Site icon Gazeta Nacional Albania

RRËFIMI I FETARIT. Tregim nga Agim Gjakova

 

 

 

“Dëgjoni o besimtarë! Perëndia, i qofshim falë (thënie), disa të pafe thonë’ “mos i qofshim falë”, pasi rrumbullakosi botën,  i krijoi me baltë të gjitha qeniet e gjalla. Me baltë e kënetave krijoi shtazët ujore (thënie) peshqit, krokodilin, balenën, peshkaqenin e të tjera, me baltën e arave krijoi insektet, gjarprin, akrepin e të tjera, , me baltën e maleve krijoi bishat, kafshët e egra, luanin ujkun, dhelprën e të tjera, me baltën e fushave krijoi kafshët shtëpiake, delen, gomarin, kalin, lopën e të tjera.. Pastaj iu rrek punës të krijonte njeriun. I mori të gjitha këto lloje baltash, i përzjeu dhe krijoi njeriun. U mahnit me krijesën e vet, por harroi t’ia përpunonte ndërgjegjen, se filluan të lindnin njerëz me tipare të ndryshme, dikush me tiparet e dhelprës, një tjetër me tiparet e gjarprit, një i tretë, me ato të ujkut, i katërti me tiparet e gomarit, dikush me tiparet e krokodilit e kështu me radhë me tipare të kafshëve të ndryshme. U mendua Perëndia dhe e gjeti. Meqenëse baltat nuk u përzien  mirë, tek ata ku më shumë kishte baltë të kënetave, njerëzit shfaqnin sjellje të shtazëve ujore, tek ata ku kishte më shumë baltë arash, njerëzit dilnin me tipare të zvarranikëve, tek ata me më shumë baltë të maleve njerëzit ngërthenin tipare të  bishave, tek balta e fushave njerëzit veronin me tiparet e kafshëve shtëpiake. Vrau mendjen Perëndia dhe të gjithë këta i bëri të padukshëm dhe krijoi Djallin që të shfajësohej përpara njerëzimit.”

Të gjithë besnikët mbeten me gojë hapur. Me siguri nuk kishin dëgjuar ndonjëherë predikim të tillë. Burri që ishte zbardhë para kohe dhe më shikonte drejt në’ sy, m’u bë krah për predikimet e mia. Unë nuk isha në asnjë hierarki fetare, por isha besimtar i devotshëm dhe tejet besnik ndaj Perëndisë.

Pas këtij predikimi filluan të më vijnë mesazhe të ndryshme, madje pati edhe ndonjë nga të vdekurit që shkaktuan pëshpëritje dhe u përhap fjala se të gjitha ato që kisha thënë m’i kishte dërguar Zoti. Natyrisht burimi ishte këtu tek unë.

Njerëzit janë të çuditshëm. Sajojnë gjithfarë shprehjesh me fjalën fe si “Ia luajti fenë, ia di fenë” e të tjera. Pa le pastaj ato të ndyrat si feqen, femi, femut…! Çka mund të thuhet për krijuesit e këtyre shprehjeve? E pata pyetur njërin që i përdorte, nëse besonte në Zot dhe ai më tha po. Çudi, edhe beson edhe e përdhos fjalën fe. “Po, o burrë,” i thash vetes, “edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli“.

Kur isha pak më i ri e kam vrarë mendjen se ç’është besimi. Pas një kohe as vetë nuk e di se si u bëra fetar dhe lëshova rrënjë tek besimi dhe tek Zoti. Gjatë shumë viteve kam parë lloj-lloj besimtarësh. Dikush e ka aq të ngulitur, sa mund të thuhet se ka lindur me atë besim. Një tjetër beson se ka frikë nga Zoti. Ka të tjerë që e pyesin veten “ka apo nuk ka Zot” dhe i lëshohem besimit pa i dhënë vetes përgjigje.

“Ruana Zot nga të pafetë! Kjo është mbrojtja më e mire që i bëhet besimit. Zoti është i madh, i plotfuqishëm  dhe i përjetshëm!” U thashë besimtarëve se tek e fundit nuk më duhet fare dhe e mohoj debatin “a ka apo nuk ka Perëndi”.

