Nganjëherë ëndrra
Nganjëherë ëndrra ime ik nga jeta ime.
I bezdisur prej pluhurit,
duke murmuritur «ndihmë»,
bares në një rrugë të shkretë.
Kurse ëndrra shëtit
pyjeve të Velës,
ku ajri kullohet
në rrjetat e halave.
Dridhet shermasheku rreth trupit të saj,
trumba zogjsh i afrohen me çerdhet në sqepa,
ajo, lozonjare, hap krahët e bardhë
e përpin hapësira…
Por prapë fiton Ëndrra.
Asgjë s’e kalon etjen e saj.
Bën sikur s’di, bën sikur dehet,
keq e ka punën sapo të kthehet!
Pikë mëshirë për të s’do të kem,
veshët në dorë kam për t’ia dhënë,
sepse vetëm unë, vetëm unë e pësoj
që ëndrra ime ik nga jeta ime.
1987
BALADË
Po flija poshtë lisit hijerëndë,
Kur erdhën e më zgjuan: Ngrehu, të do Ana!
Muzikë më të bukur s’më kishin ndier veshët.
Atë që solli lajmin nuk e pashë.
U gjegj me jehonë shpirti: Të do Ana!
Një fill drite përshkoi kujtesën, ëndrrat,
Dhe malli shpejt u gdhend si fytyrë vajze.
Mendja m’u çel si dita: Të do Ana!
Qirinj e korba u fikën: Të do Ana!
Viset e shpresës u mbushën plot me rrugë,
Gjaku sërish këndoi: Të do Ana!
Në fill të zërit shkoja dhe mendoja:
E di pse jam si firifiu, ka kohë,
Një fytyrë perëndeshe në udhë humba.
Andej-këndej u enda duke qarë,
Nga turpi që s’më donin rashë e fjeta
Nën hijen e lisit degë-rëndë.
O ti që flet e s’dukesh, a vërtet
Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?
Përse më fshihesh, o zë kaq i sinqertë?
U hap mbi kodrat e verdha një deriçkë,
(Kraharori im kërciti si dërrasë)
Mes lulesh e gajtanësh ngriti sytë
ajo që nuk u bë më shumë se vajzë.
Qeshi dhe foli: Pse më prure këtu
Ende pa të dashur shumë mirë?
Përse m’i hodhe gjithë këta xhevahirë?
1989
ÇASTI I RREZIKSHËM
Çasti i rrezikshëm
Si top rrokulliset
Rrugëve të fatit.
Mbushur stihi,
Etje-shpërthyes,
Me sytë e verbër
Na josh ta shkelim.
E nanurisim,
E përkëdhelim…
Oh, ç’fjalë të ëmbla për bukën thatë,
Për rrenat pompoze, oh, ç’heshtje e gjatë.
Ç’kujdes në të ecur dhe… nuk na shtyp
makina,
Ç’fuqi për të qeshur, shembullore për vitrina.
Jo, jo, nuk them
Pse dhëmbët më ranë,
Pse gishtat m’u pakën
E kërcet m’u thanë
Se dua të rroj sot e pastaj
Dhe rroj pa faj.
Mbushur stihi,
Etje-shpërthyes,
Çasti i rrezikshëm
Mbetet prapa…
E shkuara dridhet
Si fushë e minuar.
1989
SHIU ME THËRRET TË NISEM
Shiu më thërret të nisem diku… nuk di se ku!
Në viset pa njeri, në rrugët pa fund,
Nuk rrihet në shtëpi,
Nuk rrihet askurrkund…
Ja, rigat si fildish përpara dertit tim
vrapojnë e zgjojnë kujtime që s’më përkasin mua,
Borëbardha mijëvjeçare që nuk i ka parë kurrë
syri i njeriut… Prandaj s’janë vjetruar!
E kotë t’i bësh bisht asaj endjes së fshehtë
që vetëtin përbrenda kur bota mbytet në shi.
Prapë u përmbush mëkati, prapë vjen Noeja me arkë,
Dhe Ararati tjetër është lart mbi vjetërsi.
1993
KE ARDHUR TË ME MARRESH ME VETE
Frangat në xhep dhe biletën
Bohemën në shpirt gjithashtu,
Ke ardhur të më marrësh me vete
Dhe unë s’të pyes se ku.
E di se mirë është gjithkund
me ty gjithandej e gjithherë,
Por di ndërkohë se s’do mund
Ta le lë këtë vend të mjerë.
Si klithëm nga pas do na vijë
Në fund të dheut po shkuam.
Më ne si fantazëm do rrijë
Deri në fund po duruam.
Jo, jo, mos mi hidh ato sy
Ku viset vrapojnë si pulëbardha,
E rëndë ardhja me ty
Edhe më e rëndë mosardhja.
