Gazeta Nacional Albania

NOBELISTET E VETESHPALLUR. Tregim nga Konstandin Dhamo

NOBELISTET E VETESHPALLUR

Nga fletorja e D.S

Konstandin Dhamo

Çdo herë e kundërshtoja poetin AKR, kur më propozonte të shkonim së bashku në qytetin e tij të lindjes, për t’u takuar me shkrimtarët dhe lexuesit e atjeshëm.
Ata kolegët tanë atje, përsëriste këmbëngulshëm AKR, kanë shumë simpati për ty. Merre me mend, nxitojnë të lexojnë gjithçka që boton, dëgjon ? I kanë pothuaj tërë libat e tu të rinj dhe më luten të të them se na presin t’u vemi; gjë e rrallë kjo për ditët e sotme, kështu ?
– Nuk kërkoj të më lutet njeri – ia preva më në fund mikut tim. – Të kundërshtoj, sepse nuk më pëlqen asnjë lloj publiciteti. Ti të paktën e di që unë nuk jap asnjë herë intervista nëpër gazeta, apo nëpër televizione, nuk mbaj fjalime përpara nxënësve, apo nëpër auditore, përpara studentëve, por vetëm shkruaj dhe shoh punën time.
– Është krejt tjetër gjë takimi i drejtpërdrejtë me lexuesin tënd, ke për ta parë. Ndryshon siç ndryshon kinemaja nga teatri.
– Ç’thua ! Në kësi takimesh s’ka veçse hipokrizi dhe fytyra idiote.
– Ah, je mendjemadh dhe, mbaroi ! Ç’punë ke ti me dërdëllitjet dhe shtirjet ? Ti priru të argëtohesh dhe të çlirohesh nga streset sa të mundesh. Njeriut të shkretë, i bëhet qejfi edhe kur e merr vesh që e mburrin kot së koti. Këtu kemi mbërritur, mos fol ! Ata të vendlindjes sime do të na sjellin këtu në Tiranë një makinë të rehatshme për të na marrë, kështu që ne udhëtojmë për kënaqësinë tonë si zotërinj të vërtetë, ndalojmë rrugës sa herë të na teket , hamë një drekë të mirë, mblidhemi pastaj në një sallë, të cilën do ta kenë gjetur më parë ata të atjeshmit dhe, pasdite jemi përsëri në shtëpi…
– Për asgjë nga këto që më rreshtove nuk kam nevojë. E ku iu hy unë në sy atyre patriotëve të tu ? A nuk më ke thënë vetë kushedi sa herë se, ata të gjithë pa përjashtim janë ca delirantë të pandreqshëm, që rrojnë me iluzionin dehës se, dinë të shkruajnë më mirë se kushdo ?
– Prit, prit! Kjo që thua ti është e vërtetë, madje , ti nuk e di që ata kanë shkuar edhe më larg; kanë ndarë mes njëri – tjetrit edhe Çmimin Nobel për të dy vitet e ardhshëm . Po ! Por për çudi, jo të këtij viti në vazhdim.
– Çmimin Nobel ? Deri edhe për dy vitet e ardhshëm? O Zot, sa e lezetshme! Si lum ata ! Po atëherë, ç’më thua ? Qenkëshin ata që do të tallin bythën me ne !
– Ehu; më dëgjo, më dëgjo !
