Ganua, edhe pse ishte larguar nga malësia dhe kishte ardhë me banim në Kënetë të Durrësit,nuk përtonte,por, një herë në dy muaj, merrte rrugën dhe shkonte atje.Në malësi ndodhej kulla e tij trekatëshe,tokat rreth e qark saj,arrat e vjetra, që ende prodhonin,gështenjat në korie,ca leskra vreshtash, të cilat ngarkoheshin me vile rrushi…Atij i dhimbsej trolli i lënë, kulla e tij e vjetër ndërtuar nga babagjyshi,gati njëqindvjeçare,me mure të trasha gati një metër,me breza lisi të fortë nëpër to,frëngjitë dhe dritaret e hapura së voni,çatinë me rrasa.Ajo nuk ishte kullë,por një kështjellë e vogël mbi një kodër të butë,prej nga shihte të gjitha anët e fshatit dhe prej të gjitha anëve dukej që larg, e bukur,e hijshme,hijerëndë dhe e rëndësishme.
Baba i tregonte plot histori,por njëra i kishte mbetur ndër mend:Kur erdhën një çetë serbësh të uritur për ta djegur,gjyshja u hodhi disa rripa mish -pastërma dhe ata u zunë me njëri-tjetrin kush të përlante copën më të madhe, harruan dhe hodhën armët dhe u shtruan të hanin;kaq kohë iu desh asaj të lajmëronte burrat e kullës që erdhën me vrap dhe i vunë serbët e uritur përpara me pushkë,dhe ata lanë rrugës mishin,jetën dhe armët…
Në këtë kullë ishin ndarë kuvende,ishin bërë dasma dhe aty kishte dhënë shpirt babagjyshi,gjyshi e baba i tij,aty, në atë kullë, ishte rritur ai,ishte martuar e u lindën fëmijët,në atë kullë vinin miq të afërt e të largët dhe baba dilte e i priste te shtegu i kufirit të saj,pastaj në dhomën e miqve ,në katin e tretë, vlonte muhabeti,rakia e kënga,kryhej shërbimi nga gratë, me tepsi me mish e ushqime të tjera .
Por si erdhën kohërat…Nuk kishte dashur të ikte kurrë prej andej,por djemtë u azdisën dhe morën rrugët e kurbetit,sollën para të mjaftueshme dhe ndërtuan një vilë në Kënetë ,e cila i zilepsi fqinjët përreth.Pasi ndërtuan vilën, ata nuk ndenjën më aty,por ikën…,njëri në Angli,tjetri në Gjermani dhe i treti në Spanjë.Ganua mbeti me të shoqen ,Sanijen, që mbahej mirë,por që nuk vinte në malësi,se gjatë kohës që Ganua ishte i ikur,ajo kujdesej për vilën,lulet e disa rrënjë të reja hardhish…
Ganos nuk i rrihej në Kënetë.Duart i hanin për punë por djemtë i thoshin të mos punonte.Ajri i ndotur i Kënetës, që mbushej me grimca inertesh nga shtëpitë në ndërtim,kanalet ku shtriheshin tubacione dhe fije të rrjetit elektrik, si dhe derdheshin në to ujërat e zeza, i ngjallnin krupën.
