Gazeta Nacional Albania

POEMË PËR LUMIN LOTONË  DHE POEZINË NË SHISHE. POEZI NGA ADEM ISTREFI

 

…Më lotoi loti i nxehtë në shuplakë të dorës e shuplaka m’u dogj si prej

prushit të bungut, po s’di se kur ky lot do të lotojë prapë në LOTONË…

U desh vetëm një terig i lehtë ere

që fërfëriu si me krahë pëllumbi

mbi ujërat e këtij lumi të huaj,

u desh dhe kjo gjethe lundruese

që ma përkujtoi atë fletë fletoreje

dhe të mbushem prapë me frymë lirie,

me frymë hovi e zërash pickues,

bërtitës ngado, ngado të rrëmbejnë,

të çojnë ku s’të çojnë e të kthejnë aty ku je…

Befas mbi atë gjethe të praruar vjeshte

u lëshua butazi një zog

e sikur shkroi diçka mbi të me sqep,

(asi zogu kurrë s’kisha parë)

dhe befas nisi flatrimin mbi kryet tim,

(them se duhej të ishte shpirti i një vajze

që e desha si askënd tjetër e më kurrë s’u pamë.)

Po ky zog, pse kaq befas iku e u largua,

pse dhe pse?!

Në sy-ndjekje të tij ndejta gjatë

e si pa sy mbeta.

E ai sikur po më merrte me vete si këtë gjethe

që po vërtitet si grykën e një vorbulle qiellore.

 

***

Si kjo gjethe dridhet e përpëlitet e pëlcet kujtimi

dhe kujtimet i lkehem në shpinë

e i kërcej kaliqafë e dyh mbas tij…

Se u bënë e shkuan si hije

njëzeteshtatë vjet që lundron ajo shishe

që lundron e përplaset me dallgët e ujërave

e s’kam si ta di se në cilin det

ka humbur,

s’kam si ta di se në cilin bregdet

ta gjej…

Ajo shishe ndoshta mund të mos gjehet kurrë

n ndoshta mund të gjehet mbas tremijë vjetëve,

Nuk ndryn brenda asnjë të fshehtë

si në përrallat e Njëmijë e një netëve

as të fshehtën e krijimit të zbuluar prej nesh.

Brenda saj ka vetëm një fletë fletoreje,

shkruar mbi të vetëm pesë vargje,

shkruar a gdhendur nga pesë poetë,

më të krisurit në të gjithë rruzullin,

më të çlirtit dhe më poetët se gjithë poetët

në atë çast,

në atë cast që ndriste e nxiste

mendimin përthekues të të gjitha fjalëve

vetëm në një varg,

si në atë vargun – poemë

“Kanë nxanë vend yjet vajin për me ndie.”

(Dhe vargun e parë e shkrova unë,

dy vargjet e tjera vëllezrit Buçpapaj,

e prapë dy të tjerat sivëllezrit Aliaj.)

 

 

***

Dhe ajo ditë ishte ditë vere.

Në rrezet e asaj dite

Sytë sikur i pinin të gjitha ngjyrat e bukurive,

bukurive e dashurive që ndez

ky lumë mahnitës,

kësi lumi kurrkund tjetër s’gjen në botë,

se ky lumë sikur është vetëm pikla vese,

sikur është krijuar prej lotëve të dashurisë,

të ndonjërës prej zanave motra,

mbasi amën askush s’ia di,

ose ndoshta është krijuar

prej perëndisë BIND

të dashuruarit të çartur me zanat motra

që të shkrihej tërësisht mbas tyre

e t’i kundronte ngeshëm, jo vetëm

pranë krojeve,

po edhe kur të laheshin në ferk të dritës,

pa u lëbardhë mirë drita e në natje herët

e kur të zhyteshin në ujërat kristalore

e mbi shkëmbinj pastaj kur t’i krihnin flokët…

 

***

Po motrat zana, si na shituan ashtu asaj dite!

Se vetëm te ne sikur i patën sytë

e të shituar prej tyre mbetëm krejt.

Turravrap katrritheshim rrasës shkëmbore,

rrasës së thiktë që si thikë e therte qiellin.