Kështu mes dy fatkeqësish
Dënuar jam të jem vetëm.
Mallkim dhe zëri që grish
Mallkim dhe fati që s’jepem.
Tetor 1992
PËRTEJ VETVETES KALON DASHURIA
Si mund ta dua kaq shumë atë që njoh kaq shumë?!
Përballë kësaj pyetjeje do të qëndrojmë
si akejtë përballë tehut të shpatave dorike.
Në heshtjen epike do të durojmë
therjet zemrës, plagët e përgjigjeve.
Përtej vetvetes kalon dashuria.
Por unë nuk e njoh fjalorin e ri,
Nuk e njoh mënyrën e re të të folurit
Dhe nuk nuk mund të them tani
sa lëndë zhduku ndjenja në mishin tonë,
A po na i merr hopa shpirti këto trupa…
Apo, apo..
Fryma u kthye të ngjizë te ti
një tjetër fëmijë të qiellit dhe unë
me sytë e mbushur me dritë po shoh
si bahet Marie e vluara ime.
E VAZHDUESHME
“Kur bie ora katër e mëngjesit
unë nuk jam veçse një fantazmë”
Fitsxherald
Çdo natë unë vdes
pa pendesë, pa kujtime.
Por në mëngjes
fantazma ime ngrihet,
truri ngadalë mbushet me gjykime,
Dhe s’mbaron kurrë,
kurrë s’mbaron
as kjo jetë,
as ajo jetë.
VETMIA E SAJ
Vetmia e gruas sime
është sinjifikative
në vitin në vazhdim
në moshën dyzet vjeç.
Me të rënë mbrëmja mblidhet si mjellmë,
Ka shumë frikë, shumë dhimbje në sy.
Unë e kuptoj: me një bishë të egër
kufizohet vetmia e gruas sime.
Vetmia e zbrazur, vetmia vetmitare
e gruas sime në vitin në vazhdim,
vizitohet natën nga pemë të përgjakura,
toka të rroposura, det i rënë përmbys…
Pastaj vinë me radhë fëmijë që ngjallen
në prehrin e burrave dhe kërkojnë sisë.
Miliona shenjtorë me lot nëpër faqe
dalin nga pendimi njerëzor.
Vetmia e gruas sime zgjohet.
Është ditë, bota s’ka lëvizur nga vendi.
Gjithçka duket normale në vitin në vazhdim,
Vetëm këpucët e mia s’po mbushen me mend,
Prapë ia marrin vrapit duke u lidhur rrugës.
1 korrik 1996
TË IKËSH E TË VISH
Të ikësh e të vish – kjo është çështja.
Të mungosh dhe askush të mos vuajë për ty,
të prekësh botën tjetër dhe të kthehesh.
Këtu ti ke harruar të luash,
Të vjen keq të hash,
të dhëmb të flasësh.
Ti ke qenë atje dhe je kthyer
para pak çastesh.
Shpejt, shpejt se drita e mbrëmjes
po shuhet në muzgun banal!
Mendimet hyjnore të botës
vriten në tokën e sotme.
Tani jemi prapë të barabartë!
Anonime
Ndoshta njëherë, kur të mos jem më
shpirtit tim do t’i bjerë rruga
nga ato treme ku pushojnë
në gjumë të thellë eshtrat e mia.
Nuk më pëlqen të shoh pa u parë.
Nuk e shtyj dot të rroj pa u prekur.
Ah, të mund t’i ngrija edhe një herë
prej lagështisë format që kisha,
Të mund t’u jepja dritë dhe jetë
atyre syve – të mund të kridhesha
në fatin e zhguallit tim shekullor,
Të mund te vdisja
përgjithmonë.
Qershor 2008
NW ÇASTIN E FUNDIT ZOTI PERKULET
E ndjej, por s’e shoh
në asnjë pasqyrë
me Të përnjësimin.
Zoti është këtu,i ikshëm, i shkëputshëm,
Nuk më merr në zotërim, edhe pse më huan
të folurën, vajin, gjithë mundësinë
për t’jiu afruar.
Në rruzullin tim, në jetën time,
Në këtë fillim e mbarim, në këtë kafaz
Unë mbaj një pjesëz të dijes nga gjithë enigma.
Një shenjë të së dukshmes nga gjithë e padukshmja.
Një formë të vdekshme nga gjithë e pavdekshmja.
Në çastin e fundit Zoti përkulet mbi mua
merr gjënë e vet dhe me lë
mbi supet e njerëzve veshur me të zeza.
Shtator 2009
LOVE STORY
Love story. Çfarë t’i tregosh botës?
