Gazeta Nacional Albania

Portreti i Pjetër Bogdanit nga piktori shqiptar Gazmend Freitag

Gazmend Freitag jeton e punon në Austri. Ai lindi në vitin 1968 në fshatin Pataçani i Poshtëm. Është fëmija i tretë me radhë nga pesë djemtë e Asllan dhe Qamile Mustafës. Posa përfundoi shkollën e mesme, regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Rrjedhat në Kosovën e robëruar, kur edhe mbyllet universiteti e detyron Gazmendin ta braktisë vendlindjen në vitin 1990, duke u vendosur fillimisht në Gjermani, e pastaj më 2004 në Linz të Austrisë. Në mërgim i hyn fushës së artit pamor, ku piktura është prirja e tij. Në vitin 2013/2014 studime në drejtimin Nudo në Universitetin e Arteve në Linz te profesoresha Annelies Oberdanner. Krahas kësaj, Gazmendi iu rrek punëve në pikturim, në grafikë, ngjyra vaji në kanavace.

Kush është Pjetër Bogdani

Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare.

Lindi në Gur të Hasit, një fshat i Kukësit, rreth vitit 1625, Ungji i tij Andrea Bogdani, edhe ai klerik i lartë (kryepeshkop i shkupit), ishte marrë me lëvrimin e gjuhës sonë, kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur në Kosovë edhe një shkollë ku mësohej gjuha shqipe.

Mbasi kreu studimet e mesme fetare në Kolegjin e Loretos dhe punoi disa kohë si meshtar në Pult e Prizeren, me shpenzimet e të ungjit kreu edhe studimet e larta në Kolegjin e Propaganda Fides dhe në 1655 mori dy dekorata, njerën në filozofi dhe tjetrën në teologji, çka ishte gjë e rrallë sidomos asokohe për një të ri shqiptar.

Më 1656, në moshën 31-vjeçare, emërohet peshkop i Shkodrës ku shërben për 21 vjet (1657-1677), duke qenë i ngarkuar njëkohësisht edhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit, 12 vjetët e fundit të jetës së tij i kaloi si kryepeshkop i Shkupit.

Por më tepër se doktorata që mori edhe gjuhët që dinte, për vlerat e shquara të Bogdanit flet vepra e tij, ” Çeta e profeteve„ është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj, që s’kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal.