Gazeta Nacional Albania

RUDOLF MARKU: TË SHKOSH NË NEW YORK PËR NJË NATË. POEZI

SAPA, HESHTJA…

Eci përmes heshtjes së qëndrueshme të Sapës,
Në përvlimet e zhegut, mes fushave që ia kthejnë kurrizin vetë maleve;
Rrrathët e ankthit nuk flasin me za,
Dhe as Zotat e lashtë,
Shoh gratë me flokët si në gravurat meksikane
Të qytetërimit Maya dhe Aztec. Stuhitë e pafré bien në kanale
Si qent e zbutun që u fshehen kujave të ujqërve;
Heshtja ka lind para ditëve të krijimit,
Përpara shkundullimeve polifonike të rrufeve,
Para daulleve oratorike që duan të trembin ca fantazma brenda nesh,
Përpara se bota të shpallej me britma të dhëmbshme ekzistencash.
Gjëmimeve të moteve në Sapë askush s’ia vuni veshin;
Heshtja i bani gratë dhe ma të bukura se ç’janë , dhe burrat
Me heshtje përbuzin dëshprimin dhe vdekjen.

Në Sapë heshtja kacavirret e pa vënë re nga askush,
Në lartësi qiellore, ku as avionët modern nuk arrijnë, dhe as raketat.
Burrat flasin me heshtjen larg kësaj Toke;
Thonë lutje nën za, me një shpirtní si tymtajë
Që sapo ka lanë, pa u vu re nga askush, zjarrin e ndezun në votër!

Jam kthy pas shumë vitesh në Sapë. Askush nuk më njeh,
Sepse njohja asht zhurmë dhe vorbull shurdhuese; Shpirtat drithëmues
Të atyne që kanë vdekë
Ma tregojnë kohën prej thellësi guvash
Nga një orë diellore e moçme!

TRISHTIMI

Është e kotë të shohësh kalendarët,
Është e kotë t’i kërkosh bileten e avionit a të trenit të shpejt,
Askush nuk e di nga vjen-e marr me mend se ka ardh nga larg,
Nga pesëmijë vite larg,
Vjen i përpikt, i parashikuar nga orakujt lart.
Më thërret me emër si një mik të vjetër,
Më siguron se jemi miq të njohur në një jetë tjetër,
Se fëmijë kemi lozur bashkë. Edhe mua më kujtohet turbullt fëtyra e tij;
E mbuluar si nga një maskë e ishujve të Pelonezisë
Ecim rrugëve të Tiranës, në Skenderbeg Square,
Grataqielët modern ka kohë që janë ngritë në eter;
Trishtimi këtu është i sigurt, si të thuash, në shtëpinë e vet.
Përpiqem t’i largohem me takt,
– Më duhet të largohem se dikush më pret, më fal,
Dhe largohem pa kthyer kokën sado pak;
Por ai ka mbërritë në shtëpinë time para meje,
Dhe është ulur në dhomën me libra përplot, dhe më pret
Madje më fton të ulem pa asnjë siklet,
Dhe e kuptoj se jam unë mysafiri i tij,
Mysafir në pallatin presidencial të Trishtimit,

Atje ku rojet e rreptë kontrollojnë
butonat e teknologjisë më të fundit të Harrimit.

NJË NATË

Të jesh në Londër, buzë Lumit Thames, pa kohë, pa hapsirë-
Duke ecur në një hap me rrjedhën e ujrave pa ndalesë
Dhe të gjëndesh në rrugicat e Korçës,
Në kërkimin e një shtëpie pa emër rruge, pa numër shtëpie
pa adresë,

E prapë them se duhet të jeshë mes ikonave mesjetare,
Pikturuar nga murgjërit bizantinë që nuk shënuan as emrat e tyre.
Mes engjëjve të trishtuar duhet të jesh;

Nuk më lejohet as emërin tënd ta them;
Gjithmonë vjen një kohë që emërat tanë është më mirë me i tretë.

