Poezi nga Chad Norman (Kanada).   Përkthyer nga Kujtim Morina  

 

 

Disa poezi nga cikli “The Black Rum Poems” (Poezitë e Rumit të Zi) të poetit kanadez Chad Norman. Ai ka botuar deri tani gjashtëmbëdhjetë libra me poezi, e fundit ishte  “Learning to Settle Down” (Duke mësuar të shtrohem) nga shtëpia botuese Black Moss Press në vitin 2015. Poezia e tij është shfaqur në një sërë publikimesh përqark globit. Ai është fitues i çmimeve “BC Writers’ Poetry”  dhe Gwendolyn MacEwan Memorial Award. Jeton dhe punon në Truro, Nova Scotia.  Një nga dashuritë e Norman është të lexojë dhe të ndajë  poezinë me lexues në shkolla, bar-kafe, librari dhe skena teatrosh në Kanada.

 

NJË KOHË E SHKURTËR

Për Chris Cornell

 

Jeta është

si një ylber

që mund të qëndrojë

edhe në një fije të vetme

të rrjetës së merimangës.

 

 

NJË DITË VJESHTE

 

Pas shikimit

të një dokumentari

tre-orësh

mbi George Harrison,

eci

me fluturat,

një e verdhë,

tjetra

jo krejt e bardhë,

me nuanca të buta.

Secila ka një mbështellje

në krahë.

Kur kam qenë fëmijë

i preka

njëherë

dhe kur i hoqa gishtat

ishin mbuluar

me njëfarë pluhuri

që dukej

se i bën të fluturojnë,

çfarë, pa e ditur,

unë më pas

ua kisha vjedhur

përgjithmonë.

 

 

LAJM I MIRË NË NJË DITË TË TRISHTUAR

Për Gord Downie

 

Shumë nga ajo

që ishte zgjedhur

për t’u shpallur sot

është zgjedhja vetë.

Një botues ka dërguar

kontratën,

një gazetë për të cilën kam luftuar

me vite për t’u bërë pjesë

dhe megjithatë

ca media të tjera

na informuan më herët,

neqë jemi admiruesit e saj,

qeniet që e duam atë

dhe lirikat e tij.

Ai nuk kishte zgjedhje

në këtë rrugëtim…

Tani duket të jetë

zgjedhja e një tumori

që zgjodhi trurin e tij

si një vjedhës i durueshëm

që e di pak a shumë kur

një derë apo një dritare

është lënë e pakyçur,

veçse pronari

është ende në shtëpi.

 

GJËRA PËR T’U BËRË

Për Doug C.

 

Dëshira ime është

të ndaloj të gjithë luftërat aktuale,

një dëshirë që më vjen

në mendje

si një këngë që nuk e dua:

Të mendoj

për të gjitha gratë

të cilat kanë parë

burrat e tyre

duke dhënë frymën e fundit;

një dashuri supreme

e dhënë nga Coltrane

atë vit që isha gjashtë vjeç,

është ende dashuria

që e kërkoj edhe sot;

Të gjithë të uriturit,

jo më në radhë

të ulur në tavolina

për një vakt ushqimi

që do t’ia ndjejnë ngadalë shijen;

Të kënaq barërat

që s’mund të jenë më të bukura

për shkak të të ftohtit

por mbeten të lulëzuara

në kujtesën time bujare;

Të çliroj gruan time

nga virusi lakmitar

që e mori

nga djali që tani u bë 18 vjeç,

gati për burrërinë e hershme;

Të gjithë politikanët e botës

Të çohen në një piknik

ku ka një tavolinë

ku ata mund të gdhendin

emrat e tyre të vegjël në të;

Dhe juve dhe mua pastaj

të na hiqet dyshimi

nga çdo lloj mundësie

që e dimë se do të ndërrojë

mendjet e atyre

që duan të ecin përpara

krahasuar me ne, po,

pikërisht krahasuar me ne.

 

 

JEP DIÇKA MBRAPSHT

 

Kur këndohet një këngë,

ndoshta edhe gurët e tokës

lëvizin paksa, kur digjem

të jem një qenie njerëzore

plot me urrejtje për këngët

e shkruara për çorientim.

Them mos e lër ritmin

të të përhumbë, mos

e lër planetin

që e ndjen nën këmbë,

të bëhet pjesë e një pazari,

pjesë e diçkaje

që nuk mund t’ia thuash emrin-

jep diçka në këmbim,

ndjeje muzikën

dhe daullet, jep tani,

jep diçka mbrapsht

mblidhe veten,

mblidhe veten,

a e kupton tani

sa mirë ndjehesh

daullet kanë qenë

udhërrëfyesja jote, vazhdo

mbaje çdo gjë që ke,

mos e lër të ta vjedhin ritmin

shko drejt tij,

kupto që stinët

kanë të gjitha domethënie.

Ok?

 

SI TË SHKRUAJ PËR DASHURINË

 

Vështroj

si ai djali verior

që vë re

se pas lindjes së tij

bota është më e madhe

nga ç’e kishte menduar.

Vështroj

ndërsa mendja ime bëhet

më e madhe sesa

tërësia e qelizave të trurit.

Shkoj në punë

me qëllim që

të shlyej faturat,

truri im vendos

të kthehet disa vite pas

të qëmtojë

çfarë mund të më lejojnë

rreshtat e poezive të mia

të shkruaj.

Dashuria thotë

sei ka të gjithë përgjigjet.

Dashuria thotë se

do t’i mbartë të gjitha brengat e mia.

Dashuria thotë se mund të jetë atje

ku unë përplasem.

Por që të jesh i zgjuar

në vitin 2018

nuk ka ndonjë ndryshim

me të qenit i zgjuar

kur njeriu ishte zënë në kurth

në vitin kur ai e kuptoi,

si unë tani. Dashuria

nuk e ka vullnetin të përshtatet

siç ajo insiston se duhet.

Kështu që unë ngrihem

dhe i tregoj Dashurisë

të mos përzihet me

çfarë nuk e ka idenë,

dhe të më çojë

si poet

aty ku kohërat

dhe e gjitha çfarë kërkohet,

përfaqëson atë çfarë është.

Në fund të fundit, ne përpiqemi,

poetët, dhe unë.

NJË NJERI KA NJË PYETJE

 

A ka

një këngëtare femër

që do të

shpaloste

lafshën e penisit

me fjalët e saj

e njëjtë si

një këngëtar mashkull

që do të hapte

palët

e vaginës

apo janë

të paaftë për t’iu dhënë zë

monologjeve të tyre?

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here