Site icon Gazeta Nacional Albania

Presidenti Amerikan Trump uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti Amerikan Trump uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

 

Fotografi e Osmanit dhe Trumpit, e shtatorit 2025.

 

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shtetësisë së saj dhe e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.

Në letër e nisur nga Trumpi, Kosova është përgëzuar për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen e këtij vendi në përpjekjet e SHBA-së për t’i zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gazë dhe vende tjera.

“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, është thënë mes tjerash në letër.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

 

Në këtë linjë, Kosova së fundmi i është bashkuar nismës së Trumpit, Bordi i Paqes, përmes së cilës SHBA-ja synon dhënien fund të konflikteve në botë.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së me raste janë tensionuar, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë paraprake të kryeministrit Albin Kurti që kishin të bënin me minoritetin serb dhe në sytë e zyrtarëve amerikanë ishin të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Për pasojë, SHBA-ja vitin e kaluar e ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, pa nisur ende.

 

Por nga Ambasada amerikane në Prishtinë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë në javët e fundit se SHBA-ja është e gatshme të rinisë këtë proces me Kosovën dhe të punojë me Kurtin, i cili javën e kaluar e ka nisur mandatin e tretë si kryeministër.

SHBA-ja ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Shtetësia e saj njihet nga 121 shtete, por sfidë mbetet ende mosnjohja nga katër shtete të NATO-s dhe pesë të Bashkimit Evropian, dy trupa në të cilët Kosova synon të anëtarësohet.

 

Radio Evropa e lire

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar homologun e saj amerikan, Donald Trump

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar homologun e saj amerikan, Donald Trump pasi pranoi nga ai një letër urimi me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në  Facebook, e para e vendit theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe një botë më të sigurt.

“Faleminderit Presidentit Trump për urimin e përzemërt për popullin e Kosovës në prag të Ditës së Pavarësisë, si dhe për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.  Kosova do të qëndrojë gjithnjë krah aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe një botë më të sigurt”, shprehet Osmani në reagimin e saj në Facebook.
Exit mobile version