Gazeta Nacional Albania

Poezi nga Yves Bonnefoy (Iv Bonfuà). Përktheu: Anton PAPLEKA

Yves Bonnefoy (Iv Bonfuà) lindi në Tours më 24 qershor 1923 dhe vdiq në Paris më 1 korrik 2O16. Studioi për matematikë e filozofi në Tours, në Poitiers dhe në Paris. Qysh nga viti 1944 jetoi në Paris. Ka bërë udhëtime në vendet e Mesdheut e në Amerikë. Ka dhënë ligjërata në univeristete të ndryshme dhe ka qenë profesor në Kolegjin e Francës. Ka botuar poezi, esé dhe është marrë me përkthime.
Veprat e tij kryesore janë :
Në poezi: Për lëvizjen dhe palëvizshmërinë e Duvës, 1953; Dje kur mbretëronte shkretëtira, 1958; Guri i shkruar, 1965; Tek iluzioni pragut, 1975 etj.
Ese: Piktura murale në Francën gotike, 1954; Arthur Rimbaud, 1961; Romë 1630 : Horizonti i barokut të parë, 1970 ; Bashkëbisedime për poezinë, 1981 ; Prania e imazhit, 1983 etj.
Përkthime nga Skakespeare : Makbeth, Hamlet, Mbreti Lir, Romeo e Zhuljeta, Jul Qesari, Henriku IV, Venusi dhe Adonisi etj.

IV BONFUA PËR POEZINË

Unë do të doja t’i bashkoja, pothuaj t’i identifikoja poezinë dhe shpresën.
+
Kur vendi i poetit nuk është i lirë, kur dikush tjetër ulet në vendin e tij, kjo gjë është e rrezikshme, është një rrezik për poezinë.
+
Poezia ka një rol që nuk mund ta zëvendësojë asgjë. Në qoftë se ajo do të zhdukej krejtësisht, bashkë me të do të rroposej shoqëria njerëzore.
+
Sigurisht kjo vizë e majës së lapsit që vizaton të gjitha krahinat e tokës, është një “shteg i ngushtë”, por ajo na bën të kuptojmë shpejt se të gjitha vendet kanë vlerë të barabartë, se njeriu ndodhet gjithmonë në qendër të tokës.
+
Nganjëherë më pyesin se çfarë është ajo që unë e quaj prani. Ja cila është përgjigjja ime : prani është ajo që ndiejmë në një çast që ka thellësi, kur na duket sikur nga gjithçka që takojmë, asgjë të mos kishte mbetur jashtë vëmendjes së shqisave tona.

TË TJERËT PËR IV BONFUANË

Në veprën e tij kanë ndikuar poezia e Malarmesë dhe e Valerisë, e Rilkes dhe e Miloshit. Në sipërfaqen e kësaj vepre, në të cilën Alen Boskeja sheh me të drejtë një orvatje për okultizimin e ligjërimit, nxjerrin krye plot nostalgji romantike.

Jean Rousselot

Vepra madhore e Bonfuasë është kërkimi i një gjetiu, i një „prapatoke“, një shkrimtarí e rreptë që i jep dialektikës së jetës dhe të vdekjes një prani që nuk të shqitet nga mendja.
Jacques Imbert

Bonfuaja nuk i zë besë konceptit që e fsheh njeriun, duke e mbyllur në një „vazhdimësi të rreme“. Brenda ligjërimit, ai përpiqet të gjejë plasaritjen, të çarën nga ku rrjedh bukuria e ndjeshme.

Jean Breton

Mrekullia e harmonishme e hijes së ndriçuar nga drita që eklipsohet, të cilat herë bashkohen tok dhe herë divorcohen; poezia e kosideruar si lumturia e të pakapshmes. Një poezi shumë e pastër, e cila, përtej asaj që thuhet
shkoqur, kujdeset t’i hapë dyert para butësisë së misterit.

Alain Bosquet

Poemat e Iv Bonfuasë, tregimet e tij, esetë e tij për artin dhe për letërsinë, përkthimet e tij, koherenca artistike dhe intelektuale që i karakterizojnë, e kanë bërë atë një nga figurat qendrore të epokës sonë. Përhapja e librave të tij, prania e tyre e vazhdueshme për një kohë të gjatë në debatin bashkëkohor rreth letërsisë dhe estetikës së formave kanë kontribuuar për ta bërë të pashmangshëm mendimin e tij për çdo qenie që dëshiron sot „të banojë poetiksht në tokë“ (Holderlin).

Fabio Scotto

Në qoftë se ende është tepër herët për të caktuar në mënyrë përfundimtare vendin e Bonfuasë në historinë e poezisë franceze, nuk ka dyshim se vepra e tij përfshihet në një traditë, fytyra e së cilës është ravijëzuar nga Nervali dhe
Bodleri, pastaj nga Remboja dhe Malarmeja dhe më vonë nga Bretoni. Poet i pranisë, Iv Bonfuaja njëkohësisht nuk ka reshtur së dëshmuari deri në ç’pikë ajo ngrihej vetëm në sfondin e një mungese, e cila, te shumë autorë, së pari është një mungesë më vete. Megjithatë për nga këmbëngulja, me të cilën është përpjekur ta shpuzitë zjarrin e kësaj pranie, qoftë edhe atje ku dukej se mungonte çdo dru, ai është bërë një nga bashkëkohësit që janë të domosdoshëm për epokën tonë.