Turravrap ngjiteshim gjer në cikol të shpatinës

t’ua rrëmbenim prej duarsh shekat me tambël

e tamblin ta pinim me një hurrpamë

siç pat pirë Muji e u bë kreshnik

se s’mund të ishte tambël i dhisë briartë

dhe s’kish sesi tambël gjiri të mos ishte…

 

 

***

Dhe rrasës shkëmbore

rridhte e rridhte një rrëkezë e hollë tambli

dhe me sy e ndiqte perëndia BIND,

i ulur cuc mbi atë shkëmbin mes lumit

që ngjasonte me një anije LIBURNE.

Dukej se po bindej edhe vetë

se ishte më pak i perëndishem sesa ne

e për të sikur po na vinte keq…

 

 

***

Po edhe ngenë fort s’ia kishim atij,

se patëm rendur imshtave gjithkah,

gjithkah ku kuqëlonin e të shkrinin luleshtrydhet

edhe pa i afruar te goja,

gjithkah i mblidhnim e i tejshkonim

në fije bari si rruazat në pe

si rruazat në pe i bënim vargje…

Dhe më pastaj mbetëm në gjuajtje të troftave,

dhe më pastaj në pjekje të tyre, mbi tullë,

dhe më pastaj s’di sa shishe vere rrekëllyem

te ajo zallina e gjirit të lumit

që ka një shkëmb krejt si sofër.

aty atëbotë e shkruam edhe atë poezi,

prej aty e lëshuam atëbotë

atë shishe për lundrim.

Në atë lundrim kaq vite kam mbetë…

 

 

 

***

Pa frymë mbetëm kur e lëshuam

atë shishe- anije ujërave të këtij lumi,

pa frymë mbetëm dhe kur brohoritëm pastaj,

pastaj kur brohoritëm kreshnikisht

të gjithë përnjëherë

e gjithsecili kujtoi se si atë varg të tij

askush më e kurrë më

nuk do të mund ta shkruante.

O pasha syrin e këtij e këtij dielli që zdriton!

ky zog që m’u shfaq e më iku pastaj,

s’mund të jetë asnjë zog tjetër,

vetëm ai i lumit LOTONË

që këngëzonte bashkë me lumin

kur zhytej në ujërat e tij

e shpejt dilte e mbi shkëmbinj rrezitej,

mbi shkëmbinj sqepin kruante,

sikur të ishte vetëm ai perëndia e këtij lumi

e vetëm fishkëllima e tij duhej të dëgjohej…

 

 

***

Lumi LOTONË le të zdirgjet tëposhtë,

unë s’mund të mos ngjitem edhe një herë

përpjetë brigjeve të tij,

s’mund të rri pa dalë edhe një herë

atyre bjeshkëve të mallit tim…

ç’mbetkan skllevër të këtij lumi!

Fundvjeshtë, 2009

 

 

 

 

 

 

BACA I KRYENGRITJES

 

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)

Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…

Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri

Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi

Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…

S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka botxh një varr

Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr

E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…

(Nga vëllimi ” Pasha këtë dhe”,Tiranë,1982)

 

 

SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI !

Cingërroi zilja e telefonit

apo dëgjova zërin tënd?!

Nga largësitë m’u bë se po më vinte ai zë

pak i trëmbur, tel i dridhur mallit

në këtë kitarë të vonë nate…

Vetëm zëri yt mund të më thërriste kështu

si gjithmonë e në të gjitha kohët.

Këtij zëri s’mund të mos i përgjigjesha

edhe në hjekë shpirti.

S’mund ta besoj se t’u lig ORA

e vdekja të gjeti gafil.

Ti gjithmonë ke qenë një hap para vdekjes,

gjithmonë je tallur me të kur të ndiqte

e ia lije puplat në dorë.

A mund të kapej rob e të bëhej rob

njeriu më i lirë ndër të gjithë liridashësit!

Paj cok jo, bre Sadri Ahmeti!

 

S’të mbaj mend kurrë duke qarë,

po gjithmonë duke qeshur më del

her si fëmijë i qeshjes e her zot i përqeshjes.

