Gazeta Nacional Albania

Prof. dr. Shyqri GALICA : DRITERO AGOLLI DHE KOSOVA

Poeti më i shquar kombëtar Dritëro Agolli në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar do të futet në botën komplekse të një pjese të atdheut, që tashmë po merrte dimensione të reja historike.
Këto shqetësime poetike i parandien e artikulon me një ndjenjë tepër të veçantë dhe formë artistike të nyjës mbi jetën e vdekjen, si katrahurë e robërisë dhe e përpjekjeve shekullore për liri.
Intrigimi i realitetit jetësor te poeti Agolli do të shpërthejë fuqishëm nëpërmjet vargut poetik. Me talentin e tij dhe përvojën krijuese do të artikulojë shqetësimet delikate të artistit në prerjet ekzistenciale, në filozofinë jetësore dhe vizionare të tij.
Duke ndier në mënyrë të veçantë preokupimet e shqetësimet e shqiptarëve në vise të ndryshme, sidomos në Kosovë, Agolli shpërthen në mënyrë dinamike me vargun e tij sfidues, me figurat e tij të jashtë¬za¬kon¬shme dhe, pa dyshim, me mesazhin artistik aktual, që do ta fuste receptuesin në shtegun kërkues të lirisë.
Kosova dhe viset e tjera nën thundrën e robërisë kërkonin lirinë dhe sikur prisnin vargun e fuqishëm të poetit për ta realizuar atë. Ai në horizont shihte shkëndijat e lirisë dhe sakrificat e shumta për të, por edhe nevojën për ta ndryshuar realitetin. Këtë realitet historik do ta paraqesë nëpërmjet poezisë së tij, duke aktualizuar segmente që vetëdijesonin botën shqiptare, si trumbeta që jehonin me një fuqi liridashëse në qarqe shumë të gjera. Pikërisht në këtë varg poetik do të manifestohej dashuria e madhe për kombin dhe lirinë, një dashuri e kërkuar me aq përkushtim dhe e gjetur me aq invencion, që poezisë së këtij artisti do t’i japë një ton energjik e të fuqishëm.
Vizioni poetik për çështjen kombëtare
Si poet i dimensioneve të gjera, artist i vërtetë i fjalës së shkruar, vizionar i jashtëzakonshëm, kërkues këmbëngulës i lirisë dhe i demokracisë njerëzore, në vargun e tij përshkon ajo frymë dinjitoze atdhedashurie, aq karakteristike për krijimtarinë e tij poetike.
Gama e larmishme artistike e Agollit është dëshmi e një njohjeje të thellë të realitetit kombëtar dhe më gjerë, ku shtrin erudicionin artistik me një përkushtim kërkues të mëvetësishëm.
Frymën e lirisë që mungonte në trojet e pushtuara, Agolli e nuhat si erën e bukës dhe e përjetonte si njeri e artist, mbi të gjitha si shqiptar. Individualiteti i tij për këtë çështje shprehet theksueshëm me një cikël poetik në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur një pjesë e atdheut përjetonte dramën e vet kombëtare.
Kosova do të bëhet frymëzim i veçantë për shumë poetë, si sinonim i lirisë dhe i pavarësisë kombëtare.
Edhe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë Kosova dhe viset e tjera shqiptare përjetonin dhunë e terror shtetëror. Në fund të shekullit të kaluar bota demokratike e kuptoi gjenocidin sllav mbi shqiptarët etnikë. Vetëm disa qarqe politike nuk e konceptonin drejt këtë realitet, duke shprehur dyshimin e daljes nga zgjedha e pushtuesit.
Duke parë këtë mjegullnajë që kishte pushtuar kokat politike të asaj periudhe, poeti Dritëro Agolli do të shpërthejë me mllef si poet dhe si shqiptar:
Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,
Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit.
(“Fushë-Kosovë”)
Ai shprehet me ironi se do të bënte hatanë sikur: “T’i qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati…” Ky shqetësim poetik shprehet edhe si faktum, edhe si fiksion, por edhe si një mesazh artistik për të nxjerrë nga letargjia dritëshkurtrit që nuk po shihnin drejt rrjedhat historike: “Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova…”?!?
Ky shqetësim i mbledhur nëpër vite do të cysë muzën poetike të Agollit të nxisë këtë çështje, e cila gati një shekull po priste orën historike.