– Ç’ligje veprojnë në provincë ? Hahaha…
– Pothuaj këta që veprojnë edhe këtu, në kryeqytet. Pse, e përjashton Tiranën ti? Pak grafomanë të luajtur nga trutë ke ti këtu ? Meditojnë tek ecin rrugës, ndreqin flokët me një gjest teatror nervoz, mbajnë në dorë çanta të fryra, bërtasin, kërcënojnë, prishin para, ndajnë gratë, rimartohen me çupëlina. Unë do t’i dënoja me burgosje ca të tillë, sepse veç të tjerash, nuk kanë në rregull qoftë edhe një fjali të vetme në ato budallallëqet që shkruajnë. Ç’ke me ata qyqarët, garfomanët e provincës; më të rrezikshëm dhe më dëmprurës janë grafomanët e metropoleve, madje të megapoleve. Që andej, që andej shpërthejnë ata bestsellerët milionakopjesh , që i publikojnë me të madhe edhe gazeta të tilla si New York Times- i. Çfarë bestsellerësh se ! Të shkruar prej ca plakaruqesh të matufepsura që s’dinë ç’të bëjnë me kohën dhe paratë. Fytyrat i kanë të maskëzuara nga operacionet plastikë dhe …
– Leri amerikanët ti, se ata e dinë më mirë se kushdo tjetër se ku fillon e ku mbaron një punë.Por unë do të desha t’i përgëzoj të gjithë letrarët e vendlindjes sate. Shkojmë një ditë, shkojmë, veçse kam frikë se mos iu dukem si ata të dërguarit e dikurshëm nga qendra, si fjala vjen instruktor partie me çantë nën sqetull, apo, mos o Zot, si ata të brigadave kulturore…
Makina që na sollën ata miqtë në Tiranë për të na marrë, ishte një Land Rover fare i ri dhe ndenjëset i kishte ende të mveshura me një cipëz celofani. I ndihmojnë herë pas here biznesmenët e qytetit, më shpjegonte tek udhëtonim AKR. Poetët ua vënë emrat në ballinën e librave që botojnë, i thërrasin nëpër takimet letrarë, i ulin në krye të vendit, i falënderojnë sa herë japin intervista,duke i cilësuar si mecenatë të vërtetë dhe, biznesmenët, e rinj dhe marifetçinj , mesa duket, kënaqen.Unë për veten time asqë e di se çfarë janë në të vërtetë këta biznesmenë.
– Të lumtë që arrin të mos e dish.
– Hahaha…
– Tani më lër të sodis pak, sepse po më pëlqen shumë peizazhi përreth. Shih ! Ka lulëzuar ngado. Por ç’m’u kujtuan këta vargje tronditës :
Sa keq të vdesësh në pranverë
Kur natyra rilind…
– Ah, kush të ketë vuajtur kështu ?
– S’e di; s’po më kujtohet emri i autorit.
Vazhdova të kundroj me aq dëshirë dhe nevojë sa isha gati të pëshpëritja ca lutje gjithë adhurim për natyrën. Sakaq, mes një fushe me bar të blertë që e drithëronte era, vura re një pemë të vetmuar, që zbardhte e ndriste e tëra nga lulet. M’u duk si një nuse e rebeluar që kishte braktisur befas krushqit dhe ishte lëshuar kushedi se për ku…
Por po shkonim te poetët që prisnin me radhë Çmimin Nobel! Madje, disa prej tyre na qenkëshin edhe të indinjuar ngaqë po ua vononin ca si tepër atë çmim !
Por përse nuk po shqyhesha gazit, përse po më dukej gjithçka e arsyeshme dhe njerëzore …?
Ja më në fund poetët e provincës! Por ishin ata që po më shihnin më me habi nga sa po i shihja unë. O, ja , preja, dukej sikur thoshin vështrimet e tyre, ja, përpara syve tanë, e qartë dhe ashpërsisht vulgare dhe konkrete! Jo si gjer dje që na ikte nga përfytyrimet me lëvizje të shpejta dhe tekanjoze.
Ua dhashë dorën dhe i përqafova të tërë ata që më dolën përpara dhe ashtu në grup shkuam te një kafene në rrëzë të mureve të kalasë fushore së qytetit. Bashkuam tri tryeza, vendosëm përreth edhe një duzinë me karrige, duke shkaktuar zhurmë dhe rrëmujë të padurueshme dhe porositëm kafe çaj konjak ujë mineral…
Përballë meje zunë vend dy femra; njëra ishte rreth njëzet e pesë vjeçe dhe vazhdonte ende shkollën me korrespondencë në kryeqytet.Kishte flokë të verdhë dhe fytyrë të gëzuar dhe, mbi krye mbante një beretë të kuqe, të kapur fare pjerrtazi. Më kujtoi Kësulëkuqen zonjushë, por ajo vetë, kushedi kë imitonte. Tjetra me profesion mësuese ishte brune, shumë brune, me sy të thellë dhe të menduar dhe pinte cigare tërë kohës. Duhej të ishte rreth të dyzetave. Rrinte pa të keq me kënbë të hapura dhe vështrimin nuk e fokusonte gjëkundi.