Edhe atëhere kur shkruaje poezi

me ata gishta të KRITË prej të ftohtit:

Shkruaj një vjershë e digje atë fletë

që t’i shkrije pakëz duart

në atë flakëz xixëlluese e tym të saj,

që të mund ta rishkruaje prapë atë poezi

dhe prapë më ndryshe…

Aiiih ! sa ftohtë që kishe, si të kërcitnin dhëmbët,

e ti lapsin assesi s’e lëshoje nga dora.

 

Prandaj po kjaj për ty

e u mbusha sonte në vaj,

po kjaj tash për atëherë…

S’di sa herë ishe vrarë mbas shpine,

s’di sa herë mbas veshit

në atë udhëtim të cmendur, mizorisht të mundimshëm

Dhe ti shkruaje e rishkruaje

me ata gishta TË KRITË

atë poemë për MASAKRËN E TIVARIT…

 

(Tremijë djem Kosove atëbotë u vranë.

U vranë me plumba, u therën me bajoneta

në atë plojë gjaku,

midis ullinjëve e detit të Tivarit.

Deti u bë i kuq dhe u mbulua me plisa

të bardhë

në atë prill komunist të vitit 1945.)

 

Sonte dua të mos harroj asgjë,

gjithcka dua të kujtoj,

pse ishe i vetëm mbi atë sukë

a mbi atë KËRSH TË GJOBALAJVE

e pse qeshje ashtu,

sikur rrokoteleshin shpatinës shkëmbinj

potershëm me rrokullimë rroposëse

e lëshuar si shkundullimë…

 

Ishe vetëm dhe s’ishe i vetëm.

S’di a e qerasje ti vdekjen me një gotë raki,

apo të qeraste ajo ty me një kërcënim

kur i thoje se edhe vetë të madhin Zot

do ta bëje me qeshë,

pa e giciluar aspak…

Dhe vdekja merrte këmbët në krahë

dhe ikte e lemerisur atëbotë,

atëbotë kush mund ta ndalte qeshjen tënde!…

 

S’u mësokam se s’u mësokam pa ty,

Sadri Ahmeti!

Thash si për vete e s’munda ta mbaj

Coll për vete,

Si në këngët e majekrahut e lëshova piskamën:

O gjithkah zdrit ky sy-diell

në fytyrë të kësaj toke

njeri e bir njeriu kurrëmë s’do të vijë si ti,

kurrëmë si ti s’do t’i gëzohet shkrepjes së diellit

e shkrepje buzëqeshjesh të shkrepë

si njëmijë hyjni,

sidomos kur dilje hovshëm

prej dallgëve të detit

e deti sikur të falej te këmbët…

 

Sonte mund të them dhe do të them

se s’kam parë njeri tjetër

aq marrëzisht me detin të dashururar,

të ngjajë me bir të tij

e vetë hyu i tij sikur të ishte,

vetë kripa sikur qe krijuar prej qeshjeve të tij.

Asnjë zot e asnjë dreq e bir dreqi

s’mund të ishte shpellë e pafundme si ai.

Në shpella të bjeshkëve i pat ngujuar

dhitë briarta bashkë me zanat,

me zanat bënte dashuri natë për natë

e ditën i vizatonte ku të mundte,

ose në ndonjë letër të bardhë,

ose në ndonjë lëvore peme, a lëkurë dashi,

në ndonjë gjethe që ia sillte era,

në ndonjë faqemuri, a xham dritareje,

ose edhe në ajër…

 

Ditë për ditë i bënte edhe më të bukura

ato nuse të tij,

u jepte shpirt nga shpirti i tij,

u lëshonte rreze hijeshie

e i bënte si të ishin të gjalla

e pak si të trëmbura nga zgjimi i një ëndrre,

sa gati luaje mendsh prej kësaj bukurie

e të ndalej fryma,

fryma mund t’i ndalej edhe vetë Zotit,

të shituar prej kësaj bukurie,

perritë e parajsës do të uleshin në gjunjë

t’ua lanin këmbët…

 

Sonte kjava për ty

që na ikën e mbetëm pa i kërcyer

këto zjarre dëllinjash

edhe në këtë natë vere…

Dhe s’di pse m’u kujtua, s’di pse më thoshe

se kemi vetëm nja pesëmijë vjet njohje

e asnjëherë, asnjëgjysmëhere s’u grindem

dhe mbetem se mbetem

pa bujtur në ndonjë Shpellë të Vuthajve

që të kuvendonim si ai malësori legjendar

me kreshnikët Mujë e Halil

e të pinim verë mjalti

bashkë me ta, si viganët e mocëm ilirë,

më të mocëm se hëna

e vetë dreqi kur zbriti nga qielli…

 

