Në kohën e përgatitjes së veprës Një Jetë në Fluturim, ku përmblidhen poezi të zgjedhura, studime kritike e kujtime të kolegëve për Drago Siliqin, e bija Laura Siliqi Konda pati komunikuar me mua për ta pasur edhe babain tim në faqet e këtij libri monumental të 90 vjetori të lindjes së tij. Ajo e dërgoi librin tek ne me një shënim të ndjeshëm prej një dore dhe mendje të vajzës fisnike. Të dy autorët dhe baballarët tanë janë në jetën e përtejme mirëpo ja që të dy u rikthyen në formën e një letre, që Naum Prifti e shkruante në përvjetorin e parë të vdekjes së parakohshme të Dragos, bashkëmoshatarit dhe mikut që la pas një pritje të pafundme. Në faqet e shkruara me dorë ndihet sesa i prekur është Naumi nga ndarja nga jeta e Dragos, sesi largimi krijoi një boshllëk të madh në rrethet letrare dhe zyrtare, ku ai vlerësohej si një drejtues, kritik dhe mbështetës i rrallë i të rinjve. Në letër Naumi ndalet tek rikthimi i idesë të kundërshtuar prej Dragos që librat të diskutohen në Lidhjen e Shkrimtarëve para botimit, duke e quajtur atë të dëmshme. Praktika, që përkrahej nga Kryetari i atëhershëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Dhimitër Shuteriqi, sjell vetëm thashetheme, vonesa dhe punë të dyfishtë për autorin, pa përmirësuar cilësinë e veprave, vëren Naumi. Më tej rrëfimi aq i gjallë i ngjarjes me tregimin Shoferi i Ambulancës është një rast nga sa e sa të tjerë që zbulojnë realitetin e artit dhe në darën e censurës dhe një shpëtimtar të fateve të autorëve dhe veprave të kohës, si Drago Siliqi.
Një vit pa Drago Siliqin nga Naum Prifti
I shkreti Drago sot bëri një vit që kur vdiq aksidentalisht, ndonëse kam përshtypjen se s’ka vdekur, sepse s’mund të vdes njeriu aq i ri; ndaj më duket sikur do të vijë e do të kthehet nga ai fluturim i gjatë që e nisi dhe nuk do ta mbarojë…por ashtu si pritja jonë s’do të mbarojë kurrë, edhe ardhja e tij s’do të ngjasë kurrë.
Vdekja e Dragos më tronditi edhe ngaqë ishim thuajse të një moshe. Ai s’qe veçse një vit e diçka më i madh se unë dhe më duket e pangjashme që s’do ta gjej më në zyrë, s’do ta shikoj më në klub e s’do të bëjmë më shaka në rrugë. Ai djalë i pjekur, i formuar, me logjikë dhe autoritet mungon. Një vit pas vdekjes, s’është gjetur një njeri për ta zëvendësuar si drejtor. Vdekja la një boshllëk që s’mbyllet në radhët e pakta të rretheve letrare. Ai bashkonte në vetvete cilësitë e artistit, të organizatorit, të kritikut dhe të ideologut. Fjala e tij kishte vlerë. Ishte përkrahës i zjarrtë i të rinjve, ishte i gjerë në mendime, guximtar në shfaqjen e tyre dhe dalëngadalë po bëhej një autoritet. Askush më mirë se ai s’qe bërë interpretues i mendimit letrar në rrethet zyrtare.
Për shumë çështje Drago mendonte ndryshe nga Kryetari i Lidhjes dhe pikërisht kjo gjë, të cilën ai nuk e fshihte, tregon cilësitë morale, përgatitjen dhe kurajon e tij qytetare. Së pari, nuk pranonte që Shtëpia Botuese Naim Frashëri që ai drejtonte të ishte një shtojcë a një farë redaksie e Lidhjes. Me guxim arriti ta shkëpuste atë nga tutela e Lidhjes duke mbajtur përgjegjësi të plotë për vlerat artistike dhe vlerat e veprave të paraqitura. Mendimin e Lidhjes, Drago e pranonte si konsultë, por nuk e quante vendimtar.
Ndodhte shpesh që ai të ishte në mesin e diskutimeve të pashterura deri në rrethet e larta. Mendimi i Dragos dilte të shumtën e herës triumfonjës, sepse ai jo vetëm dinte të shfaqte ide por kish edhe zotësinë t’i argumentonte me logjikë e t’i mbronte me zjarr ato që thoshte.