Gjatë viteve të komunizmit, po në këtë qytet, njoha edhe unë një mësuese që jepte lëndën e matematikës në një shkollë fshati, rrugën drejt së cilës e përshkonte vajtje – ardhje me biçikletë, njëlloj si dikur Migjeni, siç thoshte vetë me trishtim.
Ishte beqare, me një trup të hatashëm, por jo e bukur, më e madhe se unë në moshë, por s’para i qasej kush, për shkak të një ceni që kishte në biografi…
Prej saj m’u ngulitën në kokë disa epigrame : nëse një lidhje dashurie, qoftë edhe e zjarrtë nis e zvetënohet, duhet ndërprerë para se të shërthejnë grindjet dhe të shfaqet vetë shëmtia / Asnjëherë mos bjer marrëzisht në dashuri ; gati në çdo rast ka gjasa të mbetesh i fyer dhe i poshtëruar. Lojërat, lojërat përplot trille befasi e fantazi, të ndihmojnë të shpëtosh nga fataliteti i dështimit / Një herë të vetme dashuroi seriozisht Hemingueji, kur ishte fare i ri, por ajo infermierja, të cilës ai i kërkoi dorën për martesë, e që më pas e bëri edhe një personazh real të njërit prej romaneve të tij, iku me një oficer kavalerie dhe, e injoroi pa pyetur fare…
Kështu predikonte mikja ime mësuese dhe, të mendosh se, jepte matematikë në fshat, jetonte në provincë, teksa në shtëpinë e ngushtë nuk i pashë kurrë qoftë edhe një libër të vetëm, madje as atë librin tim, që ia kisha dhuruar me dedikimin e shpifur:
të dashurës sime D
me shumë kënaqësi…
Po përse të çuditemi ? Unë këtë qytet e dua edhe sot e kësaj dite, paçka se në adresë të institucionit ku punoja dhe vazhdoj të punoj, një instruktor partie, ziliqar i vockël, nisi varg ca letra, ku më kritikonte për veshjen time që i dukej ekstravagante dhe për miqësinë që mbaja me elementë të degraduar…
Ato farë letrash nuk arritën të më merrnin në qafë, teksa kujtimi i përmalluar i mikes sime m’i ka romantizuar prej kohësh ato aventurat e rrezikshme, që më bënin të ndihesha paksa heroik…
Prandaj është vështirë ta përçmosh e ta shash të kaluarën, të cilën shpesh e ëmbëlson nostalgjia ! Por, si ma ndërmendi mësuesja e takimit letrar mikeshën time ? Eh…
Nisa të shoh njerëzit në rrugë, njerëzit me fytyrat e shuara nga trishtimi i kotësisë, më pas nisa të vërej edhe automobilat luksozë, të vjedhur lart e poshtë nëpër Europë, ose të blerë kesh me paratë e fituara nga droga, por ky qytet, ashtu si edhe mjaft të tjerë në Shqipëri, kishte shumë të vrarë, shumë të ikur dhe shumë mallëngjim! Por duhej të tregohesha i vëmendshëm ndaj mikpritësve…
Por ç’po ndodhte ! Filluan fjalimet që në kafene .
– Së pari të falënderoj në emër të të gjithë krijuesve të qytetit tonë që pranove të vish për të bashkëbiseduar me ne dhe, së dyti, po të them se, ato që boton ti, këtu te ne lexohen me ëndje dhe me interes. Ndërsa personalisht, mendoj se e zgjate ca si tepër me poezinë; më herët duhet t’i ishe kthyer prozës, më herët. E ke të shkëlqyer !
