Gazeta Nacional Albania

SAINT-JOHN PERSE, 1887-1975, FRANCË Çmimi Nobel për Letërsinë më 1960. Përktheu: Anton PAPLEKA

Çmimi Nobel për Letërsinë më 1960. Përktheu: Anton PAPLEKA

EKZIL

Archibald MacLeish-it

I
Dyer të hapura kah rëra, dyer të hapura kah ekzili,
Çelësat i kanë rojtarët e farit dhe trupi qiellor që u dërmish në gurin e pragut :
O bujtari im, lërma shtëpinë tënde prej qelqi në ranishte…
Vera prej gipsi mpreh majat e hekurta të heshtave në plagët tona,
Unë zgjedh një vend të dukshëm e pa vlerë si eshtërorja e stinëve,
Dhe në tërë zallishtet e kësaj bote, fryma e Zotit që ngrihet si tym e lë shkret shtresën e saj prej amianti.
Përpëlitjet e vetëtimës janë për të ngazëllyer Princat në Tauridë.

II
Pa iu kushtuar asnjë bregu, pa iu besuar asnjë flete, fillesa e qashtër e kësaj kënge…
Të tjerë kapin nëpër faltore bririn e ngjyer të altarëve:
Lavdia ime është në ranishte, lavdia ime është në ranishte!…
Dhe këtë gjë nuk e bëj aspak për të bredhur, o Pelegrin,
Por më tepër për të lakmuar rrafshinën më të zhveshur, për të mbledhur në sirtet e ekzilit një poemë të madhe që lindi nga asgjëja, një poemë të madhe që me asgjë u ngjiz…
Fishkëlloni, o bahe, nëpër botë, këndoni, o bobla, përmbi ujëra!
Unë i hodha themelet te humnera dhe te sajna dhe te tymtaja e rërës. Do të fle në çisterna dhe në anijet zgavroshe,
Në të gjitha viset e zakonshme dhe të amshta ku ndihet shija e madhështisë.
„…Më pak frymëra e miklonin familjen e Julëve; më pak besëlidhje i ndihmonin kastat e larta të priftërisë.
Atje ku rëra shkon te kënga e tyre, atje shkojnë Princat e ekzilit,
Atje ku velat janë të tendosura lart, atje shkon partallja më e mëndafshtë sesa një ëndërr
lahutari,
Atje ku u bënë luftime të mëdha, tashmë zbardhon një nofull gomari,
Dhe deti rrokullis rreth e rrotull rropamën e tij prej rrashtash në zallishte,
Dhe se të gjitha gjërat e kësaj bote për të janë të kota, një mbrëmje, këtë na e rrëfyen në fund të botës
Milicitë e erës në ranishtet e ekzilit.

Urti shkume, o duhma të shpirtit te kërcitjet e kripës dhe te sherbeti i gëlqeres së pashuar!
Nga ç’pësoi shpirti, trashëgoj një dije…
Era na tregon pirateritë e saj, era na tregon keqkuptimet e saj!
Ashtu si ai Kalorësi që, me litar në dorë, pret në të hyrë të shkretëtirës,
Në cirkun malor me caqe të paana, unë përgjoj brofjen e shenjave më fatbardha.
Dhe për ne mëngjesi lëviz gishtin e ogurit midis shkrimeve të shenjta.
Ekzili s’është aspak i djeshëm, ekzili s’është aspak i djeshëm! “O rrënime, o premisa”,
Thotë i Huaji midis ranishteve, “çdo gjë në botë është e re për mua!…“ Dhe të lindurit e këngës së tij është për të diçka po aq e huaj.

III
Përherë ka qenë kjo sokëllimë, përherë ka qenë ky shkëlqim,
Dhe si një betejë e madhe që zhvillohet nëpër botë, si një mori popujsh në eksod, si një themelim perandorish përmes zallamahisë pretoriane, ah, si një mbufatje e buzëve kur
lindin Libra të mëdhenj,
Kjo gjë e madhe dhe e shurdhër nëpër botë dhe që befas shtohet si një dehje nga pija.

