Gazeta Nacional Albania

PROF. DR. ALI ALIU: POEZIA E SKENDER BUÇPAPAJT, E NJË NIVELI TË LARTË NDËRKOMBËTAR. STUDIM

Viteve të fundit, sidomos, ato 2018 – 2020, poezia shqipe solli disa nga librat më të artikuluar; – kam parasysh ‘’Kukuta e Sokratit’’, (Sabri Hamiti), ‘’Këngë e Solomonit’’, (Sadik Bejko), “Prill i hidhur”, (Bardhyl Londo), ‘’Rrathët e brendashkruar’’, (Rudolf Marku), “Lirikë me dhimbje”, (Majlinda Rama), “Mështeknaja e babait”, (Lindita Ahmeti), ‘’In Love’’, (Preç Zogaj) dhe “Imgur” i Skënder Bucpapajt.
Libri ‘’Imgur’’ i Skënder Buçpapajt, vjen artikulim i mallit për botëfëmijërinë, për djalërinë; ky bosht tematik shtrihet në hapësirën kryesore të librit voluminoz me rreth 150 faqe, sistemuar brenda 7 cikleve. Ngasja e kësaj ndjenje, mallit për vendlindjen, truallit, sidomos nga distanca kohë-hapësirë, nuk është frymëzim i rrallë në poezi, dhe, edhe në poezinë tonë… Malli është emocion i fuqishëm, sidomos nga largësitë e papërballueshme, si ato të periudhës së Rilindjes në poezinë shqipe.
Te vepra poetike ‘’Imgur’’ e Skënder Buçpapajt, afshi i parë ndjellës i lirikës, lidhet me vetminë e cila vuan një mall që ushqehet, mbahet gjallë që nga fëmijëria, djalëria e memorizuar dhe që artikulohet varg i pakëputur imazhesh, në këtë rast, ngarkuar me emocion dhe refleks bashkë, estetikisht me ngasje të fuqishme sugjestive…; vetmia ngacmon dhe vë në lëvizje tërë këtë univers të palosur, palimpsest, që përcjell varg-pamjet, të cilat vijnë të përtërira udhësh, perspektivash, ngjyrimesh, rrethanash të shumta si përftime riinkarnimi dhe rrezatim kreativ i pandërprerë; imazhet, që iluminojnë hapësirën, gjithë nga pamje të ndryshme, sjellin impulse dekoduese lidhur me kontekste të shumta dhe lëvizëse, identifikime me situata përjetuese. Mes këtij ndërkomunikimi lirik me librin ‘’Imgur’’ të Buçpapajt, universi në të cilin ateron kujtimi i subjektit, rrezaton ndjesi ndjellëse ndaj natyrës, e me këtë rast, ndaj imazheve me bukuri atraktive, ku shquhet bardhësia e ngrohtë-e acartë, dimërore, alpinike; magjia e hapësirës së bardhë pafund që sa sfidon tundime të kundërta, ndjellëse, në vetmi përsiatëse, lëshuar ëndjeve të ekzistencës, pa përjashtuar disponimin melankolik, edhe ashtu ndër më elegantët; herë duke i hapur krahë imazhit ngarkuar përjetime të ndryshme, bosht qendror i poetikës së kësaj poezie, në radhën e përtërimit konstant, vjen ngarkuar edhe me disa sinjale dhe kode të pashfaqura, enigma që përftojnë dritë të pakapshme, një fluid i ndehur së brendshmi dhe perfeksion estetik, me ndjelljen e magjisë për përsiatje; siç ngjan me vargjet e tre cikleve të para të librit ‘’Imgur’’, por që ndjehet gjithandej në këtë libër…
Gjatë procesit të ngjizjes, thurjes dhe rrjedhjes varg të imazheve dhe të substituimit të asociacioneve që nxisin ato, në lirikën ngarkuar mall të këtij poeti, pamjet vijnë plot tensione emocionale, kambana që rrahin larg në kohë, sa nënshtresa mitike, mitizuese; thurje ëndërrore që luhaten krahëve kontenplative… Imazhet e nënqiellit të tillë në lirikën e Buçpapajt, vijnë semantizim i zëshëm me ngjyrim të fuqishëm emocional në radhë të pare dhe, thellësi refleksive, qartësisht të prekshme si përjetim. Duke semantizuar tone, vibrime, duke i ngarkuar me to imazhet, dekor i jashtëm dhe brendshëm, virtytet dhe