John E. Jackson

Diptiku emblematik i forcave negative (Elioti) dhe i forcave të transgresionit pozitiv (Bonfuaja) që ballafaqohen, mund të komentohet kështu: në vitet që vijnë, poezia a do të jetë një poezi, e cila, nën shenjën e Eliotit do të marrë përsipër estetikën e negaivitetit dhe të mungesës, poetikën e krizës së kuptimit dhe të epilogut (në kuptimin që Steiner-i i jep këtij termi: epoka e
„pas-logosit“)? Apo nën shenjën e Bonfuasë, ajo do të formulojë shpresën për një ngjitje në drejtim të kundërt të rrjedhës së modernitetit poetik dhe të tundimit të dëshpërimit që sundon në të, në emër të një hipoteze të kuptimit, që gjithmonë është e rrezikuar, e paqetë, që ka vlerë edhe për nga brishtësia e saj?

Michèle Finck

Në qoftë se Iv Bonfuaja shkruan dhe boton shumë, në qoftë se vepra e tij prej përkthyesi ka një koherencë mbresëlënëse, në qoftë se ai merr pjesë në debatin publik, këtë nuk e bën me qëllim që të krijojë për vete një sumum, qoftë ai me poezi ose me idé. Të gjitha këto faqe që njeriu mund t’i lexojë sot, flasin njëkohësisht për një rrugë dhe për një ecje: kjo gjë përbën vlerën dhe bukurinë, gjithashtu dhe lirinë në këto kohëra grindjesh e shkollëzash.

Patrick Kéchichian

IV BONFUA

DEVOCION

I
Për hithrat dhe për gurët.

Për “matematikën e rreptë”. Për trenat që çdo mbrëmje ndriçohen nga një dritë e zbehtë. Për rrugët me borë në yllin pa cak.
Unë ecja, humbisja tutje. Dhe fjalët e gjenin vështirë udhën e tyre në heshtjen e tmerrshme.
Për fjalët durimshumë dhe shpëtimtare.

II
Për „Madonën e mbrëmjes“. Për tryezën e madhe prej guri mbi brigjet fatlume. Për hapat që u bashkuan, pastaj u ndanë.
Për dimrin oltr’Arno. Për borën dhe për aq e aq hapa.
Për kishëzën Brancacci kur bëhet natë.

III
Për kishëzat e ishujve.

Për Galla Placidia-n. Për muret e ngushta që kanë përmasat e hijeve tona. Për ca statuja në bar; dhe që ndoshta, ashtu si mua, u mungon fytyra.

Për një derë të murosur me tulla ngjyrë gjaku në fasadën tënde të hirtë, katedrale e Valladolidi-it. Për ca rrathë të mëdhenj guri. Për një paso të mbuluar me dhé të vdekur, të zi.

Për shën Martën e Agliesë, në Kanaveze. Për tullën e kuqe që është plakur duke shprehur gëzimin barok. Për një pallat të shkretë e të ngujuar midis pemëve.
(Për çdo pallat të kësaj bote, për pritjen që ata i bëjnë natës.)
Për banesën time në Urbin midis numrit dhe natës.

Për shën Ivin e Urtësisë.

Për Delfin ku njeriu mund të vdesë.

Për qytetin e balonave tabake dhe të shtëpive të mëdha prej xhami ku reflektohet qielli.

Për piktorët e shkollës së Riminit. Desha të isha historian për shkak të ankthit të lavdisë suaj. Do të doja ta zhdukja historinë për shkak të shqetësimit për absoluten tuaj.

IV
Dhe ngaherë për ca mole nate, për ca pabe, për një zë që thotë Unë jam llamba, unë jam vaji.
Për atë zë të mekur nga ethe të qenësishme. Për trungun e hirtë të panjës. Për një valle. Për ato dy salla të çfarëdoshme, për qëndrimin e zotave midis nesh.

HOPKINS FOREST

Pata dalë
Për të marrë ujë te pusi ndanë drurëve
Dhe u gjenda në prani të një qielli tjetër.
Qenë zhdukur yjësitë që ndrinin më parë,
Tri të katërtat e kupës qiellore qenë ta zbrazëta,
Aty mbretëronte fillikat errësira më e thellë,
Por në të majtë, përsipër horizontit,
Përzier me majat e lisave,
Kishte një tog yjesh që kuqëlonin si prush,
Nga ku madje ngrihej një tymnajë.

Hyra brenda
Dhe e hapa sërish librin mbi tryezë.
Fletë pas flete,
Aty kishte shenja të pazbërthyeshme,
Grumbuj trajtash pa kurrfarë kuptimi,
Ndonëse deri diku përsëriteshin
Dhe poshtë kishte një bardhësi humnere,
Sikur ajo që quhet shpirt të binte aty, pa zhurmë,
Si bora.
Megjithatë unë i ktheva faqet.

