Prof. Ermira Alija: Narrativiteti i Naum Priftit në favor të hapësirave të reja komunikuese

Tema ime mori shkas nga gjurma që kishte lënë tek unë perceptimi i dikurshëm i tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt” dhe filmit “Pylli i lirisë”; tekst shumë i njohur dhe film shumë i shikuar në atë kohë.
Qoftë kur kam lexuar tregimin, qoftë kur kam parë filmin, kam ndier një skarco (rrëshqitje bosh) brenda vetes dhe nuk e kam kuptuar mirë marrëdhënien e zgjeruar të personazheve me kafshët dhe natyrën. Ishte një hapësirë që më ka lënë gjurmë, ndoshta në pritje të një emërtimi a komunikimi të mëtejshëm … gjë që, siç kam mësuar më vonë, e bën letërsia e mirë.
Nga ana tjetër, në këtë lidhje, më ka tërhequr vëmendjen edhe raporti i narrativitetit të të njëjtit subjekt nga letërsia dhe kinematografia, gjë që ka ndodhur me disa vepra të Naum Priftit, por ku do të veçoja për arsye të raportit me natyrën, tregimin e filmin vizatimor “Pika e ujit”. Interesi për këtë përballje ka mbetur gjerësisht edhe sot e gjithë ditën. Por në kuadrin e asaj që parashtruam më sipër, kjo çështje për mua shtronte edhe një pyetje: A kishte ndonjë lidhje ky raport me skarcon që ndieja dikur?
Mendoj se një nga faktorët që e dallon një shkrimtar, është fokusi ndaj objektit të vet të shkrimit. Vetë shkrimtari, Naum Prifti, në një intervistë të 2010-ës, kur iu bë pyetja: “Cila është sfida për të shkruar?” iu përgjigj se është … shtyrja e vetvetishme … për të shprehur ndjenjat e tua[1]…
Mendoj se çdo shkrimtar i vërtetë, në periudha diktaturash më tepër, por jo vetëm, përkundrazi gjithmonë, sfidën e madhe e ka me ruajtjen e vetvetishmërisë apo ngasjes (siç e quan Bogdani), si nevojë e brendshme për të dalë prej përmbajtjeve të formalizuara. Kur Carl G. Jung flet për kërcënimin e individit në shoqërinë bashkëkohore, thotë se: Masa e shtyp edhe aftësinë e mundshme të secilit veçmas për të shikuar dhe menduar realisht, ajo i tërheq në mënyrë imponuese drejt tiranisë doktrinare dhe autoritare.[2]
Një rrëfimtar është i detyruar të fokusohet diku. Fokusi është tregues i parë për shkrimtarin.
Tek “Pika e ujit” Naum Prifti ka vendosur një vajzë në një pikë uji, duke projektuar jetën e njeriut mbi jetën e molekulës (botës inorganike). Kurse tek “Njeriu që ndiqte kuajt” ka projektuar jetën e një qenieje shoqërore mbi raportin me natyrën:

… Ata që ishin në gjendje të mirë … shkonin në kafene, uleshin nëpër tryeza,…Vlashit s’i mbushej mendja të ulej në atë vend. I kërkonin me të vërtetë një diçka të rëndë që s’mund ta bënte.
Fokusi i rrëfimit të Naum Priftit është shumë i gjerë. Tek “Pika e ujit” ai lëviz horizontalisht nga shpella në përrua, në lumë, kalon urën, qytetin e shkon deri thellë në det…, kurse vertikalisht nga errësira e shpellës së malit në thellësitë e ujrave të detit dhe pastaj mbi re e … rikthehet… thuajse si cikël jete. Edhe tek “Njeriu që ndiqte kuajt” hapësira perceptive është përsëri e gjerë dhe jo e zakonshme për njerëzit. Është si një ripozicionim i njeriut në natyrë. Ruajtja nga sugjestioni masiv e epidemia psikike, ruajtja nga masivizimi individit, ruajtja e individit si unikal, si talent irracional janë karakteristika të këtij krijimi.
Vlashi (personazhi kryesor) zhvendoset pjesërisht nga marrëdhëniet shoqërore: ai edhe … kur qëllonte që e pyesnin, në kish hasur filan njeri, përgjigjej kurdoherë me një farë dyshimi, pa qenë i sigurt: “Sikur e pashë…” – thotë shkrimtari duke vazhduar të japë detaje të kësaj marrëdhënieje minimaliste me jetën shoqërore:
– Ke para? – e pyeti tregtari…
– Ku i gjeta unë paratë? – ngriti supet Vlashi, sikur të ishte habitur nga kjo pyetje.
