Gazeta Nacional Albania

NJË ‘’VËSHTRIM I PARË’’ NË TREGIMIN E ILIAZ BOBAJ. Nga DINO KUBATI, Athinë

Shkrimtari Iliaz Bobaj, sjell mesazhe të forta nga vendi i shqiponjave

Para së gjithash, Iliaz Bobaj, di ta përdorë fjalën. Dhe sëbashku me fjalën, ai di të shpërfaqë me kthjelltësi shprehëse ndjenjat e tij. Nëpërmjet të shprehurit, frazës së tij, sjell mesazhe, përshkruan fakte, të cilat janë përvijuar në një kujtesë të fortë gjatë epokave fatkeqe, të viteve të izolimit, kur fjala ishte e dyshimtë dhe e përndjekur, ndërsa të shprehurit e lirshëm, tepër i rrezikshëm, biles i parë si një kërcënim nga sistemi i mëparshëm politik, çfarë autori mund të ndëshkohej rreptë.

Letërsia e sotme shqipe (jo vetëm jashtë, por edhe në vend), duket se ka si bosht satelitor të saj, një dhe vetëm një shkrimtar, Ismail Kadarenë. I padiskutueshëm për vlerat e tij, të cilat, sistemi i mëparshëm politik i vendit e pati nxitur me interes të veçantë për ta paraqitur si ‘’vitrinë’’ të krijimtarisë letrare, mbetet objekti kryesor i referimit ende edhe sot.
Në një librari qendrore në Tiranë, aty ku më parë e kishte strehëzën e vet vetëm Opera Shtetërore, ndërsa sot lulëzojnë kafenetë, lexuesi i gjuhëve të huaja, do të thoshja se mund të gjejë, tërësisht dhe vetëm veprën e plotë të Kadaresë, në shumë gjuhë të huaja dhe në çdo vitrinë të shitores. Ka edhe nja dy libra të Dritero Agollit dhe disa referime të shpërndara, të cilat u përkasin të më të rinjve, por veçanërisht të varfra…!
Pata rastin, por njëherësh edhe kënaqësinë, që të vija në kontakt me letërsinë bashkëkohore shqiptare që prej vitit 1996, kur miku im veçanërisht i dashur dhe poet shumë i nderuar, Xhavahir Spahiu, më dhuroi një vëllim të madh, plot me tregime të shkrimtarëve të njohur shqiptarë të viteve të mëparshëm, në një botim francez, të përkthyer në mënyrë të pashoqe prej Aleksandër Zotos dhe bashkëpunëtorëve të tij. Aty njoha për herë të parë Kadarenë, nëpërmjet një tregimi të tij të gjatë dhe admirova pasurinë e tij të pasur, të të shprehurit, pavarësisht që ishte një përkthim. Në të njëjtën ‘’Antologji’’, u njoha më tej edhe me shkrimtarë të tjerë të mirënjohur, si Migjeni, Marin Barleti, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Naum Prifti, etj.
Në vitet që vijuan, u njoha personalisht me disa prej tyre, si me Agollin, por jo vetëm i takova ata vetë, por edhe u njoha me veprën e tyre, si me Novruz Shehun, Ilirian Zhupën dhe kohët e fundit me Mujo Buçpapajn dhe Rexhep Shehun, por edhe me shkrimtarë të veçantë kosovarë, midis së cilëve Ali Podrimja mban vendin e parë, në vlerësimin e shqiptarëve, kurse të tjerët ndodhen në vendin e një ’’naiviteti patëkeq’’ përsa i përket projeksionit të tyre.
Iliaz Bobaj është një shkrimtar bashkëkohor shqiptar, i cili jeton prej shumë vitesh në Greqi dhe ka dhënë një kontribut të veçantë në përkthimin e shkrimtarëve grekë në shqip dhe atyre shqiptarë në gjuhën greke. Me shkrimtarin dhe poetin në fjalë, kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj nga afër, ndërsa ai ka përkthyer edhe një cikël veprash të mia teatrale dhe artistike, por edhe poezi të miat dhe esse si dhe kemi marrë pjesë së bashku në Kongrese Botërorë të Letërsisë. I theksoj këto, për të treguar, se, së bashku me krijuesin, njoh shumë mirë edhe njeriun, ndërsa kam besim se rendimenti në krijimtarinë shpirtërore, i përket më së shumti kultivimit shpirtëror dhe temperamentit të vetë shkrimtarit.
Në këto shënime, nuk dua të merrem me veprën poetike të Iliaz Bobajt, por vetëm me prozën dhe veçanërisht me zhanrin e tregimit dhe, veç kësaj, duke përvijuar vetëm disa penelata të lehta konturuese, si një kalim të lehtë në një krijimtari të thellë, e cila gjithashtu kërkon depërtim të thellë dhe analizë kritike.
Para së gjithash, Iliaz Bobaj, di ta përdorë fjalën. Dhe së bashku me fjalën, di të shpërfaqë me kthjelltësi shprehëse ndjenjat e tij. Nëpërmjet të shprehurit, frazës së tij, sjell mesazhe, përshkruan fakte, të cilat janë përvijuar në një kujtesë të fortë gjatë epokave fatkeqe, të viteve të izolimit, kur fjala ishte e dyshimtë dhe e përndjekur, ndërsa të shprehurit e lirshëm, tepër i rrezikshëm, biles i parë si një kërcënim nga sistemi i mëparshëm politik, çfarë autori mund të ndëshkohej rreptë.
