Një pjesë e kafshëve mishngrënëse, si Çakalli, Hiena, etj., ose e zogjve si Kondori, Korbi, Sorra, Laraska, etj.,
ushqehen vetëm me kafshë të ngordhura, cofëtina, kërma, pra me ngordhësira.
Madje kur e shohin një kafshë të plakur, ose të plagosur, me një lloj intuite të rrallë, kuptojnë se përballë kanë ushqimin e ardhshëm.
Dhe fillojnë dhe e ndjekin pas e larg, pa u lodhur, i vijnë rrotull në distancë, me një durim të paparë, durim heroik, do thosha, në pritje të ngordhjes së viktimës.
Dhe në këtë lloj durimi heroik, përfshihen në garën e pritjes së gostisë së ardhshme tërë kërmangrënësit, me kafshë e shpendë, si Çakalli, Hiena, Kondori, Korbi, Laraska, Sorra, etj., secili më i duruar dhe më stoik në pritjen e tij.
Dhe vjen një çast që viktima ngordh dhe kështu shpërblehet durimi i pritjes së tyre me gosti, pavarësisht se kush do hajë i pari.
Vetëkuptohet, më i forti i tyre, por, sidoqoftë, ka mbeturina për të gjithë dhe të gjithë kërmangrënësit ngopen prej cofëtinës, viktimë e Xhunglës së Jetës.
Për fat të keq, thuhet se tashmë edhe vetë Luani, Mbreti i Xhunglës, si dhe Luanesha, Mbretëresha, përtojnë të gjuajnë gjah të freskët dhe garojnë me durim heroik në pritje të viktimave në prag të ngordhjes!…
Mirë kafshët, po edhe njerëzit e kohës sonë, për fat të keq, janë shndërruar në gjuajtës viktimash, janë shndërruar në viktimangrënës, në kërmangrënës.
U thua: ejani o miq, dhe bëhuni pjesë e Suksesit tim, ushqehuni me të ardhurat e Suksesit tim, trashëgoni Suksesin tim, po as që duan t’ia dinë për ty dhe për sukseset e tua.
E dinë se Suksesi arrihet me vështirësi, është njëlloj si të sakrifikosh e të ngjitesh në Himalaje, pra, simbolikisht të arrish në Himalajet e Jetës.
Zgërdhihen kur e dëgjojnë, rrudhin turinjtë dhe më mirë preferojnë të zhgërryhen në baltën e Jetës, duke pritur me durim Derri, durim heroik kërmangrënësi, që ti të cofësh dhe të hanë një kafshatë nga Vdekja jote, se sa të lodhen dhe të bëhen pjesë e Suksesit tënd.
Pra, njerëzit e sotëm kanë filluar tu ngjajnë në karakter kërmangrënësve.
Thuhet se ndonjë kërmangrënës si Kondori, ose Hiena, madje edhe ndonjë Luan, ose Luaneshë marrin guximin dhe I japin një të shtyrë Viktimës, që të cofë sa më shpejt, që të fillojnë gostinë e preferuar.
Njerëzit, edhe me shumë se kërmangrënësit, e kanë rrënjosur tashmë në karakterin e vet këtë veti të kërmangrënësve kurajozë.
Pra bëjnë të pamundur përshpejtimin e rrëzimit tënd, vetëm e vetëm për atë kafshatën që do meritojnë nga rrëzimi yt, nga Vdekja jote!…
Kjo është tashmë Xhungla e Jetës Njerëzore, më e rrezikshme se Xhungla e Amazonës.
Njerëzit nuk ta falin dot Suksesin, nuk kanë dëshirë të jenë pjesë e Suksesit tënd, të ushqehen dhe të trashëgojnë Suksesin tënd.
Thjesht preferojnë më mirë një kafshatë nga rrëzimi yt, nga Vdekja jote.
Dhe janë bërë mjeshtra të përshpejtimit të Dështimit tënd, të Vdekjes tënde.
Njerëzit viktimangrënës, njerëzit kërmangrënës!…
Zoti i dënoftë njerëzit viktimangrënës, njerëzit kërmangrënës!…

