Gazeta Nacional Albania

Pajtim Xhelo, Vlorë: Vrasës i dyfishtë tregim i jetuar.

Aty rruga merrte papritur një kthesë, që në pamje të parë dukej krejt e panevojëshme dhe çuditërisht, e përpjeta zbriste në një pjerrinë gatigati 45 gradë.
Habi e dyfishtë…
Edhe kthesa, edhe pjerrina, të krijonin bindjen që dikush i pat bërë enkas për të vënë në provë zotësinë e njerëzve që drejtonin makinat, sidomos të të rinjve, të cilët mosha i nxit të përballen me gjithçka të vështirë e më pas të ndjejnë kënaqësinë e fitores.
Në të vërtetë rruga nuk ishte e re, qe ndërtuar aty rreth viteve shtatëdhjetë, kur qarkullonin fare pak makina, sidomos në këto zona të thella, që parapëlqeheshin më tepër nga barinjtë për verimin me kopetë e tyre.
Në këto vite të braktisjes së madhe të zonave të varfëra dhe të largëta nga qendrat administrative, kjo rrugë rrihej vetëm nga ndonjë kurreshtar i krisur, që e pëlqente aventurën, apo nga ndonjë turist që nuk e donte bezdisjen e qarkullimit të zhurmshëm të zonave urbane dhe kësisoj zgjidhte këto rrugë të lëna prej kohësh në vetminë e tyre disi të shenjtëruar.
Njerëzit janë aq të paparashikuar në shijet e tyre, sa shpesh mund edhe t’i paragjykosh pa të drejtë si ” të çuditshëm”, apo ndonjëherë të shkosh edhe më tej me përfundimet e tua mbi sjelljet e tyre të çastit , duke i quajtur ” të krisur”, madje edhe më zi akoma ” skizofrenë” ose ” psikopatë”.
Sa më përket mua, do të mjaftohesha t’i quaja thjesht ” Njerëz që guxojnë të njohin jetën në të gjitha ngjyrat e saj ”
Kështu po i quaj edhe dy të rinjtë që po udhëtonin me një BMW , prodhim i viteve të fundit, Indritin dhe Hedijen.
Bota virtuale i kish përqëndruar në ekranet e celularëve të tyre aq shumë, sa, mbase kishin harruar që në makinë po udhëtonin dy njerëz, jo dy hije… Secili në njerën nga barkat e shpejta që notojnë në oqeanet pa horizonte të internetit, në ato hapsira të panjohura, që të shfaqen me gjithë fuqinë e tyre dehëse e të bëjnë dashnor të robëruar, skllav të pa lidhur me litarë e zinxhirë.
Kjo botë sot ngjan me mejhanet e dikurëshme, ku njerëzit, të çliruar nga rregullat familjare e zakonore të një morali që u kishte ardhur në majë të hundës, lëshoheshin në përkundjen e tymit, këngës, verës e rakisë, shakave dhe rromuzeve pa kripë e shpesh të turpëshme, për t’iu kundërvënë thelbit të padrejtë të shoqërisë njerëzore të të gjitha kohëve ” Beni si them unë, mos bëni si bëj unë “.
Atëhere mejhanet shërbenin si ilaç për shpirtrat e lodhur.
Tani interneti të shkëput nga jeta shoqërore, që sa vjen e po merr shtame të reja virusesh, nga më të rrezikëshmit që kanë shoqëruar njerëzimin që nga lashtësia.
Ishte një çast , që Hedija e shmangu shikimin nga ekrani dhe klithi papritur e tmerruar.
Përballë tyre u shfaq turiri kërcënues i një mauneje të stërmadhe.
Indritit i ra celulari nga dora. Me sy të zgurdulluar ai e përpiu atë përbindësh në të gjitha përmasat dhe u përpoq të kundërvepronte.
Në çaste rreziku, te njeriu zgjohen dhe renditen e organizohen të gjitha shqisat me një shpejtësi kozmike, mbase të përafërt me atë të dritës.
Kështu ndodhi edhe me Indritin. Ai rëndoi mbi timonin dhe u mundua ta detyronte atë në një rrugë shpëtimi.
Por ishte shumë vonë që fuqia e shpirtit të njeriut të bënte mrekullinë e shpëtimit.
Hedija u mblodh kruspull dhe mbulloi fytrën me përllëmbët e duarve. Zëri i saj ishte shuar tashmë.Po ashtu edhe zëri i Indritit.
Dëgjuan vetëm zhurmën e përplasjes, që ndoshta nuk arriti dot të oshëtinte në kabinën e tyre dhe…
Gjithçka i përkiti përtejjetës.