Shpesh besimtarët më thonë se pyesin veten për shumë gjëra dhe nuk gjejnë përgjigjen. Kur unë nuk e di përgjigjen i them  se “Zoti i ka të gjitha përgjigjet, por nuk ua thotë të gjithëve që t’i ruaj nga mëkatet.” Në disa raste sajoj diçka që të duket si e vërtetë e atëherë shtoj se “Zoti ma ka shti në mendje”. E një ditë theksova: “Mos shkoni me krye në thes pas askujt që nuk e dëgjon fjalën time.”

Predikimi fillon e bëhet shprehi, por jo si ato që kalojnë në ves.  Edhe vëmendja e besimtarëve është e ndryshme. Kur po flisja një ditë vura re njërin që kishte ngritur veshët të dëgjonte, m’i kishte mbërthyer sytë, po më shikonte me habi e disi shtrembëronte fytyrën. Ky, thash, ose është besimtar i devotshëm, ose krejtësisht i pafe. Nuk arrita ta saktësoj këtë, se ai doli para se të mbaroja. Nganjëherë rri e mendohem për ata që s’besojnë dhe më duket se më kanë mëri. Atëherë bindem se ata janë vërtetë gjakhidhur.

“Unë të pranoj ty, të nderoj, ti përse nuk më pranon mua?”

Kjo më erdhi krejt papritur nga ai që më kishte vrojtuar në atë mënyrë.

“Se nuk të pranon Zoti!” I thashë .

“Unë as besoj, as nuk besoj. Kam vendosur të mos e vras mendjen për këto gjëra. Bëj jetën time  të zakonshme….”

“Të gjithë njerëzit janë ngapak nihilistë. Ata që kanë formim të duhur besojnë në Zot.”

Ai qeshi me fjalët e mia.

“Më lejoni të them, i nderuar fetar, se një fetar që s’di i bën besimtarët  ta braktisin fenë e një fetar që di i bën të pafetë t’i kthehen fesë.”

Me të hedhur e me të dredhur, por ajo më goditi. Nuk mund të them se jam i paditur dhe midis fetarëve jam ndër më të nderuarit e më të njohurit e të dijshmit, por… Natyrisht se ndaj tij nuk mund të përdorja klishetë  (te mendohet krijimi shqip) e besimit për t’i dhënë përgjigje.

“Që ta ndryshoni gjendjen as mish as peshk, as besoj, as nuk besoj, as ditë as natë, ju duhet ta provoni, të thoni një lutje dhe do ta kuptoni se besimi bën mrekulli, ashtu si ai që ka frikë nga vdekja dhe i lutet Zotit dhe menjëherë qetësohet.”

Ku iu përgjigja kështu vura re se instinktivisht kisha përdorur klishetë e rëndomta. Hapa gojën të vazhdoja ndryshe, por ai nuk më la:

“Faleminderit që ju më jepni këshilla, por unë ndjek një urti popullore: Ec me këmbët e tua e jo me mendtë e huaja.”

“A s’keni asnjë lloj  besimi ju!? Një herë e një kohë të gjithë njerëzit besonin tek diçka, tek rrufeja, lisi, maja e pashkelur e malit, shpella e frikshme, gjarpri… Por njeriu i mençur iu kthye të plotfuqishmi, Zotit….”

Kur gabon i mençuri çuditet budallai! Mbase unë jam ky i dyti. Zotni, më falni, por duhet të largohem.”

Përshëndeti njerëzisht dhe më la të mendohem. Ma dogjën zemrën ato fjalë. “Pra ne të mençurit me besim po dalim të marrë, këta pa besim, që qenkan budallenj, paskan dy fije mend ku çuditen me gabimin tonë!”

Ndjeva njëfarë emërimi, por kjo ndjenjë më shtyu edhe më thellë në fenë time dhe besimin në Zot. Me shkrepi në mendje që të predikoja  diçka si ajo e krijimit me baltë dhe thirra besnikët në tempull.

