Site icon Gazeta Nacional Albania

Qazim Shemaj: LETËR NAIM FRASHËRIT, POEZI

LOTZONJA

Kisha kohë pa qarë për dashurinë

dhe mikja e parë  ndoshta më harroi.

Një lotzonjë erdhi m’u shkund në dritare,

më zgjoi.

 

***

 

 

FLAUT-FILAT I  VOGËL

{Poetit B. Myftari}

Një grusht dëbore në kokojkë,

as shiu, as dielli s’e tret

Flaut-Filat i  rrëgjuar shëtitës,

tellall i  një dhimbjeje që vret,

 

me një hartë pikëllimi në fytyrë,

me bohçen e këngëve çame në shpirt,

Muhaxhir në shtëpinë e vet.

 

***

 

 

 

 

MONUMENTI I  POETIT

 

Gur i  murrëtyer,

grryer nga shirat dhe erërat,

pleksur me shegë dhe qershi të egra.

 

 

 

Nëpër guvat e gurit-

sy ëndrrash të vdekura

 

***

 

 

 

LETËR NAIM FRASHËRIT

 

Shenjti im,

Ende vazhdon me qetësinë tënde apostolike

“Ti Shqipëri më ep nder, më jep emrin Shqipëtar!”?

Këta shqiptarët e tu dhe të mite

 

ikin, lënë arat dhe shtëpitë,

punojnë hyzmeqarë.

 

A  di se sot Shqipëria zë vendin e pare

në eksportin e mishit të bardhë ?-

Më e madhja nga gjithë paturpësitë.

Këta shqiptarët e tu dhe të mite

e pëzënë trurin e kombit

dhe lisat ku këndonin bilbilat,

 

i  prenë të gjithë.

Në kafkat boshe krrokasin korbat

dhe tufa e zgjebarakëve me mjekra të palara

pështyn apostujt.

Turpet e tyre s’ka kandar t’i peshojë.

Me ç’metër t’i  matësh,

me ç’kut!?

Qeveritë-me prostituta dhe hajdutë.

 

 

 

Oh, po të mos kishte ca të veremosur, nga turpi, si Ti,

po të mos kishte ca të çmendur, nga turpi, si unë,

Shqipëria meritonte fatin e Sodomës dhe Gomorrës.

Po ishte lule veremi yt.

Jemi në kohën e ekonomisë së tregut, Shenjti im.

A bëjmë një biznes?

S’dua të nxjerr fitim. Po çmendem,

 

Turpit të sotëm s’i  gjendet shok,

Më jep veremin tend, të jap çmendimin tim

Kokë më kokë.

 

 

Më shpëto, Shenjti im.

 

Zoti na dëgjoftë!

O të zemë udhën e mbarë,

O asnjë mos shpëtoftë!

 

***

 

 

 

 

 

KENTAUR

 

 

 

Shtrëngoj rripat të mbart

 

dhimbjet e mia,

 

vetminë dhe vdekjen .

 

Në cep të syve,

 

në tëmtha vë meshina,

 

të mos dal nga vija.

 

 

 

HYA, PËRPARA, FATI IM I  VERBËR!

 

 

 

Lotët e një gruaje më grryejnë si gurin,

 

psherëtimat e saj, si molat më brejnë.

 

Shtigjet pas i  lashë me humbje,

 

përpara më presin kurthe të reja.

 

Edhe  pse s’kam sende të vyera,

 

edhe pse s’kam dhëmbë fildishi,

 

të lehura qensh më ndjekin,

 

në shpirt kam shigjeta të thyera.

 

M’i  shkulni dhe kanë për të mbirë

 

treqind trëndafila mishi.

 

…Hya, përpara, fati im i  verbër!

 

***

 

 

 

KAM ETJE

 

 

 

Kam etje, etja më ra në tru,

 

Të pi në blunë e syve tëtu

 

 

 

Kam etje, etja u tërbua,

 

Të shtrydh luleshtrydhet e buzëve të tua

 

 

 

Kam etje, etja po më çmend,

 

Të bie përmbys mbi gjoksin  tënd

 

 

 

Kam etje, etja po më tret,

 

Ti je për mua një plagë e nxehtë.

