Gazeta Nacional Albania

PREÇ ZOGAJ: NJË ORË E SHPIRTIT NË VETMI

Një cikël me poezi nga vëllimet “ E pakryer”( 1986), “ A thua do të vish duke qeshur ( 1989) dhe “ Qielli i gjithkujt” ( 1990) të poetit Preç Zogaj

Të dielë heret

Të diel herët ika në male
I paëndërrueshëm më prej teje
Papritur kisha ndryshuar pamje
Si lulezojat poshte një reje.

Te thashe mireshkofsh dhe arsye s’kërkova,
E thjeshtë qe: nje tjetër deshe.
Në pragun e ëndrrës tende ndalova.
Unë dilja, ai hynte,
Unë qaja, ai qeshte.

Te dielë heret ika në male.

1981

Një vajzë

Një vajzë e bardhë vibron në ajrin e plubtë të zhegut,
Permes vetima binarësh të hekurudhës së hollë,
Kthej koken prapa, ajo humbet në reflekse,
Bëhet një njollë.

Unë ndjek përtueshëm kalldrëmin për të dalë në asfalte,
Dhe hapat pas shpine i ndjej, fëshfërimën e krahëve,
Sikur t’ia shoh fytyrën, ta njoh me emër lojcaken,
Ta kap pa u shndëruar në foton dritë, në ajër.

Po s’kapet ajo, është hije, trillimn, imazh,
Lojë e mbresave që mora nga fusha,
Ky dymbëdhjetë vajza Manatie pashë,
Të bukura, asnjëra s’ish më e bukura,

Secila shtathedhur me ninëzat e gjalla,
Plot vizatime dëshirash për udhë, fëmijë dhe prova.
Ua di fëmijërinë mbështjellë me qiell e përralla.
Sa shpejt ka shkuar mbi akrepat koha…

1983

Gazmore për 1 prillin

Është nje ditë e bukur sot në Tiranë
Vajzat thonë “po”-të e vonuara dhe qeshin .
Djemtë zemëruar përgjigjen: S’ju duam!

S’ka asnjë çudi që shatërvanët nxjerrin livando,
Normalisht shefi perqafohen me vartësit,
Nxjerr t’u japë një cigare, i pyet: A keni ndonjë hall?
Dhe falet prej tyre për pyetjen e kotë.

Është mes nesh seriozi që thotë gjithnjë të vërtetën.
Përse nuk genjën? i themi me shaka.
Seriozi va buzën në gaz. Kaq mjafton.
Edhe ai është tani në 1 prill.

S’më vjen të kthehem në shtepi,
Humori i hollë i gruas më pret.
Dua të më gënjejnë fëmijet përsëri
Ti besoj fëmijët, t’i kënaq fëmijët,
Gjoja pa kuptuar ç’po ndodh në këtë botë.

1 prill 1984

Sot e diel

Sot gjithë ditën zemra ime e vogël,
zemra ime e fshehur nuk ishte mirë!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Rrija në shtëpi. Ditë higjene.
Dalim, më thosh im bir, dalim!
Të shkojmë në punë, në mbledhje, në këshill,
në treg, në spital, në Manati…

Dhe zemra ime kërcente djathtas.

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi!
Në orën dhjetë dëgjuam këshilla praktike
me temë: Arti i gatimit dhe kultura e ngrënies.
Kujtova me turp se shpesh ha në këmbë si duke ikur.

Dhe zemra ime kërcente majtas.

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi sot gjithë ditën.
Telat u mbushën me tesha të lara,
u duk se ballkonet pikonin lot,
e diela u la e u tha dhe uli qepallat,
në barkun e mbrëmjes java fërgëlloi si zog.

Dhe zemra ime kërcente djathtas.

Shokët e mi kishin ikur në jug, në veri,
e hëna vononte – sa shumë! – pas yjesh të mitur,
Po më trembte zemra ime e lajthitur,
Atëherë shkrova urgjent këtë vjershë
dhe u shërova!