Verës,ai e merrte gruan ,gati si me zor, dhe shkonte te kulla.Gjelbërimi harlisej ngado, se pyjet nuk dëmtoheshin prej rrallimit të njerëzve dhe bagëtisë së pakët,ajri i pastër i frynte në flegrat e hundës si përkëdhelje dhe Ganua gjithë ditën dilte e shëtiste nëpër arat djerrë,qëndronte nën hijet e kumbullave ,të manave dhe qershive,shijonte manaferrat anës rrugës dhe kështu dita kalonte lehtë-lehtë, dhe trupin e ndjente si pupël.Ndërkaq,e shoqja i kishte kryer punët e shtëpisë të gjitha ,ajo e fshinte kullën cep më cep,pastronte dritaret,rregullonte ndonjë perde,lante pragjet e dyerve dhe dyert,pastronte vendin jashtë në oborr dhe rregullonte ndonjë gjë, që ishte e pasistemuar…Por pas disa ditësh e shoqja mërzitej dhe fliste për vilën në Kënetë,një vilë e madhe me shumë dhoma.Edhe ato duheshin pastruar.Shtëpia, nëse nuk ndjen brenda frymën e njeriut, fillon e bjerret vetvetiu,i thoshte ajo dhe ai e niste të shoqen me disa kushërinj të saj ,që jetonin ende në malësi;ajo hipte në furgonin e linjës dhe nisej për në Kënetë…
Kur e dëgjuan që Ganua erdhi në kullën e vet,ia befën disa kushërinj të largët për ta përshëndetur.Ata rrinin nën hijen e manave në oborr, në ca stola dhe pranë një tavoline prej guri,pinin raki, bisedonin…Qanin hallet,por edhe flisnin për të kaluarën,për fshatin e tyre të madh, ku kishin mbetur tridhjetë shtëpi,për ndonjë grindje në fshat,që s`do të kishte ndodhur,po të mos kishin ikur burrat e mirë,siç thuhej..
Mikpritja e Ganos i mbresonte dhe e ftonin te shtëpia e tyre.Shtëpitë kishin ndryshuar.Dikush kishte vënë tufën e dhive,dikush kosheret me bletë dhe një tjetër tokat i kishte kthyer në plantacione me gështenja dhe arra,prej nga siguronte fitim .Shtëpitë ishin rregulluar,suvatuar,televizori, lavatriçja, dhe celularët nuk mungonin,që as mendoheshin para ca viteve…”Jetohet mirë edhe këtu”,ishte shprehja e zakonshme,por ka pak njerëz,njerëzit e mbajnë vendin…Atij i bëri përshtypje se shumë fshatarë kishin blerë makina,dhe të mira…Fshatarit nuk i dridhej dora si dikur as i skuqej faqja kur vinte miku.Therte pulën,gjelin,madje edhe qingjin,sipas rastit,dhe e mbushte sofrën plot,ndryshe nga dikur kur e varte qafën te dyqani i fshatit për dyqind gram kafe…
Ganua kuptoi se nuk e njihte mirë fshatin e tij.Gështenjat që ndodheshin rreth kullës ,arrat ,lajthitë, hardhitë plot me rrush, shkonin kot dhe ose i merrnin fshatarët si në mall belik,ose i hante ndonjë udhëtar i rastësishëm a zogjtë i çukisnin veshulet e rrushit.Të gjitha këto pemë ishin mbjellë nga gjyshi e babai, ato sikur rënkonin prej pakujdesisë së tij.
Ai vendosi të priste vjeshtën,ndërsa dilte ditëve dhe vështronte gështenjat plot me bohçe,arrat e mbushura në degët e tyre me kokrra,rrushin që harlisej,por gjer atëherë nuk mund të rrinte,se, ndërsa mendonte kështu, Sanija e thirri në telefon,sepse një fqinj i tyre në Kënetë i kishte ftuar në dasëm.
Pasi mbaroi dasma,atij iu desh të rrinte edhe ndonjë muaj në Kënetë,sepse djemtë i kishin sjellë një makinë dhe i duhej të ushtrohej me të.Makinën e mësoi mirë ,sepse shkollën e kishte kryer për mekanik.Tani do ta kishte më të lehtë për të ikur në malësi,do të hipte Sanijen në vendin e parë si princeshë dhe nuk do të kishin nevojë t`i luteshin shoferit të furgonit të linjës, për të ndaluar këtu apo atje në burime me emër,por do të ndalonin vetë,në kokërr të qejfit…As thasët me arra e gështenja nuk do i ngarkonte më mbi mushka,por në bagazhin e makinës ,që ishte një fuoristradë,enkas për rrugë malore.
Dhe një ditë,në fund shtatori,ai tha Sanies se duheshin të niseshin për në malësi,por ajo,ca për arsye përtimi,ca se mërzitej në atë vend të shurdhër apo se i dhimbsej vila,nuk pranoi.