Duhet të jetë një kopësht me ngjyren e trëndafilave të kuq të ikonave në Mesjetë,
Mes murgjërve asketikë të kohës Bizantine,
Adhurues të largët, por jo të tunduar, të sharmit tënd,
Dhe mua më duhet të mësoj mjeshtërinë e vetëpërmbajtjes së murgjërve të mënçur,
Në kohën tonë të ngutjeve moderne;
Mes engjëve të trishtuar duhet të jeshë.
Pa kohë, pa hapësirë. Dashuria për ty ka lindur diku në qiej,
Mes murgjërve, mes engjëve që ma kuptojnë trishtimin tim
Një shtëpi pa adresë që ndoshta kot përpiqem me e gjetë,

Mes engjëjve që më thonë se dashuria është diku larg,
vetë një yll, në Univers.

Tetor, 2023

ISHTE A NUK ISHTE TETOR…

Ishte a nuk ishte Tetor?
Plazhistët kishin ikur pa u parë
Në planetet e panjohur e të largët;

Ishim si dy njerëzit e parë.
Qielli ngjante si një mëkat i madh,
Edhe pse nuk kishte asnjë pemë-molle pranë.

U çveshëm -pa rroba në trup, pa turp, në ranë
Dhe u shtrimë mbi njëri-tjetrin si alarm
Vetë Deti nxitonte të na vinte pranë.

Malet na rrinin përreth si kunorë
E dinim-ne ishim padyshim mbretëror,
Pa rroba mbretërish, pa skeptër,oborrtarë

Veç kujtesa e largët na sillej vërdallë
O ditë vjeshte, me një diell si shegë e vdarë,
Që hidhte ngjyrë gjak-epshi mbi trupat tanë

Dita ishe seks, puthje dhe mallë,
Zemra e Detit shpërdante një trishtim valë-valë
Veç për një burrë e një grua në këtë botë të pa-anë!

Do na njihnin, në qytete, sapo t’kthenim prapë,
Nga kokrrizat e ranës që do shkundej ngadalë
Prej trupave tanë, një terror i gjallë,

Do qemë për Qytetet që det s’kishin parë!

Shengjin, Rana e Hedhun, Vjeshtë e Vonë, 2024

KAM LINDUR NË BRIGJET HOMERIKE

Kam lindur në brigjet e Detrave Homerikë
Fëmijë loznim me kafkat e ushtarëve grekë, romakë
Që i gjenim mes mureve të gurëve ciklopikë
Poshtë mureve të Kalasë
Dhe kujtesa jonë ishte një udhëtim i largët,
Në dhëmbjet pa spjegim që shfaqej në muzgjet e ndezura flakë.

Nënat tona lindnin fëmijë të shëndetshëm pa njohur gjenetikën,
Pa na mësuar askush, notonim në rrrymat e fuqishme të Lumenjëve
Në shoqërinë e gjarpërinjëve të ujit, të lundërzave, breshkave të mëdha ujore,troftave dhe ngjalave,
Dhjetë vjeçarë, shihnim filma të ndaluar me seks, krim dhe dhunë,
Dhe ktheheshim në shtëpi të përpiktë në mesnatë,
Më të mirësjellshëm dhe më të mire se kurr.
Baballarët me ballin e rrudhur dhe duart tërë plasa
Na thonin të loznim me qent e vegjël të sapo lindur, i nxirrnim në rrugë
Duke ia mësuar ligjet e mbijetesës mes njerëzve,
Shmangien e makinave, biçikletave, karrocave, fshehjen nga Policët
Armiq të qenëve të rrugëve, maceve dhe lypsarëve zhel e mel.

Sokol Luli na jepte këlyshë ujqërish që t’i rritnim- dhe na thoshte si sekret.
Se ujqërit janë ëngjëj në krahasim me shumë njerëz.

Kurse tani ata vijnë me avionë modernë me çanta të mëdha me libra psikoanalistësh
Na thonë se fëminija jonë ishte e gabuar plot urrejtje dhe dhunë,
Na thonë se na duhet të harrojmë, të harrojmë, të harrojmë
Që të mund të bëhëmi qytetarë të nderuar të qytëtërimit të vonë,
Ndersa shpikësit e tyre më të fundit hedhin bombat
Mbi fëmijët që loznin si ne dikur buzë lumenjëve, me qen dhe ujq.

Dhe kush do t’u jap atyre përgjigje
Tani që kafkat e baballarëve tanë ka kohë
Janë përzier me kafkat e ushtarëve të lashtë grekë e romakë
Poshtë gurëve të lashtë ciklopikë, në heshtjen e tyre solemne dhe të zymtë?

