë më është e shtunë, çdo ditë më është e dielë,
Kapelja ime rri varur në gozhdë,
Të ndryshkur prej lodhjes, nofullshtrënguar.
Trembur e mekur nga ethet e pandemisë –
Së mallkuar, fytyrëshpëlarë!

Tashmë, bërë tebdil, harroj të zotin tim.
Dhe unë fle.
Fle, se nuk kam ku t’ia shuaj etjen ditës,
Edhe pse nëpër rudina më presin zogjtë,
Ndër shkëmbinj më presin zambakët, ujëvarat zhurmojnë për mua.
Në bri të malit, më pret ëndrra e fjetur te një gurrë –
Dhe fati i një ylberi, që ngjyra s’i shuhet kurrë!

E unë, i kyçur, kafshoj buzët çmendurisht, shkul mustaqet,
Zhytur në të verdhën e trishtimit.
Xhamadanin e dritares e vesh me frymën e avullit,
Me gisht në xham shkruaj emrin tënd:
Tropoja ime!

E shkruaj, se më rri ngushtë ndarja me ty,
O bukura ime, zogëza ime ngazëllyese, klithma ime e frymës,
Qeshja dhe rënkimi im, ndjenja ime vullkanike,
Zemra dhe gjaku im i shprishur, që digjet përmallur në ditët klithëse,
Nëpër vullkane të dëshpëruara të një poeti –
Që mëngjeset i lind në psherëtima shkronjash,
E metaforash që pret të lulojnë.

Ylberi im qiellor!
Brenga më është thyer në një mijë copa,
Filli i këngës më është këputur aty,
Ku piktakohen Valbona me Drinin.

Dhe unë fle…
Si lepur fierierishtesh, në ëndrra të shkurtra.
Dielli e hëna shkelqejnë më pak,
Qilli më duket i grisur larg teje!
As një buzëqeshje nuk më përkëdhel,
Bota më duket më e vogël pa ty,
Mëngjeset bëhen të dimërta larg teje!

Sytë e zinj, diamantet e dashurisë,
Kanë ndrruar ngjyrë në sytë e përvajshëm,
Kanë harruar të flasin me kode,
Të ndezin shkëndija në rrugë të pafund.

Pulëbardhat e puthjeve klithin…
Kanë harruar të ngrihen herët në mëngjes,
Shtëllungat e reve nuk i lënë të fluturojnë
Me balonat e kësaj dite.

Përtej dritarës sime, ku zhurmojnë shikimet,
Përshpirtet një ëndërr memece e njëmoti të gjatë,
Ku i përgjumet simfonia sublime e puthjes tënde,
Tropoja ime!

Ah, me katër duar më ka mbërthyer vetmia,
Pa dashur t’ia dijë ëngjelli im
Që jam i dashuruar me ty, që në lindje-
Qëkur u cazita në votrën e Kullës së Thepit,
Mësova si të shkruhen fjalët prej guri,
Si tingujt e zërit të bëhen degë gështenjash,
E në mish të shartohet dhimbja!

Thjesht, me duart e kallta të nënës time,
Që dhe asaj jeta iu shtrydh si limon në lotët blu të qiellit,
Të kësaj dite që më la trazhgim:
Të më burgos pa faj, në ishujt e vetmuar, gjysmë të ngrirë.

Ah, flokët e thinjur më dhëmbin,
Teksa zëmrimin tim e bëjnë kurban,
Veç për të kaluar ditët e vështira e netët pa gjumë-
Mbyllur në odën e vetmuar.

I kërrusur nga një barrë mendimesh,
Trazirë e kësaj kohe që të mbyll në kullë,
Në gjysmë errësir, ku dhe jeta rri pezull.

A thua nuk mjaftojnë të gjitha këto zhgenjime?
Këta akuj të ngrirë të një indiference memece,
Që lumturojnë me fjalë
E strajcën ta mbushin me gurë?!

Edhe pranvera, në furkën e mjegullës,
Po e tjerr zemërimin tim.
Vetëm një llambadar malli, për çudi ndizet e ndiçon një ëndërr,
Që rënkon thellë nga plakja…

Dhe unë fle…
Fle edhe kulla e ngujimit,
Edhe çelsi fle,
Fle edhe pse lëndinat kanë veshur bluza të lulëzuera.
Në gjumë kam një hall më pak,
Një fije ftoku të thinjur më pak, një deshprim më pak,
Një copë bukë më pak, një gotë ujë më pak,
Një shpirtthyerje më pak në kryqëzim rrugësh-
Një njeri më pak në protestë,
Një njeri i pafajshëm që ndëshkohet më pak!
Një kilovat energji harxhur më pak, një klithë më pak…

Dje… sot…sot… sot…nesër…
Deri sa tërë bota të mbushtet me derte e halle,
e të mbledh kruspull mbi barin e varreve-
të të vdekurit nga pandemia,
Nga pushteti i parsë,
Që i josh nga vetja si të kishin pët t’u ngjallur serish…

Por edhe midis pafajsisë e ndeshkimit,
Nga dritarja e hapur vijnë cicerima e zogjve,
Të më zgjojnë qeshjen nga gjumi.
Tropojaime!