huqet e tyre, sfidën dhe ndjelljen, joshjen dhe kërcënimin, kureshtjen dhe magjinë ndjellëse ( Nata e shpirtrave…), tërë shumësinë emocionale dhe reflektive, valët e shtimungjeve, iluminimeve të brendshme, poeti mëton, me këtë rast arrin, finalizim estetik të gjendjes shpirtërore dhe kuptimore; dhe rishtazi fillon nga e para, një ecejake, mes udhëkryqeve të pleksura, nisjeve të furishme, buzë caqeve e kurrë të mbërritura, pranë sapo të prekura gjurmët, zërat, pamjet e çdo gjë që digjet të bëhet fjalë, të flasë dhe tretje në hapësirën pafund, të bardhë, të gjelbër; tërë në fluturim përftues, fshikës që zërin e lëshon jehonë të tretur larg në horizont, ndjellës, magjepsës, urtësi ngasëse: – hapësira pafund s’pushtohet dot, sovrani kaq, kështu ka vendosur, kaq përjetësi për mallin; e zëri lirik, poeti nën saçin e mallit, sizif i pashëruar, ia nis udhëtimit që nuk do prajë së ëndërruari…; pa turrje, pa patos romantik, udhëtim spontan, natyrshëm, prandaj plot hijeshi, elegance, gatuar ndjenjë dhe refleks bashkë; ritmi ngakuar tensione i vargut, ka këtë ngjyrim, këtë puls zemre dhe urtie; pa qenë peng personal i zërit, por që ndjek parimin e rreptë estetik, që pas çdo shpërthim emocion malli, ateron në tokën e fortë; sintezë artistike e përbërësve të poetikës me këtë rast, pos e pranishme në vargjet dhe tërësinë e librit, e plotë, e përsosur qëndron edhe në tekstin e poezisë ‘Imgur’, që është edhe titulli i librit…; imazhi që sjell poezia, një sfond me dritë të fuqishme, brenda të cilit kushdo e çdogjë gjakon të shndërrohet në zë, në jehonë, në dekor stampuar, testament në hapësirë me ozon të pastruar qartë, rrjedhë rrëke ritmike, këtu janë përmasa frymëzimi, janë vetëdehje malli e zërit lirik në krahët e këtij bashkëbisedimi…
Poeti Skender Buçpapaj, mesa di, ka 30 vite që jeton në Zvicër, dhe në gjirin alpin të lindjes, është vizitor i shpeshtë. Se sa e bën zjarr me flakë në ngjitje këtë ndjenjë dhe sa e kundërta, në zbehje, kjo është për t’u parë. Malli i tij… ndërsa, kthimi i tij është i tjetër cilësie, është strehë mbrojtëse nga tjetërsimi, nga trysnia e përditshmërisë, është mëtim për oksigjen që pastron, ngjashëm me atë të Azem Shkrelit që, sa herë ndjen se i zbehet qëndresa e boshtit kurrizor, ateron majave të Rugovës së tij.
Në rastin e Skënder Buçpapajt, sa më i shpeshtë kthimi fizik, aq më i gjallë e më i etshëm malli që nuk ka kthim; nuk ka kthim të imazheve shtresuar kujtimesh, s’ka kthim të situatave shpirtërore, të sfidave, vatrave pa fund të shtresuara, gëzimeve, lumturimeve, habitjeve, frikërave e magjive; tërë ai univers i pasur, ngarkuar memorie, shndërruar në një hije, boshësi, mbetur shkretë e jetim, mbetur veçse një bosh gërryes, që veç sa ta bën të papërballueshme vetminë; veç sa të ndërmend të braktisurin, të përjashtuarin dhe përjashtuesin që mëton të shuajë etjen nga kroje të shteruara, burime të tharë; zjarr i ndezur-i shuar-i përhershëm i njeriut që poezia, qysh nga fillimet, e ka shndëruar art…
Shpalimin e një bote të shtresuar nga e kaluara e kësaj perspektive, si mozaik kujtimi, poeti Skënder Buçpapajt e sinjalizon që në titullin e librit, ‘’Imgur’’, me gjeturi kreative, që rrezaton shtresime kuptimore, emocionale të pritshme, në vargun e asociacioneve Im’At, Ime Më, Im’ Bir, Vatër, Kullë, Qëndresë,…Përjetësi.