Vendosi të nisej vetëm.Pasi e përshkoi rrugën nacionale, makinën e devijoi te një fushë e ngushtë ,aty ku niste rruga për në fshatin e tij,një rrugë e Sharrave të dikurshme.Nga aty fillonte një e përpjetë me ca kthesa të forta,por, si t`i kaloje ato, rruga shtrohej në mënyrë drejtvizore,për të kapur më pas të përpjeta të tjera.Këtë rrugë ai e dinte symbyllurazi.
Por, ndërsa nisej për andej, vuri re një kolibe prej dërrase,e cila i bëri përshtypje.Ç`donte ajo në atë udhëkryq rrugësh?Ndaloi makinën në një cep dhe eci për andej.Kolibja na qenkësh një klub i improvizuar dhe ai që shërbente aty ishte një fshatar i tij,kushëri i largët,që e njihte.
Diku ,me shtimin e lëvizjeve, dhe blerjen e ca tokave anës fushës së vogël nga disa politikanë të vegjël të provincës ,i ishte futur tregtisë dhe mendonte që barakën e vogël prej dërrase, dikur ta kthente në një lokal të mirë.Shpresonte.Ai i dha një gotë raki,po Ganua kërkoi një gotë kos ose dhallë të këtyre anëve,ndërsa Diku nuk vonoi dhe i solli një qyp të vogël prej balte, mbushur me dhallë të freskët,solli dhe një gotë prej alumini dhe ia vuri pranë.Ganua piu dhallë me etje,duke e falenderuar dhe, meqë hynte për herë të parë në një lokal,se i erdhi zor të paguante dhallin,i la një kartmonedhë, si për urim.Megjithëse Diku e luti të rrinte edhe ca,ai u nis.Po binte mbrëmja dhe mugëtira ishte përhapur gjithandej me një tis të lehtë që trashej nga çasti në çast.
Ganua u kujtua se kishte ca rrugë për të bërë dhe mori një të përpjetë me kthesa duke ecur ngadalë.Mbrëmja ishte e freskët dhe tek- tuk,rrallë,shihej ndonjë dritë që i sillte asaj hapësire shurdhe dhe përpirëse një pikëzim të dëshirueshëm në vlerë të jetës.Ganon e kaploi një trishtim,diçka si ankth i lehtë kur ai mendoi sesi kishte qenë jeta dikur e se vetë po bëhej si shumë tahmaqar,duke u endur këtyre vendeve ,vërtet të dashura,por tashmë të braktisura dhe, me një a dy lule nuk vjen behari.Duke bërë kujdes,me dritat e ndezura të makinës që fashonin errësirën,ai kuptoi se nuk duhej veçse nja pesëqind metra për të shkuar te shtëpia e tij.Ndaloi makinën të mbushte një bidon uji te një krua aty afër, kur dëgjoi,nga një gëmushë ,një vëzhd me rrapëllimë të rëndë.Ganua qëndroi dhe u drodh,duhej të ishte ndonjë ari…Ai mbushi bidonin dhe hipi në makinë…
Frenoi lehtë para shtëpisë,hapi kanatën e rëndë të portës,dhe rrotulloi çelësat në dorë.Pastaj u gjend para derës së kullës,një derë prej dërrase lisi,e vjetër, por e fortë,e futur midis dy qemerëve të gurit,sipër me një hark po prej guri.Kulla e zhytur në errësirë dukej se mezi po e priste…
U ngjit në shkallët e saj të brendshme për në katin e dytë,kur papritur mbi fytyrë i ra një fashë drite elektriku dhe vendi përqark u ndriçua aq mirë, sa ai të shihte dy njerëz me automatik në dorë, të cilët ia drejtuan atë drejtpërdrejtë dhe i thanë të mos lëvizte.Ai mbeti midis shkallëve i ngrirë.Ç`ishin këta njerëz,nga kishin hyrë në kullë dhe përse mendonin se duhej të banonin aty ,në shtëpinë e tjetrit?Të ishin turistë, përse të mbanin automatikë?