Janar, 2024

ISHIM GJASHTËMBËDHJETË VJEÇARË

Ishim gjashtëmbëdhjetë vjeçarë
Të dy të ndronjtur. Takoheshim në muzg,
Ndonjëherë shtëngonim duart me njëri-tjetrin
Edhe pse e dinim se nuk ishte e mjaftë.

Shikonim nga njëri-tjetri, kush do ta bëntë hapin e parë?
Oh, ndjenim peshë e yjeve që na vështronin me ngulm,
Na pëshpërisnin në vesh: Bëhuni guximtarë,
Jeni bërë për njëri tjetrin o të marrë!

Ishte koha kur anijet kozmike nuk kishin shkuar në qiej,
Dhe s’kishte as kompjuter, as tek- fb- tiktok-celularë,
Prisnim prapë mbrëmjen të shtërngonim duart bashkë,
Pa e ditur sa i bukur qe ky naivitet- injorancë

Për t’i çmuar më vonë gjërat e thjeshta si t’ishin margaritarë!

GURËT

Që fëmijë mësova të dëshifroj zërat që vinin nga gurët,
Zëra prej basi, të thellë e të rëndë,
Hulli sonore që shkundëllijnë si një kujë a vaj,
Tashmë di të shfletoj gurët si fletët e një Fjalori,
Për t’u siguruar për kuptimin e fjalëve që s’i dija më parë.

Një ndertesë prej guri është një bibliotekë e ndërlikuar me hieroglife
Që kurr nuk do digjet si Biblioteka e Aleksandrisë ;
Kështjella e qytetit tim më mësoi kuptimin e alfabeteve të përgjakur,
Ndersa ai guri petashuq me të cilin loznim në rrugë të madhe
Na besonte sekretin e trishtimit të dashurisë së parë.

Kur më shihni tek mbaj mbi supet një shkëmb,
Në rrugët e qyteteve modern me rrugët pa gurë,
Ju e kuptoni se mbaj peshën e pengut të dashurive të humbura,
Që nuk kthehen më kurr!

Janar, 2024

TË SHKOSH NË NEW YORK PËR NJË NATË

Është Atlantiku në mes-Vasko de Gamba-s dhe Kolombus,
Atëherë ishte më e lehtë- askush nuk të merrte në intervistë
Pse do shkelësh në US, kush të pret,
A ke marr pjesë në aktivitete terroriste, a ke ndërmend
Të shpikësh bombë atomike, a të shesësh drogë kolombiane
A mos ke ndonjë antipati, për shkelqesinë e tij, zotin President?
Të pyesin si rastësisht nëse je racist a antisemit.
…Dhe asnjë pyetje për ty, për flokët e verdhë, a për emrin tënd,
Për gjoksin tënd më shpërthyes se çdo atomic bomb,
Asnjë pyetje për seksin tënd- më joshës se Statue of Liberty
Vazhdojnë të më pyesin se ç’mendoj për gender Equality…
Më vjen keq se nuk mund t’u them se kemi ardhur nga larg
Veç që të kalojmë një natë bashkë,
ashtu si 50 vite më parë,
Ti nga Kalifornia dhe unë nga Europa plakë
Rënkimet e tua do të dëgjohen deri në Shtëpinë e Bardhë,
Der në Pentagon dhe në Head Quarter të CIA-s,
Dhe se bursa parashikohet të ngjitet lart
si seksi im që u ngjit në qiej këtë natë,
Për të eksploruar të fshehtat e trupit tënd prej gruaje,
që as CIA nuk ka arritur t’i zbulojë der’më tash!

Janar 2024

STATUJAT PRANË

Kush tha se statujat e lashta janë n’ Muzé?
Është njësoj si të besosh se të vdekurit janë në Varreza
Dhe jo mes nesh!

Shoh statujat që përkulën sa herë që kalimtarët u kalojnë pranë,
Gratë çkopsisin bluzat e holla,
Dhe zbulojnë cepin e gjoksit të bardhë.

Burrat kujtohen për dashurinë e parë,
Dhe përhumben në kujtime të largëta,
Me dëshirë dhe mall.

Një statujë u rrëzua nga piedestali i lashtë,
Ngritun mbi rrathë gurësh të ankthshëm mesjetar.
Vetëm ngase një grua e bukur, padashtë,
Me palët e fustanit modern e preku përballë

U thye në qindra copa si një porcelan
Pleqt lanë përgjysëm lojërat tavëll, shah-mat,
Për të rrëmbyer një copë nga statuja e thyer,

Për ta marr si ngushëllim-mbrojtës nesër në Had.

