Site icon Gazeta Nacional Albania

 NORA… Tregim nga Margret Harka

 

Makina ecte normalisht, orari ishte i duhuri për t’iu shmangur trafikut të madh të të premteve, ku automjetet vërsuleshin si bisha drejt jugut për t’i shpëtuar vapës së kryeqytetit, diellit që pjek gjatë gjithë ditës dhe natës ku  ndihet një zierje konstante që nuk të le të mbyllësh sy.

Për mua ishte një nga të premtet e orarit të shkurtuar dhe unë, si pak më me fat se bashkëvuajtësit e mi kryeqytetas, nisem në drejtim të jugut, por me ndryshimin që për mua nuk është thjesht jugu, për mua është shtëpia, fëmijëria, kujtimet, për mua është qenësia ime…

Nuk e di por… sapo i afrohem kësaj zone, çdo gjë për mua ndryshon. Sikur marr frymë ndryshe, sikur era është ndryshe… dhe jam e sigurt që nuk ka të bëjë thjesht vendosja gjeografike. Për mua është një kombinim i të gjitha shqisave, që në harmoni dhe ndërveprim me njëra-tjetrën, më bëjnë që të përjetoj një tjetër ndjesi që nuk  kam provuar në asnjë nga udhetimet që kam bërë deri tani në jetën time.

Përmenda më lart vendosjen gjeografike… Eh po, ka të bëjë dhe ajo! Sapo makina rrëshqet nga Lungomarja dhe shkon drejt tunelit për t’iu ngjitur kalasë natyrore ku shkëmbi i rri si mburojë rrugës që shkon poshtë saj, shfaqet deti. Ah deti!….. Sot është i qetë, i kaltër, i madh e i pafund u ndjeva e lumtur, sepse eksperienca e fundjavës së kaluar nuk ishte më e mira, deti me tekat e tij nuk më dha mundësinë që ta shfrytëzoja dhe të kënaqesha ashtu siç do doja, por prapë është bujar sido që të jetë. Vështrimi i përgjithshëm mbushet me kaltërsi, duket se qielli dhe deti shkrihen diku në pafundësi, si të ishin dy të dashuruar që përqafohen gjithmonë. Dëshmimtar i kësaj dashurie është maja e gadishullit në të majtë dhe ishulli i vogël në të djathtë. Të them të vërtetën, dëshmitari dhe kallëzuesi më i madh i kësaj dashurie, lojës erotike të qiellit dhe detit, është dielli në perëndim….. Qielli, deti dhe pëlhura e kuqe e perëndimit janë magjia e gjithë tablosë që përshkrova më parë.

Dielli i kuq po strukte kokën pas gadishullit kur po futesha në hyrje të qytetit tim të vogël. Është verë dhe dukshëm ka më shumë njerëz, dukshëm ka lëvizje, dukshëm ka jetë dhe dukshëm është i gjallë. Qyteti im, ku kam jetuar deri në të 18-at e mia…

Atëherë më dukej i vogël, shumë i vogël, mbytës. Të them të drejtën, megjithëse isha e lumtur mes njerëzve të mi, miqve të familjes, shoqëria e fëmijërisë, kalamajtë e lagjes, prapë në atë kohë më dukej se çdo gjë në këtë vend më rrinte ngushtë, po po shumë ngushtë, më dukej i vogël që të nxinte ëndrrat e mia të mëdha të asaj kohe!

Parkoj në krye të rrugicës, përshëndes majtas e djathtas njerëz që i njoh, pavarësisht se emrat nuk ua mbaj mend të gjithëve. Shkëputja, largësia dhe koha janë të pamëshirshme për kutizat e kujtesës, megjithatë përshëndes. Në sytë e këtyre njerëzve shoh të kaluarën, moshën dhe nostalgjinë e të shkuarës. Shoh veten të vogël.

Hodha çantën në kurriz dhe dola në trotuarin e vogël që më shpie për tek shtëpia ime, kur në një moment tek shtylla e dritës së trotuarit shikoj një lajmerim. Mbajta këmbët dhe u afrova për të lexuar përmbajtjen dhe të vëzhgoja fotografinë. U shtanga, lajmërimi shkruante për vdekjen e Nora L. dhe familjarët prisnin ngushëllimet për ikjen e saj. U trondita shumë, shikoja fotografinë dhe mendja më bënte lojëra të çuditshme në kujtesë. Gruaja në foto ishte e paqtë, me cepin e buzes të ngritur pak lart, dukej se të linte përshtypjen e një hije buzëqeshjeje natyrale jo të sforcuar.  Zonja me flokët kaçurrela të bëra tashmë gri që shihja në foto ishte teta Nora! Nora e fëmijërisë, zonja që bënte dhe shiste akullore tek lokali i saj i vogël tek cepi i oborrit të shkollës kur ishim fëmijë…..

