Site icon Gazeta Nacional Albania

Një familje shqiptare ndërmjet luftës për liri dhe përndjekjes komuniste. Dr. Mujë Buçpapaj

Një familje shqiptare ndërmjet luftës për liri dhe përndjekjes komuniste

Kujtimet e Agim Memisë për babanë e tij Avdyl Hamez Ukshini dhe traditën patriotike të familjes

 

 

“Bazuar në kujtimet e Agim Memisë, të regjistruara në tetor 2025.

Dr. Mujë Buçpapaj

Historia e Shqipërisë nuk është shkruar vetëm në dokumentet zyrtare të shtetit, në arkivat ushtarake apo në procesverbalet e institucioneve politike. Një pjesë e rëndësishme e saj jeton në kujtesën e familjeve shqiptare, në rrëfimet e brezave dhe në dëshmitë e atyre njerëzve që përjetuan luftën, sakrificën, burgun politik dhe përndjekjen ideologjike. Këto kujtime përbëjnë një arkiv të gjallë të ndërgjegjes kombëtare, i cili shpesh plotëson boshllëqet e historiografisë zyrtare.

Një ndër këto dëshmi është rrëfimi i Agim Memisë, biri i Avdyl Hamez Ukshinit, një familje e njohur e Malësisë së Gjakovës, e lidhur ngushtë me traditën e luftërave për lirinë e trojeve shqiptare, me besën malësore dhe më pas me dramën e gjatë të përndjekjes komuniste.

Në kujtesën e shokut tim të shkollës së mesme,   Agim Memisë historia familjare nuk paraqitet si një kronikë private, por si vazhdimësi e fatit të një shtrese të tërë shqiptarësh që luftuan fillimisht për bashkimin kombëtar dhe më pas u ndëshkuan nga regjimi komunist. Pikërisht kjo e bën dëshminë e tij një burim me vlerë për historinë shoqërore të Shqipërisë së shekullit XX.

 

Fëmijëria në Mejdan , shkolla fillore më Viçidol

Agim Memia lindi dhe u rrit në një familje ku respekti për dijen dhe ndershmërinë ishte pjesë e edukimit të përditshëm. Arsimin fillor e kreu në fshatin Vicidol, ku ndër mësuesit  e tij kujton emra si Zyl Berisha, Raz Berisha, Nezir Meta dhe Idriz Çela, njerëz që mbetën pjesë e kujtesës së tij të hershme. Ai kujton se ishte një nxënës me rezultate të shkëlqyera, me nota maksimale në të gjitha lëndët. Një episod që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës është ai me nënën e tij. Ende pa kaluar në klasën e dytë, ai ishte në gjendje të përsëriste fjalë për fjalë përmbajtjen e një mësimi të tërë, duke respektuar edhe pikësimin. Nëna e dëgjonte me habi, duke i korrigjuar vetëm ndonjë presje ose pikë. Në kujtesën e tij, fytyra e saj zbehej nga emocioni, sikur të kishte parandjerë se talenti i birit nuk do të kishte mundësinë të zhvillohej në kushte normale.

Vetëm vite më vonë Agimi do ta kuptonte arsyen e asaj heshtjeje të dhimbshme të së ëmës.

Kur biografia bëhej më e rëndë se talenti

Tetëvjeçaren Agim Memia e vazhdoi në Tropojë. Në klasën e pestë pati sërish mësues kujdestar Idriz Çelën. Një ngjarje e ditëve të para të shkollës do të mbetej për të simboli i padrejtësisë që shoqëroi gjithë jetën e tij.Mësuesi i historisë, pasi shpjegoi mësimin, u tha nxënësve se kush do ta riprodhonte më mirë përmbajtjen në orën e ardhshme do të merrte notën dhjetë. Midis atyre që ngritën dorën nxenes te shkelqyer ishin G. Kojeli, A. Berisha, Z. Muhameti, M. Balisha dhe Agim Memia.Kur erdhi radha e Agimit, ai e përsëriti mësimin pothuajse fjalë për fjalë, sipas shpjegimit të mësuesit. Ai priste vlerësimin maksimal. Por, në vend të notës dhjetë, mori notën një.

I habitur, hapi librin për të treguar se shumica e fjalëve që kishte përdorur ishin pikërisht ato të tekstit dhe se ndryshimet ishin vetëm shtesat e vetë mësuesit gjatë shpjegimit.Në atë çast, në kujtesën e tij u rikthye fytyra e nënës.Ai e kuptoi atë që si fëmijë nuk kishte mundur ta shpjegonte: nuk po dënohej për dijen, por për biografinë. Babai i tij ishte i burgosur politik dhe ky fakt mjaftonte që rruga e shkollimit të mbyllej që në fillesë.

Ky ishte momenti kur një fëmijë humbi besimin se aftësia dhe përkushtimi mund të fitonin mbi paragjykimin politik. Që nga ajo ditë, rrëfen ai, nuk e preku më librin me të njëjtin entuziazëm. Përgjigjej në mësim vetëm mbi bazën e shpjegimeve të mësuesve, ndërsa nota pesë u bë shoqëruesja e tij deri në përfundimin e shkollës së mesme.

Ky episod nuk ishte një rast i izoluar. Ai ishte pjesë e mekanizmit të diskriminimit që regjimi komunist ushtroi mbi mijëra fëmijë shqiptarë, të cilëve u mohoi të drejtën për t’u vlerësuar sipas meritës vetëm për shkak të prejardhjes familjare.

Një akt burrërie që mbeti në kujtesë

Në vitet e shkollës së mesme Agimi pati disa drejtorë, ndër ta Selim Berishën, Hasan Metën, Zojë Malën, Muharrem Kuçanën dhe më vonë Sokol Berishën.

