METEOR
SHKOLLA E FSHATIT
Nuk të kam harruar shkollë e fshatit tim
Me kujtime të pafajshme të fëmijërisë së
Së ëndrrës, më shfaqesh
Me çatinë e qiellit të mbuluar me dërrasa pylli
Të egër.
Ditë pas dite u rritëm
Parvazeve të tua të trishta që qanin çdo dimër
Prej duarve tona të ngrira.
Me buzët e kuqerremta nga i ftohti i dimrit
Me xhaketat e qepura prej babait,
Prej duarsh të pastërvitura
Por ti baba i shtrenjtë nuk dite të ankoheshe
për dhimbjet e tua plot gjak,
Poshtë krahëve na mbështillje si shqiponja
Zogjtë në fole.
Buzëqeshje na dhuroje, mëngjeseve plot dritë
Kur niseshim për shkollën e drunjtë të ëndrrave tona
Me premtimin abstrakt të dijes së madhe
Dhe vizionit për të shkuar sa më larg në një
Rrugë tjetër drejt botës,
Perëndimit.
Vitet ikin e ti vashdon të na presësh
Pranë shtëpisë së vjetër,
rrugës ku niseshim për në shkollë,
me duart e ngritura lart
Na pret,
Me krahët e tu të dhembshur mbështjellur
Nga pleqëria, na pret përsëri
Mjegullës së jetës tënde
Stinëve pambarim.
Deri në maj
Kur plagët mbusheshin nga shirat e stinës,
Ku bretkoskat dhe ketrushët e vegjël gëzonin,
Diellin e ri të jetës
Ndërsa mjegulla strukej malit të bardhë
Ku fluturonin ëndrrat
Deri poshtë kopshteve ku nëna mbillte
Perimet e duarve të ëndura
Nga pasioni baltës së kuqe të arave.
Deri vjeshtës së artë, kur piqeshin frutat
E stinës së artë
Kokrrat e arrave binin, rrëzoheshin dy nga dy
Rreth për rreth
Me ngjyrat e bukura përzier me gjethet e ahut,
Pranë nesh ketrat vraponin me ne
kush të kapte më parë ndonjë kokërr arre
Në livadhin e mbushur me gjethet e përziera të vjeshtës
Deri në perëndimin e diellit,
Ujëvarat e shirave nëpër stinë rridhnin
Buzëqeshjet tona të ngrira
Shkolla ime e dikurshme kurrë s’kish ditur
Për varfërinë tonë
Të ankohej,
Për themelet që i kalbeshin
Deri poshtë kujtimeve tona
Oxhaqeve me tym që verbonin sytë
Edhe kur këndonim në kor lumturinë
Falco të sistemit
Fletëve të notave të kaltëruara
Në pentagrame të shpresave të nesërme
Të botës
ku do të migronim dhimbjeve të gjalla
Me puthjet tragjike, të stinës kur u nisem nga vendlindja
Nga rruga e shkollës së vogël, të duarve të ngrira,
Të përcjelljes së babait tim
Në oborr të dhimbjes
***
Kemi ecur pastaj nëpër botë, në rrugëve madhështore
Të New York-ut.
Fantazisë së qytetit të madh, më është shfaqur
Shkolla ime e vjetër.
Ka shumë kohë që s’e kam shkelur oborrin tënd
As luspat e dashurisë që ty të zhveshnin lakuriq
Përmes dritareve të thyera
Të kujtimit, të ndjej këtu në New York
Mungesën tënde
Deri në prag të fëmijërisë
Ku zhurmojnë akoma kujtimet e mia
Në oborrin tënd.
THANA LOZONJARE
Thana sfiduese e pyllit,
E para hap sythet e çuditshme në pranverë,
Lulet
E xhelozisë së pemëve të tjera,
Që vijnë pas saj.
Degët e tua mbushen me lule
Të verdha,
Të jetës që del
Pas dimrit të gjatë
E përcjell dimrin me lamtumirën
E vashave të luleve tua që rendin të
Sjellin lajmin e pranverës,
Të thurin kordele duarsh të arta
Plot ngjyra. Vajzat tona,
Në lagjen e hershme të vështrimit.
Natyra çel, e qesh fytyra e saj
Me lule shumëgjyrëshe
stolisur anembanë
Këtu një kumbull, e andej një dardhë
Stinës së jetës, e syve tanë të bleruar
Nga ngjyrat,
Në pranverë.