Oh, si më gurgulloi së brendshmi një gaz plot shend, por që nuk e lashë të më shpërthente jashtë.Me siguri, po t’iu hidhje një sy librarive të qytetit do t’i gjeje, së paku dy romanet e mi të fundit të paprekur nëpër rafte…
– Zoti Nasi, zoti Nasi, nuk e kemi ftuar tjetrin për t’i dhënë mend, përkundrazi! – e ndërpreu ashpër ai që kishte zënë vend në të majtën time, sepse në të djathtë kisha mikun tim AKR, që nuk fliste fare por dëgjonte i përqedruar bisedën, toni i së cilës ishte zyrtar dhe pompoz.
– Ju lutem ! Do të dëgjoja me vëmendje të madhe çdo këshillë që do të më jepnit. Sepse, të jeni të sigurt, do të më vlente.Veç kësaj, duhet t’jua them se, nuk më pëlqen të mbaj vendin e të parit; do të shqetësohesha dhe do të mërzitesha së tepërmi. Por, a mund të prezantohemi ? Është e pamundur t’ju njoh të gjithëve një e nga një – ndërhyra unë për të ndryshuar, aqsa ç’ishte e mundur tonin e bisedës, por sakaq, po përpiqesha të gjeja me mend se, kush ishte nobelisti i nëntëdhjetegjashtës, kush i nëntëdhjeteshtatës, e këshhtu me radhë. E megjithatë, nuk e mora vesh sesi m’u ngjall, mes këtyre njerëzve një entuziazëm i madh,që ma hoqi nga trutë skepticizmin tim të përhershëm dhe sarkazmin.
– Po, po ! – u përmbyt Nasi si i zënë në faj dhe filloi t’i prezantojë të pranishmit.
Askush nuk kishte botuar më pak se pesë apo gjashtë libra. Madje, disa kishin botuar pesëmbëdhjetë.Ku i shpërndanin vallë dhe kush ua lexonte ? Apo jepnin e merrnin me njëri – tjetrin dhe, vinte një ditë që s’pyesnin më fare se ç’bëhej përtej tyre ? Më dhuruan një dëng me libra të mbushur me dedikime të gjatë përplot epitete lavdërues dhe, mua më erdhi zor që nuk mundja t’iu dhuroja edhe unë ndonjë nga librat e mi. Po ku më shkoi mendja për të tilla hollësirash kur u nisëm ! Mesa dukej, nuk kisha nxjerrë mësimet e nevojshëm nga përshkrimet e takimeve letrarë në romanet e Charles Bukowskit, aq çuditërisht të ngjashëm me këta që zhvillohen te ne!
Fillova t’i shfletoj librat, për të mos u dukur i pavëmendshëm por ç’të shihje ! Parathëniet që ia kishin qëndisur njëri – tjetrit, ishin rrëqethëse: e ç’është Lasgushi para lirikëve të qytetit tonë; por ç’Lasgush ! E ç’është Esenini, apo edhe Uitmani vetë ?
