Gazeta Nacional Albania

Sadik Përvitica: TROJA, tregim

Kur Trojën e përfshiu një zjarr i madh dhe, fill pas tij …, filloi të binte një shi i kuq, dhe shumë i çuditshëm…. Kali i Trojës, për habinë e… filloi të harrohej gati nga të gjithë, ngase, papritmas fushat e Trojës u mbushën me gomarë hamshorë të ardhur kahmos, me pela të harlisura, me buaj e buallica, me bushtra e zagarë, me dele të zeza dhe me dele qorre që pinin gjithfarë uji të ndotur dhe hanin bar të helmuar, pa e zgjedhur (dhe pa e parë fare – se çka po hanin!), por vetëm asi, çfarë ua afronin të goja të tjerët!
Gjithë ato net të para, pas atij zjarri të madh dhe pas atij shiu të kuq, në atë zierje e përzierje kafshësh të egra dhe kafshësh të buta (e të tulavta) njëkohësisht, ashtu nëpër atë terr e mjegull, kishte marrë krah harlisja; një harlisje e paparë kurrë deri atëherë! Gomarët, (kjo shihej gati nga të gjithë) filluan t’u kërcenin pelave, buajt që ishin futur me aq bujë në Trojë, nuk u zbritnin kurrë nga shpina: lopëve, as buallicave! Zagarët e shumtë të ardhur… u lidhën aq shpejt: me bushtrat; cjepët…si cjepët më! (Në këto çaste, Vëzhguesit të Vëmendshëm, seç iu kishin kujtuar …, si për dreq – ato vargjet parodizuese të lojës së dikurshme të filxhanëve nëpër odat shqiptare, ku, të rinj e pleq, e kalonin kohën më të madhe, duke u argëtuar e mahitur:
Mori dhia garrabinë
Cjapi i vogël s’mun ta mrrin.
Dhe që t’i biem pak më shkurt, në Trojë, thonë, erdhën edhe ligje të reja: Të gjitha kafshët; të butat dhe të egrat (përveç njerëzve) ishin të mbrojtura me ligj. Ai ishte ligji i parë në Trojë – i miratuar nga të Huajt! Ai ligj, saktësisht, thoshte: “Kush torturon kafshët, do të dënohet me burg të rëndë. (kurse, për mijëra njerëz, të zhdukur pa shenjë e pa nishan, në Trojë, nuk flitej fare!). Një organizatë humanitare menjëherë mori nën mbrojtje të gjithë qentë endacakë (por jo – edhe njerëzit!), të cilët i pastroi, i dezinfektoi dhe i futi në një strehimore të bukur, ku gati për çdo ditë bëheshin reklama të bukura, derisa invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, si dhe shumë familje të tjera, edhe me shtëpi të djegura, edhe për shumë kohë mbetën krejtësisht jashtë – nën qiellin e hapur!!!
Pas një viti, fushat e Trojës, thonë, u mbushën me mushka, me buaj e buallica, me dele të zeza dhe plot me dele qorre, të habitura e të trullavta, pastaj edhe me derra e lepuj me veshë gomarësh, ngase gjithë ato ethje, dbuarje, ndërzime e përçitje, të kryera: nëpër mjegullat që u lëshuan mbi Trojë, e bënë të vetën.
Troja, ende mbahej nën një mjegull të madhe (dhe, siç dukej, kjo punë – pakkujt ia prishte qejfin, sepse shumica e trojanëve, si dhe e të ardhurve, kishin edhe shumë punë të tjera e qejfe personale për t’i kryer (Të gjitha mediet vendore, por edhe ato botërore trumbetonin me të madhe se në Trojën e sotme, aso kohe, mbretëronte e lulëzonte, për çdo ditë që e kishte falur Zoti: Dinamika e Dytë (seksi) sipas shkencës se Dianetikës! Seksi, seksi, seksi, seksi, seksi! Kush kujt mundte dhe: kush kë e zinte përfundi nëpër atë terr e tmerr; nëpër atë tollovi dhe nëpër gjithë atë mjegull të paparë deri atëherë, e kryente punën në Trojë!