HËNA PREJ QELQI
Kaç shumë herë e kam pirë natën në ata sy të bilurtë, o Jasemina ime…
Kaç shumë herë e kam prekur qiellin,
Kaç shumë herë kam rënë në fundin e honit të thellë.
Kam tjerrë hollë fijen e puhizës bjeshkore —
Herë si roje e vetmisë, herë si vetmitar që ndjek një krua në lumë,
Nëpër shtigje, agshol më agshol…
Në dritë të yjeve,
Jam ulur në një rudinë giciluese që mahnit me mrekulli marramendëse
E ekstazë dehëse,
Ku një hënë prej çelqi noton nëpër pasqyra pusesh të stërta
Të Lumit të Zi e Lumit të Bardhë…
Në mëngjeset e dëshirës,
Dora ime — e butë si pendël mëndafshi, dhe e çmendur —
Zhveshi hijen tënde që lahej në ujëra të kristalta.
Aty ku të gjitha buzëqeshjet janë aurora,
Që lindin e humbasin në sytë e tu…
Një përqafim i lehtë, një prekje delikate të mbështjell me joshje,
Aq herë sa rreth teje, Jaseminë, lulëzon gjithçka me aromë erosi —
Tejmbushur me flirte hijeshie e epshe të ndezura nga padurimi.
Një rruzare puthjesh,
Ndez qirinjtë e mbrëmjes — bjeshkë më bjeshkë.

KULLA E THEPIT
Mes puthjeve të ëmbla dhe ledhatimeve të buta,
çdo mbrëmje e çdo agim, botën e shikoj me sy të hapur,
sepse në ty prek besimin, respektin, mirënjohjen,
dashurinë që rritet si pemë në pranverë,
dëshirën që ndizet si flakë në mes të natës,
vullnetin që mban në krahë ëndrrat e mia si zog i plagosur,
këshillën që më udhëheq si ylli i verës në natën e errët.
Ti je dheu ku mbjell lule me ngjyra dhe aroma të zgjedhura,
që lulëzojnë në çdo stinë të jetës sime,
mësimtarja ime që më mëson se disa gabime kushtojnë shtrenjtë,
por që drita e shpirtit nuk shuhet kurrë në erëra të forta.
Ngado që shkoj, buzëqeshjen tënde e mbaj si një dritë,
që hap dyert e mbyllura të shpirtit tim,
në ditët e errëta të dëshpërimit dhe zhgënjimit,
kur ndjej veten të humbur mes shtigjeve të dridhura,
dhe plagët më djegin thellë si zjarr i heshtur.
Kam mësuar të jetoj me botën time të mbyllur,
të fsheh rënkimet dhe dhimbjet që më kanë skllavëruar,
gjithmonë kur kam qenë larg teje,
shpesh kam hequr dorë nga vetja,
duke u përballur me pengesa dhe vështirësi,
me lot që thajnë retinën e syve,
në errësirën e natës, pa gjumë, i pushtuar nga naiviteti.
Në lakuriqsi të një epoke të ftohtë, këmbëngula të marr frymë përtej qiellit tënd,
mendova se do të përshtatesha me shkëmbinjtë e vështirë,
që flasin vetëm në gjuhën e tyre të heshtur.
Por njeriu është gjithmonë në kërkim të shpresës,
që e mbështjell me krahë si zog i lirë,
dhe në vendin tënd, edhe pse i pasigurt,
dridhet dita-ditës duke kërkuar vendin ku t’i mbështesë kryet ëndrrat.
Në mëngjesin e nesërm, kur hap sytë,
dëshiroj të dëgjoj hymnin e jetës pa frikë,
sepse fati i keq mund të gëlltisë pjesë të shpirtit,
por në ty, moj kullë, besoj se do të gjej forcën
të qëndroj dhe të ngritem sërish mbi stuhi e hije.
Prindërit më dhanë dhuntinë e mirënjohjes për ty, moj kullë,
sepse mirënjohja është borxh i ëmbël,
një kujtim i përjetshëm që më lidh me rrënjët,
me dheun ku sytë e mi gjejnë paqe dhe shpresë.

Poezite janë shkëputur nga libri im i fundit në doreshkrim: “Mëngjeset e Psherëtimave.”

Exit mobile version