Site icon Gazeta Nacional Albania

Prof. dr. Fadil Maloku: Protesta që Foli me Zemrën e Kombit. UÇK-ja nuk Harrohet: Kosova tundi themelet e heshtjes!

Protesta madhështore e sotme në Prishtinë nuk ishte thjesht një manifestim emocional për të shprehur indinjatën ndaj gjykimeve ndërkombëtare apo margjinalizimit të UÇK-s në diskursin publik dhe në aktakuzat e Gjykatës Speciale. Ajo sot përfaqësoj një akt kompleks sociologjik, që ndërthur kujtesën historike, krizën e legjitimitetit dhe përplasjen e narrativave mbi luftën e vitit 1999. Kjo protestë, ndonëse u zhvillua në një moment tejet delikat e të tensionuar politik – të karakterizuar nga paraliza institucionale e Kuvendit dhe mungesa e vullnetit racional politik nga ana e liderëve, klaneve dhe grupeve të interesit që më parë e tash hapur mbrojnë monopole politike – duhet parë edhe si një formë defrustrimi kolektiv. Është një reagim ndaj përçudnimit të vlerave dhe tentativës për të zbehur memorien historike të UÇK-së së vërtetë.

Në këtë narrativë sociopolitike, Shoqatat e Veteranëve, duke rikujtuar deficitin patriotik të elitave aktuale në raport me shtetin dhe sakrificën e bërë për liri, e përdorën protestën si alarm brengosës dhe shqetësues. Një alarm ndaj rrezikut që vlerat sublime dhe kujtesa kolektive për çlirimin e Kosovës po margjinalizohen e po bien në harresë. Përtej këtij alarmi, protesta artikuloj edhe një klithmë për ndërgjegjësim kolektiv, duke rikujtuar sfidat serioze për kohezionin social, sundimin e ligjit dhe narrativën kombëtare, si dhe paralajmëroj një rezistencë më aktive në jetën publike. Protesta për Drejtësi, gjithashtu përveç një reflektimi mbi identitetin tonë kombëtar dhe nevojën për ruajtjen e kujtesës historike, simbolizoj edhe një reagim racional ndaj perceptimit të padrejtësisë, që lidhet me mënyrën se si trajtohen figurat kyçe të luftës. Reagim ky që na dëshmon edhe një test për pjekurinë institucionale të Kosovës – se shoqëria kosovare përkundër polarizimeve të shkaktuara me paralizën në Kuvend është e zoja të menaxhojë si lirinë e shprehjes, ashtu edhe funksionalitetin demokratik.
Cilat janë rreziqet hipotetike, në rast se “drejtësia” shndërrohet në “padrejtësi”?Në kushtet dhe rrethanat e një apatie, komoditeti dhe indiference të krijuar e të thelluar që i ka përshkruar shoqëritë shqiptare në Ballkan, ekziston rreziku real për rritjen dhe radikalizimin e diskursit publik, veçanërisht kur janë në pyetje dilemat rreth temës së luftës me Serbinë dhe drejtësisë për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Pistë e mundshme për këtë radikalizim – qoftë edhe në planin simbolik – mund të jetë rritja e mosbesimit ndaj institucioneve shtetërore, sidomos atyre të drejtësisë dhe politikës, nën pretekstin se kanë dështuar në mbrojtjen e çlirimtarëve të akuzuar. Kjo protestë mund të interpretohet pa mëdyshje edhe si një akt simbolik (de)legjitimues ndaj figurave politike të ngritura në emër të luftës. Ku nuk përjashtohet as përplasja simbolike ndërbreznore, lidhur me mënyrën se si duhet interpretuar trashëgimia e luftës çlirimtare – si një konflikt i armatosur (siç e cilëson Gjykata Speciale), apo si një luftë e drejtë për çlirimin e Kosovës. Ngase, UÇK-ja simbolizon, përveç përpjekjes së lavdishme për liri, edhe një projekt racional për identitetin e munguar shtetëror dhe sovranitetin e admiruar kombëtar. Ndërkohë, “Protesta për Drejtësi” mund të lexohet edhe si një rikujtim i nevojës për reafirmimin e identitetit kombëtar të nëpërkëmbur – jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës. Njëherësh, ajo përfaqëson edhe shprehjen e ndjenjës së krenarisë kolektive, veçanërisht në kohë kur ky identitet sfidohet nga narrativa të jashtme dhe të brendshme që synojnë ta zbehin dhe ta relativizojnë atë.
S’ fundmi, do potencuar se; një brezë që harron përpjekjen për liri, është e destinuar të rikthehet në robëri e skllavëri. UÇK-ja nuk ishte vetëm një formacion ushtarak, sikurse ai i Lëvizjes së Prezerenit, por, ishte edhe një projekt i paramenduar mirë politik, kombëtar e sociologjik për rikthimin e identitetit të mohuar shqiptar në trojet e veta në Ballkan. Çdo përpjekje për ta gjykuar me empati e indeferencë këte lëvizje historike e shpie kombin dhe shtetin tonë drejt një rreziku tjetër edhe më të madh: humbjen e kuptimit të vetë lirisë! Trashëgimia e UÇK-s, sikurse ajo Lëvizjes Paqësore, nuk ishin, nuk janë dhe nuk duhet të “pronësohen” nga asnjë subjekti politik, asnjë ideologji, asnjë krahinë, e aq më pak nga ndonjë klan e individ kushdo qoftë ai…!

Exit mobile version