„Përherë ka qenë kjo sokëllimë, përherë ka qenë kjo madhështi“
Kjo gjë që endet nëpër botë, kjo dalldisje e madhe nëpër botë, dhe në tërë zallishtet e kësaj bote, e shqiptuar nga e njëjta frymë, e njëjta dallgë që shqipton
Një frazë të vetme dhe të gjatë pa cezurë që nuk do të kuptohet ndonjëherë…
„Përherë ka qenë kjo sokëllimë, përherë ka qenë ky harbim“
Dhe ky shkulm që mbërrin në pikën më të lartë, përherë në kulmin e dëshirës, e njëjta pulëbardhë që rrah flatrat, e njëjta pulëbardhë që fluturon si shigjetë për të bashkuar
stancat e ekzilit, dhe në tërë zallishtet e kësaj bote, e shqiptuar nga e njëjta frymë, i njëjti rënkim i pamasë
Duke ndjekur pas në ranishte shpirtin tim prej numidi…“

Të njoh mirë, o përbindësh! Ja ku jemi prapë ballë për ballë.
Ne e vazhdojmë prapë këtë debat të gjatë aty ku e patëm lënë.
Dhe ti mund t‘i nxjerrësh argumentet e tua, ashtu siç i zgjat turinjtë e ulët mbi ujë: asnjë çast nuk do të të lë të qetë.
Në shumë zallishte ku shkela, hapat e mi i lau vala pa zbardhur drita, në shumë shtroja të mbetura shkretë shpirti im nuk i bëri dot ballë kancerit të heshtjes.
Çfarë do ende nga unë, o frymë zanafillore? Dhe ti çfarë mendon të nxjerrësh ende nga buza ime e gjallë,
O forcë që bredh te pragu im, o Lypsare në udhët tona dhe në gjurmët e Plangprishësit?
Era na flet për pleqërinë e saj, era na flet për rininë e saj…O Princ, nderoje ekzilin tënd !
Dhe papritmas gjithçka është për mua forcë dhe prani aty ku ende nxjerr tym tema e hiçit.
„…Përnatë ngrihet më lart kjo sokëllimë memece te pragu im, përnatë kjo hovje shekujsh nën zhguallin e ashpër.
Dhe në tërë zallishtet e kësaj bote lind një jamb më i sertë që duhet ta ushqej me qenien time!…
Një lartësi kaq e madhe nuk do ta cenojë bregun e thepisur të pragut tënd, o Kordhëtar që ngjesh shpatat në agshol,
O Ti që përdor shqipet që fluturojnë gjithandej dhe ti, Mëkues i bijave më të ashpra që i lind pena e hekurt!
Gjithçka që duhet të lindë, acarohet në anën lindore të botës, çdo trup që lind ngazëllohet kur shkrepin rrezet e para!
Dhe ja ku dëgjohet një zhurmërimë më e gjerë nëpër botë si një kryengritje e shpirtit…
Ti nuk do të heshtësh aspak, o sokëllimë, para se t’i kem flakur në ranishte të gjitha detyrimet njerëzore! (Kush e di ende se në ç’vend kam lindur?“)

IV
E çuditshme qe ajo natë kur aq e aq frymëra e humbën rrugën në udhëkryqin e dhomave…
Dhe kush u endka para agut në kufijtë e botës me këtë thirrje që më drejtohet mua? Cila vajzë e madhe, e përzënë, iku tutje kur dëgjoi frushullimën e flatrës që vizitonte të tjera pragje, cila vajzë e madhe që nuk e deshën,
A mos vallë kjo ndodhi në kohën kur yjesitë e paqëndrueshme që e ndërrojnë ligjërimin për njerëzit e ekzilit, perëndojnë te ranishtja në kërkim të një vendi më të dëlirë?
Kudo-bredhëritës qe emri i saj prej kurtizaneje, te priftërinjtë, te shpellat e gjelbra të Sibilave, dhe mëngjesi që u gdhi te pragu ynë, diti t’i fshinte gjurmët e këmbëve të zbathura midis shkrimeve të shenjta…
Shërbëtore, ju shërbenit, dhe më kot i tendosnit pëlhurat tuaja flladitëse për bjerrjen e një fjale të kulluar.
Me të qarat e kllinzës , iku tutje agimi i përvajshëm, iku tutje nimfa shisjellëse në kërkim të fjalës së kulluar.
Dhe në brigjet e stërlashta dikush e përmendi emrin tim… Fryma e zotit lëshonte tym në mes të hirit të incestit.