 

***

 

 

 

 

 

HOTOVË

 

{Poetit P. Ruka}

 

 

 

Bredhat e Hotovës më bredhin në shpirt.

 

Një panjë e një frashër diku bënin flirt,

 

Te burimi lozin zonjushe lajthitë,

 

Qaj, o qarr i  shkretë, ç’trishtim po të mbyt!

 

 

 

Shtëpi të vetmuara me nga një copë yrt.

 

Frashër 2002

 

***

 

 

 

GËSHTENJAT

 

{Poetit S. Bejko}

 

 

 

Pëlcasin zjarrmie e zhvishen në kalldrëme.

 

Në çdo kokërr gështënje të virgjër-

 

dhembje.

 

***

 

 

 

KËRKOJ ËNDRRËN TIME

 

{Të përndjekurve të mendimit të lire}

 

 

 

Ëndrra ime e brishta, e bukura,

 

Vogëlushja ime, ende e paputhura.

 

Ma ktheni, xhelatë! Pse ma vratë?

 

Si? Është zhdukur? Dhe s’ishte e bukur?

 

 

 

Miku im,

 

Ke parë qafa të përgjakura mjellmash?

 

Ke parë limere dhe shkretim të mbjellash?

 

Ke parë nuse të fyera, unaza të thyera?

 

Ke parë qytete pas bombardimit?

 

 

 

Oh, atëherë ke parë ëndrrën time dhe mua

 

pas shkretimit

 

 

 

Ma gjeni, ma sillni ëndrrën prapë,

 

Edhe të vdekur e të mbytur në gjak.

 

Se do t’i  ndez qirinj, t’i  bëj nderime

 

Vogëlushes sime, shenjtores sime.

 

***

 

 

 

TURMËS

 

 

 

Turmë, tufalakë, tëngë,

 

s’më vjen keq për verbërinë tënde,

 

mëkat të hash bukë. Ha lënde!

 

***

 

 

 

QEVERIA NUK I  DO POETËT

 

 

 

Qeveria nuk e do Kadarenë,  Kadareja

 

mban lidhje të fshehta me Prometenë

 

kundër Zeusit dhe stanit të perëndiçkave të reja.

 

 

 

Qeveria nuk e do Dritëronë,

 

ai zemërohet dhe e quan shkërdhatokraci.

 

 

 

Qeveria nuk e do Godon, se ka shkruar pë feudalin Ali

 

Dhe vetë është dhëndër te feudalët Vrionas,

 

Pastaj ai u njeh pronarëve të ligjshëm pronat

 

 

 

Qeveria nuk e do Fatos Arapin,

 

se ai nuk shkon në gostinë e saj makbethiane.

 

 

 

Qeveria nuk e do Faruk Myrtën,

 

se ai ka guximin ta zhveshë

 

në pavijonin e vet “Nudo zyrtare”

 

 

 

Qeveria nuk e do Moravën,

 

se ai i  kujton Spaçin dhe plagët;

 

Me “Legjendën e dheut të keq”

 

Sinani i  hedh qeveritë shqiptare

 

në gjyqin e Hagës

 

 

 

Qeveria nuk e do Xhevahir Spahinë,

 

Se ai nuk është djalë i  bindur

 

dhe ka fyer   një atkinë.

 

 

 

Qeveria nuk e do Bardhyl London,

 

se ai tallet me bashkitë dhe kabinetin e Çoleve.

 

 

 

Dhe emra të tjerë të njohur, sa të doni:

 

Çelën, Petritin, Pepën, Jorgonin

 

 

 

Qeveria nuk e do Skënder Kamberin,

 

se e pa krah demokratëve, me liderin.

 

 

 

Qeveria nuk e sheh me sy të mirë  as Halitin,

 

se ai shoqërohet me Skënderin.

 

 

 

Qeveria nuk e do Koço Kostën,

 

se ai ka sharë dhelprat

 

dhe gjithë ç’polli lukunia.

 

 

 

Qeveria nuk e do Qazim Shemën,

 

Se ai e di  cilët s’i  do qeveria.

Exit mobile version