Në Trojë u fut edhe një fjalor i ri, ndaj… Të gjithë: të ardhur e vendorë; flitnin vetëm për Luftën … për Paqen dhe për Demokracinë! Për asgjë tjetër! (Ç’është e vërteta, këtë të fundit, secili njëri e kuptonte në mënyrën e vet, përafërsisht, ashtu siç e kuptojmë ne besimin në Zotin: dikush me demokraci e kuptonte mjegullën dhe seksin (lexo: jo vetëm seksin fizik, por edhe: seksin në politikë, në diplomaci, në kulturë dhe, pse jo, edhe në sporte), kurse dikush tjetër përpiqej që Troja, pas aq shumë vitesh e vuajtjesh, pas aq… djegiesh e përdhunimesh, të fitonte lirinë aq të pritur! Lirinë e amshueshme, por…
ALBA dhe LOGU, papritmas filluan një polemikë të rreptë në mes vete, sa interesante, po aq edhe të çuditshme:
ALBA: I dashur! Në Trojë, tashmë, filluan të vriten edhe luftëtarët tanë të devotshëm, kurse…!
LOGU: Mirëpo, e dashur…! Ne, së pari, duhet t’i dallojmë “luftëtarët” nga luftëtarët. Duhet t’i dallojmë dhe të dimë se: të gjithë ata që kanë hyrë në luftë për qëllime vetjake, nuk janë luftëtarë të vërtetë. Dhe të gjithë ne, duhet ta kuptojmë (dhe mbaje në mend se pa u kuptuar kjo, qetësi në Trojë nuk do të ketë) se në Luftën e Trojës, të gjithë njerëzit tanë nuk kanë hyrë për një, por për dy qëllime: Pala e parë: që ta çlirojnë, njëherë e përgjithmonë, Trojën nga pushtuesi, kurse pala e dytë: që t’i pengojnë çlirimtarët e vërtetë – në aksionet e tyre dhe që t’ia zgjasin jetën dhe mjegullën pushtuesit (për t’i realizuar qëllimet e veta nëpër po atë terr dhe nëpër po atë mjegull!).
ALBA: Ti thua se në Luftën e Trojës, edhe vetë trojanët paskan pasur qëllime të kundërta?!
LOGU: Hëm! E dashur! Në Trojën e sotme, si gjithmonë, përsëri ka hyrë Kali i Dreqit (tani: Kali i Zi! Ai Kali Vranç! A po më kupton) nga barku i të cilit… tani, kanë dalë njerëz me uniforma të njëjta, por me qëllime të ndryshme (Njëra palë lufton, njëmend: për ta çliruar Trojën nga pushtuesi, kurse pala tjetër (po ashtu nën uniformë të njëjtë) lufton për t’ua marrë armët nga duart çlirimtarëve të vërtetë dhe për t’ua dorëzuar pushtuesve!
ALBA: Jo, jo…! E pabesueshme! Jo, jo. Kjo që thua ti, nuk është e mundur. Nuk është e mundur, jo!
LOGU:E pabesueshme – duket, por e vërtetë është kjo që unë po them tani.
ALBA: E pabesueshme. E pabesueshme!
LOGU: Por: edhe e vërtetë. E vërtetë është.
ALBA: Po, vallë, përse ndodh kështu në Trojën tonë shekullore?!
LOGU: Eeeeeeh! A e ke dëgjuar ti, atë thënien e famshme shqiptare:”Minati t’resë, m’dektë djali?!” Po anekdotën e miut cub dhe të atij me bisht, a e ke dëgjuar?! Hëm! E, pra, kupto se, sot, në Trojën tonë shekullore, siç thua ti, të gjithë ata që nuk e kanë dashur luftën (luftën nuk e ka dashur askush prej trojanëve, por…), kur kanë parë sa krahu i luftëtarëve të vërtetë, përditë e më shumë po fiton mbështetje në popull, kanë filluar t’i rekrutojnë, edhe në luftë, njerëzit e vet! Megjithatë, jo për ta bërë luftën e vërtetë çlirimtare, por: për ta komanduar luftën!!! Dhe: Për t’i komprometuar çlirimtarët dhe për t’i korrur fitoret!!! Ndaj, njeriu normal, sot, me të drejtë, pyet veten: Kush është ai njeri që do të kishte pranuar, të bëhej gomar e rrogëtar i të tjerëve në luftë, duke rrezikuar kokën e vet?! Të bëhej argat i… i atyre, të cilët deri dje rrinin larg nga Troja, kurse sot…duan t’u hipin çlirimtarëve: si gomarëve?! Si të duan: mbarë a prapë dhe t’u grahin, si gomarëve?!
ALBA: Filozofi e thellë po më duket kjo jotja tani, mor LOG!
LOGU: Hiç filozofi, por vetëm logjikë. Logjike e thjeshtë dhe asgjë më tepër, moj ALBË.