Pa shih, pa shih ! Në pjesën e prapme të mbulesës së një libri ishte dhe një poezi, që autori i parathënies ia kushtonte autorit të librit, si mikut të tij më të mirë: ti erdhe si Krisht në këtë botë, Ramiz, poet i vegjëlisë…
Ngrita sytë si të ngrija një levë me një peshë të rëndë në majë dhe pashë autorin e librit, Ramizin. Kishte lidhur një kravatë me lule në një këmishë, të mbushur gjithashtu me lule, kishte veshur një kostum gri fare të çelët dhe kishte mbathur këpucë të bardha. Isha gati të vija bast me këdo, që ato rroba aq demode, që të shkaktonin keqardhje, ku e ku më shumë se humor, i merrte hua në rekuizitën me vlera muzeale të estradës së qytetit, e cila vazhdonte të jepte shfaqje edhe tashmë pas viteve nëntëdhjetë…
Ato dy femrat, siç edhe pritej, na qenkëshin poete. Ajo me beretën e kuqe shkruekësh vjersha për zogjtë e kopshteve dhe,për stinët që e magjepsnin tek ndërroheshin mu si tablotë e pikturave të varura në mur, ndërsa mësuesja, nënë e një fëmije, por e divorcuar sakaq, vargëzonte veçse për zjarrin e dashurisë. Shih, çfarë lexova në librin e saj : penisi çan nëpër vaginë, si era e marrë nëpër luginë…
O Zot i mëshirshëm…
Po Çmimi Nobel ? Kishte kohë, kishte kohë…
U çuam dhe, ai që e prezantuan si biznesmen dashamirës i artit, i rrasi në dorë kamerierit një kartmonedhë të palosur…
Në sallë kishin zënë vend pothuaj njëqind vetë. Mes tyre ishin edhe dy priftërinj të veshur civilë, por, gjithsesi , me rroba të zeza, të cilët, siç më sqaroi AKR, shkruanin vjersha përdëllimtare. Por mua ma kishte ënda të përqëndrohesha te një burrë i shkurtër, që kishte ca flokë të gjatë e të shprishur, që të sillnin ndër mend pendët e përcëlluara të një korbi, rrëzë ndonjë oxhaku. Me njërën dorë shtrëngonte, si të ishte një skeptër mbretëror, një ombrellë të stërmadhe dhe të dalë boje dhe, unë pyesja vetes se, çfarë i nevojitej ajo në një mot kaq të bukur? Por ndoshta ishte besëtyd dhe kishte zgjedhur të njëjtin objekt fetishi si edhe Çambërleni, kryeministri i pragluftës i Anglisë…
Ja dhe një kinez ! Po kinezi ç’donte ? Çfarë koloriti !
O, e ftonin hera – herës biznesmenët dhuratorë, me të cilët ai bashkëpunonte. Ishte i gjatë dhe i bëshëm dhe, sigurisht që nënqeshte me mprehtësi. I ngjante mjaft Mao Ce Dunit, e sidomos atij të viteve të Revolucionit Kulturor, ndonëse në trup nuk mbante të veshur kostum partiako – proletar prej doku, por pantallona xhins dhe një pulover Nike, ashtu siç i kishte dhe atletet. O, Zot i plotfuqishëm; përnjëmend Maoja me xhins !
Ai më pikasi që po e vështroja me kureshtje dhe, unë e shkëputa vështrimin ngaqë e kuptova se po bezdisej.
Nëse pjesa më e madhe e të pranishmëve në sallë ishin poetë, s’kish si të mos pësoje goditje. Një qytet me rreth tridhjetë mijë banorë, i binte të kishte një poet për çdo treqind vetë, ndërkohë që mjekë kishte më pak se një në dhjetë mijë vetë. Po, më mirë poetë, qoftë edhe të çakërdisur, sesa ca mjekë sharlatanë!
Por përsëri një çast i poshtër, hapja e takimit sërish me ton dhe frazeologji zyrtare! Dhe prapë Nasi, ndonëse këtë herë fytyrën ia kishte përlarë një buzagaz prej masoviku të viteve shtatëdhjetë. Çudi, çudi sa gjatë mbijetojnë nganjëherë ca klishe dhe ca kategori njerëzish ! Në fillimin e viteve nëntëdhjetë besoja dhe, madje isha i bindur se, do të zhdukej një herë e mirë tipi i masovikut gëzimplotë, do të zhdukeshin poetët dhe artistët me tesera dhe poste të rëndësishëm partie; besoja se nuk do të m’i zinte ende veshi këngët e zvargura të fëmijëve të lodhur nga pritja e gjatë, të cilët s’reshtin së i thirruri nëpër takime të ndryshëm për të dhënë një program artistik, por, siç duket, ne nuk emancipohemi dhe nuk dimë të ndryshojmë.
