Duhet të ishte e nënta apo e dhjeta rrugë , që tri karroca ngarkuar dëngazi me jonxhë , deri mbi supersponte, po ngjitnin të përpjetën e keqe të argilesë tek qafa e Shëndëlliut. Tërheqishin secila nga dy qe ,që stërmundoheshin në atë ngjitje për herë të nëntë a dhjetë atë ditë. Dhe kush e di sa herë këto tre vjet , që kur u kishin vënë kularin në qafë dhe tërhiqnin atë karrocë , që për to ishte e mallkuar, se i lodhte deri në stërmundim. Vërtet i shkurtër ai segment dyzetë metërsh në atë qafë, por me atë pjerrësi të madhe, me tabanin plot shkëmbinj të hirtë , të rrumbullakosur e gati të pa thyeshëm,ishte për qetë dhe qerrexhinjtë një ferr- tmerr. Qetë ishin ngjyra ngjyra, të bardhë në të hirtë, të kuqërrëmtë deri në të zinj,trupmëdhenj, brimëdhenj , zhurmëmëdhenj, të fuqishëm si në legjenda. Qerrexhinjtë, trupmesatar, qafëtrashë moshëmesatarë,flokëzinj,qimedrizë, që në këtë malore zbrisnin nga karrocat dhe e shtynin atë, duke ndihmuar qetë. Bërtisnin, nxisnin, shtynin karrocën nga pas me aq forcë, sa secili ka që e tërhiqte atë, që t’i dilnin në krye asaj qafe aq të vështirë. Kur dilnin në krye ,dihatnin fuqishëm qetë e qerrexhinjtë , sa edhe argileja në krye të saj i dëgjonte dihatjet e tyre. Ndalonin pak minuta aty për të mbledhur veten. Qetë , mbllaçiteshin , ripërtypeshin pa patur gjë në gojë. Nga buzët e tyretë zeza, të trasha , u vareshin jargë të bardha, të shkumëzuara, jargë lodhjeje dhe mallkimi për fatin e tyre të zi. Gjuanin me bishtin e gjatë që u varej deri afër tokës mizat, verbezat, mushkonjat, dhe insektet e tjera që i sulmonin dhe i pckonin pa mëshirshëm kurrizin, vithet, barkun e djersirë. Me gjuhë, buzë, kokë, dëbonin insektet e tjera ,që u ishin ulur dhe u kishin mbuluar qafën , gjoksin , deri poshtë këmbëve të para. Qerrexhinjtë dihasnin jo më pak e fortë se qetë. Të skuqur si lule lofate në prill, fshinin me shaminë e brezit djersët që u vareshin rrëke nga balli , faqet, gusha, e u mblidheshin në lukth. Ndërkohë që dihasnin e fshinin djersët, pa patur fuqi të llafosnin me sho-shoqin, u vinin vërdallë karrove dhe qeve , sikur donin të merreshin vesh me ta, për të vazhduar udhën e mbetur për tek stallat e lopëve. Nga qafa argilesë stallat e kompleksit blektoral të lopëve, një nga më të mirët e më të mëdhenjt e vendit, nuk ishin as njëqind e pesëdhjet metra . Rruga ishte gati e drejtë dhe e mirë. Qerrexhinjtë ,sapo qetësohesoheshin vet, kuptonin se edhe qetë e kishin mbledhur veten dhe niseshin. Kish një mardhënie të pa spjegueshe mes tyre. Çdo thirrmë, çdo lëvizje krahu, çdo tërheqie litari që u kalonte në hundë, çdo shpuarje me hosten ,qetë u bindeshin e reagonin mrekullisht. Shkarkonin gati në heshtje jonxhën tek stallat e lopëve dhe në rrugën e fundit në padokun e njërës stallës, lironin qetë nga qingëla. I lidhnin shkurtazi tek karoca, u hidhnin jonxhë për natën, u vinin nga një kovë me ujë, dhe u niseshin në këmbë për në shtëpitë e tyre, në Vrinë. Vrina nuk ish as një kilometër nga Shëndëlliu. Tek e përpjeta e argilesë, e cila e kish marrë emrin nga argileja e madhe në krye të saj, qëndronin përherë Uleshin në një trung të madhe lofate që e kishin vënë vet dhe i merrte lirshëm të tre. Nxirnin kutitë e duhanit dhe secili nga kutia e vet dridhnin në heshtje nga një cigare. Këtë rit, dimër apo verë të qe ,e bënin përherë . U shijonte shquar ajo cigare në atë vënd nga ku hapej një horizont i pa shoq nga bukuria. I çlodhte. Ashtu, në heshtje, e pinin atë helm, sikur donin të helmonin helmin që u kish helmuar jetën, që kur i kishin dëbuar nga vatrat e tyre stërgjyshore, nga Çamëria; Safetin nga Lopsi, Osmanin nga Vërsela, Veipin nga Koska . Pinin duhan, kujtonin jetën e tyre, njerzit e tyre të mbetur të vrarë harcave ,shtëpitë e pronat e tyre ,që të tjerë ua kishin marrë, dhe lotonin në heshtje, se po të flisnin, edhe gurët , edhe drurët i dëgjonin e spiunonin tek regjimi i pamëshirshëm i sigurimsave. Si një rit pagan, pa e kuptuar,bashkë me cigaren, sikur bënin edhe ceremoninë e djegies së një dite të jetës së tyre, jetë që mos e pastë as hasmi, thonin ata…! Spjegime: 1-Lofata- dru dekorativ natyral me lulëzim të kuq fantastik 2-hosten-shkop me majë që shpon qetë të ecin