“Dëgjoni o besimtarë! Pranë varrezave të një qyteti e kishte shtëpinë një besnik, njeri i mirë që falej Zotit orë e çast. Ai e kishte në shpirt mirësinë, dashurinë ndaj njerëzve dhe ndihmonte të varfrit.  Ditën e kalonte sa në punë e sa në faltore. Natën e kishte jo të qetë, se dëgjonte vaj, thirrje, britma, rënkime që vinin nga varrezat, por kur dilte të shihte se kush po i lëshonte ato, nuk kishte asnjeri dhe as gjë të gjallë.. I shqetësuar nga kjo shkoi tek të parët e të dijshmit e fesë të kërkonte këshillë e ndihmë dhe u tregoi ato që përjetonte gjatë natës. Të parët e fesë e qetësuan, e  lavdëruan për veprat e tij, “Ti qenke njeri shumë i mirë”,  i thanë, “dhe Zoti ka ditur cilin të zgjidhte dhe ti dëgjon edhe nga bota tjetër. Ti dëgjon zërat e të vdekurve duke i rrahur për mëkatet e fajet, për bëmat e tyre të pamoralshme dhe të ndyra që kanë bërë gjatë jetës, prandaj ti duhet të largohesh prej atij vendi, të ndërtosh një shtëpi të re.”

Besimtarët lëvizën duke mërmëritur, ose duke i pëshpëritur me pyetje njëri tjetrit.

“Po si dallohet njeriu i mirë?” U hodh një djalosh.

“Kjo botë ka njerëz shumë të mirë, por ka edhe të tjerë. Kur i krahason të dy palët e gjen se cili është i mirë.”

“Po këta të tjerët që Zoti nuk arriti t’ua përpunojë ndërgjegjen, si u bënë të dukshëm?”

“Thashë, mor bir, që Perëndia krijoi Djallin…”

“ Po nuk është dashur ta krijonte!”

Syxixë siç ishte e mendjehollë që, siç duket i kish thënë vetes të mos më linte  të qetë, kuptova se do të nxirrte vrer nga goja me ndërhyrjet e veta. “E ke kryet në vend të keq, djalosh!” Thashë me vete dhe ia prita:

“Mos hyn në një thes me të paudhin! Njeriu nuk mendon vetëm si të rraset me bukë, por edhe si ta qetësojë mendjen, si ta këndellë shpirtin…”

“Unë s’jam kurrë i ngopur, as i uritur, por si t’ia bëjnë ata që s’kanë asgjë pas shpirtit!”  

Nuk do t’i bënte syxixa terr! edhe po ta kërcënoja me frikën e ferrit, prandaj duhej të gjeja një mënyrë që ta bëja për vete, ose ta heshtja..

“Jeta gjithmonë i jep njeriut një mundësi të dytë. Ajo është e nesërmja, e besim të plotë tek Perëndia.

“Jeta ime ka shumë ngjarje e përplasje. A i di Perëndia të gjitha?”

Buzëqesha që të dukesha i afërt me të.

“Perëndia i di edhe ato mendime që nuk të kanë ardhur ende në mendje.”

“Oh, sa mirë! Po a mundet me ma heqë nga mendja  një mendim që nuk e dua?”

“Po qe i mbrapsht po.”

“Po përse nuk ua heq disave që kanë mendime të liga….?”

“O bir!” Ia preva fjalën. “Është djalli ai që u frynë njerëzve mendime e veprime….”

“Ha,ha! E kuptova! E kuptova!!” Thirri ai me të qeshur duke ma prerë fjalën dhe doli jashtë.

Besimtarët po prisnin se si do të sillesha unë dhe çfarë do të thosha. E mblodha vetëm me mendimin se duhej të kisha kujdes nga tipa të tillë se do të më zinin në lak kur të rastiste që nuk do të kisha përgjigjen e duhur. Megjithatë kisha besim n në vete se unë jetoja me fe, Perëndia do të ma ngjiste dorën, të më ndihmonte.

E mora si ndihmës një djalë që fijet i kish të mira. Shtati këtu e në tavan. Nuk kishte dorë, nuk kishte vjedhur kurrë asgjë. I rritur me shëllire  s’kishte  këmishë në trup, s’kishte këpucë në këmbë, shumë i varfër me ta këputë shpirtin. Nuk e vinte në buzë alkoolin. Jo vetëm që do të më ndihmonte, por do ta paraqitja si shembull i devotshmërisë me besim në Zot kundrejt disa të rinjve që, ose nuk besonin, ose ia kishin varë fesë.