Dhe kur qe shtrydhur midis ranishteve substanca e zbehtë e kësaj dite,
Fragmente të bukura historish që i merr me vete rrjedha mbi fletët e helikave në qiellin plot gabime dhe premisa endacake, zunë të rrotulloheshin për kënaqësinë e skoliastit.
Dhe cili qe aty që pastaj iku tutje, duke rrahur flatrat ? Pra, atë natë, cili qe ai që pa dëshirën time, e vuri këtë këngë te buza ime prej të huaji ?
Me anën e prapme të stilit tënd , o skrib, sheshoje në tabelën e zallishteve dyllin e mblatuar nga fjala e kotë.
Ujërat e detit të hapur mbi tabelat tona, ujërat e detit të hapur do t’i lajnë shifrat më të bukura të motmotit.
Dhe erdhi ora, o Lypsare, kur mbi faqen e mbyllur të pasqyrave të mëdha prej guri, ta vendosura në guva,
Meshtari që ka mbathur sandale plisi dhe ka vënë dorashka mëndafshi, i fshin me ndihmën e mëngëve shenjat e kundraligjshme të natës.

Kështu çdo trup shkon te silici i kripës, fruta prej hiri e yejtjeve tona, trëndafili xhuxh i ranishteve tuaja dhe bashkëshortja natore, të cilën e përzunë pa dalë drita…
Ah, çdo gjë e kotë le të tëhidhet si gruri i saposhirë në erën e kujtesës, ah, çdo gjë e marrë le të kumbojë në fyejt e ekzilit: butaku i dëlirë i ujërave të lira, motivi i qashtër i ëndrrave tona,
Dhe poemat për natën që u dëbuan para se të agonte, flatra fosile që u zu në grackën e lutjeve të mëdha mbrëmësore prej qelibari të verdhë…
Ah, le t’i djegin, ah, le t’i djegin atje ku sos rëra, tërë ato mbeturina puplash, thonjsh, floknajash të ngjyera e pëlhurash të ndragura,
Dhe poemat që lindën dje, ah, poemat që lindën një mbrëmje te furka e vetëtimës, janë ashtu si hiri në qumështin e grave, një gjurmë tejet e vogël…
Dhe me gjithçka që ka flatra, me gjithçka që ju nuk e përdorni, unë hartoj për vete një ligjërim që nuk shërben për ndonjë gjë,
Ja ku synoj ende të shkruaj një poemë të madhe që do të vdaret…

V
“…Si ai që zhvishet sapo sheh detin, si ai që u ngrit për ta nderuar puhinë e parë që fryn nga toka (dhe ja sesi iu zmadhua balli nën kaskë).
Me duart më të zhveshura sesa ditën që linda, dhe me buzën më të lirë, me veshin e mbështetur tek ato korale ku struket rënkimi i një kohe tjetër,
Ja ku u ktheva te bregu ku kam lindur… Nuk ka histori tjetër përveç asaj të shpirtit, nuk ka kënaqësi tjetër përveç asaj të shpirtit.
Bashkë me kokrrën e lajthisë, me anofelen, bashkë me kashtrojat e me rërat, bashkë me gjërat më të brishta, bashkë me gjërat më të kota, ja kjo gjë e thjeshtë, kjo gjë e thjeshtë, ja kjo gjë e thjeshtë e të qenit aty te kjo ditë që ikën tutje…
“Mbi skelete zogjsh xhuxhë, ikën fëmijëria e kësaj dite, e veshur me ishuj dhe më e lehtë sesa fëmijëria mbi eshtrat e saj të fyshtë prej pulëbardhe, prej gifete, puhia i magjeps ujërat vajza me veshje leskrash për ujdhesat…
“O rëra, o rrëshira! Fletëza e purpurt e fatit, para një syri që e sheh ngultas dhe tek arena ku nuk ka dhunë, ekzili dhe çelësat e tij të dëlirë, dita e përshkuar nga një kockë e gjelbër si një peshk ishujsh…1
“Këndon mesdita, o ç’trishtim!…dhe lajmin e mrekullueshëm e përhap kjo thirrje: o ç’mrekulli! Dhe nuk mjafton të qeshësh me lot për faqe…
“Po çfarë është aty, oh, çfarë është ajo që befas ndihet se mungon te çdo gjë?…”

Unë e di. Unë e pashë. Askush le të mos e pranojë ! Dhe tashmë dita trashet si qumësht.
Mërzia kërkon hijen e saj në mbretëritë e Arsace-it2 ; dhe trishtimi endacak e përhap shijen e tij prej lulequmështoreje nëpër botë, hapësira ku rrojnë rrëmbimtarët ka çtrashëgime të çuditshme…
Në dashtë urtari, le të përgjojë lindjen e skizmave !…Qielli është një Sahel ku azalaia3 niset në kërkim të kripës së gurit.
Më se një shekull mërtiset nga krajatat e historisë.
Dhe dielli gropos sestercat e tij të bukura në ranishte, kur brofin hijet ku piqen sentencat e rrebeshit.
O forcoma nën ujët e gjelbër! Një bar i përmendur në det le të na flasë ende për ekzilin…dhe Poeti e ndien veten të fyer
Nga këto fletë të mëdha prej shkëmbi gëlqeror që shtrihen pothuaj rrafsh me humnerën, mbi piedestale: dantellë për maskën e vdekjes…

