Gazeta Nacional Albania

POEZI NGA HUNGARIA. Përktheu : Anton PAPLEKA

Endre Ady,1877-1919

PSHERËTIMË NË MUZG

Tërë kjo lumturi që buis
Dhe ajo është e një tjetri,
Tërë ky ar që tringëllin
Dhe ai është i një tjetri,
Tërë kjo gjallëri e madhe
Dhe ajo është e një tjetri,
Tërë këto femra rreth e qark
Dhe ato janë të një tjetri,
Tërë këto kënaqësi të reja
Dhe ato janë të një tjetri,
Tërë këto shpresa të brishta
Dhe ato janë të një tjetri,
Tërë kto gjëra,
Tërë këto gjëra të bukura,
Tërë këto gjëra të shenjta :
Dhe gjithçka është e një tjetri.

Gyulia Illyes,1902-1983

ZBULUESIT E MI

Të mbështetur mbi gjinjtë e tu,
Gishtat e mi buzëqeshnin.
Te dora jote kishin besim.
Te zverku yt thoshin falemnderit.
Po, gjithë këto gjëra mund t’i bënin vërtet.

Dhe ata dinin të më katandisnin në hiç mua,
Robin e kryelartësisë dhe të dyshimeve të mia,
Që të më jepej mundësia të lindnim bashkë
Ashtu si binjakët.

Pati vështrime dhe fjalë,
Dhe psherëtima lehtësimi.
Ardhmëria dhe e kaluara ime
Kështu mund të kalonin te ti.

Mirëpo gishtat e mi qenë
Aleatë e mi më besnikë.
Gishtat e mi të dëlirë, zbulues të fismë,
Ngaqë pinë fytyrën tënde,
Këtë cast, ta dhanë zemrën time.

György Somlyo, 1920

PAK MATEMATIKË

Çdo ngjarje është e vogël
Si të mos kishte ndodhur gjësend
Ca fjalë u thanë
Ca fjalë u nxorën nga goja
Ca fjalë që nuk u thanë
Gjeste që u bënë
Gjeste që filluan të bëheshin
Gjeste që nuk u bënë
Pikëprerje të rastit
Paralele të rastit
Tangjente të rastit
Ndriçime tinëzare
Rrezatime të fshehta
Tërheqje të pavënaré
Ngjarja është e vogël
Çdo ngjarje është e vogël
Nganjëherë ngjarja është po ajo
Vetëm vazhdimet e saj janë të ndryshme
Vetëm e vetëm pëmes pasojave të saj
Rritet rritet rritet
Deri te caku n i pallogaritshëm
Çdo ngjarje tejet e vogël

Janos Pilinszki, 1921

HËNA E PLOTË

Del hëna në qiell
Me po atë fërgëllimë
Dhe me po atë butësi
Që ndonjëherë i vëmë re
Kur gazavaji i ritakimit
Me një tronditje i përzien
Dy fytyra dy duar
Ku vërshon lumturia!

Timar György, 1929

JERIKO

Megjithatë herën e shtatë muri u shemb
Dhe në saj të revolucionit të frekuencave
Ngërdheshja e e banorëve të kullave u shndërrua në një kuisje
Të bluar nga grumbujt e gurëve që rrokulliseshin

Herën e shtatë

Budallenjtë qeshin gjithmonë gjashtë herë
Përse para fitores së fizikës
Gjithmonë ka gjashtë disfata
Që vetë triumfit i japin një shije të hidhur

Herën e shtatë

O Zot çfarë besimi i dehur e madhështor duhet
Për t’u sjellë rreth e qark qytetit duke u rënë borive
Gjashtë herë për të dëgjur gjashtë herë
Të qeshurën e pakuptueshme të bastioneve

Gozhda të herës së shtatë

Madje fryma e parë
Çliroi vibracionin te gurët
Buçima e parë e trumbetës kafshoi në çast
Për vdekje heshtjen e tendosur si heshtje varri

Dhe megjithatë shtatë herë

Duhet t’i vish rrotull qytetit shtatë herë
Me një besim të madh dhe me instrumente të rënda
Me një dije të thellë dhe me një vullnet të rëndë
Të dënesësh gjashtë herë duke i rënë trumbetës
Madje edhe mbi grumbullin e gërmadhave

Herën e shtatë

Györe Imre, 1934

LAVDËRIM PËR BERTOLT BRECHT-IN

Zotëri B. B. pse qenka më i mirë
Sesa shumë të tjerë? A mos ndoshta për shkak të rimave të tij?
Jo, jo.
Në atë kohë edhe shumë të tjerë
Shkruanin poema.
A mos ndoshta ngaqë ai na ka bërë të vrasim mendjen,
Sepse ai fill i vetëm
Ka medituar për punët e kësaj bote?

Sepse ata që kishin dëshirë
Mund ta kishin vrarë mendjen gjatë
Se si ta ndalonin Arturo Ui-në.

A mos ndoshta ngaqë ai i pati sytë në ballë,
(Kur mund të mos i kishte në ballë) ?
Jo, jo.
Edhe të tjerë i patën sytë në ballë.
Po atëherë përse qenka më i mirë sesa shumë të tjerë?
Gjithashtu z. B. B. dinte më shumë
Sesa ajo që e dinin edhe të tjerë
Atë që donin njerëzit e një klase,
(Edhe në qoftë se këta njerëz nuk e dinin),
Ndonëse shpesh ka pasur rast
Ai që nuk e harronte për asnjë sekondë
Atë që dinte.

Imre Oravecz, 1943

RËRA…

Rëra, shermendë pa jetë,
Lakuriq, rrokin njëri-tjetrin
Koleksione gjestsh luleshkundura.

Masa të lagura e vishtullake
Pas tyre puqen.

Lëvorja është shkoqur,
Është çngjyrosur,
Kalbëzohet,
E pamundur ta ndalësh,
Ajo shket
Poshtë.

Mospërfillës, cung peme,
Ti rri aty gojëkyçur.

Rërë para teje.

Varady Szabolcs, 1943

DY KARRIGE SIPËR DANUBIT

Me një fjalë, sipas mënyrës së tyre
Ato të dy karrige nuk ishin të shëmtuara. Sa keq
Që sustat u kishin dalë jashtë dhe stofi i tyre
Kutërbonte shurrë! Por ato ishin karrige përnjëmend
Dhe ç’karrige se! Në atë farë apartamenti!
Pra, të shumtën e kohës ne i bartëm mbi kokë
Nga rruga Orlay, nëpër ish-urën
François Joseph – sot ura e Lirisë –
Deri te nr 2, rruga Raday ku në atë kohë banonte P.
(po t