As djali, as vajza nuk arritën dot të thoshin se çfarë përjetuan atje.
Drejtuesi i maunes zbriti nga makina, duke qëlluar kokën me grushta.
Ai shihte dy trupat e mbuluar nga gjaku që makina i kish hedhur matanë rrugës, duke bërtitur i lebetitur, po pa mundur të mblidhte veten dhe të afrohej te ta.
E kish zënë gjaku.
Thonë që gjaku zë vetëm gratë, po kjo nuk duhet të jetë e vërtetë, njëlloj dhëmb , si shpirti i gruas, edhe ai i burrit.
Në çast në rrugën e braktisur po afrohej një makinë e vogël.
Shoferi i mkaunes i doli përpara dhe duke i treguar dy trupat e të rinjëve, i bëri shenjë që të ndalej.
Nga makina zbriti një grua rreth të pesëdhjetave, trupvogël dhe e imët, po e shpejtë dhe energjike.
-Mblidhe veten – i tha me ton urdhërues burrit të hutuar – Më ndihmo t’i hipim në makinë dhe t’i çojmë në spitalin më të afërt!
Burri u bind. Pas pak minutash makina po ecte me shpejtësi marramendëse. Heraherës, drejtuesi i maunes përpiqej të ndjente frymëmarrjen e dy të rinjëve.
Dikur tha jo pa gëzim :
-Janë gjallë. Lavdi të Madhit Zot, qenkan gjallë të dy !
Gruaja nuk foli, madje nuk e ktheu as kokën nga ai.
Në kokën e saj rrotullohej e përplasej vetëm një mendim : të bënte të pamundurën që të shkuronte kohën. Kjo ishte më e rëndësishme nga çdo përpjekje tjetër.
Kështu ndodh gjithmonë. Koha është vendimtare në fitoren e jetës mbi vdekjen.
Më në fund hynë në atë qytet të vogël, të qetë.
Po ngrysej dhe qielli i argjendtë po e ndrydhte qytetin nën mbretërinë e heshtjes së mbrëmjes.
Gruaja ngadalësoi makinën dhe pyeti dikë që po kalonte në trotuar :
-Spitali?
Kalimtari bëri shenjë me dorë te kthesa, nja 50 metra më tutje.
Sa u afruan, akoma pa ndalur makinën, gruaja nisi t’i binte borisë pa ndërprerje.
Njënganjë u ndezën dritat në katin e dytë të godinës dhe nga hyrja e spitalit vrapuan katër njerëz me bluza të bardha.
Dy djemë tëp rinj, të fuqishëm, sollën barelat, ulën me kujdes në to dy trupat e mbuluar nga gjaku dhe i çuan me nxitim në sallën e operacionit.
-Qenkan gjallë – pëshpëriti mjeku i rojes dhe u përpoq të lidhej me dikë në telefonin celular.
Gruaja pyeti e shqetësuar :
-Ka mjek kirurg në qytet?
-Po, por tani ndodhet pak larg. E lajmërova dhe po vjen menjëherë.
Gruaja vijoi ta pyeste.
-Gjatë kohës ne do të presim?
Këtë herë ajo dukej, jo vetëm e shqetësuar, por, deri diku, edhe e alarmuar.
-Jo – iu përgjigj mjeku i rojes – Unë do përpiqem të bëj detyrën time për t’i mbajtur në jetë derisa të vijë kirurgu.
Kaq tha ai dhe së bashku me dy infermieret, njera prej të cilave dukej e vjetër në moshë dhe me përvojë, nisën të merreshin me dy të plagosurit. Gruan dhe drejtuesin e maunes nuk i lejuan të rrinin në sallën e operacionit. Ndërkohë, një infermier tjetër hynte e dilte me nxitim. Mesaduket, po përgatitej për fillimin e operacionit.
Dikur doli mjeku i rojes për një çast.
-Të dy kanë akoma shenja jete – tha – Po bëjmë të pamundurën. Vajza edhe belbëzoi diçka, kurse djali është dëmtuar rëndë në kokë. Edhe nëse shpëton, ka për të patur një pamje tjetër, vështirë të ruajë pamjen e mëparëshme.
Ai u ktheu shpinë atyre dhe foli me dikë në telefon:
-Doktor, e kupton që çdo minutë vonesë, rrëmben jetët e dy të rinjëve?
Ai tha pastaj diçka në gjuhën e ngatërruar të mjekësisë. Pastaj shtoi :
-Gjithçka që varet nga ne po e bëjmë. Ju duhet të nxitoni.
