Site icon Gazeta Nacional Albania

P U T H J A. Tregim nga NDUE DEDAJ

 

Buzë rrugës, ku priste çdo ditë autobusin e linjës, në atë orë të mesditës, sapo u shfaq në kthesë “Benzi” i tij ngjyrë vishnje, ajo befas nxori dorën përpara, instinktivisht, kurse ai mbajti makinën. E përshëndeti lehtë dhe u ul në sediljen pranë tij. Deri te kryqëzimi i Unazës së Re, tha gruaja, si të kishte folur me vete. Ajo kishte pasur dëshirë me kohë të ulej aty, pranë atij, por ai dukej një tip që kinse nuk i interesonin femrat. Ajo kishte dashur dhe herë të tjera të bënte të njëjtën gjë, t’i nxirrte dorën para veturës së tij, por kishte ngurruar, si çdo femër që priste të bënte rolin e saj dhe jo atë të mashkullit. Por ai nuk e kishte ndërmend ta merrte ndonjëherë vetë në makinë, edhe pse e shihte thuajse përditë duke pritur aty në stacion, kur kthehej nga puna njëlloj si ajo. Kështu që ajo grua kishte menduar t’i dilte para, si me thënë, t’i zinte udhën. Kurse tani që ishin bashkë, në makinë, ajo nuk po dinte se ç’të thoshte. Po ashtu dhe ai heshtte, nuk kishte asgjë për t’i thënë asaj. Nuk iu dha as t’i bënte ato pyetjet rutinë: Si jeni? Si shkoni me punën? e të tjera si këto.

Njiheshin nga larg, ishin parë herën e fundit në panairin agroturistik, kishin shkëmbyer ndonjë fjalë ashtu si kalimthi për verërat e reja, ajo si specialiste vreshtarie e ai si menaxher i një kantine. Ajo e dinte se ai ishte i martuar, por sidoqoftë kishte një tërheqje ndaj tij dhe, pse jo, nëpërmend e kishte shkuar dhe flirtin me të… Tani që ishte në krah të tij ndjeu se e kishte aq të vështirë t’i thoshte diçka, iu duk se po i shkilte në kallo dikujt tjetër si ajo, një gruaje që po donte t’i merrte burrin. E si mund të ishin gjerat kaq të lehta? Ti e adhuroje atë mashkull, doje të kishe diçka me të, ani se ai nuk të përkiste ty, nuk ishte yti. Ti e kishe patur tët shoq, por kishte ndodhur që ishit ndarë, dhe tani ua hidhje sytë burrave të botës, ja këtij zotërisë që ngiste makinën dhe vente drejt shtëpisë së tij. Ndoshta, me të shoqen, kishin planifikuar një shëtitje të këndshme mbasdite dhe ti nuk kishe asnjë të drejtë t’ua prishje atë atmosferë të paqtë burrë-grua. A nuk mund të gjejë sërish dikë, mashkullin tënd, që të ishte i yti dhe jo i asaj tjetrës, që as e njihje?…

Por nuk donte të arsyetonte rreth moralit, mendimet e saj ishin bërë lëmsh, si veriga që s’vareshin askund. I kishte rënë në kokë për atë burrë dhe pikë! Të shkonte njëherë me të dhe nami le të bëhej pastaj. Ishte aq tërheqës në atë kinse indeferencën e tij ndaj femrave.

U tmerrua kur mendoi se po mbërrinin te Unaza e Re dhe ajo duhej të zbriste. Pa vjeshtën që po nxitonte të ikte si e marramendur. Një erë u dynd nga grykat e nalta drejt atij bregu dhe i shkundi dhe më fort pemët dhe gjethet e verdhëme erdhën dhe mbuluan xhamat e makinës. Iu duk se kjo ishte një lojë e vjeshtës për të mbuluar atë çka mund të ndodhte mes asaj dhe atij aty në sediljen e pasme. Ai, aty për aty, mund ta ndalonte “Benzin”, t’i hidhte një vështrim melankolik dhe ajo do t’i ëmbëlsohej në buzë si një kupë vere musht. Mëkati do të ndodhte nën ato gjethe vjeshte, që e kishin zënë krejt pamjen mbi xhamin e parmë dhe të pasmë të veturës, por dhe që ishin lavarur në xhamat anash. Kuvli më të këndshme për dashurinë e tyre në vrap nuk mund të kishte. Ishe dhe jashtë në natyrë, dhe brenda shtëpisë së xhamtë, verdhuar prej atyre gjetheve nazike. Si një përrallë laramane vjeshte, ku personazhe nuk ishin fëmijët.

