Gazeta Nacional Albania

Romani “Prishtina” i Mehmet Krajës, liria mes shpresës dhe iluzionit. Kritike nga Kosta Nake

KOSTA NAKE

LIRIA MES SHPRESËS DHE ILUZIONIT
(Romani “Prishtina” i Mehmet Krajës, Onufri 2018)

Vepra është futur brenda një kornize kohore të përvijuar përpikërisht: 18 qershor 1999 – 16 tetor 2000 dhe është mbështjellë me një vel sarkastik e surealist, me një përpunim të gjatë filozofik të lirisë, vetmisë, seksit dhe vdekjes, me një paraqitje të mëdyshtë të personazheve, me një dozë ironie për figura reale të jetës politike dhe artistike të kombit, si: Anton Pashku tek i cili gjuha që nuk përputhej me përmbajtjen, Azem Shkreli me heroin lirik si fshatar refleksiv, Martin Camaj me nostalgjinë gjuhësore të emigrantit, Faik Konica dhe marrëdhëniet erotike me Apolinerin, Ali Podrimja që nuk kuptonte edhe vetë se ç’shkruante, Ibrahim Rugova si alturist në politikë me qimen e ujkut nën lëkurë, Malo Gami i vdekur, Naxhije Deva dhe Istref Begolli me projektin filmik; poetët me mbiemrat Berisha, Gashi, e Krasniqi që përpiqen të bëhen heronj pas lufte, etj.
Ka një galeri portretesh që pozojnë, por nuk veprojnë; ata qëndrojnë bashkë vetëm sepse shfaqen në udhën e shkrimtarit ose ndanë saj; një ndarje e dëshirës për një botë ireale e krijuesit me reporterin që pengohet në botën reale. Koha lëviz vetëm mbi fytyrat dhe rrobat e tyre. Veprimet janë sporadike dhe pa ndikim te njëri-tjetri: ca të rinj me uniformë e zhveshin shkrimtarin lakuriq (f.24-25) dhe pastaj njëri prej tyre rishfaqet si kamerier; një plake serbe mbytet në vaskën e apartamentit ku banon e vetmuar (f.29), një burrë vritet me thika se flet serbisht (f.242) dhe duket sikur paralajmërohet revanshizmi; përkthyesja Flora tregon se seksi miksohet me çdo sistem e situatë. Galerisë i bashkëngjitet katërshja e misionit të OKB: Tomashi polak i Ukrainës, shefi i tij Gonzalo nga Kili, gjermani Ryker dhe ndihmësi indian Rau për të ilustruar një saldim të paqëndrueshëm që sot rezulton i ndryshkur. Ata do të pasohen nga Bernard Kushner që dukej si gjel i stilizuar dhe pas tij nënkuptohet Franca që e ka për zemër Jugosllavinë dhe e la hapur çështjen e Mitrovicës. (f.141) Kur dukej sikur shfaqja e misionarëve të huaj do të mbyllej me zotin Daxner, shef i departamentit të arsimit dhe shkencës për KFOR-in, në aeroportin e Prishtinës shfaqet koloneli rus Igor, Rusia dhe NATO në kufirin e tyre kritik, rusi të cilit “Kosova i ngjante me një arkëmort të ngushtë, të të cilin as rrotulloheshe dot, as i shtrije dot këmbët.” (f.261).
Ka një gjetje interesante në paraqitjen e karaktereve: “Mund ta ketë emrin” Besim ose Besnik”, “ta zëmë”, ky burri i hajthëm mund ta kishte emrin Ahmet”, “mund ta kishte emrin Ahmet ose diçka e tillë, vinte i shkurtër dhe i mbushur nga trupi, si brumbull, dhe kokën e shogët e kishte në formë trapezi.” (f.136). Siç duket në këtë rast, emri thuhet në mëdyshje, pastaj menjëherë shoqërohet me portretin. “Burri i moshuar mund të quhej Qamil, Ismet ose Shani. Shani mund të ishte emër më i përshtatshëm.” (f.142) Mund të ndodhë dhe anasjelltas, jepet një portret sintetik dhe pastaj si mund të quhet: “u duk një burrë i gjatë me syze…Kishte veshur një pardesy të përhimët dhe mbante mustaqe të holla. A m’u duk a ishte Mahmuti? Po, Mahmuti, dora vetë.” (f.139)
Mustafa, vejan dhe analfabet, është personazhi me më shumë kontakte me shkrimtarin, ai ka një djalë emigrant në Gjermani jo vetëm në një ndarje pa kthim, por edhe me një komunikim epistolar të pamundur. Këto karaktere u ngjajnë atyre qytetarëve që duket sikur po presin te dritarja postjerin që kalon në udhën e vet për t’i dhënë mesazhin e përgatitur që ta futë në sirtarët e librit që po formësohet.