Heshti një hop. Pyeti gruan :
-Ju jeni të afërmit e tij?
-Jo – u përgjigj ajo. Nuk i njoh fare. Ishte fat që kalova andej, sa kish ndodhur aksidenti.
Ajo u kthye nga drejtuesi i maunes.
-As ky nuk i njeh. Makina e tyre u përplas me maunen e zotërisë..
Mjeku i rojes diçka i tha kirurgut.
Ai e vuri celularin në viva voçe dhe biseda tashmë u dëgjua.
-Unë dua dy mijë euro për operacionet. Pa paratë, nuk i prek me dorë.
Gruaja u duk e hutuar, e menduar. Pastaj e mblodhi veten dhe ia rrëmbeu celularin nga dora mjekut të rojes.
-Paratë do t’i kesh nga unë . Dy jetë njëzetë vjeçare, nuk bëjnë dy mijë euro doktor. Nxito t’i shpëtosh ato dy jetë.
Ajo ia ktheu celularin të zotit dhe qëlloi dyshemenë fuqishëm me takën e këpucës.
-Nuk arri të kuptoj, ç’njerëz mban kjo tokë – tha me inat të papërmbajtur.
Dy të tjerët nuk folën
Gruaja shkoi te makina, mori portofolin , u sigurua që i kishte dy mijë eurot dhe hyri sërish e qetësuar
& &
&
Minutat mezi shtyheshi. Dukej se koha kishte ngadalësuar hapin e saj të zakonshëm, duke cingërisur kështu nervat e atyre njerëzve, që po prisnin me durim të tejkaluar atë, Zeusin…Shpëtimtarin e dy jetëve.
Mjeku i rojes doli edhe dy herë të tjera nga salla e operacionit dhe foli sërish me kirurgun.
Herën e dytë, gruaja ia rrëmbeu sërish celularin nga dora dhe i tha kirurgut , gati me tërbim të papërmbajtur :
-Po sikur ky djalë të ishte djali yt, doktor, do ta gjeje mënyrën për të ardhur sa më shpejtë?
Nga celulari u dëgjua kundërveprimi i tij i menjëhershëm :
-Djali im, po ç’hyn këtu djali im? Mbaje gojën ti, se as nuk të njoh. Mos më ndill tersllëqe të tilla.- Heshti një hop, pastaj vijoi, duke ngatërruar fjalët – Me ç’të drejtë më përafroni një tmerr të tillë? Mos ma përsërisni më, se do të zemërohem dhe nuk di ç’mund të bëj. Kam vetëm atë djalë dhe nuk të lejoj…
Gruaja e mbylli celularin dhe ia ktheu mjekut të rojes.
-Jam e sigurt që tani do vijë menjëherë – tha më tepër për veten, sesa për dy të tjerët që ishin pranë saj.
Dhe në të vërtetë, pas pesë minutash kirurgu u dha në derë dhe hyri në sallë, pa përshëndetur. Në fillim u afrua te vajza, i mati pulsin dhe u duk i kënaqur.
Mjeku i rojes i tha ?
-Gjithçka është gati doktor. Mund të fillojmë. Do t’ju asistoj unë. Anestezinë ua dhashë.
Ai i tha edhe diçka tjetër dhe filluan nga puna.
Kirurgu nuk u afrua fare te djali i plagosur, vetëm sa pyeti mjekun që do ta asistonte ?
– Ka dhënë shenja jete?
-Po, edhe para pak minutash, më shtrëngoi dorën lehtë dhe diçka belbëzoi.
Në të vërtetë, në spitalet e qytezave të tilla, puna e një kirurgu është mjaft e vështirë dhe shpesh bëhet edhe e pamundur. Më e mira është që të plagosurit të transportohen me helikopter për në Kryeqytet, apo në spitalin më të afërt rajonal. Ndodh shpesh që për ego profesionale, kirurgët e provincave marrin përsipër atë që në gjuhën e mjekësisë quhet e pamundura absolute, edhe pse në shumicën e rasteve, koha nuk pret për të bërë zgjedhjen e duhur.
Nuk përjashtohet edhe ndonjë rast, kur kirurgu, edhe pse e ka kohën e duhur për ta çuar pacientin atje ku jeta e tij do të ishte e sigurt pas ndërhyrjes kirurgjikale, për të mos humbur një shpërblim të majmë, rrezikon dyfish, karierën e tij dhe jetën e pacientit.
Në këto kohë të turbullta, kjo e fundit ndodh rëndom.
Pas gjysëm ore, mjeku i rojes doli vetëm një çast dhe i tha gruas
-Vajza shpëtoi. Me djalin do fillojmë tani. Duket se ka humbur shumë gjak.
Gruaja iu lut:
-Dua ta shoh. E di që nuk lejohet, po ja që më hipi në kokë kjo dëshirë e marrë. Më lejoni, ju lutem !
Mjeku i rojes, akoma nën ndikimin e jetës që kishin shpëtuar, i bëri shenjë që ta ndiqte në sallën e operacionit.
Në çastin që gruaja po afrohej te shtrati i djalit, edhe kirurgu u ndodh pranë saj.
-Nuk lejohet zonjë – i foli rreptë, por nuk i mbeti kohë të merrej akoma me të.
Djali i plagosur lëvizi dorën.
Për herë të parë, që kur kish hyrë në sallën e operacionit, kirurgu i hodhi një vështrim të vëmendshëm djalit.
Ai shtangu. Edhe pse fytyra e të plagosurit ishte e dëmtuar rëndë, diçka e pavetëdijëshme, e bëri të dridhej lehtë.
Një çast mëdyshjeje,.
Pastaj kirurgu e vuri dorën që lëvizi mbi dorën e tij dhe ia shtrëngoi lehtë, për të parë kundërveprimin.
Dhe atëhere ndodhi çudia që i tronditi të gjithë.
Djali, me një përpjekje mbinjerëzore, duke mbledhur të gjitha fijet e shpirtit që e mbanin të lidhur akoma me jetën, duke organizuar të gjitha fundet nervore, që akoma deri atë çast ushqeheshin nga ai pak gjak që nuk ecte tashmë, po zvarritej nëpër dej, hapi sytë dhe nën një vështrim tejet të mjegulluar, si rrezet e fundit të diellit kur zhduket tej horizontit të hirësuar, lëvizi me një përpjekje të jashtëzakonëshe dhe shqiptoi me një zë të mekur, gati në të shuar :
– Ti më vrave baba!
Të tjerët ngrinë nga habia.
Vetëm kirurgu e kish njohur zërin e të birit.
Kish njohur edhe shikimin e tij që mbeti i përhumbur në sytë e hapur.
Djali vari kokë nën një piskamë psherëtime që mezi u dëgjua.
Mjeki i rojes i mati pulsin.
Mes lotëve që nuk po i mbante dot, belbëzoi :
– Indriti mbaroi. Aq shumë qe dëmtuar, sa nuk e njohëm djalin.
Kirurgu kish ngrirë, i palëvizur, i heshtur, me dorën e pacientit që ishte akoma e vakët në dorën e tij
Sytë e tij, pakngapak u zmadhuan e u zmadhuan në mënyrë të pakontrolluar dhe nisën të futnin në bebëzae tyre hapsira pa konture të një jete të huaj, me të cilën po përballej ashtu, në mënyrë të pavetëdijëshme, me një dhëmbje që dukej e një trupi tjetër, e një shpirti të mërguar në një tjetër yllësi.
Gruaja u afrua dhe e qëlloi lehtë në sup.
Ai ktheu kryet.
I ngjante një lumi që kish ndalur rrjedhjen, brigjet e të cilit i pat zbardhur bryma në një pangjyrësi mjerane.
Gruaja i tregoi tufën e parave.
Kirurgu tashmë nuk ishte aty…Nuki e vuri re.
Ajo ia hodhi fytyrës dy mijë eurot dhe i tha ashpër, po pa ngjyrat e urrejtjes :
-Merri dhe bëj me to varrimin e atij ëngjëlli që nuk e meritoje. Jeto tani në një humbje të dyfishtë – heshti një hop, gëlltiti lotët dhe vijoi – Ti humbe nderin, po humbe edhe gjënë më të shtrenjtë që Zoti ta kish falur, tët bir. Ty do të dridhet buza kur të përmendësh fjalën ” bir”. Ti do jesh i vdekur në mes të të gjallëve !
Pastaj ajo puthi ballin e ftohtë të Indritit dhe atë që po kthehej dalngadalë në jetë të Hedijes dhe u largua përmes lotëve të mirësisë dhe të zemërgjerësisë.
Kur u nis makina, the me zë :
-Nuk kam për ta harruar kurrë vrasësin e dyfishtë… Doktorin vrasës dhe atin vrasës !
Dhe nuk kaloi më kurrë nga ajo rrugë që i dha një dhëmbje të pashërueshme për tërë jetën që i kish mbetur.
Pajtim Xhelo, 27 korrik 2023