Nuk pati kohë të mendonte gjatë kur njëri nga ata mori në telefon dikë tjetër dhe ai dëgjoi fjalën:”Ta qërojmë!”,por kjo qe vetëm një fjalë që, siç dukej, nuk mori miratim ,se Ganua,si zot shtëpie,mbase mendoi tjetri,shefi, do të tregohej i arsyeshëm,për të mos ia treguar këtë incident kujt;vetëm kur dëgjoi urdhrin:Ktheu mbrapa dhe sonte fli ku të duash,kulla sonte ka mysafirë!!!…
Ganua u kthye mbrapsht dhe doli me hap të nxituar nga kulla.Ai hipi në makinë dhe u nis.Në fillim harroi të ndezë dritat e saj dhe ecte kuturu,por pastaj u kujtua. Rruga përmes pyllit ishte aq e heshtur,thithëse.Pasi kishte ecur një copë rrugë,i solli sërish para syve njerëzit me automatik në dorë ,që i kishin zaptuar shtëpinë.Jo ,ai nuk kishte qenë i zoti të mbronte kullën e tij,atë kullë që mbante në gurë shenja plumbash nga sulmet e ushtrive të huaja,atë kullë që e mbanin në këmbë burra trima e të besës.Dhe nuk kishte ditur të përdorte as edhe një dredhi,sado të vockël,ashtu si gjyshja e tij që u kishte hedhur ushtarëve të uritur serbë rripat e mishit –pastërma dhe kishte fituar kështu kohë për të thirrur burrat e shtëpisë.Djersë të ftohta i shkonin në ballë ndërsa makina hungëronte e gulçonte,kështu i ngjante atij,sikur përjetonte dobësinë,dhimbjen, përzier me inat .
Me mendime që i mpiheshin sa i niste për t`u dhënë udhë,arriti te baraka në cep të fushës së vogël.Ende në të shihej drita e ndezur.Diku nuk kishte rënë të flinte.Sa i lumtur ishte Diku që flinte i qetë në shtëpinë e tij,qoftë edhe barakë,kurse ai i mjerë!Të shkonte atje,t`i kërkonte një mendim se ç`mund të bënte apo të vijonte rrugën?Por në ato momente ndjente nevojën të fliste me një njeri dhe pa hezitim u nis drejt barakës.
Diku nuk shprehu ndonjë shenjë habie as kurioziteti përse u kthye,madje i solli sërish qypin prej balte me dhallë,por Ganua i kërkoi raki.Kishte nevojë të mblidhte veten.Ai ,pasi piu gotën e tretë të rakisë,ia tregoi fill e për pe çfarë i kishte ndodhur,nuk i kërkoi mendim se ç`duhej të bënte,se nuk donte ta ulte veten,por thjesht se nuk e mbante dot atë ngjarje të rëndë ,si një makth, që me thonjtë e tij i gërvishte gjoksin nga brenda…
Diku e dëgjoi qetësisht dhe Ganos i erdh inat pse ai nuk po përjetonte pak shqetësimin e tjetrit,por Diku tha:
-Mos u mërzit,ata janë rojet e parcelave që i kanë në pyll dhe që të mos e kalojnë natën jashtë,flenë në shtëpi të braktisura…Meqë ti ke vajtur në shtëpinë tënde,nesër kullën e ke të lirë dhe ata nuk vijnë më aty.Gjejnë shtëpi të tjera,se shtëpi të braktisura këtej ka sa të duash këndej…
-Çfarë parcelash? -pyeti Ganua.
-Vetëm kaq nuk të mjafton ta dish!?…-përfundoi Diku.