Të kërkova

Ku je? Ku je?
Në Gjirokastër
Veç pyes për ty.
Ca nuk të njohin…Po përse s’të njohin?
Të tjerë nuk dyshojnë për asgjë…Ejjjj!

E kam dashuruar, më ka dashuruar
tri ditë e tre net, e katra vazhdon
këtu e një vit si një shirit
që mallin tim rregjistron.

Kthese pas kthesë sikur më zhdukesh
Hyj dhe nuk blej në kioskat e rrugës,
Çfarë doni ju? më pyesin shitesit
Çfarë doni ju, u përgjigjem shitësve.
Edhe ata, edhe ata
janë në qytetin e zemrës sime.

Ku je, ku je?- heshtja thërret
Mbyllen dritaret, kush nuk flet.
Iki shpejt, iki shpejt
Kam frikë se prej trupit
Malli lëshon rrënjë
E më mbëthen për gurë.

Refreni i këmbëve

Një, dy! Një, dy!
Pak i çuditur mbaj vesh
si të dëgjoja kumbimet e zemrës.

Ku u nise o trup?
Ç’mall të zuri, o shpirt?
Ç’etje patët, o sy?

Një, dy… S’numërojnë me shumë.
Por dhe gjer me dy pushtojnë horizontet
këmbët e mia- pjesa ime prej hamalli,
Të holla, të forta si trungu i hardhisë…

Një, dy! Një, dy!
Refreni i gjatë i jetës sime.

Ma thanë personazhet

Na bërë kokën, por s’të përkasim,
Na dhe sy, do të shikojmë
Na fale gojën, do të flasim
Na vure veshë, do të dëgjojmë.

Krijues, falltar, perendi e ç’je
Me frymë e letër e penë
Nga hiqi demek na shpike ne
Pra jemi, s’paskemi qenë!

Na lotusi yt me qindra pikuan
E bukur shumë ishte kjo botë
U turrem me vrap por ç’u gjakuam
Në cepat e buzëve nga freri i fortë.

Na the këndomëni mirënjohjen e thellë,
në gjunjë me sytë plot adhurim e bindje!
Unë romancieri ju kam pjellë,
Në kokë futni kokën time.

Krijues, falltar, perendi a ç’je,
Mos luaj më fatin tonë siç do.
Njëri u nis të arrijë një re
Tjetri një ëndërr: mos i ndalo!

Nga drita dhe hija jote pushtuese,
Lirim, lirim, në kor thërrasim.
Në këtë botë të bukur shumë
Na bërë kokën, por s’të përkasim.

1987

Një orë e shpirtit në vetmi

( fragment)

Kush e di sa kushton
Një orë e shpirtit në vetmi.
Për të nuk gjendet etalon,
Shkenca ngre supet me habi.

Politikanët e karrierës
Gjahtarë të fronit dhe piratë,
Dhe tërë skota me sherbenjës
Të vetmohuar për një gradë
Brirët e vetullave lartojnë
Si në një zoopark antik :
Ç’është kjo vetmi që po dëgjojmë ?
Ç’është ky shpirt, ky shpirt armik?

Ata që vetë ndërmoren klizmën
E shpirtit për një shpirt vasal,
Në foltore tani çirren
Më zë të lartë triumfal:
E gjetëm sa i shkon pazari
Një ore shpirti në vetmi,
Ba-bam me shkelm e shkop xhandari
Dhe fletarrest në polici.

1987

Fati im ikën drejt yllit me të bukur

Prapa yllit më të bukur,
Dhe zërave magjepsës,
shdërrimi a vdekja na pret, thotë Homeri.
Ahi, Odise, pse mi tregon sirenat?

Por jo! Nuk dua të kthehem prapa.
E vura në hobe jetën. Ç’vlerë ka ekzistenca
pa u hedhur në hapësirë si guri?