Erdhi një i ftohtë që më ra për thonjsh. Nuk shkova në tubimin e radhës. “Bëjnë edhe pa zot!” I thashë vetes. Më kishin pritur pothuajse një orë. Pas një jave thirra tubimin dhe u dërgova porosi besimtarëve që të ftonin e të merrnin me vete sa më shumë të rinj. Do të flisja për moralin e besimit dhe amoralin e atyre që nuk besojnë.

Në këtë tubim erdhën edhe shumë të rinj të dëgjonin se ç’do t’u thosha. Pasi kërkova falje për mungesën time atë ditë shumë të ftohtë, u thashë se “në kërthizë të dimrit Perëndia na dëgjon dhe na ndihmon, na jep durim ta kalojmë të ftohtit e vështirësitë”.

“Kanë moral të lartë ata që besojnë dhe i falen Zotit dhe e kanë parajsën e sigurt. Shpirti i tyre nuk ka për të vuajtur kurrë në këtë jetë. Zemra e tyre është e mbushur me dashuri e mirësi. Atij që i beson Zotit, nata i bëhet  ditë e bardhë se Zoti ka dorën e madhe, aq të madhe sa i kaplon të gjithë njerëzit e botës. Bëhu i urtë, beso. Mosbesimi sjell gjithë të zezat. Atë që nuk beson  e ka lëshuar shosha ose ia ka pi sorra mendtë.”

“Besimi lind në zemër, prandaj mos ia thyeni zemrën askujt. Do ta keni diell ngado që të shkoni. Mos e lëshoni nga goja kurrë Perëndinë se ju thahet goja. Zoti nuk duhet të përmendet, as nuk duhet të mendohet kurrë në vende të pahijshme. Është mëkat i pafalshëm.”

“Zoti na ka falë të gjitha të mirat. Mos i bini  ë mirës me këmbë që jua ka falë Zoti. Duhet të rrudhni dorën e jo të shpenzoni pa masë. Ai që e ka mbushur barkun duhet të mendojë edhe për atë tjetrin barkthatë. Të gjithë duhet të bien në gjumë në krahun e djathtë dhe të ngrihen po në krahun e djathtë. Besimtari ngrihet që në pikë të mëngjesit dhe kështu i ecën dita mbarë.”

“Kur të ngjiteni në qiell, atje është një lum i thellë që duhet ta kaloni. Ata që dinë not e kanë të lehtë, të tjerët i ndihmojnë të afërmit ose të njohurit. që të mbërrijnë në parajsë. Mos mendoni se në këtë lumë lahen të gjitha mëkatet. Ata që kanë bërë faje në këtë botë nuk mund ta kalojnë. Arrijnë në parajsë vetëm besimtarët e devotshëm,?

“Besnikët e mi besimtarë, Zoti qoftë me ju!”

E mbarova predikimin dhe prita të shihja e të kuptoja përshtypjen e këtyre fjalëve. Për disa çaste vazhdoi heshtja. Pastaj disa lëvizje, ndonjë pëshpëritje në vesh, ndonjë murmurimë… Disa fytyra që kishin marrë pamjen e të qeshurit.

“Zotni fetar, pse nuk më ndaloi Zoti mua të mos dehesha përnatë, por vetëm pas disa vjetësh kur e lashë pijen?” Tha një burrë.

“Ata që dehen e bëhen tapë nuk i vlejnë as Zotit, por Perëndia ka dashtë me të vënë në provë që ta kuptosh e ta gjesh rrugën e drejtë.”

“Zotni, përse Zoti nuk e zhduk të ligën?”  Zëri i lehtë, disi i përvuajtur. E njihja. Kishte pasur shumë andralla në familje. Iu përgjigja:

“Është djalli që u fut njerëzve të ligën në shpirt.”

“Pse nuk e shëron xhaxhin  tim që ka vite që është i sëmurë?”