Ajo që ka ndodhur nën sundimin serb vjen me pikatore, por me një koncentrat të fortë, një ulërimë dhimbjeje që lë gjurmë të pashlyeshme: Pranë shkrimtarit në paraburgim është një burrë i traumatizuar sepse të atin ia kishin futur shkijet në gropën e gëlqeres, gruan Hanife ia kishin dhunuar, i kujtohen thirrjet e Arditës, bijës 6-vjeçare, që serbët e mbytën në bunar: “Shkoj me marrë ujë, ajo m’thrret, o babë, o babë, prej fundit pusit, shkoj n’pozllam, babë, dal te megja, o babë, kthehem n’shpi, o babë, o babë, hapi nji derë, hapi nji tjetër, o babë, o babë, bie me fjetë, e mbuloj kryet me batanije, o babë, o babë, kurrë pa ia da, as ditë, as natë.” (f.81)
Shpërnguljet e detyruara nga Mitrovica identifikohet me Muharrem Qenën, shkrimtar dhe këngëtar, i lindur në Mitrovicë. Ai donte të shkonte në qytetin e lindjes, por nga një plak mëson: “Asgja nuk ka ma atje, krejt i ka marrë Serbia.” (f.206) Nuk është as kafja e Sylës, as furra e Orhanit, as Lagjja e Boshnjakëve.
Arditës i bëhet bashkëvuajtëse Jeta 16-vjeçare të cilën një grup paramilitarësh serbë e kishte nxjerrë nga kolona e njerëzve që shkonin drejt Malit të Zi dhe e kishte përdhunuar.
Cila është panorama njerëzore e qytetit të Prishtinës pas çlirimit?
Një kamerier nuk arrin dot të bëjë një kafe sepse dritat ikin e vijnë duke na kujtuar të njëjtin fenomen shqiptar nga ku mezi kemi dalë pas më shumë se njëzet vitesh edhe në Shqipëri.
Fati i pianistes Teuta tregon një yll në perëndim që duhet të paguajë harraç për burrin e saj që kishte punuar me policinë e fshehtë. Një fat të ngjashëm ka Muradija, e shoqja e profesorit të çmendur të fizikës. Të dyja kanë guximin të deklarojnë se jeta duhet të vazhdojë edhe pas vdekjes së tyre, për t’ia mjelë jetës edhe qumështin e fundit.
Shani bëhet shpresës i krizës morale të kosovarëve që nuk orientohen dot në realitetin e ri: “Ne jemi të vdekur trefish… Një herë jemi të vdekur se sepse ka vdekë komunizmi, masandej jemi të vdekun se se ka vdekë Jugosllavia dhe për të tretën herë jemi të vdekun sepse prostata nuk na e mban ma shurrën.” (f.143)
*
Një kup i vendosur në fund të rreshtit të tretë që në kreun e parë nuk di pse më krijoi perceptimin se mjedisi i ndotur natyror patjetër do të pasohej nga mjedisi i ndotur shoqëror dhe do të përforcohej edhe nga mjedisi i ndotur gjuhësor. A është kjo dukuri fryt i një Kosove të traumatizuar?
Jashtëqitjet njerëzore do t’i ndeshim gjithandej në faqet e romanit për të theksuar atë antitezën e munguar me kujdesin që do të duhej të tregonim, pasi një Kosovë e çliruar për herë të parë, do të duhej të këqyrej si hyrje në një shtëpi të re; në kreun e dytë do të shohim pamjen e neveritshme të plakës serbe të mbytur në vaskë; në kreun e tetë ka një bufe në zyrat e redaksisë së gazetës që mban erë nevojtore; në kreun e njëmbëdhjetë mësohet se është vrarë Selimi, ish punonjës i policisë së fshehtë dhe është mirë të mos dihet ku është varrosur që të mos i bëjnë ndonjë kup sipër; në kreun e nëntëmbëdhjetë narratori dhe një gazetare nguten të bëjnë seks në një kthinë me duhmë të rëndë lagështie dhe minjsh të ngordhur; në kreun e njëzetë “një vit dhe pak pas çlirimit, Prishtina përnjëherësh mori një pamje si të ndryshkur e të vjetëruar.” (f.260)