ALBA: Eh, pra! Tani që lufta ka mbaruar, a e bëjmë, edhe unë e ti, një trohë pushim dhe shikojmë se ç’po ndodh përreth nesh?!
LOGU: Paj… mirë e ke, ndaj…Hajde të dalim, edhe ne, në ara dhe t’i shohim njerëzit se ç’po bëjnë, në këto çaste.
ALBA: Ouuuuu! Ende paska shumë mjegull, por…A po i sheh ata njerëz majë dardhave?! Ç’po bëjnë, vallë, ata atje?!
LOGU:Hëm! Ata tani po hanë dardha dhe po zgërdhihen, kurse… kurse të tjerët po këqyrin!
ALBA: Vallë, me kë po zgërdhihen ata atje lart?!
LOGU: Paj, siç po shihet, Ata, atje lart, majë dardhave, po zgërdhihen me … me të gjithë të tjerët që po shihen poshtë, rreth tyre (sigurisht – edhe me mua e me ty, ALBË e dashur). Ata, me gjasë, po qeshin me … me lypësit, me të paditurit, me të paarsimuarit. Ouuuu! Po, këtu, njëmend, ne i paskemi të gjithë zgjedhësit dhe të zgjedhurit e Trojës! Mirëpo… a po i dallon ti, e dashur, cilët janë zgjedhësit dhe cilët të zgjedhurit tanë?! Ja, ja, ja, ja..! A po sheh, se ç’po ndodh atje poshtë dhe atje lart?! Shih, shih! Disa prej atyre që… që po hanë dardha (dhe po zgërdhihen) atje lart, atje, majë dardhave, po zbresin nganjëherë edhe poshtë dhe po …po shkelin nga dy-tri herë, mbi ata: të shtrirët mbi tokë; mbi të gërbulurit dhe mbi të…të mjerët, pastaj … po hipin prapë atje ku ishin dhe… Ja, ja: sesi, ata atje lart, edhe tani, po zgërdhihen përsëri!
ALBA: Eeeeeeh, mor njeri! Mbase…, mbase – edhe Zoti (kushedi për çka, por…) e paska nëmur Trojën tonë! Apo…Apo, ndoshta, Troja jonë, po e nëmka vetveten!!! Po, vallë , a do të hiqen ndonjëherë mjegullat mbi qiellin e Trojës sonë?!
LOGU: Mbase, do të hiqen, moj ALBË, por …Vetëm atëherë, kur do të ulen për të vlerësuar: drejtë dhe me si ka hije, themelatat e vetë Trojës: qofshin ato ushtarake, politike, kulturore dhe historike. Atëherë dhe vetëm atëherë, mbase, do të bëhet shkenca e vërtetë për Trojën.
ALBA: Po, vallë, ku do të mbetet, atëherë, Kali i Trojës? Ku do mbesin delet e zeza?!
LOGU: Vrançi, a? Eeeeh, Kali i Zi! Eeeeh! Delet e zeza dhe…Dhe ato të metilavtat e qorret! Eeeeh, qentë! Qentë endacakë dhe të zgjebosur! Dhe… dhe gomarët! Dhe mushkat! Aaaah! Mushkat e Trojës sonë të dashur! Po të fortë keni qenë ju! Dhe çfarë barrësh të rënda keni bartur në shpinë ju!
ALBA: Mirëpo, mor LOG… Ti ende nuk më the nëse je optimist për të gjitha këto punë rreth Trojës sonë, apo…?!
LOGU:Për fatin e Trojës po më pyet, a? Eeeeh! A e ke dëgjuar ti atë anekdotën për gotën? Për gotën gjysmë të zbrazët dhe gjysmë të mbushur?
ALBA:Të lutem, vetëm bjeri shkurt, sepse unë, tash, jam lodhur shumë dhe…dhe ti më tranove krejt me këto rrotulla.
LOGU: Ja pra, shkurt po i bie: Kur trojanët t’i ndajnë Delet e zeza, prej atyre të Bardhave…Pastaj…pastaj, kur trojanët t’i ndajnë edhe Delet Qorre dhe ato të metilavtat… Dhe…Dhe krejt në fund, kur trojanët të mos lejojnë që, në trojet e tyre, të mos i kërcejë më gomari pelës, në mënyrë që fëmijët e tyre të mos lindin më mushka dhe atëherë kur në vend të penës të mos përdoret pushka,… atëherë dhe vetëm atëherë, mbase në trojet e Trojës, Atëherë…!
Eeeeeh, atëherë, ndoshta…!