 “Atë e kanë mallkuar!” U dëgjua një zë. Nuk e pashë se kush i hodhi ato fjalë. Iu ktheva besimtarëve me urtinë popullore:

“Ditëgjati nuk bëhet ditëshkurtër me nëmë.”

“I nderuar fetar, ai që nuk i falet Zotit e ka shpirtin katran. Është aq shpirtkeq, aq shpirtzi, aq shpirtlig…! Po pse Zoti atij i ka dhënë një mal me pare?” Ia pat syxixa

“Nuk ia ka dhënë Zoti, por djalli!”

“A ka pare Zoti me na dhënë neve?”

E vështrova  ngultë. Më kish ardhur shpirti në fyt me atë syxixë që ndërhynte në fjalë e në pyetje.  “Po  të mos gjeja një kahe që ta hesht, apo ta kundërshtoj me bindje, do ta bëj  tubimin tarllabuq!” I thashë vetes.

“Perëndia të mëson si të sillesh në jetë. Djalli krijon vështirësi, por Zoti do t’i ndreqe të gjitha punët dalëngadalë. Mbasi të mbarojë tubimi do të bisedojmë të dy, o djalë i mirë dhe i zgjuar!”

“Po, po, zotni!” Tha buzagaz.

“I nderuar fetar. Ju thatë se Zoti nuk duhet të mendohet as të përmendet në vende të pahijshme, por mu një ditë m’u bllokua brava në nevojtore dhe për të dalë i kërkova  ndihmë Zotit dhe ai ma dha se me provën e dytë e zhbllokova. A mos kam bërë gabim?”

Më shkoi një dridhje deri te maja e gishtit të këmbës nga një  ndjenjë e papërcaktuar nëse ishte zemërim apo neveri. Doli edhe një tjetër që më kundërshtonte tërthorazi. Buzëqesha lehtë dhe mora një pamje të atij që ndjen simpati.

“Zoti të ka ndihmuar dhe dije se të ka falë pikërisht mos me t’i marrë era mendtë e të mos bësh më gabime. Bëje  mendjen top e lutiu Zotit në dhomën tënde e në faltore.” Ia prita dhe iu drejtova të pranishmëve: “Të dashur besimtarë, bëjeni syrin pishë ndaj çdo veprimi të padenjë e jini të vëmendshëm ndaj çdo të ligu. I ligu ngatërron dhe yjet në qiell.”

I thashë syxixës se do të bisedonim për të shmangur më tej ballafaqimin, por në të vërtetë nuk e doja. Megjithatë ai erdhi dhe më kërkoi ballafaqimin. U detyrova të pranoj se m’i zuri të gjitha shtigjet.

“Ç’ka do me ditë djalë?”

“Përse besoni?”

“Pyetje koti!”

“Të mirat nuk na i ka falë zoti, por janë këtu në tokë.”

“Zoti e krijoi tokën…

“Jo, Big Bangu.”

`           “Mos, o bir, mos se thyen qafën!”

“Ju folët për moral. A e dini se ç’bëjnë disa që shkojnë në faltore, falen dhe pastaj bëjnë  plot poshtërsi!

“Ata që s’kanë besim janë të tillë.”

“Po këta që vjedhin, dhunojnë, vrasin..?”

“Atyre u flet djalli…!”

“Zotni! Zotni!” E ngriti zërin. “Nuk ka djall. Njerëzit janë ata që sillen keq, mbrapsht, me ligësi! Këtu s’ka punë Zoti!”

“A je ndërmend, mor bir! Mos i bëj lak fjalës sime. Zoti gjithkujt i pëshpëritë fjalë të mira.”

”Ju thoni: Ata që s’besojnë ngatërrojnë botën. Unë them: Ata që s’besojnë e lënë në vend. Kurse ata që besojnë mbase mundohen që bota të mos rrotullohet..”

Syxixa më ngacmoi pak me ato fjalë. Megjithatë iu përgjigja qetë:

“Bëje syrin pishë ndaj çdo veprimi të lig… “

“Po pisha ta djeg syrin!”