Shumë vite më parë,
Në një tren, në çastin kur del drita,
Midis Princeton Junction-it e Newark-ut,
Për mua ato qenë dy vende të rastësishme,
Dy shigjeta që bien në tokë nga askundi,
Udhëtarët lexonin të heshtur,
Nën borën që fshinte xhamat e hirtë
Dhe papritmas
Në një gazetë të shpalosur dy hapa larg meje,
Një fotografi e madhe e Bodlerit
Zinte një faqe të tërë,
Siç trazohet qielli në fund të botës
Për t’u përputhur me rrëmujën e fjalëve.
Këtë ëndërr dhe këtë kujtim, unë i përqasa
Kur eca, së pari një vjeshtë të tërë
Në pyje ku shumë shpejt ia behu bora
Që ngadhënjeu mbi shumë nga këto shenja
Që njeriu i merr në mënyrë kontradiktore,
Nga bota, të cilën e shkatërroi ligjërimi.
Mori fund konflikti midis dy parimeve,
Mua më dukej sikur përziheshin dy drita,
Sikur mbylleshin buzët e plagës.
Masa e bardhë e të ftohtit e qëllonte si bataré ngjyrën,
Por një çati atje tej, një dërrasë e pikturuar,
E mbështetur në këmbë pas grilës,
Ajo ende ishte ngjyrë dhe dukej e mistershme
Si dikush që do të dilte nga varri dhe, duke qeshur,
Do t’i thoshte botës:”Jo, mos më prek”.

I detyrohem shumë Hopkins Forest-it,
E ruaj në horizontin tim, në atë pjesë të tij
Që e lë të dukshmen për të padukshmen
Përmes fërgëllimës së kaltërisë së largësive.
E dëgjoj përmes zhurmave dhe nganjëherë,
Në verë, duke shtyrë me këmbë gjethet e rëna
Të viteve të shkuara që duken qartë në mugëtirë,
Ca lisa tepër të dendur midis gurëve,
Unë ndalem, besoj se ky truall shtrihet
Në pafundësi, se këto gjethe bien pa ngut
Apo ngihen lart, meqë e sipërmja dhe e poshtmja
Nuk ekzistonin më, as zhurma, veç shushurima
E lehtë e flokëve të borës që pa vonuar
Shumëfishohen, puqen, mpleksen
Dhe atëherë shoh tërë qiellin tjetër,
Për një çast, unë hyj te bora e madhe.

BORA E MADHE

Këtë mëngjes, bora e parë ra herët. Okra, e gjelbra
U strehuan poshtë drurëve.

Bora e dytë ra aty nga mesdita. Nuk ka mbetur
Ngjyrë tjetër
Veç halave të pishave
Që nganjëherë është më e dendur sesa bora.

Pastaj, aty nga mbrëmja,
Kopani i dritës u shtang.
Hijet dhe ëndrrat kanë të njëjtën peshë.

Pakëz erë shkruan me majën e këmbës
Një fjalë jashtë botës.

NOLI ME TANGERE

Ngurron floku i borës në qiellin e kaltër
Përsëri, floku i fundit i borës së madhe.
Dhe ndodh sikur të hynte në kopsht
Ajo që do të kishte ëndërruar atë që mund të ndodhte,
Atë vështrim, atë zot të thjeshtë, pa kujtim të varrit,
Pa ndonjë mendim përveç lumturisë
Pa ardhmëri
Përveç davaritjes së saj në kaltërinë e botës.

“Jo, mos më prek”, do t’i thoshte ajo,
Por edhe të thënët jo do të ishte dritë.

MBRESA, DIELLI QË PERËNDON

Këtë mbrëmje ka punuar mirë piktori që quhet rrebesh.
Ca figura me një bukuri të madhe janë mbledhur
Nën portikun në të majtë të qiellit, aty ku humbasin
Ato shkallina fosforeshente në det.
Dhe është shumë e trazuar kjo turmë,
Sikur të kishte zbritur në tokë ndonjë zot
Me fytyrë të praruar midis shumë fytyrash të tjera të zymta.

Por këto klithma befasimi, pothuaj këto këngë,
Kjo muzikë zamaresh dhe këto të qeshura
Nuk vijnë nga këto qenie, por nga forma e tyre.
Krahët që hapen, përkulen, shumëfishohen,
Gjestet bymehen, hollohen,
Pareshtur ngjyra bëhet një ngjyrë tjetër
Dhe diçka tjetër, përveç ngjyrës, kështu ndodh me ca ishuj,
Me ca tinguj organosh të mëdha te retë.
Në qoftë se aty ndodh ringjallja e të vdekurve,
Kjo e fundit i ngjan kreshtës së dallgëve kur ato thyhen,
Dhe tashti qielli është pothuaj i zbrazët,
Përveç një mase të kuqe që zhvendoset
Drejt një thurime prej zogjsh të zinj që natën pingërojnë në veri.

Aty-këtu
Duket edhe ndonjë hurdhë ku zhytet
Një pishtar i bukurisë që u kthye në hi.