MIKU I SHIUT!
Poetja lirike Rakela Yzeiri (Zoga) lindur në Korçë në nëntor, jeton prej vitesh në Selanik. Poezia e saj është brenda gjymtyrëve , ajo jeton dhe dashuron me të; nëpërmjet saj ajo takohet me heshtjen e nderimet. Vargjet e Rakela Yzerit janë botuar në antologji të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Suedi, Itali etj. Ajo është vlerësuar me shumë çmime dhe madje ka qenë edhe Princesha e poezisë lirike në Korçë. Vargjet e Rakela Yzeirit kanë aromën e parfumit të panjohur, freskinë e stinëve që nuk ekzistojnë ende dhe delikatesën e ëndrrave të kaltra. Ato ngjajnë me një karvan ngarkuar me gurë të çmuar, që pershkron shkretëtirat e shpirtit duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme.
Shtigjet e zemres jane mbyllur.
Ne barikaden e heshtjes ,
Perplasen kujtimet.
.Ndoshta kerkojnè te vriten….
Por une ende i mbroj te mbeten gjalle..
Me kèto vargje perfundon libri i saj i ri.
LETËR!
(Një mikut tim emigrant)
Jeta ikën shpejt, më shpejt, se ëndërrimi.
Prandaj, mos u lodh i dashur.
Emigrimi mëngë e shqepur
Që do shumë pe.
Ne kemi fatin, të rrimë me gjilpëre në dorë,
Për të arnuar ditët.
Netëve, lodhjen shtrëngojmë, në përqafim,
E nëpër tezga, mbledhim suksesin,
Të qeshin sytë.
Shpirti i ftohtë bredh,
Përqafon mure të bardhë.
Si retë, vërtitet në qiell.
MIKU I SHIUT!
Gjithnjë të kam pritur ty miku i shiut,
me çadër në dorë të ecësh në rrugë.
Të shkelësh gjethe të rrëzuara degësh,
të japësh puthje në vjeshtën e murrme.
Gjithnjë të kam pritur të lagur, të zhveshur.
Vjeshta të solli këtë herë më pranë.
I fshiva mungesat e të preka ballin,
dy rrudha me folën e flokët e bardhë.
U bëra qull me kaçurrelat ngjitur,
pas fytyrës, syve, a s’di se ku.
Pëshpërisja ëndrrat që mbaja me vete
në buzë vjeshte që kullonin ujë.
Më prekën ngadalë vitet e heshtura,
si xixëllonja erdhën këtë çast tek unë,
që ti mik i shiut, të më merrje me vete,
e peng të më mbaje, si më kishe dikur.
COPËZA MAGJIKE
Nuk po mësohem dot të ik prej teje.
Të pushoj e më mos të të dua.
Ti je ndërtuar prej asaj heshtjeje,
Që di të më dhemb vetëm mua.
Ti je ai që më copëton ç’do ditë,
Me lotin që pellg bëhet për ty.
Sa shumë i dua qerpikët e lagur.
Që qajnë për ty, vetëm për ty.
Kam kohë e ndiej se diku fshehur,
Brenda teje jam dhe unë.
Tek ajo pjesë që rri e heshtur
Të dua shumë, të përgjoj unë..
Në magjinë e heshtjes dhimbje,
Është kaq bukur, di ta pres.
E kam një gjysmë brenda vetes,
Të pamjes tënde që më qesh…
LARGËSI
Ti për mua e ke një dritare ,
Ku unë botës me ëndërr dashurie i qesh..
Ty ,dhe pse të shoh për së largu,
Ç’do çast me veten time të vesh..
Ti ke ditë që ke heshtur,
E di që unë heshtjen e mbaj magji,
Ajo është fati i njerëzve të humbur
Asnjëherë s’do të duhej për ty..
Ti për mua je gjysma e ditës ,
Në gjysmën tjetër bëhesh dashuri..
Mos më lër të kërkoj në mantelin e natës..
Gënjeshtra janë ëndrrat sa herë që s’je ti..
E bukura dritare. E ëmbla largësi.
FLEJ E ZGJOHEM ATJE
Unë s’jam e askujt.