“Ndal!” Thirra. Filloi të fliste me ironi. “More ti që nuk dua me të lanë pa emër, çka s’po të pjellë mendja?! Zoti nuk të do kështu siç fillove të flasësh. Mos i qitni poshtë kurrë fjalët e mia se janë fjalë të Perëndisë…

“Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë!”

Mbeta i shtangur. Kur e shikoje ishte i urtë, fytyra e tij rrezatonte mirësi dhe…  “Edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli. Ky paska shkuar shumë larg. Mirë se nuk beson, po përse na përgjunj neve që besojmë?!” Mendova dhe iu përgjigja ashpër:

“More mosmirënjohës i dalldisur ndaj gjithë begatisë që na ka dhuruar i plotfuqishmi! T’i ka lëpirë miu trutë. Je bërë si mos më keq! Ke mbaruar me të tëra.  Heqja dorë nga besimi ka me ta sjellë edhe sëmundjen”

Ia ktheva shpinën dhe u largova. Brendia ime filloi të vlonte nga zemërimi:

“  O pinjoll i ferrit! Do t’i çoj porosi Perëndisë me ta përgatit ferrin! (thënie  me kuptimin i kem i poshtër) . Dreqi ta thaftë gojën! Të vraftë rrufeja!” Nëma. Fillova të qetësohesha. “Aty ku ka ligësi bie rrufeja… Opa! Po rrufeja binte edhe në mal. A kanë drunjtë ligësi kur u bie rrufeja dhe i djeg?” U rrudha, u zvogëlova. Prajë more… more…!” Nuk dita ç’t’i them vetes.

U turbullova, u tkurra, m’u prish gjumi. Nuk u takova me besimtarët nja dy javë.

Fjala mori dhenë se unë paskësha  parë parajsën. Nuk thashë as po, as jo. U përgatita se si të paraqitesha dhe çfarë t’u thosha besimtarëve me tërë diturinë time të një jete… “Çfarë jete?! As parajsë, as ferr!”

Ditën që dola të takohesha me besimtarët, vura re se njerëzit më shikonin në mënyra të ndryshme. Disa përuleshin, disa buzëqeshnin me dashamirësi, të tjerë ishin seriozë dhe më përshëndesnin qetësisht, ndonjë më vështronte me njëfarë habie. Ecja me kokën lartë dhe mendoja se si t’i parashtroja para besimtarëve ato që kisha menduar për parajsën. Kisha sajuar një përmbajtje duke u nisur nga dëshirat dhe imagjinata njerëzore, e cila mendoja se do të ishte e pranueshme,.

“Të dashur besimtarë, parajsa ishte si një ëndërr ku njeriu i ka të gjitha të mirat se nuk kishte nevojë të punonte, ku jeta është e lulëzuar dhe të gjithë janë të lumtur. Atje plotësoheshin të gjitha dëshirat. Nuk kishte nevojë të ndërmerrje asgjë, vetëm të të shkonte mëndja për diçka dhe ajo plotësohej, Po t’i shkonte mendja njeriut për të ngrenë një biftek, fap!, për një sekondë bifteku ishte para teje. Po t’i shkonte mendja dikujt se dëshironte  të lahej  në det, fap!, e shihte vetën në bregdet dhe futej në ujë. Kështu ishte për gjithçka.”

Pushova së foluri. Më vështronin me kureshtje.

“Në parajsë nuk kishte as automobila as aeroplanë,  se njerëzit lëviznin me fuqinë e Zotit. Nuk kishe as televizorë. Doje të shikoje diçka, mjaftonte t’i hidhje sytë në qiell dhe sipas dëshirës, fap!,  shfaqeshin të gjitha.  Doje të shkoje diku? Mjaftonte dëshira dhe, fap!, e gjeje veten atje. E ç’t’ju them! Aq lehtë e të lumtur e ndjeva veten sa harrova shumë gjëra.”

Përsëri pushova pak. Kisha planifikuar gjithashtu që nga ky tubim të mblidhja ca të holla, prandaj me një zë, gjoja qiellor e si të parajsës, thashë:

“Atje më thanë se duhet të ngrihet diçka që të jetë shenjë e besimit në Zot, prandaj kam menduar t ju drejtohem që kush do dhe ka mundësi të ndihmojë me të holla për këtë simbol të adhurimit tonë për Perëndinë.”