Diku,me të cilin binte një farë kushëriri,shtroi një sofër të vockël me meze dhe vuri në anë të pjatave dy gota me raki dhe, pak mënjanë,shishen.Ai ishte shumë i lirshëm,po Ganua vuante.Preku ose skërmiti një kockë mishi të pjekur dhe ngriti gotën e rakisë.Diku e shihte me bishtin e syrit,por nuk e sillte fjalën aty ku i dhimbte Ganos.U bë heshtje.Jashtë dëgjohej ndonjë zhurmë makine,në filllim e ashpër,pastaj tretej në qetësinë e natës së thellë.Befas trokiti dera e barakës së vogël.Ishte një i panjohur.Ai i kërkoi Dikut paketa duhani,bukë dhe sheqer,djathë,konserva peshku e sende të tjera.Diku ia bëri gati shpejt e shpejt dhe i mori paratë.Gano nuk e pyeti fare dhe as u interesua për tjetrin.Diku ishte në qejf.”Shyqyr që janë këta!”,tha ai,po Ganua nuk pyeti se kush ishin ata.Fundja çfarë i duhej.Atij i shkonte tym prej koke.Diku e kuptoi,dhe i hapi një krevat portativ.Ganua nuk i tha natën e mire dhe menjëherë u shtri.Ai mbuloi kokën me batanie sikur ta mbulonte me një re turpi.Nuk kishte qenë i zoti të mbronte kullën e tij nga ata të panjohur,nuk kishte ditur të përdorte as një taktikë ,siç bëri gjyshja e tij kundër ushtarëve serbë,aq gafil ishte zënë,si miu në çark.Një afsh i nxehtë dhimbje po e pushtonte,që vinte nga pafuqia,nga sedra e plagosur,nga turpi.Atij i kujtohej gjyshi,baba,burrat e kullës,njerëzit e afërt, që nuk ishin më në këto vende.Hordhitë e huaja nuk kishin mundur ta zbraznin malësinë,ndërsa kjo kohë, si me të butë,si me një joshje të mistershme, e kishte boshatisur vendin…Dhe me këto mendime që i vareshin si litarë të spërdredhur nëpër qiellin e turbullt të mendimit dhe në përpëlitje, duke u kthyer nga një krah në tjetrin ,e zuri gjumi.Një gjumë i rëndë,plot ëndrra të copëzuara që ,në mëngjes, nuk i mbante mend.Ishte i humbur.
Ishte gdhirë kur pa Dikun që po kuvendonte me …Ishte herët,më herët se ç`mund të mendohej se në këto anë mund të vinte një njeri,veçse nga ndonjë hall i madh.Ganua u shmang,që tjetri mos ta shihte,por ai nuk e kishte mendjen te Gano,e tërhoqi Dikun për cepin e mëngës së xhaketës dhe bënë tutje…
Ganua duhej të rikthehej në kullën e tij.Ai do t`i kërkonte Dikut një automatik.Ai s`mund të nisej për në Kënetë.Dhe ia tha Dikut kërkesën e tij.Diku buzëqeshi.”Nuk është nevoja,tha,bashkë do shkojmë në kullën tënde,prit sa të kalojë mëngjesi,tani vijnë njerëzit dhe kthehen mbasdite,dreka është kohë bosh…Ganos i pëlqeu ky mendim,por sidoqoftë automatikun e donte,le të kushtonte sa ç`e blen frëngu pulën ose sa nuk ia vlente fare,por në ato çaste ai për të ishte një farë kurajoje,se edhe nëse vritej,le të vritej duke e paguar veten jo të shkonte si qeni në vreshtë…
Diku kishte të drejtë,oborri me ca tavolina të gjata dhe stola anash tyre u mbush plot.Gano rrinte brenda barakës.Ai dëgjonte zërat e tyre,zhurmërimën e tingujve që merrnin tingëllim nga ajri i pastër i maleve.Bisedonin me zë të lartë për punë të ndryshme,përmendnin emra politikanësh dhe tregonin ndonjë histori bajate.Kështu nja dy orë gjersa zërat filluan të rralloheshin.Diku hyri brenda barakës dhe i tha Ganos:Përgatitu se do nisemi!
