POETËT JANË TË VARFËR
Rosy Gallace ka lindur në Guardavalle, në provincën Katanxaro të Kalabrisë dhe jeton në Reskaldina të Milanos. Në vitet ‘60 u transferua me familjen në Legnano (Milano), ku studioi dhe punoi. Që në rini ka kultivuar pasionin për të shkruar poezi e tregime. Nga 2011 filloi të merrte pjesë në konkurse letrare kombëtare e ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime të shumta dhe prestigjioze, përfshirë Çmimin e Kulturës në vitin 2014.
Rosy Gallace është ideatore, organizatore dhe presidente e disa konkurseve letrare. Organizon lexime poetike dhe prezantime librash, si dhe është anëtare jurie në konkurse të ndryshme letrare. Ka botuar librat me poezi: “Fragmente të vogla”, “Ditët që mbeten”, “Fjalët e pathëna”, “Gjurmë kujtese”, “Përtej fjalëve” dhe “Transparencë e dritë “. Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze, shqipe dhe rumune. Në vitin 2021, në logon e Shtëpisë Botuese ADA, dhe me përkthimin e poetes, shkrimtares e përkthyeses Irma Kurti botoi përmbledhjen poetike “Përtej fjalëve”. Ky cikël është marrë nga libri i saj i fundit i titulluar “Transparencë e dritë”.
POETËT JANË TË VARFËR
Poetët janë të gjithë të varfër,
megjithatë, të pasur me ëndrra,
me fantazi, me emocione
që gati askush nuk i blen.
Poetët dhurojnë vite me fjalë,
i lënë ato pezull në hapësirë
ashtu si miliona meteorë
dhe kur në një natë me hënë
të plotë ndonjëra prej tyre bie,
zemra e poetit ndalet për
t’i dhuruar një ëndërr, një
dëshirë dikujt që s’ka mundur ta blejë.
DITA IME E PAVLERË
Qielli është gri këtë mëngjes,
gri si shpirti im
si mendimet, si një shpresë.
Unë endem e përhumbur
duke kërkuar kuptimin e orëve
që rrjedhin ngadalë dhe bosh.
E hap dollapin në stinën e verës
dhe vesh fustanin tim me lule
të bruzta si qielli i dikurshëm.
Duke u parë në pasqyrë zbuloj
ledhatimet e fshehura nga rrudhat,
kështu, papritmas gjej kuptimin
e ditës sime të pavlerë.
SAHATI PA KOHË
Akrepat e sahatit me lavjerrës
kishin ndalur aty prej vitesh
fshehur mes trarëve të vjetër,
mes gjetheve të zverdhura,
mes rrënojave e hedhurinave.
Ai mëngjes i ngrohtë fundvere
më çoi në atë magji joreale.
Më pushtuan zërat, ngjyrat, imazhet,
aromat ku reflekset e dritës së heshtur
tregonin një fëmijëri të largët.
E mahnitur, u përkunda nga kënga
e një bilbili që rrinte mbi atë sahat pa kohë.
NËNËS SIME
Të shoh përsëri
me fustanin tënd ngjyrë blu
duke u mbajtur tek një bastun.
Më mirëpret me buzëqeshjen
e zakonshme, ke akoma forcë
të me bësh nje kafe dhe një nga
biskotat e tua të sapopjekura
të më ofrosh.
Nuk bën pyetje, por i përgjigjesh
të gjitha heshtjeve të mia dhe më
tregon ëndrrën e fundit për babain.
Pastaj më përcjell tek më pëshpërit
në vesh: “Gjithçka do të sistemohet”.
Nga dritarja mes barbarozave ma bën me dorë.
Barbarozat janë ende atje. Edhe ti je ende
pas dritares dhe i përgjigjesh të gjitha heshtjeve të mia.
PRITJA
Dantella të bardha
zbukurojnë pjeshkën e egër
në këtë dimër të gjatë.
Pritjet e pafundme humbasin
në ditë monotone dhe të ftohta
pas asaj dritareje gjithmonë të mbyllur
në një heshtje të vazhdueshme që dhemb
më shumë se një fyerje apo një lamtumirë.
NJË VIT PA TY
Ditë të pajetuara.
Koha ka ndalur në një
mëngjes të ngrohtë pranveror.
Sa më mungon ajo muzikë!
Ngjitej nëpër shkallë, përmbyste
dhomat, ngjyroste ajrin.
Sa shumë më mungon
ai parfum i ndrojtur dhe i freskët
pas rruajtjes në moshën tënde të re.
Kur takohemi
dukesh më i rritur.
Dhe unë kam humbur gëzimin e atij çasti
të një numri më shumë të këmishës tënde.
Shikon një rrudhë të re
rreth syve të mi të futur
dhe ato pika vese
që pas syzeve unë i fsheh.
Të përgjigjem se është veçse dhe vetëm
faji i kohës që kalon. Ndërsa buzëqeshja
jote e butë iluzione më krijon. Ndoshta
pranvera mund të kthehet përsëri!
LLOGARIA ËSHTË SHËRBYER
Copëza letrash
të lëna këtu dhe atje
në çdo cep të shtëpisë.
Pjesë të jetës, të historive, të dashurive
të mbledhura në një frazë:
My love forever
Pesëmbëdhjetë vjet,
dashuria në gjoks; e papërmbajtshme
shpërthen në ajër, në qiej,
përshkon qytete.
Një lule e tharë
mes faqeve të një libri.
Duar të fishkura
mezi e ngrenë
my love, my life, the end
ju lutem: llogaria është shërbyer
në copëzën e fundit të letrës.