Nata përkundet si vapor n’ajri,
Sapo i tejkaloi hijet e dridhshme zbuten,
Humnerat e thella mbush vetëbesimi,
Në të gjitha majat dhe mrekullitë
një vdekje e rremë jep shpirt.

Fati im ikën
Drejt yllit me të bukur.

1987

Të rrosh si gjithë bota

Të rrosh si gjithë bota, Marije
Është mirë të rrosh si gjithë bota.
Të kesh busullën, lejen, pishtarin,
Të kesh shtëpinë, bregun, mburojën,
Të kesh thikën dhe jo veç litarin.

Lindur prej prindërish të urtuar paq
Në kohë kurbanesh jetojmë pa kurbane.
Ndanë epopeve kalojmë si dëshmitarë,
Secili prej nesh i kam te shtatëdhjetat
Në garën e jetës që nuk ka finale.

Të rrosh si gjithë bota, Marije-
Është mirë të rrosh si gjithë bota!
Por të rrosh si gjithë bota nuk është e lehtë.
Nuk është e lehtë të rritesh fëmijë
Kur ninullat i merr gjumi në buzë ,
Rrëzohen atje si nga shkrepi
Dhe –ajme!- përgjaken ninullat!

Fëmijët nuk duan të flenë.
Përse këmbëngulin ne
Pse?

Qershor, 1989

ÇASTI I RREZIKSHËM

Çasti i rrezikshëm
Si top rrokulliset
Rrugëve të fatit.

Mbushur stihi,
Etje-shpërthyes,
Me sytë e verbër
Na josh ta shkelim.

E nanurisim,
E përkëdhelim…

Oh, ç’fjalë të ëmbla për bukën thatë,
Për rrenat pompoze, oh, ç’heshtje e gjatë.
Ç’kujdes në të ecur dhe… nuk na shtyp
makina,
Ç’fuqi për të qeshur, shembullore për vitrina.
Jo, jo, nuk them
Pse dhëmbët më ranë,
Pse gishtat m’u pakën
E kërcet m’u thanë
Se dua të rroj sot e pastaj
Dhe rroj pa faj.

Mbushur stihi,
Etje-shpërthyes,
Çasti i rrezikshëm
Mbetet prapa…
E shkuara dridhet
Si fushë e minuar.

Baladë për prindër kanakarë

Poterë për natë në oborror
Me djalin s’merrem vesh.
Kam firkë se do bëhet hor,
Ti shkojë jeta për lesh.

I them: hyjmë brenda shpirt!
Përgjigjet: Hyjmë jashtë!
Ky rrebelim me ligjësitë
Me shpon si gjëmb në rrashtë.

Mstrec i vogël, a e di?
Hapësira dyer s’ka.
Dhe kur s’ka dyer s’ka se si
Të hysh, o budalla!

Ai rrudh ballin me inat
Dhe sytë i ndizen zjarr
Dhe vuan që nuk ak takat
Ta hedh atin në varr.

Natyra ku nuk hyn, por del
Gabimi im i vjetër!
Betuar është ky teveqel
të jetë tjetër, tjetër.

I thëm përralla, nis e qan
Sheqerkat hedh në shesh.
E tremb me ujq dhe djaj
E tremb me mjekë dhe… qesh.

Keq e ka punën ky fëmijë
Do nusur nga fillimi
Me thupër e pedagogji
Ti’i ikë rrebelimi.

Përndryshe kartërat mi nxiu-
I mjeri unë i mjeri
Më rrokullisi faqeziu
S’do marr më fleta nderi.

Pa kur t’i dalin brirë pastaj
Bastardit kokëshkëmb,
Do përfundojë në një skaj
Pa brirë dhe pa dhëmbë.

Dhe para se ti dalë shpirti,
Do hapë sytë e ligj:
Baba, gëzimi yt me lindi
Por faji yt më vdiq!

Edukatorë, shpejt vini dorë
Do nisur nga fillimi.
Me thupër e pedagogji
Ti ikë rrebelimi.