U futa në oborrin e shtëpisë sime e hutuar. Sapo hapa portën e madhe jeshile, aty gjeta mamanë time që gjatë gjithë rrugës më kish marrë 2-3 herë në telefon për të më pyetur: A u nise, ku je tani, a ka trafik, çfarë të të bëj për të ngrënë… U gëzua kur më pa dhe, siç e kanë të gjitha mamatë, nuk u kursye nga konstatimet: “Thashë se do vije më shpejt… Mendova se do ndaleshe tek yt vëlla për t’u përshëndetur, e të tjera të këtij lloji.

Hyjmë brenda shtëpisë për të vazhduar me ritualin e mbërritjes dhe bombardimit me pyetje të mamasë sime.

U ula të haja ushqimet e mia të preferuara, që sigurisht ime më ishte kujdesur që ti përgatiste, e më pas u ngrita që të bëja kafen e pasdites. Pasi e kishte zbrazur arsenalin e pyetjeve dhe konstatimeve të saj, mamaja dikur me la në heshtje.

– Mama, të ta bëj edhe ty një kafe? – i thashë nga kuzhina e vogël ku po përgatitja filtrin për kafen time. Nga korridori më vjen përgjigja e saj:

– Jo, vajti vonë për kafe tani, por po nuk përtove, më përgatit një lëng frutash që të të shoqëroj dhe mos vono, – më thotë. – Po të pres që të ulemi ta pijmë në oborr.

Dhe vërtet, pas përgatitjes së kafesë time dhe lëngut të frutave të mamasë, ajo më priste në oborr, gati për konstatimet e rradhës.

Pauzën disa sekondëshe të heshtjes e grisi përsëri zëri i mamasë time kësaj here pak nervoz.

– Erdhe si e hutuar, nuk më the asgjë si i gjete lulet e oborrit kësaj rradhe? Shiko sa shumë është hapur bukenvillja dhe sa shumë lule ka bërë….

– Po mamush, – iu pergjigja – i pashë, të lumshin duart.

E di që periudhën që rri vetëm në shtëpinë tonë të plazhit tashmë, po të fëmijërisë dikur, krenaria më e madhe e saj janë lulet.

– Madje dhe byreku ishte bërë shumë i mirë, të lumshin duart mama! – iu përgjigja me një gjysmë zëri ….

Sapo po gëlltisnim grykën e parë unë të kafesë dhe ajo të lëngut të frutave, mamaja ime prapë më pyeti:

– Ti diçka ke, nuk je si herët e tjera, mos ke ndonjë hall? A je mirë, mos ke ndonjë problem në punë?

Ngrita sytë dhe e shikoj time më, një hije meraku, kureshtje e kishte pushtuar të tërën dhe me sytë e saj më hetonte sikur donte ta zbulonte ose hamendësonte atë që mua më mundonte. Duke ndjerë gjithë merakun e saj që në pak sekonda gati-gati po behej agoni, e pashë në sy dhe i buzëqesha duke iu përgjigjur:

– Jo mama, asgjë nuk kam, çdo gjë është në rregull në rutinën time. Ti e di që unë e adhuroj rutinën time!

– Po çfarë ke pastaj? – më tha duke e ngritur zërin dhe duke rrudhur vetullat.

– Pashë lajmerimin e vdekjes së Norës, – i thashë.

– Ah, po! –  më tha ajo duke ndryshuar kësaj rradhe gjithë pamjen në fytyrë dhe në posturën e saj. – Mbaroi sot në mëngjes e shkreta dhe varrimi bëhet nesër ….

– Po, e lexova, – i thashë.

– Kishte kohë që vuante, – vazhdoi ime më, – madje e kishte marrë dhe vajza në Itali për kurim më të specializuar, por nuk mund të bëhej më asgjë për të!

E kuptova që edhe nënës time i ishte dhembsur Nora. E para, sepse Nora ishte disa vite më e re se ajo, dhe e dyta sepse shpesh mamaja ime shkonte bashkë me shoqet e saj për të pirë kafe tek lokali i vogël i Norës.

