Gazeta Nacional Albania

Poezi nga EUGENIO MONTALE. Përktheu: Anton PAPLEKA

Në 40-vjetorin e vdekjes

KRITERI ISHTE VENDOSUR QYSH MË PARË

Nga EUGENIO MONTALE, 1896-1981, Itali
Çmimi Nobel për Letërsi më 1975

VETËM NJË VES

Aktorë të këqij të maskuar si poetë
burokratë arrogantë
pehlivanë pedantë
ju jeni vetëm flamurmbajtës
që tundni banderola të dala boje.
Të jesh poet nuk është një titull lavdie.
Është vetëm një ves i natyrës,
një barrë që e mban në kurriz,
një frikë që e përball me durim.

1973

KRITERI ISHTE VENDOSUR QYSH MË PARË

Kriteri ishte vendosur qysh më pare,
së pari imitues, censurues,
vlerëmohues, arrivistë
që, nganjëherë, e lejonin ndonjë të harruar
të nxirrte kokën mbi ujë.
Ardhmëria e poezisë është në duart e njerëzve
me gjykim arbitrar.
Poezia është bërë objekt skedash
të mbushura nga të ashtuquajturit njohës
të cilët nuk e dinë se u mungon
atributi i duhur .
Të lumtë Të lumtë dora dhe mendja
shkruajnë ata të bashkuar në kor,
po kush janë këta njerëz?
Spekulatorë fjalësh
ose politikanë të penës
që hidhen përpjetë nga gëzimi
kur i homologojnë të gjithë.
Por më pas ata e zbulojnë lojën e tyre:
ta bëjnë gjithçka të paformë, të rrafshojnë gjithkënd.
Dhe ky projekt i turpshëm do të çojë Italinë
drejt rrënimit të pashmangshëm moral.

1974

TI MË TELEFONON PËR TË MË KUJTUAR

Ti më telefonon për të më kujtuar
se unë kam thënë: Çmimi Nobel
nuk duhet të pranohet,
sepse nuk ia japin gjithnjë më të mirit.
Forgive me, unë e pranoj nga droja.
Shpërblimi i rëndësishëm nuk është fyerje,
po përkundrazi është një mbrojtje nga grackat
e zhvlerësimit. Mos prit nga një plak
trimëri të mëdha.
Gjithmonë vlerësimet mbërrijnë
me vonesë, kur edhe një titull i lakmuar
të duket fare i kotë .
Koha e ngjarjeve që ndodhin
nuk është koha jonë.

KAM ZBRITUR NJË MILON SHKALLARE

Kam zbritur së paku një milion shkallare duke të dhënë krahun,
dhe tash ti nuk je më pranë meje,
në çdo shkallare është zbrazëtia.
Edhe kështu udhëtimi ynë qe i shkurtër.
Udhëtimi im vazhdon ende dhe nuk kam më nevojë
për stacione të ndërmjetme, për rezervime,
për gracka, për zhgënjime, nga të cilat del
se realiteti është ai që shohim.
Miliona shkallare i kam zbritur duke të dhënë krahun,
jo se katër sy pa dyshim shohin më mirë.
Ato i kam zbritur me ty duke e ditur se te ne të dy
të vetmet bebëza të vërteta, pavarësisht nga perdet,
ishin ato të tuat.

1967
MË VRET NDËRGJEGJJA

Më vret ndërgjegjja ngaqë kam shtypur
një mushkonjë në mur, një thnegël në truall.
Më vret ndërgjegjja, por ja ku kam veshur kostum të errët
Për të shkuar në një kongres, në një pritje.
Ndiej dhimbje për gjithçka, edhe për skllavin e stërkequr
që më jep këshilla për të marrë pjesë diku,
ndiej dhimbje për leckamanin, të cilit nuk i dhashë lëmoshë,
ndiej dhimbje për marrokun
që kryeson administratën.

1968

ËSHTË QESHARAKE TË MENDOSH

që njerëzit e nesërm
mund të jenë njerëz,
është qesharake të mendosh
që majmuni të ketë shpresuar
të ecë një ditë
me dy këmbë.

Është qesharake
ta lësh peng kohën
dhe është po aq qesharake
të imagjinosh një kohë
të ndarë në shumë kohë.

Dhe më qesharake sesa gjithçka tjetër
është të hamendësosh
që diçka ekziston
përtej të ekzistueshmes
e vetmja gjë që nuk përpiqet fare
për të ekzistuar.

1968

SHMANGI NGECJET NË CEKËTINË

Shmangi ngecjet në cekëtinë
ti që kërkon gjithçka
që nuk i pranon lavdinë dhe famën.
Mbahu fort pas të bukurës, pas ëndrrës,
Mos u mashtro nga iluzionet e të tashmes.
Muza e dashurisë do të t’i hapë dyert
e Elizesë, tingujt e fjalëve të tua
janë shpërblimi që do të marrësh për të harruar
shijen e hidhur të kritikave, heshtjet.
Poezitë e tua të tejdukshme si kristali
nuk do të vdesin në vazhdën e përmortshme,
tashmë ato i kanë kapërcyer skakierat e përzishme
që lënë gjurmë në fatet tona.
Në orën që u pëlqen engjëjve
gjithçka do të ndryshojë papritmas:
Kështu është e shkruar.

1974

NJË GABIM

Pashmangësisht dikush do të thotë
se këtu flet një plak matuf.
Sikur dija
të matej me numrin e viteve.
Nuk ka jetë të shkurtra as jetë të gjata,
por ka jetë të vërteta, ka jetë të vdekura ose që duken si tilla.
Nuk do të më nxjerrin nga një lumë
të fryrë si një sfungjer. Dhe ky gabim
paguhet.

14 mars 1977

MBARUAN LAJMET

Mbaruan lajmet
Nga San Felice.*

Gjithmonë ty të kanë pëlqyer udhëtimet
dhe në rastin më të parë
ti je hedhur
nga kamarja e vdekjes.

Po tashti si ta njohim njëri-tjetrin
në Eter ?

1979

*Në varrezën e San Felice-s , në Ema, pranë Firences, janë varrosur Mosca dhe poeti.

TËRË BESIMI QË KAM TEK TI

à C*

Tërë besimi që kam tek ti**
do të vazhdojë
(ta kam thënë një ditë këtë marrëzi)
derisa vetëtima e përtej-botës do ta shkatërrojë
këtë vendgrumbullim plehrash ku rrojmë.
Atëherë do të gjendemi nuk e di në ç’vend,
nëse të thuash vend ka kuptim kur mungon hapësira,
siç pohon një varg i tillë i diskutueshëm
i poemës hyjnore. ***

Unë e di se përtej të dukshmes e të prekshmes
nuk ka kurrfarë jete të mundshme, por përtej-jeta
ndoshta është faqja tjetër e vdekjes
që fshihej brenda nesh gjatë kaq e kaq vitesh.

Tërë besimin që kam te vetja ime
ti e gjallërove pa dashur
pa e ditur, sepse në këtë botë
çdo grimcë jete përmban një derë të hapur
për të cilën nuk dimë gjë dhe ndoshta
na priste aty ku e kishim humbur udhën
të pazotë për t’i dhënë një kuptim.

Tërë besimi që kam, digjet brenda meje ;
sigurisht kur të më shohin
do të pandehin se jam prej hiri,
pa e vënë re rilindjen time.

1979

*Clizia-Clytie, frymëzuesja që është e pranishme në tërë veprën e poetit
**Varg i huazuar nga një poemë e Antonia Pozzi-t
***Komedia Hyjnore