As e vetes s’mund të jem,
Sepse ti më morre peng zemrën
Unë flej e zgjohem atje…
DO NDODHË
Do gjendemi në kohën e harresës
Të zgjojmë mungesat që kurrë s kanë kthim
Unë do të thërras me zërin e së djeshmes
Ti me vështrim.
Supet do dergjen në kurorë përqafimi,
Trupi në zgjim gjethesh do lëkundet me mall,
Në këtë vjeshtë përrallë.
BUZË GJETHESH
Pemët e mbetura larg,
degë dhimbjesh lëkundin në prill.
Fryn erë e shiu s’ pushon,
Përcjellin me ndrojtje trishtim.
Kanë buzë të lagura gjethet,
Veç degët e mallit e dinë.
PËR IKJEN
Kur të mos jesh do të flas,
me zërin e shiut që bie prej qiellit.
Për ty e mbaj një çadër të fshehtë,
mos laget ndjenja, magji prej dielli.
ISHIM LOTË
Në këtë jetë
Ne ishim lotë për njëri tjetrin.
Rrugën me borë, akullin,
S’ mundëm ta shkrinim as në ditët e verës
mbuluar me rreze dielli.
Përkëdhela shtratin një ditë,
po zemra mbante borën e viteve,
e dot s’munda ta shkrij.
Të vështrova në sy, të fala dritën e jetës,
por ti, me qiri e prisje mëngjesin,
e përsëri natën tjetër…
I hapa krahët në kurorë përqafimi,
por ishe zvogëluar aq shumë
sa shkrije në krahët e mi.
E prita trokitjen e pranverës më kot,
cicërimat e zogjve nuk sollën këngë,
por përsëri lotë…
E DASHUR
E mban mend kur ike prej Prishtine,
Unë të veshtroja ty e ti mua.
Lutesha me kryet drejt qiellit,
Qe ti të mbeteshe po ajo grua.
E mban mend kur m’u hidhërua shpirti
Se doja të më ishe pranë,
Por ti kishe lindur me furtunat,
E s’mund të të mbaja më gjatë.
Kanë ikur vite dhe muaj,
Harruar s’të kam ndonjeherë.
Afromu pak nëpër duar,
Te luajmë si luajtëm atëherë.
Thyerje
Asnjëherë s’e kuptova heshtjen tënde
Po zhurmën e saj mbaj në shpirt.
Në vite skalite portretin skulpturë,
U ula në gjunjë e s’munda ta prish
Prej plasteline ish.
Pikon ajo ëndërr
Netët më janë bërë si rrufetë,
Kanë filluar heshtur të më trembin
Më zgjojnë degë ndjenjash, të harruara,
që s’munda t’i ujis, e t’i sodis në duar.
Shkreptijnë ! Unë strukem në çadrën e shiut,
Aty ku luajnë e qeshin sytë lot,
Marr frymë në përplasje ere,
Kërkoj t’i dëboj, e nuk ikin dot.
Përkëdhelem dhimbjes, dallgëzoj në natë,
Ato herë më zgjojnë, herë më flenë pranë,
Errësira me sjell imazhin e vjetër,
E fshehur të ndjej, si askush tjetër.
Se ndodh të zgjohesh, të kesh një folezë
Të bëhesh rrufe, të dridhesh në netë,
Sa shumë veç e veç vrapojnë në ajër,
S’ka gjë që s’e di, kështu bëjnë të marrët.
I NJËJTI TRUP
Me lëkurën time të veshur në trup,
Ec ëndërrimit të djeshëm,
Heshtja e varur mbi supe,
rëndon nga kujtimet.
Dhe ec, me lëkurën time veshur në trup,
Me hapa mjergull,
Në atë qiell resh,
Ku shiu vonon të bjerë.
Rënkimet
Ndarjet janë dhimbje që në çast,
Marrin frymë duke u ankuar,
Preken prej së gjalli deri në harrim,
E vdesin në plagë duke dashuruar.
Të lashtë
Ne jemi të lashtë,
Në u dashtë të vjetërohemi,
S’kemi ku shkojmë më shumë.
Të domosdoshëm si ajri,
Grindemi erës, shndërruar stuhi,
Dimër në sy, në qerpik dashuri.