Një episod që ai e kujton me mirënjohje lidhet me drejtorin Muharrem Kuçana.Gjatë një pushimi, një kënd informativ në shkollë u rrëzua dhe bashkë me të u gris edhe fotografia e Enver Hoxhës. Një punonjës i shkollës, i trembur nga pasojat, ia atribuoi ngjarjen Agim Memisë.

Drejtori e thirri në zyrë dhe e pyeti për atë që kishte ndodhur. Agimi i shpjegoi se këndi ishte rrëzuar aksidentalisht gjatë një përleshjeje të nxënësve.

Muharrem Kuçana nuk u nxitua të pranonte akuzën. Përkundrazi, duke e njohur biografinë e djalit dhe duke kuptuar se një akuzë e tillë mund t’i shkatërronte jetën, ai zgjodhi të mbronte nxënësin.Punonjësit të shkollës i kërkoi të riparonte këndin, të gjente një fotografi tjetër të Enver Hoxhës dhe të mos e përmendte më emrin e Agimit.Në kujtesën e tij, kjo mbeti një nga shembujt më fisnikë të karakterit njerëzor brenda një sistemi ku frika dhe servilizmi kishin pushtuar institucionet.

Muharrem Kuçan nuk bën më nëna burrë“, kujton Agim Memia. “Atë burrëri do ta mbaj mend sa të jem gjallë.”Ky episod dëshmon se edhe në vitet më të errëta të diktaturës kishte njerëz që ruajtën integritetin moral dhe nuk pranuan të sakrifikonin jetën e një të riu për hir të dogmës politike.

 

 

  1. Avdyl Hamez Ukshini – një luftëtar i trojeve shqiptare

Në historinë e familjes emri i Avdyl Hamez Ukshinit zë një vend qendror. Ai nuk u formua në shkollën e privilegjeve politike, por në shkollën e burrërisë malësore, të besës dhe të përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Kujtimet e të birit, Agim Memisë, e paraqesin atë si një nga ata shqiptarë që, në rininë e tyre, e panë mbrojtjen e trojeve etnike si detyrë të shenjtë dhe jo si një zgjedhje personale.

Sipas dëshmisë së Agim Memisë, Avdyli ishte vetëm njëzet vjeç kur mori armët për çlirimin e trojeve shqiptare në Kosovë. Në këtë luftë ai nuk ishte i vetëm. Krahas tij luftonin i ati, Hamëz Ukshini, xhaxhai Mehmet Ukshini, i cili në atë kohë ishte edhe komandant, si dhe vëllai i tij Miftar Hamez Ukshini. Kjo pjesëmarrje e përbashkët dëshmon se për familjen Ukshini lufta nuk ishte aventurë, por vazhdim i një tradite të trashëguar brez pas brezi.

Plaga që u quajt “me hajër”

Fati nuk i dha Avdylit mundësinë të arrinte deri në vijën më të largët të luftimeve. Ai u plagos rëndë në qafë, ndërsa predha mbeti e ngulur pranë klavikulës së djathtë. Një kushëri e solli me vështirësi në Mejdan.

Pak çaste përpara mbërritjes së tij kishte ardhur në shtëpi edhe i ati, Hamëz Ukshini, për furnizim. Kur mori lajmin se i biri ishte plagosur, nuk e la të hynte menjëherë në odë. Sipas zakonit të burrave të Malësisë, pyetja e parë nuk ishte nëse kishte dhimbje, por ku e kishte marrë plagën.Kur Avdyli i tregoi se plumbi e kishte goditur në qafë, Hamza i tha vetëm disa fjalë, të cilat mbetën përgjithmonë në kujtesën e të birit:

“Futu brenda, me hajër plaga!”

Për një njeri të rritur larg kodeve morale të Malësisë, kjo përgjigje mund të duket e pazakontë. Por në botën shpirtërore të malësorit shqiptar, plaga e marrë në luftë për atdhe nuk ishte turp, por nder. Ajo nuk vajtohej; ajo bekohej.Vite më vonë Avdyli ia kujtonte të birit këtë episod me habi, duke thënë se atëherë nuk e kishte kuptuar menjëherë domethënien e fjalëve të të atit.

Mjekësia popullore në shërbim të luftëtarit

Në mungesë të spitaleve dhe të shërbimit modern shëndetësor, Hamez Ukshini e dërgoi të birin tek mjeku popullor Alush Alia, babai i Alushit, i njohur në krahinë për aftësitë e tij në shërimin e plagëve.

Ai u përpoq të nxirrte predhën me mjetet primitive të kohës, por plumbi kishte mbetur i ngulur në klavikulë dhe ndërhyrja rezultoi e pamundur.Megjithatë, mjeku popullor e qetësoi të plagosurin. Sipas përvojës së tij, predha kishte hyrë e nxehtë dhe rreziku i infeksionit ishte i vogël. Ai përgatiti një melhem me bimë mjekësore dhe i dha udhëzime të hollësishme për mjekimin e plagës.Falë këtij trajtimi, Avdyli u shërua.Ky episod dëshmon jo vetëm varfërinë e kushteve shëndetësore të kohës, por edhe nivelin e lartë të mjekësisë popullore shqiptare, e cila në shumë raste ishte e vetmja mbështetje për banorët e zonave malore.

Nga luftëtar në ushtar i shtetit shqiptar

Pas shërimit, Avdyl Hamez Ukshini nuk u tërhoq ne shtepi. Në vitin 1948 ai u mobilizua në ushtrinë shqiptare në Shkodër. Ai kishte përfunduar katër klasë të shkollës së periudhës së Mbretit Zog, një arsimim i konsiderueshëm për kohën, çka bëri që të caktohej në detyra me përgjegjësi si zëvendëskapter dhe magazinier i ushqimit, armatimit dhe veshmbathjes së repartit.

Në kujtimet familjare, kjo periudhë përshkruhet si koha kur Avdyli besonte ende se mund t’i shërbente shtetit shqiptar me ndershmëri dhe përkushtim.

Përballja me bandën greke

Një nga episodet më domethënëse të kësaj periudhe lidhet me provokacionet kufitare greke të viteve 1948-1949. Sipas dëshmisë së Agim Memisë, në një prej këtyre përplasjeve një bandë e armatosur greke po shkaktonte humbje të mëdha për repartin shqiptar.Avdyl Hamez Ukshini nuk ishte dakord me mënyrën se si po drejtohej operacioni. Ai u propozoi komandantëve që ushtarët të mbanin kundërshtarin nën zjarr, ndërsa ai, së bashku me një ushtar tjetër nga Tropoja, do të kryenin një manovër anësore.

Plani u zbatua.Dy malësorët iu afruan pozicioneve të kundërshtarit nga krahu dhe përdorën granata dore, duke asgjësuar grupin e armatosur. Më pas morën mitralozin e armikut dhe e ekspozuan si trofe të fitores.Për këtë akt trimërie, sipas kujtimeve të Agim Memisë, Avdyl Hamez Ukshini u dekorua me Urdhrin e Trimërisë, një vlerësim që dëshmon se shteti i asaj kohe e njohu zyrtarisht guximin e tij në mbrojtje të kufijve të vendit.

Ky fakt mbart një paradoks tragjik të historisë shqiptare. I njëjti njeri që u dekorua për trimëri nga shteti, vetëm pak kohë më vonë do të shpallej armik i tij dhe do të përfundonte në burgjet politike të diktaturës.Ky është një prej kontrasteve më të forta që prodhoi sistemi komunist: shumë prej atyre që kishin luftuar për vendin, më pas u trajtuan si armiq, jo për shkak të veprave të tyre, por për shkak të logjikës së spastrimeve politike dhe të dyshimit ideologjik që karakterizoi regjimin.

Në rastin e Avdyl Hamez Ukshinit, dekorata e trimërisë nuk u bë mburojë ndaj përndjekjes. Përkundrazi, pas një shërbimi të ndershëm në ushtri, ai do të hynte në një kalvar që do të ndryshonte përgjithmonë fatin e tij dhe të familjes së ti

 

 

 

III. Nga dekorata e trimërisë në prangat e diktaturës

Historia e regjimeve totalitare është e mbushur me paradokse. Shpesh, ata që në një kohë shpalleshin heronj të shtetit, pak më vonë përfundonin në bankën e të akuzuarve si “armiq të popullit”. Pikërisht këtë fat, sipas dëshmisë së Agim Memisë, pati edhe Avdyl Hamez Ukshini. Pak kohë pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ndodhi episodi që do të ndryshonte rrënjësisht jetën e tij.

Një paralajmërim që nuk u dëgjua

Sipas kujtimeve të Agim Memisë, pasi reparti kishte përfunduar një detyrë të rëndësishme, ushtarët prisnin automjetet që do t’i shpërndanin në rrethet e tyre. Në ato ditë, komanda kishte vendosur të hiqte rojet nga depot e armatimit dhe të furnizimeve. Avdyl Hamez Ukshini nuk e pranoi këtë vendim. Ai ngriti hapur shqetësimin para komandës, duke argumentuar se depot nuk mund të liheshin pa roje, pasi aty ruheshin armë, municione dhe rezerva ushqimore. Nëse dikush depërtonte në repart, pasojat mund të ishin të pallogaritshme.

Sipas rrëfimit të familjes, përgjigjja që mori ishte e prerë. Atij iu tha se ishte thjesht një ushtar dhe se drejtuesit dinin më mirë se ai se si duhej administruar reparti. Megjithatë, Avdyli nuk heshti. Ai e përsëriti edhe një herë kundërshtimin e tij, duke paralajmëruar se mungesa e rojës krijonte një rrezik real. Askush nuk e dëgjoi.

Nata që ndryshoi gjithçka

Atë mbrëmje, sipas dëshmisë së Agim Memisë, dy kumbarët e familjes, Idriz Kanxhi dhe Syl Kanxhi, e ftuan Avdylin të kalonte natën me ta në një han pranë Shkodrës, ku po luanin lojën tradicionale të “kapuçave”. Ata kishin ardhur për tregti, në një kohë kur lidhjet ekonomike ndërmjet Malësisë së Gjakovës dhe Gjakovës po ndërpriteshin për shkak të mbylljes së kufirit dhe prishjes se maredhenjeve mes regjimeve komuniste ne Tirane dhe Beograd.

Avdyli pranoi ftesën. Në mëngjes u largua herët, me bindjen se duhej të kthehej në repart përpara kontrollit të zakonshëm.

Por ndërkohë kishte ndodhur ngjarja që do të shërbente si pretekst për një proces të rëndë penal. Sipas kujtimeve familjare, gjatë asaj nate depot ushtarake ishin thyer. Një sasi armësh ishte zhdukur dhe disa oficerë kishin kaluar më pas në Itali. Agim Memia rrëfen se familja e tij e ka konsideruar gjithmonë këtë si pasojë të neglizhencës së komandës, ndërsa përgjegjësia iu faturua ushtarëve të pafajshëm. Ndër ta ishte edhe Avdyl Hamez Ukshini.

Përplasja me komandën

Kur u njoftua për arrestimin, Avdyli nuk e kuptoi arsyen. Ai pyeti me habi:

“Pse? A kam qenë unë rojë e depove?”

Sipas dëshmisë së Agim Memisë, urdhri për arrestimin e tij u dha nga drejtues të lartë ushtarakë, mes tyre Petrit Dume dhe Hito Çako, emra që më vonë do të bëheshin ndër figurat më të njohura të hierarkisë ushtarake të regjimit komunist.