Dashuria i vret ngjarjet e veta
si Plutoni, sapo ndodhin.
Pak gjë mbetet për t’u kujtuar.
Dhe çfarë mbetet banale bëhet
sapo thuhet.
Love story. Çfarë t’i tregosh botës?
Kujton një film që s’është xhiruar kurrë.
At Zef Pllumi me duart në pranga.
E ndjekin, e ndjekin si erinitë
nga burgu në gjyq, nga gjyqi në burg,
nga ëndrra në zgjim, nga zgjimi në ëndërr
bashkë me patrullat arjet e Shkodrës.
Ah, zemra don me lujtë prej vendit.
Përse, mor zot, zgjodhe
ta prarosh kështu kalvarin tim?
Love story. Është e pamundur ,
Është e padrejtë
t’ja thuash botës.
Kush ka sy le të lexojë
vragën e një hjeke të thellë –
Kjo është e gjitha që ka mbetur
nga ajo shembje,
ai termet,
ajo gërmadhë.
NUK NISET VITI
Në ditën e dytë të vitit, në ditën e tretë, në ditën e katërt
rrethuar me erë dhe lashtësi
nuk niset e nuk niset Viti i Ri.
Bjeri sa të duash me shkop, me grushte.
Ktheje përmbys klepsidrën, tunde, shkunde,
Bëji magji me hi, me kapse, fije floku,
Mbyllja sytë me shami, hidhi litarin
Tërhiqe, tërhiqe, tërhiqe.
Bjer në gjunjë duke qarë, duke shqyer faqet:
Të lutem, te lutëm, te lutem!
Dhjetori dridhet ndërsa shtyn ngadalë
në tridhjetë e dy, në tridhjetë e tre-
Jashtë kohës afrohet shpërthimi.
Janar 2011
TË HERËS SË PARË
E ëmbla e djeshmja jonë , e përmalluar…
Dy fëmijë që rriten duke u vështruar
me një habi kozmike në sy
për rrobat që shtohen në trup për t’u hequr.
Për herë të parë kam mësuar e provuar me ty pse je vajzë.
Për herë të parë mësove e provove me mua pse jam djalë.
Pa u thyer as njëri, as tjetri
u ngritem nga toka si pemë të anuara
kapur për rrënjesh.
Dallga e kohës na ndau e flaku
lakuriq përgjithmonë në brigje të largëta,
Mua me rrobat shuk përpara gjenitaleve,
Ty me duart e mbedhura në gjoks
tek dridhen për t’u ulur poshtë si gjethe fiku.
Të shoh, më sheh…
Ke ardhur si nga një re
sa për t’më prekur në zemër.
Thinjat e mia nuk njihem me rrudhat e tua,
Megjithatë s’është nevoja të provojmë
se jemi po ne të herës së parë
që vetëm u fsheh
për të mbetur e fundit.
2017
Vdekja e nënës
Dhe kështu u bashë këtë pranverë
të numëroj me gishta e njerës dorë
ditët e saj të fundit:
Pesë, katër…
Ka qenë në mëdyshje gjatë, gjatë:
të rrinte me ne a ti shkonte pas burrit ?
Gjersa ndaloi me marrë ushqim dhe ujë.
Vetëm ajrit nuk ka çfarë t’i bëjë,
Hyjnori e gjen vetë rrugën
ta mbushë ngapak me frymë…
Tre… dy…
Sa do të mërzitet babai
Kur ta shohë të vogël, të vogël-
Qese me eshtra fildishi.
Sikur e dëgoj tek na thotë:
Çfarë i bëtë kështu gruas sime?
Erdhi ora të mbaj
në gjoks, siç e la të thënë,
shkrehjen e saj prej mjellme,
Po shoh hirin e engjëllit
duke iu hapur në fytyrë.
Dhe gishtat e dorës zhduken
teksa mbarojnë së numëruari
ditët e saj të fundit
Përbindëshi
Ka qenë shumë e bukur fëmijëria ime-
Jeta tjetër para kësaj që kam tani.
Por sot ju tregoj për përbindshin,
që nuk e pashë atëherë, që e njoha
veç kur po jepte a kishte dhënë shpirt
Dhe mua po më dilte magjepsja e trendafilave.
Nëntor, 2016
Testament i gjyshes
Pastër e mbajtëm shtëpinë gjithë jetën,
Gjithë jetën i futem vaj kandilit
për kthimin e dytë të mbretit tonë, Jezu Krisht.
Kur të vijë
qani për ne
O ju, fatlumët.
Mars, 2014
Zgjim përsëri
Jam ai që isha, duhet të gëzohem,
Por u bë kohë që mendoj e mendoj
si Abd El-Kader i Algjerisë,
Si ti iki trupit që më ndjek
herë si shportë, herë si këmishë hekuri.
