PYETJE TE KOTA..
Dikur ajo kish sy si deti
Me ngjyrë të kaltër, të gëzuar
Pastaj , nuk di se çfarë i gjeti
Që ndërruan ngjyrë pa e kuptuar
Filloi t’iu ikë nga pak shkëlqimi
Dhe zunë të mbusheshin prej resh
Ndonëse ish larg akoma dimri
Dhe vera nxehte në çdo shesh
Nisën ti thinjen edhe flokët
Që hidhnin valle gjer tek beli
Atëherë ajo nuk ishte grua
Por një portret nga Botticelli
Më tej ndryshoi edhe zërin
Se kish më ëmbëlsinë e vjetër
Shpesh herë me dhimbje, pyesja veten
Ish vetë ajo, a dikush tjetër ?
Mos vallë për këtë, fajtor janë vitet
Apo ndonjë burrë, që të ngjall ndot
Unë e di mirë, që s’marr përgjigje
Por ndonjëherë, pyes ashtu… kot..
PRAG KRISHTLINDJESH !
Në prag të krishtlindjeve,
gjithçka ndryshon papritur
Njerëzit zënë të ecin me tjetër hap
Të rriturit duan të bëhen fëmijë dhe fëmijët më të rritur
Lulet e thara kërkojnë të ngjallen prapë
Në qiell shfaqen ca vizatime të çuditshme
Më të bukura se ato, që pikturohen me dorë
Gjithkush ka dëshirë t’iu besojë fantazive
Të bëhet dhe vetë pak piktor
Pemët harrojnë se janë në dimër
Harrojnë në çast lakuriqësinë
E veshin veten me llampa shumëngjyrëshe
Dhe gjatë gjithë natës vetëm ndrijnë
Të njëjtën gjë bëjnë edhe vajzat
Që buzëqeshin në çdo hap
I lanë mënjanë veshjet e trasha
Dhe nxorën minifundet prapë
Në prag të Krishtlindjeve qyteti ndryshon pamje
(Merr pamje feste natyrisht)
Dikush nxiton të lajë mëkatet
Dikush të vërë një maskë.. si Krisht !
-MBRËMJE DIMËRORE
Jam zemëruar keq me mbrëmjet dimërore ,
Sa s’dua ti shoh më me sy
Pa cicerima fëmijësh , me gjyshet për dore
Pa çifte, që bëjnë dashuri
Nuk dua t’iu flas , u’a kam thënë në fytyrë
Prania e tyre. ma pakëson gjithmonë ajrin
Tek eci në rrugë rre pamje të mpirë
Dhe hapa të ngrirë prej janari
Nga trutuaret përballë, asnjë pemë s’ më flet më
Unë me to bëja shpesh shakara me kripë
Tashmë rrinë të ngrysur, pa nxjerre asnje zë
Me vështrime të errët, skeptikë
Shumica e kafeneve, janë pothuaj pa njerëz
(Në verë dhe vjeshtë, s'”gjeje vend ku të rrije)
Ndërsa qendroj ulur, pa miq në tryezë
Kafeja më duket pa shije
Në shtëpi shkoj me shpejt me veten për dore
(Shetitjet më ngjallin bezdi)
Ju kam thënë, që si dua më mbrëmjet dimërore
Që mi kthejnë dhe mendimet në gri.