Kur iu dorëzua fletarresti, Avdyli kreu një gjest që kërkonte guxim të jashtëzakonshëm për kohën. Ai e mori dokumentin, e grisi para syve të autoriteteve dhe e hodhi përtokë. Atmosfera u tensionua menjëherë. Sipas rrëfimit të Agim Memisë, debati u përshkallëzua deri në atë pikë sa Avdyl Hamez Ukshini goditi me shkelm Petrit Dumen, i cili u rrëzua nga karrigia. Ky reagoi duke nxjerrë armën e shërbimit.  Në kujtesën e Avdylit, të cilën ai ia përcolli më vonë të birit, Petrit Dume ishte aq i zemëruar sa dora i dridhej mbi kobure.

Në atë çast, Avdyli i ishte përgjigjur me qetësinë karakteristike të malësorit:

“Ne malësorët e Malësisë së Gjakovës koburen e masim mirë para se ta nxjerrim. Kur e nxjerrim, ose e zbrazim mbi objektivin, ose e fusim  në … “

Kjo fjali, e ruajtur në kujtesën familjare, shpreh jo vetëm temperamentin e tij, por edhe kodin moral të një brezi që e kishte mësuar nderin përpara frikës.

Hetuesia

Pas arrestimit filloi kalvari i hetuesisë.Sipas dëshmisë së Agim Memisë, Avdyl Hamez Ukshini iu nënshtrua torturave të rënda fizike dhe psikologjike, të zakonshme në sistemin hetimor të diktaturës komuniste. Ai rrëfente se mbahej për orë të tëra i varur me duar e këmbë të lidhura. Në raste të tjera i mohohej uji për periudha të gjata dhe ushqimi reduktohej në një copë bukë të thatë, e cila hidhej në dysheme përmes një sporteli të vogël të derës së qelisë.Megjithatë, sipas kujtimeve të të birit, torturat nuk e thyen.

Ai shihte rreth vetes të rinj nga Veriu, të cilët, të rraskapitur nga dhuna, detyroheshin të pranonin akuza të pavërteta vetëm për t’i dhënë fund vuajtjeve.Në proceset e ballafaqimit, hetuesit sillnin dëshmitë e tyre si prova. Por Avdyl Hamez Ukshini nuk pranonte të dënonte bashkëvuajtësit.

Përkundrazi, ai u thoshte hetuesve se ata ishin djem të mirë, se nuk kishin bërë ato që u atribuoheshin dhe se rrëfimet e tyre ishin produkt i torturës. Ky qëndrim përbën një nga momentet më të forta morale të kësaj historie.Në vend që të shpëtonte veten duke fajësuar të tjerët, ai zgjodhi të mbronte edhe ata që, nën presionin çnjerëzor, kishin përmendur emrin e tij.

 

“Armik i regjimit, jo i Shqipërisë”

 

Një nga episodet më domethënëse të hetuesisë lidhet me dialogët që Avdyl Hamez Ukshini zhvillonte me hetuesit. Kur ata e cilësonin “armik të popullit”, ai kundërshtonte me vendosmëri. Sipas kujtimeve të Agim Memisë, ai deklaronte:

“Armik i regjimit tuaj jam deri në vdekje. Por armik i popullit tim dhe i Shqipërisë nuk kam qenë kurrë.”

Në një rast tjetër, kur u akuzua për simpati ndaj Perëndimit, ai u përgjigj se Shqipëria do të kishte pasur një fat shumë më të mirë po të mos ishte lidhur pas Bashkimit Sovjetik.

Ishin fjalë që në klimën politike të asaj kohe konsideroheshin jashtëzakonisht të rrezikshme. Por Avdyli nuk i tërhoqi. Ai zgjodhi të ruante bindjet e tij edhe përballë mundësisë së dënimit më të rëndë.

Dënimi

Sipas dëshmisë së Agim Memisë, fillimisht Avdyl Hamez Ukshini u dënua me vdekje.Më pas ky vendim u zëvendësua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe, në fund, gjykata e dënoi me tetë vjet burg politik, të shoqëruara me heqjen e të drejtave elektorale pas përfundimit të dënimit.Kalvari i tij vazhdoi në kampet dhe burgjet më famëkeqe të sistemit, ndër to Bulqiza, Spaçi, Fusha e Aviacionit në Rinas, Berati dhe, në fund, Levan–Semani në Fier.Në këto kampe ai u njoh me shumë të burgosur politikë, mes tyre Ali Ibish Buçpapaj i Tplanit dhe Ali Kokrrizi, të cilët, sipas Agim Memisë, vite më vonë do të dëshmonin për qëndrimin e tij burrëror në burg.Ata e kujtonin Avdyl Hamez Ukshinin si një njeri që nuk e humbi dinjitetin në asnjë rrethanë dhe që ishte ndër figurat më të respektuara të të burgosurve politikë.

 

 

 

  1. Pas burgut: një familje nën mbikëqyrje të përhershme

Në regjimet totalitare, burgu nuk mbaron me hapjen e portës së kampit. Ai vazhdon në jetën civile, në punë, në shkollë, në lagje, në fshat dhe, mbi të gjitha, në ndërgjegjen e një shoqërie të detyruar të jetojë nën frikë.

Edhe për Avdyl Hamez Ukshinin, sipas kujtimeve të Agim Memisë, dënimi nuk përfundoi me kryerjen e viteve të burgut politik. Ai vazhdoi në forma të tjera, më të padukshme, por po aq të rënda: me survejim të vazhdueshëm, me izolim shoqëror dhe me ndëshkimin sistematik të gjithë familjes.