Ndonëse nuk u lindëm që të dy binjakë

e që të dy në Vuthaj e në Strellc njëkohësisht

kujtonim se në gjinjtë e një nëne

patëm pir tambël

dhe vjershat i firmosnim me firmën ADISS-ASSA

e veten e conim në katin më të lartë të qiellit…

 

Gjithë kësaj nate e deri në zdritje të saj

m’u shfaqe herë në ecje të ngadaltë

e herë në ikje të rrëmbyeshme me vrap.

Me sa zë që kam mbeta duke thirrë:

Ndalu, ku shkon… Ku shkon Sadri!

Dhe ti si gjithnjë shkrep një buzëqeshje,

si gjithnjë më thua

se drejt ardhmërisë je nisë,

se prej andej ke ardhë

e atje është rrojtja jote…

Prill 2011.

 

 

KU JANË LIRIKAT E MIA?…

 

 

Ku t’i kërkoj?
Kush m’i vodhi?…
Në petalet e luleve aromë-dehëse mos kërko,
As në flokët e pakrehuna të shelgjeve nuk i gjen.
Në ujëvarat e bardha shkumbë jo, nuk janë.
Me cicërimat e zogjëve nuk janë përzi.
Lirikat e mia nuk janë cicërima.
Nën kapuçin e bardhë janë thinjë,
Në tela me gjemba janë mbërthye,
Në zgavrat e çiftelisë janë strukë,
Nëpër rrugët e vorreve janë shkelë,
Në thinjat e zemrave të nanave janë kacavarë,
Në buzët e gjakosura të fëmijëve janë gri
Dhe në besimin tim janë shkri.

 

 

BATO

 

Ka dy mijë vjet që gdhend me sqep
një shqiponjë gurin
e s’e shkruan atë emër…
Qiell e diell të Ilirisë përthekohen në të e
s’mbahet jashtë tij asnjë këmbë dhe,
asnjë fije bari, asnjë gurrë uji e grusht guri,
as dy gisht re s’kanë ku të kërcejnë,
ku të lëvizin s’kanë prej shigjetave e
thekamës së njëqind mijë zërave:
Vdekje vdis! Romë ikë! Largomu sysh!
Vdekje perandorive dhe vdekje perëndive!

Dhe tash sillmani një vreshtë-verë ta pi,
im vëlla qenka bërë prapë me djalë
dhe që të shtatët Bato i thërritka.

 

 

LOJË QENÇE

 

 

Unë i flas si njeri, ai me gjuhë qeni flet,
qençe leh, atë gjuhë di.
(Këtë gjuhë kurrë s’e mësova)

i ziu unë sa i humbur mbeta!…
Derrit s’po di t’i them dajë
dhe copa eshtrash s’po di t’i lëpij,

i ziu unë që mbeta njeri
dhe qençe të leh s’po di dhe s’po di!…

(S’di sa mijë vjet dhe këtë gjuhë s’e mësova.)

 

 

URTIA E PESTË

 

Ti në daç thuaj mik
atij që për çdo fjalë tënde rrah shuplakë
e për çdo fjalë tënde thotë është e artë…

 

 

 

URTIA E SHTATË

 

Edhe nëse je më i miri i gjithë poetëve,
do të vijnë të tjerë më të mirë se ti!
Kurrë s’ka fund urtia, baco!

 

 

 

SYLARUSHJA

(Këngë pleqërishte)

Po të ish shpirti kalavesh me rrush,
kokrra-kokrra do të ma kokrronin
ato gra që më patën dashur…

(Mos më thoni a i deshe
edhe emrat ua mban mend)

në sofër të këngës asnjë s’e shtrova,
mjaltë e qumësht gjatë nuk pinë,

sylarushja bardh’ si bora
shpirtmjaltë, mjaltë ndër hoje

m’u shtrua në sofër, më s’u ngrit
dhe më piu ditë për ditë.