-SHTËPIA E SHKRIMTARIT
Shtëpia e shkrimtarit ka mbetur po ajo
(Si atëherë, kur ai na priste tek dera)
Mbi tryezën plot pluhur, sheh libra ngado
Shfletuar përgjysmë nga era
Edhe dorëshkrimet, kanë mbetur në mes
Lirikat në vargje mërdhijnë
Ai kurrë se besonte, që do të ikte kaq shpejt
Besonte kaq shumë përjetësinë
I gëzohej çdo vargu si fëmijë i mitur
( Nuk ndahej nga ta ditë e natë)
Edhe kur gishtërinjtë zunë ti ngrinin papritur
Dhe dhimbjet e hodhën në shtrat
Në ditët e fundit, hidhte sytë nëpër rafte
Si të kërkonte nga librat pak ndihmë
Nga dhimbja për të, gjithë shtëpia ofshante
Mbështjellë me mërzi dhe trishtim
Nga vaji i saj edhe muret janë lagur
Ato nuk janë tharë edhe sot
Këto lule që varen pa jetë në dritare
Në fakt nuk janë lule, por lot
Shtëpia e shkrimtarit, ka mbetur po ajo
( Vetëm librat në raft janë rralluar)
Ato janë larguar prej tij, u bë kohë
Ta ndjekin nga pas, ku ka shkuar..
TREG..
Në tregun e lagjes , i kam rralluar vizitat
S’ shkoj më si dikur, për çdo ditë
Më bezdisin tregtarët me buzëqeshje të shtira
Që s’mi ndajnë sytë Shitësi i frutave, më mburr mollët jeshile
Ai i perimeve, domatet dhe pjeprin
Këto çaste për ta, unë nuk jam më njeri
Po ca qindarka më tepër për xhepin
Kur qëllon, që nuk ndalem dhe vazhdoj udhën time
Fytyra i’u nxihet si gjëmë
Buzëqeshja i’u shndërrohet menjëherë në ngërdheshje
Dhe të sharat mi hedhin ndër këmbë
Natyrisht unë s’ua kthej, se nuk dua të zihem
( Me ta kam një jetë i mësuar)
Është etja e fitimit, që u’a err krejt vështrimin
Dhe nga vetja i nxjerr pa kuptuar
Në tregun e lagjes, s’shkoj më si më pare
( Po ndahem prej tij pak nga pak)
Më bëjnë të vjell njerëzit me shpirt tregëtar
Që e shohin gjithkënd.. si qindarkë…
E BUKURA
(Nga lirikat e nëntorit)
Unë nuk e pashë atë , kur shkoi
(Shpesh bukuritë kalojnë në heshtje)
Po prapë në ajër kish mbetur
Nga buzët e saj një buzëqeshje
Rrugica kish ndërruar ngjyrat
Nuk dukej më aq e mërzitur
Në vendin ku ajo kish shkelur
Ca lule kokat kishin ngritur
Edhe në qiell shiu ndali
S’pranoi të bjerë më asnjë pikë
I shtyu gjithë retë mbrapa një mali
Gjersa u shndërrua në muzikë
Gjithkush atë çast e humbi mendjen
Diç zunë të flisnin mbrapa saj
Të tilla bukuri të çmendin
Dhe unë të çmendurve s’iu vë faj
Unë nuk e pashë atë, kur shkoi
(Dhe sinqerisht kam qenë me fat)
Do më kish shtyrë, të mëkatoj
Ndonëse s’kam kohë më… për mëkat
-QYTET NË AGONI
.. Po ikin të gjithë nga ky qytet
Në bulevardin e mbrëmjes, ndesh më pak njerëz të njohur
Dhe pse do shumë javë, të mbarojë stinë e nxehtë
Gjithë ajri është ftohur Edhe në qiell ka më pak zogj
Harabela të shkathët dhe dallëndyshe çapkéne
Në vend të tyre shoh veç gropa bosh
Dhe cicërima që klithin me dhimbje
Dritaret e pallateve janë mbyllur me grila
Netëve ato dridhen nga vjedhësit dhe errësira
Rrënimet e mëdha fillojnë me mbylljet e tyre
Më pas.. vjen shkretëtira
Dje u nis që pa gdhirë dhe fqinji im i vjetër
( I kish rënë mbi fytyre një muzg i zi)
Ai e donte këtë vend si asnjë njeri tjetër
Dhe shkruante për të poezi
Po ikin të gjithë, të rinj të moshuar
Duke lënë prapa vetes, një lamtumire që trishton
Qyteti vjen rrotull, si Polifem i verbuar
Dhe pjesët e mbetura mes territ kërkon