Ndotja shoqërore vjen nga fakti që çlirimi i Kosovës nuk u shoqërua me frymën e bashkimit, në rrugë nuk sheh turma entuziaste, të gjithë spiunët e së kaluarës janë bartur në një kohë të re, nxitojnë të vetëshpallen heronj dhe të mbajnë ose të rimarrin pozicionet e humbura në aparatin shtetëror-administrativ, njerëzit janë zhgënjyer me lirinë që në vitin e parë të ardhjes së saj. Kosovarët janë të pakënaqur jo vetëm mes vedi, por edhe me forcat e OKB-së sepse ua marrin gratë e reja “Teutat, Besat, ato që e kanë trupin si ngjalë, që u vjen aromë e këndshme” dhe u kanë lënë “Qefseret, Sanijet, ato që pjerdhin si mushka dhe u vjen era bajgë dhe djersë,… me bythë të mëdha dhe me lafshë të dhjamosur.” (f.62) Shembulli klasik i spiunëve vjen nëpërmjet Agimit: “A kemi spiunuar? Nëse na është kërkuar, po. A ju kemi persekutuar? Nëse e deshi puna, po… Po a na bren ndërgjegjja? Asnjëherë!” (f.112-13) Nga e njëjta vathë janë edhe Korabi dhe Tomori të cilët, jo vetëm kanë ruajtur pozitat e tyre, por vazhdojnë të sillen harbutçe; Ahmeti që bënte martesa me autoritetin e partisë; Besniku pinjoll i një familjeje komunistësh që nuk nguron të aplikojë eutanazinë për të moshuarit që kujtojnë gjëra që duhen fshehur, gazetari Zeka që tradhëtoi minatorët e Trepçes që ishin futur në grevë urie. Qasja ndaj spiunëve kulmon në kreun e pesëmbëdhjetë, kur vdes spiuni Brahim, i urryer prej shkrimtarit, por të tjerë, me maskë të akullt hipokrizie, i kërkojnë të marrë pjesë në varrim si përfaqësues i lagjes, madje të mbajë edhe një fjalim reabilitues. Le të përfytyrojmë kështu një intelektual të përdorur, të poshtëruar.
Ç’ndodhi me gratë e përdhunuara të Kosovës pas çlirimit? Shkurtuan fundet, hapën dekoltetë, kakarisnin me zë të lartë. Po burrat? U veshën pa shije, me atlete dhe kapardiseshin. Në kreun e njëzetenjëtë nga Mustafa mësojmë se kanë dalë gra që u bëjnë aborte dashnoreve të luftëtarëve të UÇK-së.
Së fundmi, ndotja shoqërore vjen edhe nga grupimi i nostalgjikëve që nuk janë ndarë as nga lidhja e komunistëve jugosllavë, as nga trashëgimia enveriste shqiptare dhe kjo vjen me grotesk në faqet e fundit të romanit nëpërmjet figurës së Petritit.
Ndotja gjuhësore, e treta në ndotjen gjithëhapsinore, vjen, nga njëra anë në derdhjen pa dorashka të sharjeve e mallkimeve, në shpërfilljen e fjalëve tabu, dhe nga ana tjetër në vëmendjen e shtuar ndaj artikulimit tingullor të karaktereve. Një djalë me uniformën e UÇK-së shan: “Ngoni këndej, ju spiuna t’mutit! … Për ju nuk asht dasht me e derdhë asnjë pikë shurrë, jo më gjak!” (f.54) Poetja Qefsere deklaron: “Unë u plaka tue pritë që ju t’ju ngehet!” (f.65)
Edhe pse ato nuk kanë për qëllim ndonjë klasifikim gjuhësor, ka një rimarrje këmbëngulëse të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që dalin nga gojë të ndryshme në përmasa që nuk e kam ndeshur te asnjë autor tjetër: Indiani Rau “qeshte si gjithmonë…me dhëmbë të bardhë dhe me ca zanore bythëzeza.” (f.46) “Zanoret e Jusufit me maja të thepisura fishkëllenin nëpër dhëmbë dhe i shponin fjalët si tullumbace… bashkëtingëlloret afrikate tërhiqeshin zvarrë midis dhëmbëve prej paladori dhe krijonin ndjesinë e mbytjes.” (f.122) “Janë po ata personazhe që flasin me zanoret kumbuese, të huajtura nga serbishtja vulgare.” (f.133) Shaniu fliste “me një të folme grykore, sikur t’i villte fjalët nga gabzherri”. (f.145) Bufetjeri Sahit foli me një lehtësi të çuditshme, “sikur fjalët i binin nga goja jo për shkak të kuptimit, po për shkak të gravitetit. (f.170) …u përpoq të thoshte diçka, por nxori vetëm ca zanore që nuk lidheshin dot mes veti, iii-aaa-i-uuu-ooo-u, tingujt u ngatërruan me ca bashkëtingëllore pështymore.” (f.256) Poeti Berisha “fliste me rrokje të ndara, së pari i shpërbënte fjalët dhe ca pjesë të tyre i gëlltiste pastaj.” (f.185) Në zërin e Muradijes zanoret ishin mbështjellë me një butësi të qullët, … sikur fjalët e saj ngjiteshin deri te tavani dhe që andej rridhnin si jargë qerosje.” (f.307) Syla arriti të nxirte ca tinguj grykorë dhe ca zanore të zgropuara përbrenda, aaa-ooo-uuu. (f.314)