VI
„Ai që në mes të natës endet mbi galeritë e gurta për të vlerësuar veçoritë e një komete të bukur; ai që midis dy luftërash kujdeset për pastërtinë e thjerzave të mëdha prej kristali;
ai që u çua pa dalë drita për të pastruar krojet dhe kjo gjë shënon mbarimin e epidemive të mëdha; ai që lyente me llak anijen në det të hapur bashkë me vajzat dhe me rejat e tij dhe nuk e vriste mendjen për atë hi të grumbulluar në tokë…
Ai që i qetëson me fjalë të mira të sëmurët mendorë në azilet e mëdha të lyera me gëlqere të kaltër, dhe është e diel mbi thekërishte, në orën e lëbyrjes së madhe; ai që ulet para organove vetmitare, kur futen në qytet ushtritë; ai që një ditë sheh një ëndërr me guroret-burgje të çuditshme dhe kjo ndodh pak pas mesdite, në kohën e vejnisë së madhe; ai që përhap në det, kur fryn era nga një ishull i ulët, erëmimin që në mes të thatësirës lëshon një amarante e vogël e tokës; ai që nëpër porte rri zgjuar në krahët e grave të një race tjetër, dhe ndihet një shije vetiveri4 në duhmën e sqetullave të natës së vonë, dhe kjo ndodh pak pas mesnate kur bëhet xëc; ai që, kur fle gjumë, nxjerr një frymë që bashkohet me frymën e detit, dhe kur tërhiqet batica, rrotullohet në shtrojën e tij si një anije që ndryshon drejtimin e velave…
Ai që në ballë të kepave më të lartë vizaton me bojë shenja orientuese, ai që shënon një kryq të bardhë në syprinën e gumave; ai që lan me sherbet të holluar gëlqereje fortinat prej hijeje rrëzë semaforëve, dhe ka një vend me boska dhe me llomishtra rrënojash për kënaqësinë e urtarit; ai që në stinën e shirave banon bashkë me njerëzit e pilotimit dhe të vendosjes së sinoreve te ndërtesa e rojtarit të një faltoreje të braktisur, në cep të një gadishulli, i cili ka formën e një çapoi prej guri të hirtë në të kaltër ose të një tryeze të lartë prej ranori të kuq; ai që në harta lidh me vija lëvizjen e mbyllur të cikloneve; ai për të cilin në netët e dimrit ndritin pistat e mëdha yjore; ose ai që ftillëzon në ëndërr ligje të tjera të shtegtimtarisë e të prejardhjes ; ai që me majën e sondës kërkon deltinën ngjyrë jargavani në thellësitë e mëdha për të sajuar fytyrën e ëndrrës së tij; ai që në porte është i gatshëm të bëjë punën e busullave për anijet turistike…
Ai që ecën nëpër tokë për të mbërritur te vise të gjera, të mbuluara me bar; ai që në rrugë e sipër i jep këshilla dikujt sesi mund të përkujdeset për një pemë të moçme; ai që pas rrebeshit hipën në kullat e hekurta për të hetuar erëmimin prej tyli të zi që vjen nga ferrishtet e djegura në pyll; ai që në vende të shterpëta kujdeset për linjat telefonike; ai që e di ku kalon kanali dhe pajandra për tokëzimin e kabllove kryesore nëndetare; ai që, poshtë qytetit, aty ku ndodhen eshtërore dhe gjirize, dhe pikërisht aty ku është gërryer korja e tokës, mirëmban instrumentet që regjistrojnë lëkundjet sizmike…
Ai që në kohën e pushtimit të vendit është i ngarkuar të mbikëqyrë regjimin e ujërave dhe viziton basenet e mëdha të filtrimit ku nuk reshtin dasmat e bujshme të kandrrave; ai që gjatë trazirave ruan pas kangjellave prej ari të gjelbër serrat me erë të rëndë të Kopshtit Botanik; zyrat e mëdha që merren me Monedhat, me Gjatësitë gjeografike dhe me Duhanin, dhe Depon e Fareve ku ndodhen fabula e fenerë; ai që gjatë rrethimit bën rojë në hollet e mëdha ku nën xhama thërmohen koleksionet e kandrrave që quhen fazma dhe të fluturave vanesa; dhe ai që e shpie llambën te lugjet e bukura prej lapislazuliti aty ku rrezikon të thërmohet