– Të dashur dhe të nderuar miq ! Sot kemi në gjirin tonë…
Eh, edhe unë vetë, kur u çova për të thënë nja dy fjalë, nuk u tregova më pak i vjetruar. Veçse sa rehat ndihesh brenda ca kallëpeve !
Nisën recitimet e vjershave të mia dhe që në vargjet e parë më erdhi keq sa s’thuhet për ata të rinjtë e shkretë, që e kishin marrë përsipër ta kryenin atë punë. Sa shumë të meta dhe dobësi të krijimeve të zbulonte recitimi ! Kështu ndodh rëndom edhe me tekstin e dramës, kur fillojnë ta përvetësojnë aktorët…
Kur nisi diskutimi i lirë, vendasit formuan disa grupe dhe iu kthyen njëri – tjetrit. Bisedonin tek zgjateshin dhe përkuleshin dhe ç’të shihje ! Libra pa fund kalonin dorë më dorë dhe të vetmet fjalë që kryqëzoheshin, ishin ah, urime dhe suksese ! S’ka shkruar ndokush më parë një libër të tillë …
Sa shumë ngjyra kopertinash, sa shfletosje nervoze, sa firma, sa dedikime dhe sa stilolapsa m’u përhitën rrëmbyeshëm përpara ! Dhe ç’shkreptima sysh dhe ç’ndezulli !
Për aq kohë sa zgjati rituali i dhurimit të librit dhe shkëmbimi i tij, s’u kujtua ndokush për mua. Por asqë më duhej vëmendja dhe përkujdesi në ata çaste prekës, sepse do të më shpërqendronin; kisha nevojë vetëm për t’u menduar, që të mund të nxirrja një përfundim të cilin, për ta shprehur dhe për ta pranuar më pas, ndoshta kërkohej kurajë dhe sinqeritet.
Ç’ishin gjithë ata libra, gjer ku mbërrinin të shpërndaheshin dhe, sa lexuesve iu binin në dorë, pyeta e pyeta sërish veten ? Apo qendra e botës për këta njerëz ishte pikërisht qyteti i tyre. teksa krijuesit e tij, kur ndodheshin përballë letrës së bardhë, siç duket, nuk përmbaheshin dot dhe shkruanin e shkruanin pa fund e pa krye, duke harxhuar një energji të pashtershme dhe të pakontrollueshme si tërë delirantët e dehur, të cilët, gjersa vdesin, rrojnë me bindjen e plotë se, janë talente të mëdhenj dhe se askush tjetër nuk u afrohet ? Po sikur t’i tundje e t’i zgjoje: hej dallkaukë e trushkulur province ! A e dini ç’po katranosni në ata defterët tuaj ? Po, ku më vete mendja dhe mua ! A e di ç’do të thotë të ndërgjegjësosh qenie të tilla? Do të thotë të shkatërrosh një sistem të tërë botkuptimor të një bashkësie të caktuar njerëzore, e cila gjithsesi jeton dhe paraqitet me një natyrshmëri të pranueshme….
– Shih ato gratë , atje nga mesi, sesi u janë lulëkuqur faqet e bëshme ! Po ia japin librat e tyre njëra – tjetrës dhe s’përmbahen dot. Budallaçkat, shkruajnë tërë ditën e ditës dhe asqë kujtohen të gatuajnë dhe të lajnë e të shpëlajnë.Të varfrit burrat e tyre se ç’heqin ; le pastaj kalamajtë që shkojnë në shkollë me një copë bukë në dorë dhe fytyra të lerosura ! – më shfryu miku im AKR pranë veshit .
– Leri ato gra, aman ! Edhe gratë do të shajmë tani ? Pak teveqelë ka nga gjinia jonë ?
– Hahaha…
Pas dy orësh, ne të kafenesë shkuam të hanim një drekë përmbyllëse te një restorant në periferi të qytetit. Pasi bashkuam përsëri tryezat dhe karriget, zumë vend në oborrin e restorantit, pranë disa shelgjeve flokëlëshuar, që spërdridheshin gjithë sensualitet rreth një shatërvani freskues, uji i të cilit bumbonte plot hare…
– Tashmë ne u bëmë vërtet miq dhe ti mund të vish e të na takosh sa herë të duash. Do të të presim me shumë kënaqësi ! – e hapi bisedën Nasi, këtë herë fare i shpenguar.
