Disa poezi nga cikli “The Black Rum Poems” (Poezitë e Rumit të Zi) të poetit kanadez Chad Norman. Ai ka botuar deri tani gjashtëmbëdhjetë libra me poezi, e fundit ishte “Learning to Settle Down” (Duke mësuar të shtrohem) nga shtëpia botuese Black Moss Press në vitin 2015. Poezia e tij është shfaqur në një sërë publikimesh përqark globit. Ai është fitues i çmimeve “BC Writers’ Poetry” dhe Gwendolyn MacEwan Memorial Award. Jeton dhe punon në Truro, Nova Scotia. Një nga dashuritë e Norman është të lexojë dhe të ndajë poezinë me lexues në shkolla, bar-kafe, librari dhe skena teatrosh në Kanada.
NJË KOHË E SHKURTËR
Për Chris Cornell
Jeta është
si një ylber
që mund të qëndrojë
edhe në një fije të vetme
të rrjetës së merimangës.
NJË DITË VJESHTE
Pas shikimit
të një dokumentari
tre-orësh
mbi George Harrison,
eci
me fluturat,
një e verdhë,
tjetra
jo krejt e bardhë,
me nuanca të buta.
Secila ka një mbështellje
në krahë.
Kur kam qenë fëmijë
i preka
njëherë
dhe kur i hoqa gishtat
ishin mbuluar
me njëfarë pluhuri
që dukej
se i bën të fluturojnë,
çfarë, pa e ditur,
unë më pas
ua kisha vjedhur
përgjithmonë.
LAJM I MIRË NË NJË DITË TË TRISHTUAR
Për Gord Downie
Shumë nga ajo
që ishte zgjedhur
për t’u shpallur sot
është zgjedhja vetë.
Një botues ka dërguar
kontratën,
një gazetë për të cilën kam luftuar
me vite për t’u bërë pjesë
dhe megjithatë
ca media të tjera
na informuan më herët,
neqë jemi admiruesit e saj,
qeniet që e duam atë
dhe lirikat e tij.
Ai nuk kishte zgjedhje
në këtë rrugëtim…
Tani duket të jetë
zgjedhja e një tumori
që zgjodhi trurin e tij
si një vjedhës i durueshëm
që e di pak a shumë kur
një derë apo një dritare
është lënë e pakyçur,
veçse pronari
është ende në shtëpi.
GJËRA PËR T’U BËRË
Për Doug C.
Dëshira ime është
të ndaloj të gjithë luftërat aktuale,
një dëshirë që më vjen
në mendje
si një këngë që nuk e dua:
Të mendoj
për të gjitha gratë
të cilat kanë parë
burrat e tyre
duke dhënë frymën e fundit;
një dashuri supreme
e dhënë nga Coltrane
atë vit që isha gjashtë vjeç,
është ende dashuria
që e kërkoj edhe sot;
Të gjithë të uriturit,
jo më në radhë
të ulur në tavolina
për një vakt ushqimi
që do t’ia ndjejnë ngadalë shijen;
Të kënaq barërat
që s’mund të jenë më të bukura
për shkak të të ftohtit
por mbeten të lulëzuara
në kujtesën time bujare;
Të çliroj gruan time
nga virusi lakmitar
që e mori
nga djali që tani u bë 18 vjeç,
gati për burrërinë e hershme;
Të gjithë politikanët e botës
Të çohen në një piknik
ku ka një tavolinë
ku ata mund të gdhendin
emrat e tyre të vegjël në të;
Dhe juve dhe mua pastaj
të na hiqet dyshimi
nga çdo lloj mundësie
që e dimë se do të ndërrojë
mendjet e atyre
që duan të ecin përpara
krahasuar me ne, po,
pikërisht krahasuar me ne.
JEP DIÇKA MBRAPSHT
Kur këndohet një këngë,
ndoshta edhe gurët e tokës
lëvizin paksa, kur digjem
të jem një qenie njerëzore
plot me urrejtje për këngët
e shkruara për çorientim.
Them mos e lër ritmin
të të përhumbë, mos
e lër planetin
që e ndjen nën këmbë,
të bëhet pjesë e një pazari,
pjesë e diçkaje
që nuk mund t’ia thuash emrin-
jep diçka në këmbim,
ndjeje muzikën
dhe daullet, jep tani,
jep diçka mbrapsht
mblidhe veten,
mblidhe veten,
a e kupton tani
sa mirë ndjehesh
daullet kanë qenë
udhërrëfyesja jote, vazhdo
mbaje çdo gjë që ke,
mos e lër të ta vjedhin ritmin
shko drejt tij,
kupto që stinët
kanë të gjitha domethënie.
Ok?
SI TË SHKRUAJ PËR DASHURINË
Vështroj
si ai djali verior
që vë re
se pas lindjes së tij
bota është më e madhe
nga ç’e kishte menduar.
Vështroj
ndërsa mendja ime bëhet
më e madhe sesa
tërësia e qelizave të trurit.
Shkoj në punë
me qëllim që
të shlyej faturat,
truri im vendos
të kthehet disa vite pas
të qëmtojë
çfarë mund të më lejojnë
rreshtat e poezive të mia
të shkruaj.
Dashuria thotë
sei ka të gjithë përgjigjet.
Dashuria thotë se
do t’i mbartë të gjitha brengat e mia.
Dashuria thotë se mund të jetë atje
ku unë përplasem.
Por që të jesh i zgjuar
në vitin 2018
nuk ka ndonjë ndryshim
me të qenit i zgjuar
kur njeriu ishte zënë në kurth
në vitin kur ai e kuptoi,
si unë tani. Dashuria
nuk e ka vullnetin të përshtatet
siç ajo insiston se duhet.
Kështu që unë ngrihem
dhe i tregoj Dashurisë
të mos përzihet me
çfarë nuk e ka idenë,
dhe të më çojë
si poet
aty ku kohërat
dhe e gjitha çfarë kërkohet,
përfaqëson atë çfarë është.
Në fund të fundit, ne përpiqemi,
poetët, dhe unë.
NJË NJERI KA NJË PYETJE
A ka
një këngëtare femër
që do të
shpaloste
lafshën e penisit
me fjalët e saj
e njëjtë si
një këngëtar mashkull
që do të hapte
palët
e vaginës
apo janë
të paaftë për t’iu dhënë zë
monologjeve të tyre?