 

Autoriteti moral në burg

Në rrëfimet e Agim Memisë përsëriten shpesh dëshmi të ish-të burgosurve politikë që kishin ndarë vuajtjet me Avdyl Hamez Ukshinin. Ai kujton takimet me Ali Ibishin Buçpapaj dhe Ali Kokrrizin, të cilët, vite pas rënies së diktaturës, i treguan se babai i tij nuk ishte vetëm një i burgosur politik, por një nga njerëzit më të respektuar në kampet e punës së detyruar.Ata i thanë: “Agim, shumë u gëzuam që të njohëm. Babai yt na ka mbajtur gjallë në burg. Ishte burrë i rrallë. Ishte këmbëngulës dhe nuk iu nënshtrua kurrë regjimit.”Në kujtesën e bashkëvuajtësve, Avdyl Hamez Ukshini nuk paraqitet si një njeri i thyer nga burgu, por si një figurë që u jepte kurajë të tjerëve.Agim Memia kujton se ata e cilësonin babanë e tij si një nga drejtuesit moralë të të burgosurve me bindje legaliste dhe një kundërshtar të hapur të diktaturës së Enver Hoxhës.

Pavarësisht bindjeve politike që mund të kenë pasur të burgosurit e ndryshëm, ky respekt i ndërsjellë për burrërinë dhe qëndresën mbetet një element domethënës i kulturës morale të burgjeve politike shqiptare.

Një shtëpi e kthyer në objekt survejimi

Lirimi nga burgu nuk solli kthimin e qetësisë. Përkundrazi. Sipas dëshmisë së Agim Memisë, familja vazhdoi të jetonte për dekada nën një regjim mbikëqyrjeje të vazhdueshme.

Ai kujton se deri në vitin 1991 shtëpia e tyre në Mejdan ishte nën kontroll të përhershëm.Në kujtesën e tij, pranë banesës ndodheshin vazhdimisht efektivë të armatosur, ndërsa njësi të zbulimit qëndronin në distancë, duke monitoruar çdo lëvizje të familjes.Në atë kohë, fëmijët rriteshin duke parë njerëz të panjohur që lëviznin rreth kullës së tyre.Nuk kishte nevojë për urdhra të shkruar. Vetë prania e tyre ishte një mesazh.Familja konsiderohej ende e rrezikshme.

Rrëfimi i ish-ushtarit

Një episod që Agim Memia e kujton me shumë emocion ndodhi pas ndryshimeve politike.Një ditë, në një lokal të Bashkim Byberit, ai u takua rastësisht me një ish-ushtar të zbulimit, të cilin e identifikon vetëm me inicialet B. M. Pas disa hezitimeve, ish-ushtari vendosi të fliste. Ai i tregoi Agimit se kishte qenë pjesë e repartit që survejonte familjen e tij.

Sipas rrëfimit të tij, pozicioni i tyre ndodhej rreth pesëqind metra larg shtëpisë, pranë një burimi uji që njihej nga banorët e zonës. Detyra e tyre ishte të vëzhgonin familjen ditë e natë. Por rrëfimi nuk mbaronte këtu. Ish-ushtari i tha se në rast se familja do të përpiqej të largohej nga zona, ata kishin marrë urdhër ta ndiqnin dhe ta neutralizonin pa paralajmërim.

Ky ishte një pohim tronditës. Ai dëshmonte deri ku mund të arrinte logjika e aparatit represiv ndaj një familjeje që kishte kryer prej vitesh dënimin penal të vendosur nga gjykata.

Përgjigjja e Agimit

Përballë këtij rrëfimi, Agim Memia nuk reagoi me zemërim. Përkundrazi. Ai zgjodhi një përgjigje që mbart një dozë të hollë ironie, por edhe një ndjenjë njerëzore.  Ai i tha ish-ushtarit se, nëse ai dhe shokët e tij kishin mbetur me pasoja shëndetësore nga vitet e shërbimit në dëborë e në shi duke ruajtur familjen e tyre, ishte i gatshëm t’i ndihmonte me shpenzimet e veta për mjekim.

Në fund shtoi me humor:“Rrogtarë më besnikë se ju nuk kemi pasur ndonjëherë.” Kjo përgjigje nuk ishte vetëm një batutë. Ajo përmbante një filozofi të tërë jetese. Në vend të hakmarrjes, Agimi zgjodhi mirëkuptimin. Në vend të urrejtjes ndaj një ushtari të thjeshtë, ai dalloi njeriun që kishte qenë pjesë e një mekanizmi shumë më të madh se vetja.

Pasojat mbi brezin e dytë

Por plagët e diktaturës nuk u kufizuan te prindërit. Ato u trashëguan edhe te fëmijët. Agim Memia e përshkruan me dhimbje se biografia e familjes e ndoqi në çdo hap. Ajo ndikoi në vlerësimin në shkollë. Në mundësinë për të vazhduar studimet. Në të drejtën për të punuar. Në perspektivën e jetës. Ai e përmbledh këtë përvojë me një fjali të vetme: “Vuajtjet tona janë të pafundme.” Megjithatë, rrëfimi nuk përfundon me dëshpërim. Përkundrazi.

Ai shpreh mirënjohje që pas vendosjes së demokracisë fëmijët e tij arritën të kryenin studimet e larta dhe të ndërtonin jetën e tyre me forcat e veta. Në këtë mënyrë, kujtesa familjare nuk mbetet peng i së kaluarës. Ajo shndërrohet në dëshmi të qëndrueshmërisë së njeriut përballë padrejtësisë dhe në besim se liria, edhe kur vonon, mbetet vlera më e madhe që një shoqëri mund t’u lërë brezave.

 

 

  1. Hamza Ukshini dhe strehimi i Idriz Seferit, një faqe e panjohur e kujtesës historike shqiptare

Historia kombëtare shqiptare është ndërtuar jo vetëm mbi betejat e mëdha, por edhe mbi besën e familjeve që, në çastet më të vështira, hapën dyert e kullave të tyre për luftëtarët e lirisë. Në viset e Malësisë së Gjakovës, kjo traditë nuk ishte një gjest i zakonshëm mikpritjeje; ajo ishte një detyrim moral, një kod nderi dhe një akt i vetëdijshëm sakrifice.