Janar, 2024

BODLERIANE

Sythet kanë kohë që nuk dijnë të shpërthejnë
Ndërsa ‘ Lule Borë, -n vazhdojnë ta këndojnë zë lartë,
Po ata njerëz që ditëve u pëlqen të flasin për shekujt
Dhe harruan tragjedinë që u ndodhi para sysh këtë natë.

Dyshimi në të nesermen nuk lind më frikë,
Harresa është një balsam që shëron dhëmbje dhe plagë,
Në kët’ Vënd që trembet nga bijt e vet të përzënë
Dhe ngrohet dimrit në urrrejtje – dashurisë që i vuri vetë flakë.

Këtu njerëzit i këndojnë errësirës në dritë,
Dhe admirojnë miljardat e Parajsave të Judave tradhëtare,
Dhe pastaj në muzg i sheh tek rrëmojnë thellë në xhepa,
Për të numëruar qindarkat e fundit pranë Bankës Kombëtare.

Përmendin beteja të paqëna dhe heronjt që nuk lindën
Me tone solemne vizatojnë në rrugë,stadium,simbolin krenar,
Dhe pastaj përulen të gjunjëzuar para të huajve arrogantë,
Duke sharë fqinjin e vet varfanjak -Malok shpellar!

Çdo ditë fajësojnë emigrantët e ligj,
Bijtë tanë që i përzunë vetë me anije biblike ekzodesh,
Duatrokasin turistët që lavdërojnë Adriatikun, Jonin,
Dhe i harrojnë të mbyturit në thellësi- ujëra honesh.

Dhe adhurojnë vrasësit, xhelatët, kokëboshët
Heronjt e Big Brothers, Parlamentin, Qeveritarë,
Ky është adhurimi i religjionit të vertetë,
Të tjera janë maska për të fshehur vetvetet mëkatarë.

Dhe Shkrimtarët, Poetët që kërkojnë adhuruesit e vet,
Që jetojnë, që në librin e parë, mes eksitimeve narciste,
Që lavëdrimet e atyre që nuk lexuan asnjë rrjesht
I bën të ëndërrojnë, bashkë me gratë pa seks, Çmimet Nobeliste.

Për Krishtlindje të gjithë jemi të Krishterë,
Dhe për Bajram të gjithë muslimanë, për be,
Ateistë të gjithë kur festat fetare janë larg,
Dhe të gjithë mburren se kanë shpëtuar një hebré!

Sythet kanë kohë që nuk dijnë të shpërthejnë,
Dhe lulet e vetme i vjedhin në Varreza për t’i shitur më pas,
Ndersa makinat luksoze ecin me shpejtësi, për të arritur në kohë,
Pa i parë gjurmët e kërmijve të avashtë mes gurëve të kalasë.

Janar 2024

KEMI PARË HISTORINË

Kemi parë Historinë që kish humbë kujtesën,
Me dilemen mes Tokes dhe Qiellit, ku ish vendi i saj?
Dhe njerëzit që e tallnin rrugëve këtë grua të leckosur,
Një skenë që na dukej se kish dale nga një përrallë

Çfarë dinim nga Historia ne djemtë e rrugicave?
Televizorët jepnin Walze me Princesha gjak blu,
Ndërsa Historia mbërdhinte nën temperatura Siberie,
Dhe vetë asaj i merreshin këmbët kuturu.

Vinte tek ne, fëmijë lagjesh të varfëra,
Pa emer, pa kujtesë, e pa ushqyer mirë,
Braktisur nga librat, me monumentet e thyera,
Dhe askush nuk guxonte të ndjente mëshirë.

Kemi parë Historinë në rrugët tona,
Dhe Walzin e Lumturisë tek fluturonte si pulëbardhë,
Mes Tokës dhe Qiellit-e braktisur nga të gjithë,
Pa kujtesë, pa emër, për ne duke qarë…

Heronjt të gjithë sërish kishin vdekur
Dhe historia pa kujtesë është një grua e përdalë
Pa heronj, pa shenjëtorë, pa monumente të lashta,
Me parandjenjen se diç e keqe ka për t’ardhë,

Derisa filluam të vrisnim njëri tjetrin si në një përrallë.

Janar,2024