Fjala e Bobajt, bëhet paralelisht edhe udhërrëfyesja jonë e ngjarjeve të kohës së shkuar, siç ndodh tek tregimi:’’Trimi i Ali Pashës’’, ku motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja, dashuron një trim shqiptar prej fshatit Lazarat, një djalë i hijshëm, të cilin sapo e ka përzgjedhur pashai si shoqërues të tij. Pasi ajo i shfaq dashurinë e saj plot pathos, ai kundërshton t’i nënështrohet, duke theksuar ‘’besën’’ e dyfishtë, të cilën e mban me nder brenda vetes: t’i qëndrojë besnik së shoqes së tij Sheros, besnik gjithashtu edhe ndaj pashait të Janinës. Dhe nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë, ndërkaq edhe me një stil të zhdërvjelltë letrar, shkrimtari na hap një dritare në miratimin tradicional të çdo shqiptari, për të mbetur besnik për gjithshka që premton dhe të mos thyhet për asnjë arsye.’’Në qoftë se doni jetën time, jua dhuroj në çast ! Besën, jo ! Se atë ia kam dhënë një tjetre !’’, i përgjigjet trimi së resë së dashuruar, pasi i bëhet e ditur kjo gjë.
Por nuk është vetëm ‘’besa’’, e cila karakterizon popullin shqiptar dhe veçanërisht burrat. Janë dhe traditat e zakonet, të cilat i përkujdesin veçanërisht gratë, ato, të cilat, ndoshta e ndjejnë thellësisht dhimbjen edhe si nëna, duke shpërfaqur ndjenja të thella në çastet e nevojshme.’’Është edhe ai djalë i një nëne’’, do të shprehen gratë e fshatit, ku bie aeroplani italian i goditur dhe ku piloti do të gjejë vdekjen në majëmalet e Shqipërisë. Të brengosurat edhe ato vetë, nëna të popullit shqiptar, në tregimin e tij :’’Piloti italian’’, do të njohin urrejtjen, që bën fole në zemrat e tyre për armikun, i cili ka mbërritur në trojet e tyre për të privuar jetën dhe lirinë e tyre dhe do ta përcjellin me larje dhe vajë e kujë trupin e të vdekurit, duke e lënë të shtangët oficerin gjerman, i cili do të largohet prej vendit të vrasjes së pilotit, kur ato i thonë:’’Edhe ne nëna jemi.Dhe dimë të vajtojmë, ashtu siç vajtojnë të gjitha nënat e botës. Lufta nuk mund të na i prishë traditat dhe zakonet tonam.” Një grup grash të veshura me të zeza, i cili ngjan me një kor tragjik të një drame të lashtë, ku armiku i vdekur i mbetur pa njeri, bëhet një i vdekur i afërm.
Shkrimtari nuk rri në të djeshmen, në historinë, në traditën… Ai sjell dëshmi prej së shkuarës së afërme të censurës dhe nënështrimit mbikqyrës të individit, në vendin e tij,ashtu siç krahason mirësjelljen që dallon popullin, të cilën sot e kërcënojnë zakone dhe tradita të reja, kryesisht të ardhura nga jashtë, të cilat kërcënojnë të shuajnë çdo ndjenjë njerëzore, në interes të fitimit individual, siç ndodh në tregimet e tij:’’Letërkëmbimi me nënën’’,’’Në tren’’, etj. Shkrimtari jeton, vëzhgon, regjistron nga afër edhe jetën e sotme jashtë atdheut, jetën e vështirë dhe shpeshherë edhe tragjike të emigrantit, siç ndodh tek tregimi i tij:’’Thyerësja e arrave’’ dhe disa të tjerë, ku, falë nevojës së të huajit, mbijeton në kushte antijetësore, duke u përpjekur që të mbijetojë për vete, për të ndihmuar edhe të afërmit e tij.
Fjala e Iliaz Bobajt rrjedh e përpunuar dhe e rrjedhshme, me simbole, si:’’vetëm trungun e tharë, të kalbur përbrenda, nuk e prek njeri’’, me shëmbëllime të përpiktë, me epitete të përpunuar bukur e cilësorë dhe një zhdërvjelltësi të veçantë, me përngjasime dhe metafora, me linja emocionuese, me ballafaqime ndërgjegjësore dhe me një përshkrim të pasur e më tej me një përqasje të rreptë faktesh tronditëse.
Prodhimtaria tregimore e shkrimtarit, është e gjatë, shumëplanëshe dhe me interes të veçantë, duke përbërë një kapitull të rëndësishëm të zhvillimit të letërsisë shqipe.Tregimi i Iliaz Bobaj përvijon rrugë të reja të të shprehurit dhe hap horizonte në hapësirën e pafund të Fjalës, duke grishur një rrugë të re të të shkruarit.