Hapësira, pamja, imazhi është gjuha e parëe kësaj poezie, është shtrati “narrativ” i kësaj lirike; ai lëviz dhe përcjell në ecje asociacione atraktive, bartje emocionesh dhe refleksesh; shtrati-kohë ndërsa qëndron në sfond, gjithë duke e përplotësuar, e përgjallëron vargun zinxhiror të tyre, të imazheve, të ngarkuar mall dhe përsosmëri estetike; është imazh-gjuhë që shtrihet pafund në bardhësinë dimërore të alpeve shqiptare, bujshmëri bari pranveror, gjelbërim pyllor, gjallëri zogjsh e gjë e gjallë, tinguj kumbone që e mbushin hapësirën reflekse të brendshme, zhveshur mallëngjime patetike; mozaik hapësire dhe kohe, ndërlidhur raportesh ekzistenciale, bulëzim refleksesh për kthim të mundshëm, të pamundshëm, njësoj si imazhet e prekshme e të paprekshme, përfundimisht të pakthyeshme…
Kthim-moskthimet e tilla në poezi, në letërsi, janë xehe frymëzimi; ushqejnë ngasje, njësoj si në lashtësi, kohëve kur shtegtim-komunikimi, bëhej këmbë-kaluar ; njësoj hapësira pushtoheshin pa pengesa, përmes imagjinatës, si fluturimet e sotme. Malli për t’u kthyer gjurmëve dhe ëndrrave është i pashuar; është mëtim për të kaluarën, për të pakthyeshmen, mëtim për të qenë prani atje ku s’mundet, prani e asaj që s’është, përjetësia…
Një mëtim për kthim, strehë, vërehet tek një rreth poetësh, të përafërt në brez, si Preç Zogaj te kthimi i mundshëm e i pamundshëm orfeik, Sadik Bejko tek urtia solomoniane, Sabri Hamiti te kupa e Sokratit, Rudolf Marku, te kthim i mundshëm e i pamundshëm në Tiranë, jo shumë larg, kthimi i Azem Shkrelit majave kristalore të Rugovës për strehë mbështetëse e kodeve etike në përpjestim majash alpine, strehë mbrojtëse nga brutaliteti agresiv i përditshmërisë. Poezi që duhet veçuar është poezia ‘Ngujim në Gur’, e cila vjen në përmasat e një poezie antologjike.
NGUJIM NE GUR
Qiejt që lë tek ju ja si ikin me një thikë hëne të ngulur
Në shpinë
Në këtë natë me hënë shpinëkthyer nga unë, po e marr
Veten time dhe po e ngujoj në këtë gur
Veshur dhe mbathur larë dhe krehur me kozmosin tim
Me kozmosin tim që nuk e ndaj me askënd që e ndaj
Veç me veten time
Kjo hapësirë e pafund ishte plot me pritjen time
Kjo hapësirë e pafund është plot me mua
Këtu shoh gjithkënd e g jithçka, këtu më sheh vetëm Zoti
Për trup e për shpirt kjo hapësirë nuk më bie ngushtë as
Unë nuk i bie ngushtë
Qiejt tuaj ikin askush nuk ua heq dot thikën thikën e hënës nga
Shpina
Nuk ia heq dot shpinën e therur të këtyre qiejve këtij
Tehu të zi hëne të zverdhur,
Nuk ia heq dot damarët e prerë të këtyre qiejve këtij
Tehu të verdhë hëne të nxirë
A nuk duket kjo hënë mbi shpinë të këtyre qiejve në ikje
Si një embrion i dështuar hershëm?
A nuk duket kjo hënë mbi shpinë të qiejve në ikje si një
Kërmill mbi shpinë
Guaskash fluturuese?
Kështu pyes unë teksa ngujohem në gurin tim me diell
Dhe hënë të vetën
Që lindi njëherë dhe nuk perëndon kurrë.
Pyes. Kë tjetër?
Pyes veten time.
Melankolia është veshje estetike, me gjetje kreative në tërësinë e universit poetik; peng-ngujuar, i ndërsjelltë, gozhdë malli stampuar në gur. I përjetshëm? Për zërin lirik po, përjetësuar në art; hëna, sa verdhë, sa zi, pleksura e përjashtuar gjithnjë fluturimthi, përftimthi, me gozhdëngulurën në shpinë, – edhe ajo, sado në ikje, s’kalon përtej, në tretje përfundimtare……
Ta përsërisim edhe njëherë se, imazhi në librin ‘’Imgur’’ shquhet me vezullim të fuqishëm; janë sa të shtresëzuara në memorie, sa të përplotësuara dhe metamorforizuara në ecje, sa në pritje të zërit për takimin e radhës veshur nga e para, është në funksion të përhershëm frymëzimi; ambienti që e ka ngjizur dhe prej nga ka hyrë në botë, në udhëtim-jete, kurdo e kudo i pandarë; nga shumë perspektiva, situata ekzistenciale, sfida ndaj të cilave përballet poeti udhës, rrahgjetje, rigjetje, veten, unin, kodin identitar; ngasje që shpien tek hapat e parë në jetëbotë; është imazhi i marrë me vete i asaj bote; tek rasti i Buçpapajt ai është zë ndjellës për kthim, për marrje oksigjeni në përballim