Një pjesë e kritikës është munduar ta ndriçojë këtë zhvendosje të personazhit me personin real nga është frymëzuar Naum Prifti. Por përtej kësaj, Fromm mendonte se … Vetë fokusi i perceptimit shpreh në mënyrë indirekte pulsimet e njeriut[3]. Duke e parë letërsinë si përthyerje në psikë të një realiteti, vëmë re se Naum Prifti paraqet nga afër veprimet e personazhit kryesor, Vlashit dhe në momente të caktuara duket se bëhet një me psikologjinë e tij: Zgjedhja e formës së përshkrimit, fjalët e autorit rrëfyes dhe mënyra si shkrihen me fjalët e personazhit, tregojnë shumë.
Ka pasur përsëri në kritikë mendime, të cilat raportin e Vlashit me kalin e argumentojnë si raport superior të njeriut në raport me kafshët. Janë mendime që nuk mund të refuzohen, por përsëri do të donim të shkonim më tej:
Pavarësisht se tregimi në pikëpamje strukturore ka argument shtytës kapjen e kalit, ai në tërësinë e vet është si një hymn për mrekullinë e natyrës me gjithçka ka. Vlashi duket si personazhi që jeton një marrëdhënie harmonike me të, ndryshe nga njerëzit e tjerë që … rrufisnin kafenë me zhurmë dhe hapnin biseda të kota e të pambaruara …
Përshkrimet e raportit të Vlashit me natyrën dhe kafshët janë si gjurmë të mbetura të gjuhës së përgjithshme të komunikimit të të gjitha qenieve: … Prapa, me hapa të shpejtë e të vegjël, e ndiqte shoku i tij, Arapi, një qen me qime krejt të zeza e me veshë të varur.
…Arapi e shikoi Vlashin në sy, duke u munduar të kuptonte qëllimet e të zotit. Ai tundte bishtin pa pushim dhe priste urdhër.
– Prit, prit, – i foli Vlashi qenit, – akoma s’e kemi gjetur atë që kërkojmë.”
– Mos ki frikë, o bir, mos ki frikë, – u mundua ta qetësonte Vlashi, duke i shkuar dorën mbi kurriz. Kali ndjeu ledhatimin e dorës dhe u tulat i nënshtruar…
Vlashi u ul pranë tij dhe i foli:
– Tani e kemi hak të çlodhemi, se u këputëm. Këtë që pësova sot nga ti, s’e kam pësuar nga asnjë kalë tjetër…Tani do të rrimë pak këtu…dhe do të shkojmë në fshat, se na presin. Kam edhe gruan sëmurë…
Nëse frika e kafshëve vjen si rrjedhojë e zhvendosjes së tyre nga habitati natyror, Fromm shkruan se, kur një simbol është jashtë nesh, është po ai që simbolizon diçka brenda nesh[4]. Ky lloj konceptimi, mendojmë se nuk është thjesht dalje nga recetat e kohës, por nënkupton një marrëdhënie te thellë shumështresore të shkrimtarit me jetën, gjë që jep mundësi për interpretim shumëdimensional.
Fakti që Naum Prifti konvencionalizon në mënyrë të tillë, jo vetëm tek personazhet që përmendëm, por edhe te krijime të tjera, si: “Stika”, “Krehër për peshqit”, “Çesma e floririt” etj., është një tregues i intuitës së autorit që don ta konfirmojë qenien njerëzore prej një thellësie konceptuale… Nga ana tjetër, kjo tregon thelbin e fiction-it të Naum Priftit që i rri krejt mirë letërsisë së tij që nuk vë kufij me letërsinë për fëmijë.
Ndërkohë që Naum Prifti shkruante “Njeriu që ndiqte kuajt”, Konrad Lorenc (Laureat i çmimit Nobel në vitin 1973), një prej themeluesve të etologjisë, në autobiografinë e tij citonte se: “Dëshira për të mbajtur një kafshë buron nga lidhja e gjatë me natyrën. Kjo lidhje është analoge me ato funksione të njeriut, si emocionet e dashurisë, shoqërisë së pastër dhe ndershmërisë[5]”. Ndërkohë që vazhdonte se: “Konkurrenca midis qenieve njerëzore shkatërron me brutalitet të ftohtë dhe djallëzor… Nën presionin e kësaj furie konkuruese, ne jo vetëm kemi harruar atë që është e dobishme për njerëzimin në tërësi, por edhe atë që është e mirë dhe e dobishme për individin.