Nora jo vetëm që ishte një profesioniste e mirë, por ishte dhe një grua shumë e mirë. E mbaj mend që kur ishte e re, me një trup të vogël gjithmonë e qeshur, me hapa të shpejtë e të vegjël tek rendtte ngado, flokët i kishte gjithmonë të shkurtra, ndoshta ishte forma më e mirë që t’i mbante të bindura kaçurrelat e saj…..

Sa herë në verë, të vegjël e vizitonim dyqanin e saj për të blerë akullore me vajzat e lagjes, madje dhe 2-3 herë në ditë dhe ajo qe aty, gjithmonë e qeshur, e mirë… Dyqani i saj i vogël kumbonte nga zërat tanë të fortë dhe plot kureshtje në përgjigjen e pyetjes: “Teta Nora a ka më akullore?” Dhe Nora jonë e ëmbël përgjigjej sipas rastit” “Po ka, po ju keni ngrënë dy sot, nuk ju bëjnë mirë”. “Jo, teta Nora, nuk ka problem, – i përgjigjesha unë, – mua bajamet më dhembin vetëm në dimër”. Pasi shkëmbenim këto fjalë të thjeshta me të, largoheshim  nga dyqani i saj gjithë gëzim. Por jo gjithmonë ishim me kaq fat që të gjenim akullore në çdo kohë tek dyqani i teta Norës. Në verën e qytetit tim të vogël të fëmijërisë akullorja ishte argëtimi dhe kënaqësia më e mirë, pas detit dhe plazhit sigurisht!

Kishte ditë që shkonim dhe akullorja nuk qe bërë ende gati.  “Teta Nora, a ka akullore?”, ishte përsëri pyetja, dhe ajo duke nxjerrë kokën nga poshtë banakut na përgjigjej: “Jo, do edhe pak të bëhet, s’ka shumë që e hodha qumshtin dhe nuk është mpiksur akoma me gjalpin që të trashen”. Nuk kishte pritje më të ëmbël, madje ishte dhe një lloj argëtimi. Ngriheshim në majë të gishtave të këmbës për të parë gjithë procesin e përgatitjes së akullores, ishte diçka mes kureshtjes, padurimit dhe kënaqësisë së asistencës në proces.

Sytë tanë nuk shkëputeshin nga ganxha e mprehtë e makinës së akullores që hyne e dilte nga kazani ku ishte hedhur qumështi, gjalpi sheqeri dhe vanilja dhe ne prisnim që ajo të bëhej, na shkëlqenin sytë kur shikonim që mbi rrahësen e përzierëses ngjiteshin kristalet e para, dhe aty fillonin përsëri pyetjet: “Teta Nora, tani që ngjiten kristalet fillon të bëhet?”. “Po, – përgjigjej ajo duke qeshur”. “Po dhe sa do që të mbarojë e gjitha?”. “Teta Nora, ku ke mësuar të bësh akullore? Po sa akullore dalin gjithsej nga gjithë ky qumësht?” Këto ishin vetëm disa nga pyetjet tona të pafundme që Nora iu përgjigjej me buzëqeshje dhe durim.

Aq shumë ishim të lidhur me atë vend, saqë dhe vite më vonë kur Nora nuk bënte më akullore, por thjesht shërbente kafe ekspres apo  pije freskuese, prapë mua më dukej se ai vend kundërmonte ende aromë qumështi dhe vaniljeje…….

Arratisjet e fundjavave janë gjithmonë të shkurtra, aq më tepër kur ato kalohen në një vend bregdetar. Ato duken edhe më të shkurtra, gati-gati të pallogaritshme aq më teper kur i kalon në vendlindje, si në rastin tim.

Të hënën u nisa shumë herët. Dola nga rrugica ime, kalova te shtylla e lajmerimit. Fotoja e Norës ishte po aty… u përlota.

Sa herë që largohem kam shumë ndjesi, po kësaj radhe pata një trishtim. Me ikjen e saj, Nora mori me vete një pjesë të fëmijërisë time. Mori me vete mirësinë e saj të rrallë që e shoqëroi tërë jetën, ndërsa mua më mori kujtimet… Kujtimet e mbështjella me aromen e qumështit me vanilje……..

Nga pasqyra e makinës shikoja ndërtesat, dyqanet rrugët që lija pas, sa më shumë largohesha aq më shumë zvogëloheshin ato në optikën time. E në gjithë këtë pëhrumbje mu kujtua një varg: “Asgjë nuk dhemb më shumë se një vend ku ke qenë i lumtur!” Është e vërtetë ky vend ende më dhemb sepse aty kam qenë vërtet e lumtur……

Exit mobile version