me largësitë, tjetërsimet, brutalitetet, absurditetet; tundime të tilla, të poetëve të shquar, janë të shpeshta në përgjithësi, edhe në poezinë tonë; të ndryshme janë rrugët e thithjes oksigjen, të ndryshme rrethanat ambient dhe kohë; poezia moderne moti e shkarkuar patosit, drejt reflekseve përsiatëse, edhe filozofike; valët e imazheve vijnë ngjyrime dhe ritme në lëvizje, vijnë shtysë vetëdehjeje drejt mëtimeve për prani, për reflektim dy kahjesh, përftim që iluminon dy palët në kryqëzim; sa më ngulmues trazimi drejt ngujimit në gur, drejt përjetësimit, aq më i pakapshëm peizazhi në ikje, aq më e largët jehona, magjia për ta shuar mallin, për ta mëkuar vizionin e zërit që s’pushon së besuari; brenda këtij konteksti trazimi të brendshëm, brenda këtij gjakimi për të mbërritur, për kthim, për zënien e të ikurës dhe, pamundësinë e arritjes në asnjë cak, imazhi në fjalë, ai i mbamendjes, i zgjimit të saj që i bie në gjirin alpin shqiptar, arrin edhe gjuhën universalizuese të artit poetik; sidomos, këtë nuancë poetike e nxit, e mban gjallë prania e nuancës së refleksit, premisat përsiatëse që artikulohen pëshpëritje të brendshme, të pazëshme; është ndjellje e gjithandejshme e lirikës së Skënder Buçpapajt me rastin e këtij libri, që pa ndërhyrje, pa këmbëngulje,e tërheq lexuesin në krahët e një prehje kontenplative; pikërisht, edhe kjo nuancë, ky oksigjen, nga tërësia e përbërësve të poetikës, poezinë e librit e kompleton, e bën plotëni artistike, e rendit ndër veprat përfaqësuese të lirikës bashkëkohore të shqipes.
Skënder Buçpapaj është poet i imazheve të shpirtit; ato kanë ngarkesën e refleksit të jashtëm të botës, të natyrës, të gjithësisë dhe situatat shpirtërore të zërit të vet; ja edhe vargjet medalione edhe të një poezie të shkurtër:
LUGU I GDHEJVE
Këtu përroin mespërmes
Dhe udhët në të dyja anët e përroit
I fsheh bari i ri
Ashtu si bari i vjetër
Këtu qielli i ri ia fsheh tokës
Ashtu si qielli i vjetër
Dhe toka ia fsheh qiellit
Ashtu si toka e vjetër
Lugun e Gdhëjve
Pishat në shpatet anës së Lugut
Re të blugjelbërta
Që turren për në qiell
Dhe nuk i shkëputen kurrë tokës
Vejushet e mia të mbetura shkret
Valltare elegjiake
Ja edhe një nga dritaret e harruara-paharruara ndezur, të “marra” me vete, nga shumë të tilla të Buçpapaj në librin ‘’Imgur’’, përkatësisht të shuara atje ku i ka lënë; Lugun…, kësaj here, mbase edhe në vizitë të vërtetë, përroin mespërmes të tij, mbuluar bari i vjetër nga bari i ri që ia fsheh të shtresuarën qiellit; ky ndërsa, qielli i ri, ia fsheh zjarrin mbuluar në hi. Pompeu… një tjetër imazh i gjetur, përflakës, njësoj si dritarja e ndezur dhe dritarja e shuar, ngarkuar si fijet elektrike ngarkuar sinjale telegrafike ngarkuar tensione; i sillet rrotull Lugut poeti, në kërkim te shtresimeve fshehur, Lugut lënë pa admirimin dikur të djaloshit, lënë shkretë, bonjak, rrethuar mbase rritjesh tjetërsuese, të thata, pa e ndjerë praninë e zërit të dikurshëm, mbetur thjesht në mëshirë të vetvetes; pishat në dy anët e Lugut, me mëtim të përjetshëm drejt qiellit, kurrë të mbërritura, valltare elegjiake…; poezi e shkurtër që sjell imazhe të gjalla, mbresëlënëse që të mbesin gjatë në përfytyrim, si në shumicën e vargjeve të librit, plot elegancë dhe bukuri të papërsëritshme.
Ps. Meqë shkrimin për poezinë e Skënder Buçpapajt po e hedh në kompjuter gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë, 2020, më bëri përshtypje një fenomen gati i shëmtuar: edhe pse të pranishëm me libra, disa nga emrat e përmendura këtu, si edhe disa nga emrat e prozatorëve të shquar të letërsisë kombëtare, juria nuk denjoi asnjërin nga këta! Për bindjen dhe shijen time, ky ishte skandal kulturor; dëshpërim edhe më i madh që mbeti pa reagim adekuat. Nuk, të paktën, nuk u qortua një juri e tillë “kompetente” dhe as shefi i tyre që emëron të tilla juri për të injoruar letërsinë kombëtare, për të cilën, kudo në botë, në radhë të parë atë e kanë si synim të parë, sidomos në panaire librash…