Një vit pas vdekjes së tij po qarkullon përsëri me këmbëngulje ideja e vjetruar që librat para se të botoheshin të diskutohen një herë në Lidhje nga rrethet e shkrimtarëve. Kjo praktikë, sado që në sipërfaqe duket pozitive dhe dobiprurëse s’ka për të sjellë asgjë të mirë, përveç thashethemeve në rrethet e autorëve dhe Klubin e Shkrimtarëve duke shkaktuar edhe një vonesë më të madhe në botimin e veprave origjinale. Veç asaj është vështirë të marrësh me mend se si një vepër të dobët do ta bëjnë “të mirë” vërejtjet e Lidhjes. Kjo s’do të bëjë gjë tjetër veçse do të kërkojë një punë të dyfishtë nga ana e autorit, sepse pas tyre do të vijnë edhe vërejtjet dhe sugjerimet e redaksisë së Botimit. Vështire është të besohet se kjo praktikë do na shpëtoje nga botimi i disa veprave të dobëta. Vepra të dobëta do të ketë gjithmonë sepse edhe në natyrë ka kodra, ka edhe male. Dhe malet s’ mund të jenë e as mund të merren mend pa kodrat, në një farë mase, ata mbështeten mbi supet e tyre e lartësohen mbi shpatullat e tyre.
Më kujtohet fare mirë ngjarja me Dragon dhe tregimin tim “Shoferi i Autoambulancës”. Kjo ka ngjarë aty nga gushti ose shtatori i vitit 1960. Dragua më gjeti në korridorin e Ndërmarrjes së Botimit. Kishte disa shkresa ndër duar. Pas përshëndetjeve të rastit, më tha një gjë që mua më habiti. Ai më vuri dorën në sup në një mënyrë tepër konfidenciale, po fytyrën e kishte serioze gati-gati të vrenjtur.
– Kam ngrënë një dajak për shkrimin tënd, po çfarë dajaku.
– Për shkakun tim? – e pyeta me habi.
– Po, po, për shkakun tënd. As që e merr dot me mend.
– Ku kështu, në ç’ vend? – e pyeta.
– Atje lart,- ma bëri me kokë.
E pas pak shtoi:
– Në Komitetin Qendror.
– Unë nuk po kuptoj asgjë, – i thashë.
Ai më futi krahun e më ftoi në zyrë.
- Ç’na kishe bëre ashtu me atë vëllimin “Çezma e Floririt”?
Vëllimi me tregime ishte përfunduar së shtypuri dhe unë i kisha marrë 5 kopjet që më takonin si darove. Në shitje nuk kishte dalë ende dhe unë po shqetësohesha për vonesën. Fjalët e tij ishin si një dush i ftohtë. Kjo do të thoshte se vëllimi s’do të dilte ndoshta fare në shitje.
– Po përse? – pyeta më tej.
– Çfarë ke shkrojtur ti në atë tregimin “Shoferi i autoambulancës”?
– Asgjë të keqe, – i thashë. – Ai tregim është botuar në Revistën Nëntori me titullin “Një nga të shumtit”, po unë ia ndërrova se s’më pëlqeu. Pse s’u bë tregimi problem që atëherë?
Drago më tregoi hollësisht se ku ishte halli. Nuk mund të pranohej në asnjë mënyrë që Sekretari i Partisë së rrethit të quhej ” i Madhi” dhe që ai të shkonte në dasmë me makinë jashtë orarit zyrtar, madje nuk pranohej që ai të shkonte fare në dasmë, por ishte shumë e rëndë që pohimi të çonte ama në orarin e punës dhe që në Degën e Brendshme protagonistin i përcollën duarthatë.
Unë u bëra kureshtar dhe e pyeta Dragon se kush e kritikoi aq rreptësishtë tregimin për të tilla vërejtje. Kur me tha emrin e Th. Nanos sikur u qetësova. I thashë se Nano nuk është kritik letrar dhe nuk merr shumë vesh nga fusha letrare.
Ai u bashkua me mendimin tim po bëri një vërejtje me shumë vend.
-Ai është aty për këtë punë.
Dragua më afroi pranë dhe më tha:
-Unë e mbrojta tregimin me zjarr.
Duke mos dashur të vazhdonte më tej me tema jo aq të këndshme, më tha:
– Nejse, tani është puna të shpëtojmë librin.
Dhe zgjidhja u gjend. “I Madhi” u quajt Sekretari. Në vend të shkonte në dasmë e dërguam me shërbim në Tiranë dhe e ndryshuam nga “hante arra” e vumë “lexonte një libër”. Dhe kështu 3,000 kopjet e librit faqet 118-119 i bënë të prera. Po unë pyes veten ç’ do të kish ngjarë e ç’do t’i qe prishur ndërtimit të socializmit sikur tregimi të ishte botuar pa ndryshim? Përse kjo ngushtësi e ky fanatizëm në trajtimin e një detaji artistik? Vallë kjo do ta cënonte figurën morale të Sekretarit të Partisë në realitet a në letërsi?
Jam i sigurtë se ashtu si tregimin tim Shoferi i Ambulancës, ai kishte shpëtuar kushedi sa krijime të tjera letrare nga sëpata e censurës në arte. I tillë ishte Drago Siliqi!