Në kujtesën e Agim Memisë ruhet një nga rrëfimet më domethënëse të kësaj tradite. Ai lidhet me gjyshin e tij, Hamez Ukshini, dhe me një nga figurat më të mëdha të rezistencës shqiptare, Idriz Seferin.

Një amanet i besës

Agimi kujton se babai i tij, Avdyl Hamez Ukshini, i kishte treguar vazhdimisht historinë e ardhjes së Idriz Seferit në kullën e familjes.

Familja Ukshini kishte lidhje kumbarie me disa familje të njohura të Junikut. Këto marrëdhënie nuk ishin thjesht farefisni ceremoniale; ato përbënin një aleancë të ndërtuar mbi besimin dhe përgjegjësinë reciproke.Sipas rrëfimit, gjatë një prej luftimeve të kryengritjeve shqiptare, Idriz Seferi u plagos rëndë.Për të shmangur ndjekjen e forcave armike, ai u strehua fillimisht në shtëpinë e kumbarëve të familjes Ukshini në Junik.Por qëndrimi i tij aty nuk mund të zgjaste.Prania e tij kishte filluar të binte në sy dhe rrezikonte jo vetëm jetën e komandantit shqiptar, por edhe të gjithë familjes që e kishte strehuar. Në ato rrethana u mor vendimi që ai të dërgohej në Mejdan, në kullën e Hamez Ukshinit. Një natë, kumbarët i çuan fjalë Hamzës: “Merre kalin e shalës dhe hajde sonte në Junik. Është punë që nuk pret.” Në Malësinë e Gjakovës, një thirrje e tillë nuk kërkonte shpjegime. Hamez Ukshini u nis menjëherë.

Takimi me kryetrimin

Kur mbërriti në Junik, kumbarët e pritën me respekt. Ata e çuan drejt dhomës ku ndodhej i plagosur Idriz Seferi. Sipas kujtimeve familjare, Hamëz Ukshini iu afrua luftëtarit dhe e përshëndeti me fjalët: Për hajër plagët, Idriz!” Edhe këtu përsëritet i njëjti kod moral që do të trashëgohej më pas te djali i tij, Avdyli. Plaga e marrë në luftë për atdhe nuk vajtohej. Ajo nderohej. Hamza i tha se nuk mund të qëndronte më në atë shtëpi, sepse ishte zbuluar, dhe se duhej të largohej menjëherë. Pavarësisht plagëve, Idriz Seferi pranoi. Atë natë ai u hip në kalë dhe, nën mbrojtjen e Hamëz Ukshinit, u nis drejt Mejdanit.

Një strehë e fshehtë

Në atë kohë familja Ukshini nuk banonte ende në kullën që njihet sot.

Sipas dëshmisë së Agim Memisë, ata jetonin në një ndërtesë të thjeshtë prej guri, me dy dhoma, njëra prej të cilave përdorej si qyler.

Pikërisht atë dhomë Hamza Ukshini ia la në dispozicion Idriz Seferit.

Vendimi nuk ishte i rastësishëm.Nëse në shtëpi hynte ndonjë i afërm apo ndonjë mysafir i papritur, askush nuk duhej të kuptonte se aty strehohej një nga njerëzit më të kërkuar të kohës.Në këtë mënyrë, familja mori përsipër një rrezik të jashtëzakonshëm.Nëse autoritetet osmane do ta zbulonin praninë e Idriz Seferit, pasojat do të ishin fatale për të gjithë banorët e kullës.Megjithatë, për Hamëz Ukshinin, besa ishte më e fortë se frika.

Mjeku popullor

Plagët e Idriz Seferit kërkonin mjekim. Hamëz Ukshini shkoi te një mjek popullor i njohur në krahinë, i cili përgatiste barna me bimë mjekësore.Mjeku e pyeti menjëherë:

“Kush është i plagosuri?”

Hamza nuk pranoi ta zbulonte. Ai kërkoi vetëm ilaçin. Por kur këmbëngulja vazhdoi, sipas kujtimeve të Agim Memisë, Hamza e vuri mjekun para besës dhe vetëm atëherë ia tregoi të vërtetën. Mjeku mbeti i shtangur. Ai përgatiti menjëherë melhemet dhe i dha udhëzimet për përdorimin e tyre. Edhe ai u bë pjesë e heshtjes që mbrojti jetën e luftëtarit.

Gjashtë muaj në Mejdan

Sipas traditës gojore të familjes, Idriz Seferi qëndroi rreth gjashtë muaj në shtëpinë e Hamëz Ukshinit. Gjatë gjithë kësaj kohe u mjekua dhe u rikuperua. Kur plagët u shëruan, Hamëz Ukshini nuk e la të largohej vetëm. Ai e shoqëroi në një rrugë të gjatë e të rrezikshme përmes Shumicës, Babinës, Begajt, Shoshanit, Dragobisë, Valbonës dhe më pas drejt Vuthajve, ku kryetrimi kaloi për të vazhduar veprimtarinë e tij patriotike. Ky itinerar, i ruajtur në kujtesën familjare, përbën një element me rëndësi të veçantë për historinë lokale të Malësisë së Gjakovës.

Kur historia trokiti përsëri në derën e Hamza Ukshinit

Rreth vitit 1985, sipas kujtimeve të Agim Memisë, dy historianë nga Kukësi mbërritën në Mejdan.

Ata kërkonin shtëpinë e Hamëz Ukshinit. Në atë kohë Hamza kishte ndërruar jetë.

Në shtëpi ndodhej vetëm bashkëshortja e tij, Rushë Miftarja. Historianët e pyetën nëse familja kishte strehuar dikur Idriz Seferin. Por Rusha e mohoi. Përse? Jo sepse nuk e dinte.Por sepse djali i saj, Avdyl Hamez Ukshini, ishte dënuar si armik politik.Në klimën e terrorit të asaj kohe, edhe një ngjarje që lidhej me një hero kombëtar mund të interpretohej si rrezik për familjen. Pak më vonë, sipas Agim Memisë, historianët u takuan me përfaqësues të pushtetit lokal. Ata u thanë se familja Ukshini ishte “me biografi të keqe”.