Vargu “Të çlirohej vetëm me vjersha Kosova…” ishte një alarm që duhej përsëritur, sepse momenti historik kërkonte sensibilizimin kombëtar e ndërkombëtar. Duke përjetuar me shpirtin e artistit këtë atmosferë të robërisë e të luftës, Agolli do të zbresë në Kosovë për ta ndier nëpër damarë qëndresën historike të popullit tonë:
O vend i bekuar, copëtuar dy copa,
Me dele tek serbi, me lesh nga Evropa…
(“O vendi im me çudira”)
Kjo gjendje e krijuar gati para një shekulli, Atdheu i copëtuar, ishte bërë vetëdije e popullit për çlirim në momentin kur po ndryshonte edhe harta gjeopolitike e botës. Në këto rrethana po krijohej edhe qëndresa historike për liri:
“është më lehtë të mësohet të jetohet aty ku njerëzit dinë të vdesin.”
Me një ligjërim inventiv Agolli sjell edhe fatin e një vashe shqiptare të Kosovës, e shtrënguar të gjendej në një kabare:
Kush të solli këtu, të solli siç themi, mjerimi?
Vërtet, me thonjtë e serbit mjerimi të zgjatet si zorrë!
Ah, ç’mrekulli mund të bëje ti atje tek burimi,
T’i çmendje djelmoshat me shtambën në dorë.
Kush të solli këtu, të solli, siç themi, mjerimi?
(“Në kabare para një vajze”)
Mjerimi kishte katandisur popullatën e Kosovës, prandaj dhe mobilizimi për ndryshime historike kërkonte një përkushtim shumë të madh, sepse një pjesë e mirë e rinisë ishte detyruar ta merrte botën në sy. Këtë realitet të hidhur e përjetonte dhe poeti ynë, që kishte një informacion më të mirë për rrjedhat e jetës dhe tërë situatën e krijuar në këto vise të pushtuara:
Kthehem këtu në Kosovë fill prej mërgimit,
Kthehem nga lumi i Rejnit, Senës, Sir-Darjes,
Barin e gjej të tharë nga brymë e trishtimit,
Gurët të plasur nga peshë e lotit të ndarjes.
(“Kthimi në Kosovë”)
Poeti shpreh një realitet të hidhur, që e përjeton si krijues, si artist dhe një mesazh poetik si vizion, duke treguar se kjo është “udha e shtegtarit misionar në truallin e jetës shqiptare…”
Një çështje tjetër që trajtohet në poezinë e tij janë raportet jonormale të martesave me të huajt. Krushqitë e tilla shfrytëzoheshin për qëllime politike. Dhëndurët serbë sulmonin keq kombin e vet, andaj Agolli i ironizon në njërën nga poezitë e tij:
Por nejse, unë u ndava prej saj,
Se muaj me radhë më çmendi,
Dhe shpesh më kujtohet kur thoshte babai:
“Veç gruan dhe kaun zgjidhe nga vendi!”
(“Gruaja dhe kau”)
Një toponim që zë vend në shumë poezi me temë Kosovën është Kaçaniku, i cili historikisht ka pësuar shumë drama, duke dëshmuar gjithnjë një qëndresë të jashtëzakonshme.
Poeti ynë gjen motivimin për të theksuar rolin e tij historik e aktual dhe figurat historike që kanë mbetur të përjetshme në lëvizjen e kombit tonë.
Kosova, kjo pjesë e Atdheut të copëtuar, me siguri do të jetë edhe në të ardhmen frymëzim krijues, me gjithë rrethanat e reja të krijuara pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse, siç thotë vetë poeti, “Parajsa nuk e njeh në mes kufinë…” , duke përfunduar më tej:
Kështu, ju them një mençuri të lashtë,
Që gjyshi plak dikur në oxhak e gdhendi:
“Nuk bëhet Shqipëria sot Parajsë
Përderisa Kosova mbetet jashtë”…
(“Parajsa e gjymtuar”)
Këto krijime poetike të Dritëro Agollit i shquan strukturimi inventiv, prirja për të artikuluar botën komplekse të këtij dinjitari të poezisë shqipe, me mjete e figura të pasura stilistike, që poetikën e tij e bëjnë më të larmishme e më të veçantë, ndërsa receptuesin e grishin në gjirin e kësaj poezie, me dashurinë e gjakimin për lirinë.
Ky segment i jep rrezatime lirikës agolliane për ta shtrirë dhe për ta fuqizuar ndikimin e vet edhe në qarqe letrare, shoqërore e kombëtare.
(Çmimi letrar i LSHK-së, poetit tonë të madh Dritëro Agolli, 2011)