Thana e xhelozuar,
Nën diell i pjek frutat,
Stinës së gjatë.
Ndërsa natën pret dashuritë e vajzave
Si mëngjese,
Nga lumturia çuditshme e përtëritjes,
Vjeshtës flladi lehtë i tundë degët e saj,
Veshur me fustanin e kuq të frutave
Të lëngëzuar
Me ëmbëlsi,
Kokrrat e tua të kuqe puthin
mijëra buzë vashash lozonjare
të dasmave të vjeshtës
Me shijen tënde s’kanë të krahasuar
Dhe unë ngadalë vij dhe ulem pranë teje
Këtë vjeshtë jete të artë
Dhe ëndrrash
Vajzash që do të bëhen nuse,
Me dasmorët që pijnë lëngun tënd
dhe rakinë tënde të shijshme.
Buzëve të kuqe të shpirtit të mbushur
Me dashuri
Vajzat presin fustanin tënd të veshin dhe
të shkojnë nuse.
MË JEP DOREN, O VËLLA!
Më jep Dorën o vëlla,
Të ngrihemi në këmbë së bashku!
Përse malet supet i lëkunden
Bredhat e lashtë nga dhembjet
Dridhen tunden
Kulluar në kroje uji pse nuk buron
Kreshtat përse dridhen
Ato s’mbajnë dëborë!
Përse toka dridhet nga klithmat
E mundimet
E pse lotët po shpërthenjë ujëvarë
Pse vëllezerit e mi
Tërmeti i zi i ke vrarë?
Thonë se vajtojnë zanat në lugina
Me thanë se vajtojnë edhe pleqtë dhe fëmija
Qerpikët po rëndohen nga lotët
Që rënkojnë
mëngjesin marramendës të termetit
Më nuk po e durojmë.
E kush nuk e pa katastrofën e katandisur
E kush nuk e vuajti me shpirtin e lënduar
LOTËT, dhimbjet, plagët
Mbi kurriz ngarkuar
Si trungjet e pemëve nga gjethet janë
Zhveshur
Shqipëri shtrëngatat ti i ke kaluar
Me ballë stuhitë dekadave përballuar
Me padrejtësi trupin ta kanë copëtuar
E pse engjëjt Arbërorë kanë për t’i paguar
E varfër, e shkretë me lëkurë të gjymtuar
Me duart në qiell, o Zot duke thërritur!
Qetësinë shpirtërore tek ti po kërkojmë
Pse kaq pa mëshirë o Zot
Godet, e ne po na ndëshkon!
Veç folesë së tij shqiptari
Asgjë s’të ka kërkuar
Bashkimin e vëllait me vëllaun
E asgjë të tepruar.
E çfarë të ka bërë populli im mirëdashës
I vuajtur, i stërkequr, i vrarë, i shkatërruar
Me fytyrë të zbehur dhe të zbardhur
Të kërkon ushqim për shpirtin, për të
Mbijetuar
Gjakun tonë të kuq Shqiponjës dhuruar
Zemrat tona kurrë nuk nënshtrohen
Ato janë prej hekuri dhe përballojnë stuhitë
Si nga natyra tërmetet dhe fatkeqësitë
Edhe nga fqinjët tanë
ndyrësitë dhe padrejtësitë
Gjithmonë për interesat e tyre
na lënduan, o mëmëdhe
E nxinë e shkatërruan tokën tonë
O Atdhe,
Që brezat e rinj të harrojnë vetveten
Të përulim e të urrejmë
Edhe njëri-tjetrin,
Të harrojmë qëllimin e Atit të Madh Skënderbe
Atje poshtë betonit engjëllushja e vogël
Vajzërore
Jep frymën e fundit nën token arbërore
Beton dhe gërmadhë e rëndë e mallkuar
Na i more ti zemrat e vogla
të shtrenjta engjëllore
I zuri poshtë vetes kuçedra e tërmetit
E la shpirtin tonë të ngrirë
pa jetë si portreti!