Këto thash dhe fillova lutjen. Edhe besimtarët u rreshtuan dhe filluan të lutëshin. Kur mbaroi lutja të gjithë erdhën dhe dhuruan sipas fuqisë.

Djali ndihmës, që për të isha bërë në këmbë të babës, djalë për kokë të djalit,  m’i dorëzoi të gjitha të hollat. Ndava një dhjetëshe dhe ia dhashë. I shndritën sytë nga gëzimi. Rrugës për në shtëpi përllogarita si t’i shpenzoja pasi me një pjesë të vogël të  shumës të vendosja një pllakë simbolike të besimit, e pjesën e mbetur ta ruaja në kasafortën shtëpiake.

Fjeta dy net aq i qetë dhe i lumtur si kurrë më parë, por këtë ma prishi e më shkaktoi një javë pagjumësi e nervozizëm një letër që ma kishin lënë në shtëpi.

“I nderuar besimtar, njeri i ditur dhe i devotshëm, ne që po ju shkruajmë kemi nevojë për sqarime që të kuptojmë më mirë gjithçka predikoni se na është bërë mendja tarllabuq.

Ju patë parajsën, por nuk na thatë a ishit apo jo në ferr.  Para se të mbërrini në parajsë, a e kaluat lumin për të cilin thoni se është kur të hipim në qiell e nuk na keni thënë se a ka tokë atje. A duhej të kalohej lumi me rroba apo lakuriq? A morët vesh a mos ishte mbytur ndonjë në lumë dhe ku kishte përfunduar.

Ju thoni se në atë jetë parajsë janë të gjitha të mirat. Po përshesh me kos a ka atje se kemi një shok që i pëlqen shumë?

Ju na thoni “të ka lënë mendja se i ke dalë dore Zotit”, “mosbesimi t’i merr mendtë”, po ku i çon?

Ju keni thënë një herë “Të hëngërt Ora e ligë!” Ne nuk jemi kurrë me Orë të ligë, se kemi lexuar për mitologjinë. Jemi gjithmonë me “Orë të  mirë”. A e dini pse? Se baballarët na kanë blerë nga një orë të mirë.

Ju thatë se në parajsë kishte petulla me mjaltë. A ishte mjalti i saktë apo i përzier me sheqer?

Ju na thoni “Ke hyr në një thes me të paudhin!” A keni vënë re se i kemi hapur të gjitha udhët?

Ju na keni thënë “Po nuk e njohe hidhërimin, nuk do të kuptosh dhe gëzimin”. Me qenë se në parajsë nuk ka hidhërim si mund të njihet gëzimi?

`Këtu në tokë “njeriu ka nevojë më tepër për dashuri, se për lavdi”. Po atje në parajsë?

Dhe në fund do të na falni nëse pyesim : “A bëhej dashuri në parajsë?”

Lexojeni këtë që ma ka lënë gjyshi:

“Mos beso, bir!

Ç’është kjo hije e zezë në bebëzat e syve

`           që buron nga puset e helmëta të shekujve

që na dorëzon tek nata

nata e robërisë, e skamjes, e zisë…

mos i beso, bir!

Ç’është ai shtrëngim në ato duar nynçe

sa s’po u zihet fryma

ajo fytyrë fushë e verdhë e urrejtjes

që lëpihet të na lagë tokën nën këmbë

të rrëshqasim në kokërr të shpinës,

mos i beso, bir!”

“Luaj vendit bir!” Thirra me zë sa u tremb ime shoqe. E grisa dhe e hodha në zjarr. Nuk e di a qesha apo m’u shtrembërua fytyra. “Ah, mor syxixë bashkë me shokë! Kjo i vuri kapak Më ka ardhur shpirti në fyt me ju!” Zoti ju mëshiroftë!”

“Nuk mërzitem fort se çfarë jeni ju, me fe apo pa fe, me Zot apo pa Zot. Shkruani çfarë të doni. Unë do të vazhdoj të kem fe dhe të besoj. Pikë!”

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version