“Prit, kur të ndalojë, mendoi ajo, dhe ne të hidhemi sakaq në sediljen e prapme!”

Rrëshqiti sytë andej, ajo ishte bosh, vetëm xhupi i tij i hedhur ashtu lëmsh…

*

Ai nuk po fliste. Kushedi se nga i bridhte mendja ato çaste, teksa një emocion i fshehtë e çukiste fort, si qukapiku trungun e lëngshëm të lisit, për ta biruar deri në palcë. Se nga i brofi në kokë një kujtim i disa viteve të shkuara. Kishte qenë në Nju Jork me të fejuarën dhe një çast i shkoi dorën në flokë, kur një shoku i tij i kishte thënë si me të qeshur:

“Ruaj se bën skena erotike në publik, me këtë laureshën tënde, se mund ta kesh pisk punën!…”

“Oj, pse ka dhe këndej… kanun?”

“Jo, po… ligji!”

“Po thoni se ka ligj dhe për puthjen?”

“Fiks! Ajo nuk e ka të shkruar në ballë që është e dashura jote!…

Dhe ai shoku nisi të tregonte një episod. U ndodha njëherë me makinën time në semafor. Nuk po hapej udha. Diçka mund të kishte ndodhur. Më vinte një si kotje. Ç’të bëja? Zura të puthesha me të dashurën, kur u dëgjua bilbili i policit, si të kishte rënë zjarr!…

Njeriu me uniformë, që mbikqyrte trafikun e ngrirë, nuk e zgjati por hodhi në prehrin tim një fletë gjobe, me një shifër të pabesueshme.

“Dhe mos e përsërit herë tjetër! More vesh? Ç’u bë këtu, shtëpi… erotike?”

“Zotëri, unë thjesht putha të dashurën! Asgjë tronditëse nuk i ndodhi botës!”

“Natyrisht, por ti mund të mos e lije me aq, kush më siguron mua se nuk do të shqyenim sytë nga ndonjë skenë e nxehtë seksi, ne dhe kamerat e varura gjithandej! Trafiku nuk është park qejflinjsh!”

“Prandaj është kaq e kripur kjo gjoba?”

“Sigurisht! Dhe tani nxito! Nuk e sheh që u hap drita jeshile?”

Burrit të “Benzit” i erdhi te qeshte me atë histori. Për fat këndej nuk kishte ligje të tilla dhe zor se do të kishte ndonjëherë.

*

Ajo pa nga ai, u përpoq të formonte një buzëqeshje të ëmbël dhe tha:

“E kam pritur aq shumë rastin… kur do ta bënim bashkë… një copë udhë!”

“Dhe ja që udhëtuam”, foli ai pa ia hedhur sytë.

“Të kam parë që e bën përditë këtë rrugë?”

Deshi atë çast që dhe ai t’i thoshte të njëjtën gjë, domethënë që e kishte parë, po ashtu, përditë aty në stacion, por ai tha tjetër gjë:

“Besoj se nuk do të zgjasë dhe shumë kohë! Së shpejti do të shkoj për një specializim në Firence”.

Ajo u drodh, por e mbajti veten.

Makina sakaq kishte ndaluar në hyrje të Unazës së Re; nga frenimi dhe ato pak gjethe të mbetura mbi xhama u shkundën e ranë, duke u zbuluar qielli. Ajo pa majtas, djathtas, nuk ishte askush. U zgjat nga ai dhe i dha një të puthur, në buzë… si një statuje të ftohtë. Sakaq hapi derën dhe u lëshua jashtë. Bëri dhe njëherë me dorën gjysmë të nderë nga ai, i cili nuk mund të mos shquante një lot xixëllues në sytë e saj.

Ishte prishur paqja e shpirtit të asaj gruaje kushedi sa herë, asaj rruge plot gurë kilometrikë të lyer me gëlqere. Apo nuk kishte një lumë të nëndheshëm brenda njeriut për aso pështjellimesh zemre, pa të cilat qenia e tij nuk mund të kuptohej?…

 

 

Exit mobile version