Të ndahem prej tij dhe ta shoh ndarjen
pak përpara se të vijë zonja vdekje,
dhe të gjejë në dërrasë vetëm zhguallin tim
që nuk i jep gëzim e as kuptim.
Dhe të zbresë nga froni i saj i zi,
Dhe të vdesë për vete zonja vdekje…
Asgjë s’është e lehtë përveç asaj që ka krijuar perëndia.
Mbaj në kafkën vibruese skenën
ku sillen rreth diellit fëmijët e mi,
Është shumë bukur, por se nga vjen
një pëllumb postier pa lajm, pa letër,
Seç po rrahin miliona zemra …
Po sikur
të mos ketë zot,
o zot!
Janar , 2017
Fjalë të këqija asnje…
Fjalë të këqija asnjë, asnjë ankesë
për atin tonë, o motra, o vëlla.
Na hoqi shpejt nga lodrat, e di.
Na dërgoi herët në ara, e di
Po ku mund të na çonte tjetër, ku?
Jetimë na la në duar të huaja,
Na la në gjunjë, na la gatitu
përpara çizmes, yllit me pesë cepa!
Po çfarë të bënte tjetër, çfarë?
Veç të na vriste me dorën e tij,
Të mbante titullin atë i ç’atëzuar-
Asnjë zot nuk e miraton.
Unë i pari s’do tja falja kurrë
Sepse kisha marrë ndërkohë zakonin
të shihja diellin mbi Dardhë çdo mengjes,
Dhe po humbja netëve gjumin për një vajzë,
Mu nga zija e saj do të zgjohesha
të kteheja mbrapsht amshimin, plagën time.
Fjalë te keqe asnjë, asnjë ankesë
për atin tonë, o motra, o vëlla.
Vonë në pleqeri iu bë mahi
të endej hije në majë të gishtave
mes valëve dhe maleve të fëmijërisë sonë
mbërthyer në brëngë sikur më thoshte:
Ma thuaj fajin tim të marr frymë,
të shkoj buzagaz në shtëpinë e fundit.
Mars, 2017
Balada e skuqjes
( fragment)
Panta Rei (1). Por nuk mbaron.
Dëgjoj: “Lufta vazhdon”! Skuqem!
“Jemi të pathyeshëm”! Skuqem!
“ Si Barcelona e Guardiolës ”! Skuqem!
Si Barcelona!
Në këtë cep dheu!
Pikërisht këtu! Skuqem!
E nuk kam si t’mos them…Skuqem!
se nuk është kështu. Skuqem!
Asnjë shpresë
t’i ndërroi udhë
kësaj furie-
Digjem duke jetuar.
xxx
Por…por…
U bënë do kohë nuk po skuqem më!
Vena ime e ndjeshme pushoi se vluari.
Vdiq Euripidi që mendoja se isha,
Kaq inerte lëkura që më mbështjell
sa nuk jep njollë në të as skena
me vithe grash që ngrihen rrufeshëm
dhe marrin me vetë historinë e epokës
kur fjalën përgatitet të marrë Udhëheqësi.
Tepër gur
lutem të më kthehet
dhuntia e humbur.
Vetëm purpurimi
ia del të thotë
diçka që s’thuhet.
Shkurt, 2018- Qershor, 2020
1- Gjithçka kalon
Jerm
Rudolf Markut
Qëlloi të ishim në jetën e vërtetë,
Dhe lexuar t’i kishim thuajse gjithë librat,
Kur ia behu letra njoftuese: Ju
nuk jeni më… këtu!
Ne hodhëm plaçkat në krah dhe u nisem
krah për krah në mërgimin e ri,
Mbretëronte zagushi e madhe në qytete,
Gjuha kishte humbur mijëra fjalë,
Dhe po humbte akoma, akoma, akoma.
Nuk e dinim a kishte më dhe si i thoshnin
“Të lutem” dhe “të paça” në shqipen e re.
Flitej me zë të lartë edhe kur folësi
e donte të ulur zërin e tij,
S’kishte shpresë të gjendej mallkuesi
që mund ti jepte fund këtij mallkimi
duke iu lutur me përgjërim e ndjesë.
Njëri pas tjetrit në mërgimin e ri
mbi një loze kungulli përmes oqeanit.
Jeta e Re përpara na donte
për kurrgjë të penduar.
Ndanë tërfilishteve, ulur këmbëkryq,
Mustakët një pash, kosat në bisht,
Çibukët ndezur në gishtat e zverdhur,
Prisnim të na thaheshin këmishat e kaltra
për një shëtitje në qiellin me të afërt.
Shtator, 2019