Mars, 1989

ARMIKU

Armiku është!
Fytyrën e ka tamam si njeri, tamam si shqiptar,
Pas fytyrës së vet si njeri, si shqiptar,
Pas pasaportës, triskës së Frontit,
Hiqet besnik, punon, dëfren,
Kuotën paguan për policin e vet.

Në duart e tij lulet e majit shkëlqejnë e qeshin.
Por unë e di- në zemër janë shuar.
Armiku është këtu, atje,
Për ne punon, me sy s’na sheh katili.
Natë e ditë vigjëlojmë ne.
Vigjëlon secili, vigjëlohet secili,
Një për një i shpleksim hijet që rrëshqasin,
Mesazhet që shkembehen, fjalët që thuhen,
Kemi blerë aparate që kushtojnë qimet e kokës,
E lemë në dyqan treçerekun e bukës
Për të ngrënë të qetë pjesën tjetër…

E shihni, e shihni sa armik është armiku?

Prill 1988

STINË E THATË PËR POEZINË

Në pagjumësinë e majit, në atë kohë të zbrazur
I shtrië si një mumje pa frymë dhe pa gojë,
Kam parë vetima toke tek fiken e tek nxihen,
Kufoma shkrepëtimash, o nënë, sa të trishtuara,
Zvogëluar e rrudhosur
Heshtimesh pa jehonë.

Kur hyra në qershor me një shirit në sy
Më ra mbi kopshtije kjo hije si presë.
Ngrita kokën e pashë qielli ndarë më dy.
Gjithkund ky përgjysmim,
me damkë të zezë.

Qëlloi stinë e thatë për poezinë,
Nga maja e piramidës përvëluese të rrezeve
Mbretëronte dielli skutë me skutë,
Dhe fiqtë rrësoheshin pa u pjekur nga degët ,
Dhe gruri nuk nxirrte asgjë me shumë se bukë,
Dhe nënës ju ngulën sytë në tokë
Si gozhdët në dërrasë e s’ka fuqi ti shkulë,
Vertëm në pellgje e sheh tani qiellin,
Të vdekurit i qan kokulur.

Qëlloi stinë kaq e thatë për poezinë!
Mendo, dhe dasmat fshihen
Pas pikës së lotit-
Kanë frikë avullimin.

Po stina e vargut shenjat i jep nga larg,
Lëkurat e thara të vetimave po mbushen me flakë.
Dhe zëmra që rreh në përgjim fillon e ngjall
Kufomat e shkrepjeve që stina e thatë i ka vrarë.

Gushti 1990

NË SHËNGJIN

Unë, era dhe deti që rreh
në cipën e hollë të pendimit:
A të kujtohet?
A të kujtohet kur s’ishe martuar,
Kur s’kishe qëllime,
Kur s’kishe lindur?
Përpara luftës,
Përpara fare,
Kur ishe arbër, ilir,
A të kujtohet?
Në Nimfeum pate ardhur me velorën e shpejtë,
I magjepsur nga vajzat shkumëbardha
të detit dhe bregut diellor pate thënë:
Oh, sa më vjen për të qarë!

Koha e mbajti mend shakanë tënde
Pas dy mijë vjetësh!
Me lot të vjetër
Qan kujën e pavarrosur
Të erës dhe detit.

A të kujtohet kur perënduan
Tunikat e bardha të mirësisë dhe paqes?
Mëndafshi i kopshtijeve,
Ndriçimi i syve miqësorë, të çiltër?
Ka brigje dhe gjëra që koha i gëlltit, i bën ëndrra.
Duke shkruar të lashtën, ti shkruan një ëndërr,
Del nga vetvetja për të gjetur vetveten
Mes gjithë shungullimit detar, pendestar,
Vetëm për vetëm me gjuhën shqipe.

Me lot të vjetër
Qaj kujën e pavarrosur
Të erës dhe detit.