A nuk ke mëshirë
Për engjëjt e qiellin tonë
A nuk ke mëshirë për shqiponjat shqiptare
Pse i ndëshkove malet lozonjare
Lumenjtë jashtë shtratit kanë dalë
me dënesë lotojnë
dhe më nuk durojnë
Shqiponjat janë brengosur për zogjtë e tyre
Ata janë shpërndarë rreth botës anembanë
Mbetur kanë vetëm
Baballarët pranë oxhakut të hirtë fukara
Gurët u thyejnë brinjët
Dhe trupin me kockat që u kanë mbetur gjallë
Mbuluar me një zhele jorgan
Dhe unë i pashpresë, i pafrymë
nën pragun e shtëpisë sime
Jam vrarë.
Me zë të çjerrur e të ngrysur thërras
Më jep dorën, o vëlla!
më jep dorën, o vëlla!
Në ditët me shi
Me QIELLIN e nxirë
Më jep dorën o vëlla
Me tërmete e vullkane
Jemi një, o Shqipëria Nanë!
Më jep dorën o vëlla
Vetëm ti ma njeh zërin, dhe fytyrën
Ngjyrën e dhembjet shekullore
Kockat dhe lëkurën e vuajtur
Se ujqërit tanë gjithmonë
duan të na shqyejnë, e të na hanë të gjallë
Por prapë më të fortë do rimëkëmbem
Do shtërngojmë fuqitë e pamposhtura si gjithmonë
Duke u lartësuar drejt qiellit si
SHQIPONJAT tona krenare
Që nuk mposhten kurrë.
SHBA, më 28 Nëntor 2019
PRINCESHA IKU NË QIELL
Kushtuar Nexhmije Pagarushës
Ike në qiell,
Me tingujt e tu të dashurisë së Atdheut,
Zëri i Bareshës, të ndiqte pas, luginës së heshtjes
Ngrihej imazhi yt i fundit, pas një hije
Një dorë lamtumire
Që përshëndeti botën…
Dhe dy pika loti të mallit për jetën.
Thanë,
Princesha iku në qiell,
Motivet e saj, zërat, luginat, ujërat, duartrokitjet,
Netët e gjata të pritjes së lirisë
Bashkë me ty u bënë refren i jetës
Mbi Kosovë
Dhe përgjatë Ilirisë
Shpirti yt troket dritareve, fushave, klasave të fëmijëve, rrjedhave të jetës
Deri në pafundësi si një lajtmotiv ripërtitje
Në lindje, në dasma, në luftëra,
Kosova mbart imazhin tënd, fushën e gjërë
Të melodive tua të jetës së hareshme të
Shpresave të Kosovës
Për të bërë lirinë të prekshme,
Shtëpitë me gëzim, rininë e përjetshme të shpirtit tënd.
Ti bëre jetën tonë të prekshme në kohë robërie
Bëre Atdheun e lirë në muzikën tënde
Plot klithma mali,
Rrugësh, zogjsh, erërash, stuhish të bjeshkës.
Atje bareshat vijojnë të kërcejnë motivet tua
Ndanë lëndinave të malit, lumenjve, krojeve të kristaltë të Atdheut.
Fëmijët e shkollës mbajnë portetin tënd në duar si një këngë të re për ty,
Mbajnë shpirtin tënd përmes këngëve,
Në orët e muzikës,
Netëve, detyrave të shtëpisë.
Ti ike në parajsë,
Princesha jonë
Pemë lirie, plot këngë, plot stinë që ndërrohen mbi Kosovë
Dhe kudo përgjatë Shqipërisë etnike
Ku të tjerë breza do të përkunden me këngët tua
Për t’u bërë heronj të Atdheut.
Ku ti ndeze ëndrra të mëdha lirie dhe bashkimi.
O grua e motivit tonë të jetës,
Merre me vete mirënjohjen tonë,
Të dashurisë për ty
Lë të vijë në parajsë malli ynë për ty,
Dashuria dhe shpresa,
Ku ti pret të rilindë mbi Atdhe
Një ditë e re bashkimi.
TIRANA
Ti qëndron larg në hartë
Të botës,
pemëve e jetës, pa mbarim.
Dashuria ime shqiptare, ëndërr e begatë
E hijes time që endet rrugëve tua
Në kërkim të rinisë së humbur.
Unë vij tek ti nga toka e paanë amerikane
E shembullit të gjatë të kërkimit të
Jetës
Në rrugët e tua, tek sheshet, kaltërsitë
Gjej prehjen, qetësinë.