– O, falëminderit ! S’kam nevojë më për një njeri që të më sjellë te ju. Ja, gëzuar dhe suksese të mëtejshëm dhe më të bujshëm ! – i urova dhe çikëm krikllat e mbushura tumllas me një birrë të ftohtë që më shijoi mjaft dhe, që me siguri duhet të ishte futur kontrabandë…
– Gëzuar edhe ti, rrofsh, të lumtë goja, shëndet dhe suksese ! – ma kthyen ata urimin në kor, duke arritur një harmoni të habitshme zërash.
– Eja, eja, mos na harro ! – më porositi Nasi me gjeste prej babaxhani të mvelur. – Ne, këtej kemi plot restorante të mrekullueshëm mes pyjeve , ndanë lumejve, apo pranë lagunave me pelikanë dhe lejlekë; posi ! Ja, takimin e sotëm do ta transmetojnë të dy televizionet e qytetit tonë ; i vure re, besoj, kamerat në sallë ? Nëse të intereson, ta përgatisim edhe ty një videokasetë për ata të Tiranës ?
– Eh, mos u mundoni…
– Dëgjo, dëgjo ! – më fryu përsëri në vesh miku im poet, që shkëlqente – Nëse ne nuk do të kishim ardhur sot këtu, të gjithë këta birbot do të kishin ngrënë në shtëpitë e tyre atë çka do t’u vinin gratë përpara, hahaha, hahaha…
– Hahaha ! – qesha më i shkrehur se vetë AKR – A e kupton se ç’na bën rutina duke na futur në ato shinat e saja ? Na ngurtëson e s’na jep shans të shohim më larg e të marrim ca vendime të dobishëm. Çfarë the se, do të hanin këta poetë e këta organizatorë të paepur ? Ndonjë mëmëligë që do t’ua vinin gratë e përvuajtura përpara, hahaha…
– Ca nga këta nuk çojnë asnjë kokërr leku në familje, e di ti ?
Dhe, përsëri ishim vendosur pothuaj si më parë: në krahë kisha Nasin dhe AKR, ndërsa përballë, fare pranë dy poetet.
– Po Çmimi Nobel ?
– A s’i pe vetë parathëniet dhe dedikimet dhe, a s’e preke gjithçka me dorën tënde ? – m’u lëshua AKR.
– Po o Zot, po…
– Sidoqoftë , nuk paske qëmtuar kushedi se çfarë ; njëri është sigurisht Ramizi, pas tij radhën e ka mësuesja, ja ja…
– Desha të vij me ty në Tiranë ! – na ndërpreu bisedën mësuesja dhe, për herë të parë më pa në sy.
– S’e di, përse po më pyet mua? – ia ktheva dhe, mesa duket, u tregova budall.
– Pikërisht me ty do të kem punë në Tiranë, – më sqaroi poetja pa iu dridhur asnjë qerpik.
– Atëherë, përse të mos vish ? – ia ktheva unë, pa u treguar budall këtë herë.Madje nuk u tundova t’i thosha se ti, si e nominuar për Cmimin Nobel s’mund të kesh nevojë për ndihmën time.
– Kam një libër në dorëshkrim, më kupton, të cilin nuk dua ta botoj pa e konsultuar më parë me ty. Do të më ndihmosh ?
– Patjetër; duke u ndier i detyruar, madje. Ja , gëzuar! – dhe ktheva me fund krikllën me birrë. – Por, a s’më thoni, kujt ka ndër mend t’ia japë sivjet Akademia Suedeze Çmimin Nobel?
– … / …
Sa u argëtova dhe, sa u këndella, por e dija ; rrugës për në kthim do të më mbërthente pikëllimi !
Ore, sa bukur na futën në lojën e tyre…

2001