Përgjigjja e historianëve ishte befasuese. Ata nxorën dokumentet që mbanin me vete dhe deklaruan se vetë Idriz Seferi kishte lënë me shkrim dëshminë për familjen që e kishte strehuar, e kishte mjekuar dhe e kishte përcjellë në rrugën e shpëtimit.

Kështu, sipas kujtimeve të Agim Memisë, e vërteta historike u përplas me propagandën politike të kohës. Megjithatë, frika vazhdoi të mbizotëronte. Historia mbeti e pathënë. Dhe vetëm pas rënies së diktaturës kjo kujtesë familjare filloi të rrëfehej lirshëm.

 

 

  1. Trashëgimia morale e derës së Hamez Ukshinit

Historia e familjes se Hamez Ukshinit nuk përfundon me burgun politik të Avdyl Hamez Ukshinit dhe as me fundin e regjimit komunist. Përkundrazi, ajo vazhdon si histori e një trashëgimie morale, e cila u përcoll nga një brez te tjetri, duke mbijetuar mbi dhunën, varfërinë dhe përjashtimin shoqëror.

Në rrëfimin e Agim Memisë, baba nuk shfaqet vetëm si luftëtar apo i burgosur politik. Ai mbetet mbi të gjitha një mësues i heshtur i dinjitetit njerëzor.

Një shkollë karakteri

Agimi rrëfen se nga baba nuk  i mësoi vetëm historinë e familjes. Ai mësoi mënyrën se si një njeri duhet të përballet me padrejtësinë. Avdyl Hamez Ukshini nuk e mësoi kurrë të birin të hakmerrej. Nuk e edukoi me urrejtje. Nuk e mësoi të gjykonte njerëzit sipas bindjeve politike. Përkundrazi, ai i përsëriste vazhdimisht se shqiptari duhet të ruajë nderin edhe kur i mohohet drejtësia. Në këtë kuptim, figura e tij ngjan me shumë burra të brezit të vjetër të Malësisë, për të cilët fjala e dhënë, besa dhe dinjiteti kishin më shumë peshë se vetë jeta.

Dinjiteti përballë pushtetit

Një nga tiparet që përsëritet në të gjitha kujtimet është mosnënshtrimi. Avdyl Hamez Ukshini nuk pranoi të dëshmonte rrejshëm. Nuk pranoi të shpifte kundër bashkëvuajtësve.

Nuk kërkoi favore. Nuk e ndërroi bindjen për të fituar lirinë. Në një kohë kur shumë njerëz thyheshin nga torturat, ai zgjodhi të ruante përgjegjësinë morale për fjalën e tij.Ky nuk ishte vetëm akt guximi. Ishte një filozofi jetese. Në traditën shqiptare, burrëria nuk matet vetëm në fushën e betejës. Ajo provohet edhe në aftësinë për të mos e shitur ndërgjegjen.

Kujtesa si detyrim

Një nga arsyet pse Agim Memia vendosi t’i shkruajë këto kujtime lidhet me një ndjenjë përgjegjësie ndaj brezave.Ai nuk dëshiron që historia e babait të tij të mbetet vetëm brenda mureve të familjes.Ai kërkon që brezat e rinj të kuptojnë se liria që gëzojnë sot nuk është një dhuratë e rastësishme.Ajo është ndërtuar mbi sakrificat e shumë njerëzve anonimë, emrat e të cilëve shpesh nuk gjenden në tekstet shkollore.Në këtë kuptim, rrëfimi i tij nuk është vetëm autobiografi. Ai është një akt kujtese.Një përpjekje për të shpëtuar nga harresa jetën e një brezi që u përpoq të mbijetonte pa humbur dinjitetin.

Demokracia si rikthim i shpresës

Në fund të rrëfimit të tij, Agim Memia nuk ndalet te vuajtjet. Ai zgjedh të flasë për vazhdimësinë.Për fëmijët që arritën të kryenin shkollat e larta.Për mundësitë që u hapën pas shembjes së diktaturës.Për një jetë që, megjithëse e nisur nën hijen e biografisë politike, arriti të ndërtohej mbi arsimin dhe punën.Ky është ndoshta mesazhi më optimist i gjithë kujtimeve.Historia nuk e shkatërroi familjen.Ajo e sprovoi.Por nuk arriti ta mposhtte.

Një derë që mbetet pjesë e kujtesës kombëtare

Në historinë e Malësisë së Gjakovës, dera e Hamez Ukshinit përfaqëson disa nga virtytet themelore të qytetërimit tradicional shqiptar: besën, mikpritjen, guximin, qëndresën dhe respektin për lirinë.Në këtë familje bashkohen disa periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.Brezi i Hamëz Ukshinit lidhet me luftërat për çlirimin kombëtar dhe me mbrojtjen e kryengritësve shqiptarë.Brezi i Avdyl Hamez Ukshinit lidhet me sakrificat e pasluftës, me burgjet politike dhe me rezistencën morale ndaj diktaturës komuniste. Ndërsa brezi i Agim Memisë përfaqëson kujtesën. Ai është ura që lidh përvojën e të parëve me ndërgjegjen historike të brezave të sotëm. Kjo është arsyeja pse këto kujtime nuk mund të lexohen vetëm si histori e një familjeje. Ato janë pjesë e historisë së Shqipërisë së shekullit XX. Janë pjesë e historisë së Malësisë së Gjakovës. Dhe, mbi të gjitha, janë pjesë e kujtesës sonë kombëtare.