Ty qyteti ynë nuk të humbas kurrë
Ëndrrave të botës,
Në një zgjimin tjetër, çudisë prekëse të njerëzimit
Anës globit, të gjej përherë, aty ku stinët më kujtojnë Atdheun.
Tiranë e dhimbjes time të përbotshme
Ku endi akoma shpresat e mia
Për ty
Në kujtimin tënd unë ngre këngë, bëj muzikë
Poezi të reja,
I tregoj për ty botës, kudo ku jam,
Për bukurinë tënde mesdhetare, për Europën që
Ngrihet mbi botë krenare.
Tiranë e dashurisë time,
E hapave të mi poshtë pemëve të hareshme të pranverës
Parqeve, rrugëve, dritareve
Të pritjes.
Kudo ku jam,
Natën e fundit gjithmonë e ruaj për ty
Për muzikën tënde, për koncertet,
Erën që zbert nga Dajti
Mbi frymëzimin tim,
Vetëm ti më qetëson ëndërrat e mia
Lutjet e mia,
Kryeqyteti im i lumturisë,
Ku njerëzit janë të lumtur me një këngë, me një fjalë me një mëngjes të freskët
Dhe fjalën dashuri.
Tiranë e shpirtit tim arbnor
më prit të vij prej hartës së botës,
të ngrejë
Pritjen time të gjatë,
Si një statujë malli.
SHËN VALENTINI
Shën Valentini shfaqet si një mjegull,
Si një hije që del nga muret për t’i shëmbur ato
Për zemrat e lira.
Shën Valentini ka akoma frikë nga intrigat ndaj dashurisë,
Nga dhimbjet, pabesitë, mosbesimin e egër ndaj saj.
Shën Valentini vjen përmes errësirës së dyshimit, të dhembjes njerëzore
si një lutje për botën
Dhe pastaj bëhet dritë.
Janë shtrirrë duart e Shën Valentinit mbi botë
Si një përqafim, si një muzikë për të dashuruarit
E datës 14 dhe në vazhdim
Netëve të zemrave të ndezuara të njohjes,
Të takimit.
Si një ritual i botës.
Pastaj bota pushon në krahët e Shën Valentinit
Këtij ëngjëlli mbrojtës
Të besimit.
Shën Valentini vjen për të bërë pranverë
Acarin e zemrave të padashuruara,
Për të ringjallë shpresën deri në amshim
I flijuar për fjalën të dua!
Pastaj vijnë ditët me dashuri, me muzikë me
Shpërthime zemrash
Shkon shikimi përtej mureve të ngritura kundër dashurisë,
Deri thellë lagjes së druajtur në periferi
Ku rriten vajzat elegante,
me besim tek dashuria.
Unë dua të bëj diçka për ju, sonte
Në këtë Shën Valentin
Ju që vini të fyer, të ftohur të zhgënjyer nga pamundësia
E jetës.
Po i lë takim botës më 14 shkurt, që t’i shpreh dashurinë jetës
Amshimit të zemrave të bukura që
Ruajnë rininë,
Që ruajnë dashurinë
Qysh në fillesë,
Qysh në agim të njerëzimit.
Atje ku zemrat ndezën botën me
Afshin e dashurisë për ta rilindur atë.
Po i lë takim botës më 14 shkurt
Dhe po e shpall me këtë poezi.
Ju dua njerëz sot dhe
Përgjithnjë!
NËNËS
Nënë,
Ka një ditë që e ringrej imazhin tënd të
Jetës
E përqafoj, stinën tënde të gjatë të dashurisë për ne.
Që kurrë nuk mbaron, që kurrë nuk tretet.
Si një kujtim i klasës së parë,
Kur vajza e vogël qante në derë të shkollës
E druajtur nga bota
Duke me mbajtur për dore
Më the, tani ec në ardhmëri!
Dhe u lute për mua…
Nënë e dashur,
lutja jote vjen tek unë kaq larg
Në këtë ditë të kushtimit ndaj teje
Të mendimit për ty dhe pastaj për
Dhimbjet e jetës
Në këtë botë të gjërë
Ku vijnë e ikin ditët gati njësoj,
Netët, kujtimet e largëta
Të fëmijërisë sime që më mbajnë gjallë
Imazhin për botën e sinqertë,
Të rrethuar nga ti, nga vështrimi yt që
Dallonte rritjen time, ëndërrat vajzërore dhe
Pastaj sukseset…
Ti na ke rritur me frymën tënde dhe dashurinë
Ndaj botës
Dhe vetëm mirësinë.
