Mujë Buçpapaj pjesë e hartës së poezisë bashkëkohore botërore
“E drejtuar me profesionalizëm, përkushtim dhe vizion estetik nga poeti me famë botërore, Dr. Zhang Zhi, revista “Rendition of International Poetry” është një botim shumëgjuhësh dhe tremujore që ndërthur poetë, përkthyes e studiues nga mbarë bota, duke ndërtuar një urë komunikimi midis kulturave, gjuhëve dhe ndjeshmërive poetike të epokës sonë.”
Poeti i mirënjohur shqiptar Mujë Buçpapaj botohet në kopertinën e revistës prestigjioze kineze “Rendition of International Poetry”
Një ndër tributat më të rëndësishme të poezisë botërore bashkëkohore, ka nderuar poetin shqiptar Dr. Mujë Buçpapaj duke e vendosur në kopertinën e numrit të saj, e cila do të botohet në muajin shkurt 2026. Ky gjest përbën një vlerësim të lartë për krijimtarinë poetike shqiptare në hapësirën ndërkombëtare dhe një dëshmi të ndikimit estetik që poezia shqipe po fiton në skenën letrare globale.
E drejtuar me profesionalizëm, përkushtim dhe vizion estetik nga poeti me famë botërore, Dr. Zhang Zhi, revista “Rendition of International Poetry” është një botim shumëgjuhësh dhe tremujor që ndërthur poetë, përkthyes e studiues nga mbarë bota, duke ndërtuar një urë komunikimi midis kulturave, gjuhëve dhe ndjeshmërive poetike të epokës sonë.
Në këtë numër, përveç prezantimit në kopertinë, revista i kushton Mujë Buçpapajt një hapësirë brenda saj, ku botohen disa prej poezive më përfaqësuese të autorit, të shoqëruara me një profil letrar që evidenton kontributin e tij në zhvillimin e poezisë bashkëkohore shqipe dhe asaj nderkombetare.”
Dr. Zhang Zhi, një figurë qendrore e poezisë kineze modern
Kryeredaktori i revistës, Dr. Zhang Zhi, është një ndër personalitetet më të shquara të letërsisë kineze bashkëkohore. I lindur në vitin 1965 në qytetin Phoenix të qarkut Baxian, provinca Sichuan, ai njihet njëkohësisht si poet, kritik, përkthyes dhe botues. Me pseudonimin letrar Diablo dhe emrin ndërkombëtar Arthur Zhang, ai ka ngritur një profil të admiruar në rrafshin letrar botëror.
Dr. Zhang mban titullin Doktor i Letërsisë dhe aktualisht ushtron disa prej funksioneve më përfaqësuese në fushën e studimeve poetike:President i Qendrës Ndërkombëtare për Përkthimin dhe Kërkimin e Poezisë. Kryeredaktor i Rendition of International Poetry Quarterly. Kryeredaktor i World Poetry Yearbook. Këshilltar i Qendrës për Globalizimin e Poezisë Kineze pranë Universitetit Nankai.
Që nga fillimi i karrierës së tij në vitin 1986, Zhang Zhi ka ndërtuar një opus të pasur krijues, i përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë të huaja, ndërsa ka botuar shtatë përmbledhje poetike, tetë përkthime dhe një roman. Veprat e tij janë vlerësuar me çmime të shumta ndërkombëtare në vende si Greqia, Brazili, SHBA, Izraeli, Franca, India, Italia, Austria, Libani, Maqedonia, Kosova, Rusia, Serbia, Maroku, Mali i Zi dhe Japonia, duke dëshmuar për një praninë e gjerë kulturore dhe një ndikim poetik që kapërcen kufijtë kombëtarë.
Mujë Buçpapaj, një zë i fuqishëm i poezisë shqiptare në botë
Dr. Mujë Buçpapaj përfaqëson një ndër zërat më të spikatur të poezisë bashkëkohore shqiptare, me një vepër që ndërthur thellësinë meditative, intensitetin emocional dhe vetëdijen estetike të gjuhës shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të huaja, duke marrë vlerësime të larta nga kritika letrare në Europë, Ballkan, Amerikën e Veriut, Azi dhe Afrikë.
Përveç krijimtarisë poetike, Buçpapaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore shqiptare si botues i gazetës letrare e kulturore “Nacional”, drejtor i Shtëpisë Botuese “Nacional” dhe drejtor i Institutit të Studimeve Albanologjike “Nacional” në Tiranë.
Në një prononcim për gazetën Nacional, poeti ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij të thellë ndaj Dr. Zhang Zhi për përfshirjen dhe vlerësimin e tij në këtë botim prestigjioz, si dhe revistes Rendition of International Poetry Quarterly. Në letrën që i ka dërguar kryeredaktorit, Buçpapaj shkruan:
I dashur miku im, Dr. Zhang Zhi,
Ju falënderoj me gjithë zemër që më keni përfshirë në “Rendition of International Poetry”, të cilën ju e drejtoni me një profesionalizëm dhe pasion intelektual të admirueshëm.
Jam thellësisht i nderuar që poezitë e mia janë përfshirë në këtë numër të revistës që do të botohet në shkurt të vitit të ardhshëm, si edhe për kujdesin tuaj miqësor në prezantimin tim në kopertinën e saj.
Me dëshirën më të mirë për të bashkëpunuar në të mirë të letërsive të dy vendeve tona dhe të lexuesve tanë.
Miqësisht,
Mujë Buçpapaj
Tiranë, Shqipëri
Kjo përfshirje e Mujë Buçpapajt në kopertinën e një reviste të këtij kalibri përbën jo vetëm një vlerësim personal për poetin, por edhe një moment domethënës për letërsinë shqiptare, e cila, përmes zërit të tij, vazhdon të bëhet pjesë aktive e hartës kulturore të poezisë bashkëkohore botërore.
Nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëdimensionale si botues i gazetës letrare e kulturore “Nacional” dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Nacional”, Dr. Mujë Buçpapaj është shndërruar në një prej figurave më me ndikim të kulturës bashkëkohore shqiptare në rajon Europë dhe botë. Falë përkushtimit të tij të pandërprerë ndaj vlerave humaniste të letërsisë, Buçpapaj ka ndërtuar një platformë të qëndrueshme për promovimin e letërsisë botërore në gjuhën shqipe dhe, njëkohësisht, për përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhët e botës, duke krijuar ura të qëndrueshme komunikimi kulturor midis Lindjes dhe Perëndimit. Nën drejtimin e tij, “Nacional” është kthyer në një arenë të hapur për dialogun letrar ndërkombëtar, ku fjala poetike dhe mendimi kritik bashkohen në një vizion universal të artit dhe njeriut.