Ganua e pëlqeu mendimin e tij. ”Po automatiku?”Ai nuk i tha gjë.Mori makinën e cila rrinte e heshtur, e përndritur pak nga vesa e mëngjesit, si e larë.Atij iu duk se edhe makina sikur kishte dënesur nga çfarë i kishte ngjarë atij.Kjo i dha një të rrëqethur dhe e ndezi atë,priti pak,pastaj,së bashku me Dikun, u rinis drejt kullës së tij,duke marrë rrugën,të cilën, edhe natën, ai e dinte symbyllurazi.
Kur arritën te kulla, dera ishte e mbyllur,e pra,ai e kishte lënë hapur.E shtyu lehtas fletën e derës me dru lisi dhe ajo u hap.Të dy u ngjitën shkallëve të brendshme dhe Ganua vuri re diku një bisht cigarje të shtypur me këmbë,më tutje një konservë të boshatisur dhe një hedhurinë tjetër, që i ngjante një letre me ngjyra.
-Ti s`duhet të kesh pikë meraku-tha Diku,-ata nuk vijnë më.Unë e di mirë këtë!
-Nga e di ti?-e pyeti Gano,pra ti i njeh ata dhe nuk ma thua se kush janë?.
-Jo nuk i njoh,por unë jetoj këtu dhe i nuhas gjërat mirë,si të thuash ,dëgjoj me majat e veshëve,i kap gjërat në ajër.Nëse të ndodh gjë,dije që të kam prerë unë në besë!
Edhe pse nuk i pëlqente këto fjalë,Ganua e dinte,Diku nuk gënjente,aq më tepër atë,Ganon,që nuk kishte ku ta çonte,që e kishte kushëri.
-Tani unë po iki,-tha Diku,-në darkë vij,të sjell automatikun,megjithëse nuk të cyt kush…
-Dale,-tha Gano,-një gotë….
-Eh,ti e di punën time,duhen fituar pesë lekë!…
Kur iku Diku,Gano doli jashtë duke e përcjellë me vështrim,gjersa ai humbi matanë kthesës,rruga ishte e gjatë,ai nuk kishte as makinë,por Dikut kështu i kishte pëlqyer…
Gano atë ditë filloi të shëtiste brenda kullës ,cep më cep të saj.Nga kishin hyrë ata të panjohur?Pas vëzhgimeve të gjata,e gjeti.Në katin e dytë,njëra dritare ishte shkallmuar.Poshtë dritares vinin ca shkallë që ende s`ishin hequr.Pastaj Gano hipi në tavanin odës të katit të tretë.Ai ,me një elektrik dore, e kontrolloi tavanin prej dërrase duke shkelur me kudes mbi binarët prej bredhi,që të mos e dëmtonte.Dhe atje në cep ishte një gjësend i gjatë.Ai ia drejtoi dritën mirë.Ishte një pushkë gjermane dhe më tutje një kutizë me fishekë.Si nuk e kishte ditur? Kulla e kishte ruajtur një pushkë për të.E mori pushkën,fishekët dhe zbriti nga tavani,mbylli baxhën dhe u ul mbi një shilte të odës.U ndje më i sigurtë.
Në darkë,kur erdhi Diku , i solli automatikun.Ganua i tha se kishte gjetur një pushkë,por automatikun do ta merrte,i kishte dhënë llafin.
-Nëse nuk e do,ia gjej vendin me një pazar më të kripur,-tha Diku…
-Jo,-tha Gano dhe i nxori paratë,të cilat Diku i përfshiu me shpejtësi,shoqëruar me fjalë gjasme si refuzuese,sikur nuk i donte.
Diku iku shpejt,atë e priste një shok me makinë te cepi i rrugës,te kthesa që i thoshin Qafa e Ariut.
-Mos u lodh më,-i tha Gano,-nëse do të vish për qejf ,të mirëpres!Ke edhe ti punët e tua,falemnderit!