Në këtë ditë tënden,
Unë vij tek ti më këtë poezi, që nga larg, nga një kontinent tjetër i
Stinëve plot shkëlqim, plot zhurmë
Por asgjë nuk e ka bukurinë tuaj, ngrohtësinë e Urimit
Tënd, kur na përcillje
Në derën e katundit të bukur të rrethuar nga
Ujërat dhe malet, ku unë merrja bekimin
Tënd në çdo fjalë.
Nënë,
Kjo është festa jote, që vjen tek unë
Si një përmallim për ty dhe
Dëshurinë për të përqafuar shikimin tënd të pastër
Përmbi botë
Lutjet e tua më vijnë këtu dhe më ngrohin
Jetën.
E dashur nënë,
Në ditën tënde
Unë vij tek ti më këtë poezi,
Që nuk mbaron kurrë.
BASHKIMI I TROJEVE SHQIPTARE
Më dhëmb harta jote e ndarë,
Pikëllimi i copëtuar i botës shqiptare,
në disa shtete.
Kombi im i rrënjëve të thella të botës,
Nuk të mbrojtëm kur të copëtuan, kur u zvogëlove
nga dhimbjet dhe spastrimet etnike
Nuk të ngritën dot në këmbë trualli im
I pasosur i lavdisë,
Kur të sulmuan me pabesi, intriga
Ligësi.
Më 1913 të ndanë mes fqinjëve grabitqarë,
Të shqyen fqinjët primitivë, të joshur nga Fuqitë
E mëdha,
Ëndrra e kombit u copëtua
në miliona zemra shqiptarësh të ndara, të
masakruar nga barbarët.
Por nuk e thyen shpirtin e lirë.
Për njëqind vjet mbijetuam, rindërtuam ëndrrën tonë të bashkimit
Si mijëra vjet në troje të arbërit,
Shqiptarë të fortë, të mbijetesës,
Qëndruat në këmbë, por me plagë në trup,
Kombi im europian, sido që të coptuan,
Nuk të ndanë nga liria, nga shpresa, nga orientimi
yt perëndimor.
Nuk të shkulën qytetërimin tënd, as
pushtimet, as luftërat, as asimilimet e egra sllave dhe greke.
Sot rindërton ëndrrën tënde
Të jetës dhe bashkimit,
Sot shqiptarët në Kosovë, Mali të Zi, në Maqedoni,
në Çamëri dhe Serbinë Jugore
Janë pjesë e një kombit në bashkim
Askush nuk mund ta ndalë sot bashkimin tonë,
askush nuk mund të ndalojë rrjedhën e
historisë
Së shenjtë të ilirëve viganë.
Harta e Ilirisë për mijëra vjet e pandarë
Sundoi këtë pjesë të botës.
Bashkimi do të ndodhë. Brenga do të marrë fund.
Sot do të rigrihemi, do të bashkohemi në një shtet
në një flamur të Skëndërbeut,
siç na ka bërë Zoti,
Në tokën tonë, në etninë tonë, në hapësirën tonë
Të lirisë dhe të themeleve të Europës
Për të cilën luftuam sot dhe për disa mijëvjeçarë.
Kombi im,
Më dhemb harta jote e ndarë, e copëtuar
Nga fqinjët grabitqarë
Por do të ribëjmë hartën tënde, do t’i ribëjmë kufijtë
aty ku ishin përjetë,
Do të ribëjmë jetën nën këto hapësira europiane
Deri në përjetësi
Kombi im
I dashuruar me lirinë,
I dashuruar me perëndimin.
SKENDËRBEU
Vije malit të ngrije Atdheun
Prej duarsh gjigante të shpatës së mprehtë
Të shpresës së botës
Në kohë të vështirë të pushtimit osman
Ti ishe shpata dhe mburoja e qytetërimit europian.
Nuk kishte ditë që bota nuk lutej për shpatën tënde
Për ushtrinë dhe vendin tënd
të shqiponjave
Që i ishte bërë digë ushtrisë së egër të sulltanëve,
Në dyert e Europës.