 

Epilog

Kujtesa familjare si burim i historisë kombëtare

Historia e një kombi nuk ndërtohet vetëm mbi dokumentet e kancelarive shtetërore, mbi aktet diplomatike apo mbi vendimet e institucioneve politike. Ajo ndërtohet gjithashtu mbi kujtesën e njerëzve të zakonshëm, mbi rrëfimet familjare, mbi përvojat e brezave dhe mbi dëshmitë e atyre që, në rrethana të jashtëzakonshme, u bënë pjesë e ngjarjeve të mëdha të historisë.

Rrëfimi i Agim Memisë i përket pikërisht kësaj kategorie burimesh. Ai është një dëshmi e historisë gojore, e cila nuk synon të zëvendësojë dokumentin arkivor, por ta plotësojë atë me dimensionin njerëzor të përvojës historike. Në këtë kuptim, kujtesa familjare shndërrohet në një element të rëndësishëm të historiografisë bashkëkohore, sepse ruan ngjarje, emra, vende dhe përjetime që shpesh mungojnë në burimet zyrtare.

Në qendër të këtij rrëfimi qëndron dera e Hamëz Ukshinit, një familje e Malësisë së Gjakovës, historia e së cilës përshkon disa nga periudhat më të rëndësishme të shekullit XX shqiptar.

Në brezin e parë shfaqet Hamëz Ukshini, përfaqësues i kulturës tradicionale shqiptare, ku besa, mikpritja dhe përgjegjësia ndaj çështjes kombëtare ishin norma të pashkruara të jetës. Sipas kujtimeve të trashëguara në familje, ai mori përsipër strehimin dhe mjekimin e Idriz Seferi, duke e vendosur familjen e tij përballë një rreziku të madh. Pavarësisht se kjo ngjarje kërkon verifikim të mëtejshëm në dokumentacionin arkivor dhe në burimet historiografike, ajo përfaqëson një element me rëndësi të veçantë për studimin e rrjeteve të mbështetjes që lëvizja kombëtare shqiptare gjeti në Malësinë e Gjakovës.

Në brezin e dytë qëndron figura e Avdyl Hamez Ukshinit, e cila përmbledh në vetvete paradokset e historisë shqiptare të pasluftës. Luftëtar në mbrojtje të trojeve shqiptare, ushtar i dekoruar për trimëri, e më pas i burgosur politik, ai mishëron fatin tragjik të një pjese të shqiptarëve që, pasi kontribuan për vendin, u përballën me represionin e regjimit komunist.

Megjithatë, vlera më e madhe e figurës së tij nuk qëndron vetëm te vuajtja. Ajo që e veçon është qëndrueshmëria morale. Në dëshminë e të birit, Avdyli nuk paraqitet si një viktimë pasive e historisë, por si një njeri që nuk pranoi të hiqte dorë nga dinjiteti, të dëshmonte rrejshëm apo të shpifte kundër bashkëvuajtësve. Në këtë aspekt, historia e tij fiton një dimension etik që shkon përtej përvojës individuale dhe bëhet pjesë e historisë morale të rezistencës shqiptare ndaj totalitarizmit.

Brezi i tretë përfaqësohet nga Agim Memia, i cili, megjithëse u rrit nën barrën e diskriminimit politik, zgjodhi të mos e lërë të shuhej kujtesa e familjes. Rrëfimi i tij nuk është një akt hakmarrjeje dhe as një përpjekje për të ndërtuar mite. Ai është një dëshmi që kërkon të shpëtojë nga harresa jetën e njerëzve të zakonshëm, të cilët u gjendën në vorbullën e ngjarjeve të mëdha historike.

Ky është, në të vërtetë, funksioni më fisnik i kujtesës.Ajo nuk synon të zëvendësojë historinë, por ta pasurojë atë.Nuk synon të gjykojë brezat, por t’i ndihmojë ata të kuptojnë.

Në këtë këndvështrim, historia e familjes Hamez Ukshini nuk mund të shihet vetëm si histori e një dere të njohur të Malësisë së Gjakovës. Ajo përfaqëson historinë e shumë familjeve shqiptare që jetuan ndërmjet idealit kombëtar, luftës, burgut politik, përndjekjes dhe mbijetesës.

Shqipëria demokratike ka detyrimin moral dhe shkencor që histori të tilla të mos mbeten vetëm në kujtesën e familjeve, por të bëhen pjesë e fondit të dokumentuar të kujtesës kombëtare. Vetëm nëpërmjet mbledhjes sistematike të dëshmive, ballafaqimit të tyre me dokumentet arkivore dhe studimit kritik të burimeve mund të ndërtohet një histori më e plotë dhe më e drejtë e shekullit XX shqiptar.

Prandaj, kujtimet e Agim Memisë nuk duhet të lexohen vetëm si një rrëfim autobiografik. Ato janë një ftesë për studiuesit, historianët dhe institucionet e kujtesës që të kërkojnë, të verifikojnë dhe të dokumentojnë ngjarje, personazhe dhe përvoja që ende jetojnë në kujtesën e familjeve shqiptare.

Vetëm kështu historia do të arrijë të përmbushë misionin e saj më të lartë: të jetë jo vetëm rrëfim i së kaluarës, por edhe ndërgjegje e së ardhmes.

 

Dr. Mujë Buçpapaj

 

 

Shënim i autorit

Ky shkrim është hartuar mbi bazën e kujtimeve dhe dëshmive  të z. Agim Memia, të cilat janë sistemuar dhe redaktuar në një formë studimore e publicistike. Ngjarjet, personazhet dhe episodet historike paraqiten sipas rrëfimit të tij dhe përbëjnë një kontribut të historisë , duke synuar të pasurojnë kujtesën kolektive mbi historinë e Malësisë së Gjakovës dhe të familjes së Hamez Ukshinit. Për interpretimin dhe saktësinë faktike të dëshmive përgjegjësia u përket burimeve të rrëfyera, ndërsa autori mban përgjegjësi për përpunimin shkencor, gjuhësor dhe stilistik të tekstit.

 

 

Exit mobile version