Frojdi flet për artin që ndihmon për të kapërcyer barrierat që lindin midis çdo Uni të veçantë dhe të tjerëve[6]. Ne mendojmë se këtë Naum Prifti si shkrimtar, e realizon duke ndërtuar një raport dinamik jolinear mes kohës absolute dhe aktualitetit, nëpërmjet pamjeve të plota, të cilat bëhen ide për shkrimin e skenarëve ose bëhen vetë skenarë.
Në karakteristikat për skenarin Béla Balázs shkruan: …Në film, siç e kemi thënë disa herë – gjithçka që shihet e dëgjohet projektohet në imazh në të njëjtin rrafsh së bashku me njeriun dhe formohet një material figurativ homogjen[7]… Kurse Wegner thotë se …të gjitha fakultetet që merren me studimin e kinematografisë në universitetet amerikane e kanë zanafillën tek fakultetet që janë të përkushtuara studimit të fjalës;… Pa dyshim, fjala e shkruar është e menduar gjithnjë të jetë më shumë se një mjet komunikimi[8]…
Nuk e di nëse ka botime të skenarëve ndër vite, por një krahasim i këtyre tregimeve dhe skenarëve përkatës do t’i bënte nder letërsisë dhe diskutimit mbi ndërdisiplinaritetin e arteve.
Vetë Naum Prifti rrëfen se: …Tani, pas shumë e shumë viteve, mendoj se kam qenë tregimtar i lindur, edhe pse kam shkruajtur në disa gjini. …Shpesh dashamirët më quanin Çehovi shqiptar dhe kjo natyrisht më përkëdhelte sedrën, po ndërkohë e ndieja se kahjet tona ndryshonin. Çehovi vinte buzën në gaz e tallej me çdo gjë të shëmtuar të jetës ruse, ndërsa unë përpiqesha të zbuloja anët pozitive …
Nëse lidhim fjalët e shkrimtarit me përmbajtjen e përgjithshme të tregimit, ne kuptojmë se rikthimi tek natyra nuk është rastësi, por një përpjekje e shkrimtarit për të zbuluar thellë tek ajo të mirën dhe të bukurën e humbur nga njerëzit, gjë që tingëllon aq aktuale edhe sot:
…Po natyra bujare sikur kish dashur t’i shpërblente banorët me diçka tjetër dhe në vend të tokës me vlagë, u kish falur një pyll të dendur… Sado që ai ishte një pyll i mahnitshëm, me kurorat e vgjerit dhe të artinjave si çadra, që merrnin nën mbrojtje pemët e tjera më të vogla, bukuria e tij as që përmendej fare, sepse s’i hynte askujt në punë…
Kurse Mieke Bal thotë se … rrëfimet e vogla janë të vetmet që kanë rëndësi… unë nuk mendoj se ato i kanë zëvendësuar narrativat e mëdha … përkundrazi mendoj se kanë qenë gjithmonë … të strehuara … siҁ strehohet një kulturë e shtypur nga një e lulëzuar, për të lehtësuar komunikimin e ideve[9].
Është e vërtetë që, siç thoshte Naum Prifti, letërsia e mirë e ka jetën më të gjatë se të autorit, ashtu siç jemi të bindur sot se letërsia e Naum Priftit do të jetojë aq gjatë sa kërkimi i tij i thellë në shpirtin e jetën njerëzore.

________________________________________
[1] https://www.gazetatema.net/kulture/in-memoriam-naum-prifti-mjeshter-i-rrefimit-dhe-i-dialogut-i394697
[2] Carl G. Jung, Psikologjia analitike, Sh. B. “Fan Noli”, Tiranë, 2006, fq 86
[3] https://www.ifefromm.it/rivista/2014-xx/1/interpretazione/12.pdf
[4]https://www.ifefromm.it/rivista/2014-xx/1/interpretazione/12.pdf
[5] https://veterineret.com/per-dashamiresit-dhe-pronaret/2652-2/
[6] Sigmund Freud, Psikanaliza e artit dhe e letërsisë, Dituria, 2000, fq 26
[7] Béla Balázs, Filmkultura, Albin, Tiranë 2008, fq 258
[8] Hart Wegner, Lamtumirë fjalë, botimet ideart, Tiranë 2006, fq 67
[9] Revista Simbol, nr 5, Tr-Pr-Shk, 2015; pjesë nga intervista e Mieke Bal, f. 14 – 22