U ndeshe me ta,
I munde sulltanët e egër të kohës,
Duke ngritur flamurin e fitores mbi Europë
Nuk kishte mortje shpata jote përgjatë perandorisë
Atlet i Krishtit, shpata e parë e Europës
Gjigant i përendimit.
Të gjithë të vajtuan kur vdekja të trokiti në derë,
Armët mbetën jashtë në druart e ushtrisë sate
Dhe Lekë Dukagjinit që të vajtonte mbi kokë
E gjithë Arbëria
Mbetën jashtë hingëllimët e kuajve fushës së betejave
dhe fitorët mbi sulltanët,
Mbetën në histori
Tashmë kishe shkuar në përjetësi
Mbret i shqiptarëve
Heroi i Europës.
FIERZA E FËMIJËRISË
Ajo ishte një skenë që s’më del nga mendja
Atje ka bërë vend
Me dimrin, me valët me zhurmat
E makinerive,
Ajo është në zemrën time,
Kënga e Fatime Sokolit për dritën,
Për jetën që ndizej mes maleve
Për të krijuar dritën
Me një çifteli me dru mani
Të varur në hapësirë si
Melodi bjeshkësh.
Atë arkitekturë të shkruar nga poetët tropojanë
Në netët e gjata të ëndërrimit të
Digës gjigante
Që do të bashkonte brigjet e lumit
Në një rrugë
Drite dhe legjende e maleve të mia.
Ajo ishte një skenë që nuk më del nga mendja
Ime fëmijërore,
E kam pikturuar në mendje atë shfaqje
Të malit
Të lumit tonë të vjetër dhe të egër
Drinit plak dhe të përmallshëm.
Siç thotë Poradeci.
Edhe sot në SHBA sa herë dritën ndez
Më shfaqet Fierza,
Me lojërat e fëmijërisë sime me makina të rënda
Të Digës
Dhe festën e malësorëve pas dimrave të rëndë
Të Alpeve.
Përfundimisht, unë gjej atje
Një pjesë të zemrës time
Dhe ëndrrës për të dalë në botë
Të vendlindjes sime
Kemi ecur bashkë gjithë këto vite
Kemi ecur një jetë nëpër botë,
Në të tjerë kontinente
Dhe malli vjen të më trazojë
Kujtimet,
Fierzë e ëndrrave të mia.
STUDENTE
Isha strukur në një dhomë konvikti të ftohtë
Kur dera u hap dhe hyri frymëzimi im
Ishte poezia që më ngrohte, muzika ime e fëmijërisë
Së dalë nga ëndrrat
E çiftelisë që vazhdon të bjerë
Pa pushim, në Alpe
E di sa bukur është të jesh studente
Të ëndërrosh botën nga librat e lexuar, nga leksionet,
fjalët e bukura të djemve simpatikë,
Në pushimet midis orëve
Me durimin tonë dhe shpresën tonë
Për të ndryshuar botën.
Erdhi koha për të nxjerrë mësimet tona, për të
Bërë vetë hapin në jetë
Dhe pasur suksese
Por ajo dhomë konvikti e ftohët, e varfër
Shpesh e pistë nga amortizimi, me ngjall kujtime të forta
Ishte jeta që çelte brenda asaj moshe
Që na çonte në delir për pak gjë,
Për një sukses të vogël, për një shikim të ëmbël
Dhe pastaj bota që ndryshonte
Me varfërinë e skajshme dhe përgjimin e kujdestareve
Të rrepta
Një sistem i frikshëm i kontrollit absurd
I ideve, fjalëve dhe vetë jetës.
Kudo që shkoj në botë, kudo ku shoh pamje të
Çuditshme të kontinentit të madh,
Asgjë nuk më zëvendëson atë dhomë konvikti
Të thjeshtë, të ftohtë dhe shpesh të pistë.
Dua të çel përsëri atë derë dhome
Për të gjetur ëndrrat e mia
Dhe jetën mes shoqesh të lumtura
Dhe jete që çilte përtej
Dritaresh,
Të qiellit.
Dua të hyj përsëri në atë dhomë të thjeshtë konvikti
Të bisedoj me vetveten,
Të qaj dhe lumturohem nga gabimet
E dikurshme,
Të marr shpirtin e lënë mes emocioneve të moshës
Dhe të ridal në jetë…