Duke u ndalur edhe pak te ndotja gjuhësore, kam ndjesinë se ka një lloj irritimi të autorit kur përmend toskët dhe toskërishten, mbase një qejfmbetje që nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. “Ndalu pak, o gegë, se kur dehemi ne toskët, e fëlliqim dynjanë me gënjeshtra.” (f.94) Sot ka më shumë njerëz që besojnë se gegërishtja është ashti i gjuhës shqipe dhe toskërishtja tuli i saj. “Toskërishtja e Korabit dhe Tomorit ishte e sforcuar dhe vende vende, marksiste-leniniste.” Petriti “fliste një toskërishte ideologjike, me ato gjysmëzanoret e dhunshme dhe blegëruese.” (f.319) “mbi kokat e njerëzve …pluskonin fjalë toskërisht me zanore të shkurtra dhe theks kosovar marksist…” (f.327)
Kompozicioni i veprës ngrihet mbi një linjë lineare, përveç paraqitjes së veçantë, shkrimtari dhe narratori e ndan misionin me gazetarin, rrjedhimisht ka zgjedhur vetën e parë, për të kaluar nga një skenë te tjetra, nga një karakter te tjetri duke përdorur perifrazime të tilla si: “që kuadri të plotësohet, tani më duhet të them se…”, “edhe pak çaste duhet të qëndrojmë në Aeroportin e Prishtinës,” “edhe për pak çaste do të mbesim në bordin e po atij avioni” (f.268) për të na njohur me gazetarin greko-flaman Prekas i cili mendon se “ndërhyrja ndërkombëtare në këtë vend kishte qenë një marrëzi politike, me pasoja të paparashikueshme për rendin botëror.” (f.269)
Dy kapitujet e fundit janë ekuivalentë të një epilogu. Pasi ka radhitur karakteret në vargun e 16 muajve, shkrimtari ulet në panelin e analistit: “Në Kosovë nuk do të ketë më luftë për liri, as luftë për ideale, porse do të kishte luftë për më shumë pushtet dhe për më shumë para.” (f.229) “Kosova është bërë si një leckë e hedhur skaj rrugës” (f.230), “vlerat e demokracisë në Kosovë po manipulohen rëndë” (f.231)
Nuk mund të ndahemi nga vepra pa shprehur konsideratë të lartë për Krajën si një mjeshtër të peizazhit natyror, me aq shumë ndjenjë, brengë e art: “Një re e vogël dhe e pafajshme u detyrua të ikte nga qielli, dhe teksa sytë e kapsallitur të plakës shikonin zbrazët dhe goja e hapur ngjante me portën e ferrit, reja e vogël në qiell u shpërbë, sepse nuk gjeti asnjë zgjidhje më të mirë se sa zhdukjen.” (f.32) “Nga pianoja filluan të vinin ca tinguj të rrallë, në ato vrimat e zeza të heshtjes kozmike, midis tingujve, filluan të zhdukeshin një pas një yjet e qiellit.” (f.150) “Një çast më vonë tingujt u shtuan, u bënë më të qashtër, më depërtues, duke u futur midis heshtjes, pak me drojë e pak me hamendje, herë me një nanurisje të ëndërrt e herë me pulitje qepallash në një pikëllim drite, si era që përkëdhel ujin, si rrezet që shëtisin mbi bar, si pikat e vesës që spërkasin pulpat e një vajze tek garend livadheve, pastaj një fluturim mbi re, pastaj një valëvitje tjetër e ëndërrt mbi ngjyrat e ylberit, pastaj një aterrim i puhizës mbi petalet e luleve, pastaj një dremitje mbi një varkë në mes të liqenit, e rrethuar me diej të vegjël që kërcejnë nga një valëz në tjetrën, pastaj një dalje nga ëndrra, pastaj një asgjë e trishtë që fillon nga bregu i ëndrrës dhe shkon deri në amëshim.” (f.154-55) “Nga njëra dritare e hapur një perde e bardhë shfaqej hera-herës, duke shkundur përjashta një heshtje të bardhëreme, si pluhur tebeshiri.” (f.287-88) “Era që frynte përjashta i mbështillej qytetit pas trupit si mantel i vjetër dhe i çngjyrosur.” (f.320) Përmbledhja poetike e veprës: “Një trishtim historik i rrinte Prishtinës mbi fytyrë.” (f.243)

Durrës, 24 – 28 qershor 2023