Gano i mblodhi arrat të gjitha,gështenjat,përforcoi dritaren e katit të dytë, duke i futur brenda murit shufra hekuri,po kështu, derën kryesore me një zgarë hekuri ,e cila kishte qenë e gatshme në bodrumin e kullës,nën katin përdhes, dhe u nis me makinën e tij drejt Kënetës.Pushkën dhe automatikun,që s`pati rast t`i shkrehte,i fshehu diku.Ajo çfarë i ndodhi, ende i përcillte drithmën e një ëndrre të keqe.Nuk do t`ia thoshte kujt,as Sanies së tij,as djemve,as vëllezërve,që ishin në Itali.
Netëve ,tek rrinte në verandën e vilës në Kënetë të Durrësit dhe Sania qëronte patatet apo përgatiste diçka tjetër,Ganos i shkonte sërish mendja tek ajo ngjarje;drithërohej,po Sanies i dukej se këto drithma ia shkaktonte kanali i hapur i Kënetës që shërbente si kolektor për ujërat e zeza.
Pas gjashtë muajsh(Sania nuk e kuptonte pse ai e kishte zgjatur kaq shumë kohën për të mos shkuar drejt kullës së tij në malësi,kur më parë nuk bëheshin as dy muaj dhe ai nisej me xhebren)pikërisht,një ditë të ngrohtë marsi, ai u nis drejt malësisë duke i thënë Sanies se do shkonte një herë andej,se duheshin bërë disa qoka te ca miq e kushërinj.Dhe u nis me makinën e tij ,dhe mbërriti afër drekës në fushën e vogël ,në cep të së cilës rrinte si gjithnjë e strukur,por tërheqëse, baraka prej dërrase e Dikut.Do të ndalonte pak aty,sa për mirënjohje për gjendshmërinë e Dikut dikur,dhe do të nisej drejt kullës.
Kërkoi me vështrim një copë herë,por nuk pa kurrëfarë barake.Në vend të saj ishte ngritur një ndërtesë dykatëshe,e lyer nga jashtë me sherbet gëlqerje.Atij iu bë dhe e zhvendosi kujtesën se baraka nuk kishte qenë aty,por pasi u kthjellua mirë,e kuptoi se nuk gabonte.Po në atë vend,dikur rrinte e ngulfatur në heshtjen e saj modeste,por mikpritëse, baraka me dërrasa.
”Me siguri, Diku e ka shitur dhe ndonjë biznesmen ka ngritur një ndërtesë të re për turizëm”,mendoi dhe bëri për andej,i shtyrë nga një kuriozitet i këndshëm dhe nga një dëshirë për të pyetur për Dikun.
Si me porosi, Diku i doli para.
-Po ti u bëre firar more Gano!-i tha ai.
Diku nuk kishte ndryshuar shumë,përkundrazi tani përcillte hijen e një njeriu të rëndësishëm,të kamur dhe të kapur,e një njeriu tjetër.U ngjitën lart në katin e dytë.Ai i tregoi se kishte ndërtuar katër dhoma poshtë e katër në katin e dytë.Mendonte që vitin tjetër të shtonte edhe një kat.Kjo zonë ,së shpejti do të shpallej Park Kombëtar dhe këtu do të ngriheshin banesa të tjera.Përse mos e kapte situatën ai i pari,aq më tepër se ishte vendali.
Nuk vonoi dhe Diku i solli dhallë,kafe,raki,pastaj i tha se do hanin diçka.Një pjatancë me mish të pjekur u shtrua në tavolinë dhe gotat e rakisë rrezëllitën plot tërheqje në të ftohtin e asaj dite.Duke uruar njëri-tjetrin e duke biseduar për shumëçka,midis të tjerash ,Ganua e pyeti Dikun:
-Ore Dik,sa shpejt e ndërtove këtë vilë?Nuk ke as gjashtë muaj.Me tregtizën e asaj barake e ndërtove?
Diku e pa me një vështrim që e ngriti me lehtësi që nga poshtë-vetullat dhe shigjetat e atij vështrimi sikur i shpuan ato.Megjithatë,ai buzëqeshi:
-O mik a kusho,si të them!…Ti që po ha mish,të intereson të hash,apo të pyesish ku është nip kau?…