princesha prej kocke , e mbërthyer me gjilpëra të arta, e cila zbret nëpër rrjedhën e shekujve me floknajën prej sizali5; ai që shpëton nga ushtritë një hibrid shumë të rrallë trëndafiloreje që rritet në Himalaja; ai që në kohën e Falimentimeve të mëdha të shtetit, mban me dinarët e tij ferma luksoze për rritjen e kuajve, ferma të ndërtuara me tulla të kuqërreme, të mbuluara me gjethe, si trëndafilishte me trëndafila të kuq, mbi të cilat guguron rrebeshi, ferma që janë si fjetore të bukura plot princa të egër, të mbushura me terrina, me erë temjani dhe me një substancë të fortë mashkullore…
Ai që në kohë krize, vë roja që mbikëqyrin avulloret e larta, të vulosura me dyll të kuq, te grykëderdhja e një lumi ngjyrë jodi dhe plehu të lëngët (dhe në limbet e sallave me vitrazhe, në sallonet e mbyllura me qepena harrese, ka një dritë ngjyrë agaveje për shekujt që vijnë dhe përherë sogjon në det; ai që bashkë me skamnorët shkon në kantieret detare të braktisura nga turma pasi është lëshuar në ujë një skaf i madh që ka dashur tre vjet punë; ai që ka si zeje të presë anijet; dhe ai që në pajorin e një veloreje të re e gjen një ditë parfumin që ia kënaq shpirtin; ai që gjatë ekuinoksit bën rojë në ledhin e dokeve, në kreshtën e lartë të digave të mëdha malore dhe në ekluzat e mëdha oqeanike; ai për të cilin befas përhapet tërë firoma e pashqitshme e silosëve të mëdhenj dhe e magazinave me mallra të ardhura nga kolonitë, aty ku erëzat mbufaten në muajt e dimërimeve ashtu si krijmi në shtratin e tij të amësht; ai që mban fjalën e mbylljes në kongreset e mëdha të orografisë, të klimatologjisë dhe pastaj vjen koha për të vizituar Arboretumin dhe Akuariumin dhe lagjen e vajzave , argjendaritë e gurëve të çmuar dhe oborrin e kishës së konvulsionarëve të mëdhenj…
Ai që hap një llogari bankare për kërkime intelektuale; ai që hyn në cirkun e veprës së tij të re me një gjallëri të jashtëzakonshme që ia ka pushtuar qenien dhe për tri ditë heshtjen e tij nuk e sheh me sy askush, përveç nënës, askush nuk ka të drejtë të shkelë në dhomën e tij, përveç shërbëtores më të moshuar; ai që e çon kalin te burimi, por për vete nuk pi ujë; ai që në punishtet e shalave të kuajve ëndërron për një parfum më të nxehtë sesa ai i dyllit; ai që, ashtu si Baber-i, vesh petkun e poetit midis dy aksioneve burrërore për të shprehur adhurimin për pamjen e një tarrace të bukur; ai që duket si i hutuar gjatë kushtimit të një anijate dhe për timpanin e tij shtambat janë si veshë, të murosur për akustikën; ai që trashëgon në pronën e një familjeje të shuar fermën e mbrame për rritjen e gatave bashkë me disa vepra të bukura për artin e gjuetisë me fajkonj; ai që në qytet nuk u ndahet librave të mëdhenj: almagjestë, portulanë dhe bestiarë; ai që shqetësohet për ndërrimet fonetike, për ndryshimet e kuptimit të shenjave dhe për gërryerjet e mëdha të ligjërimit; ai që merr pjesë në debatet e mëdha për semantikën; ai që është autoritet në fushën e matematikës praktike dhe pëlqen të llogaritë me mend kohën e kalendarit të festave të lëvizshme ‚ (numrin e artë, ditën e caktuar sipas kalendarit romak, epaktin dhe letrat e rëndësishme të së dielës); ai që vendos hierarkinë e meshave të mëdha të ligjërimit; ai , të cilit i tregojnë në vende të përmendura ca gurë të mëdhenj që morën shkëlqim nga një flakë që mbajti gjatë…
Ata janë princat e ekzilit dhe atyre nuk ka ç’u duhet kënga ime…“
O i Huaj në tërë zallishtet e kësaj bote, pa të dëgjuar kush dhe pa pasur dëshmitarë, mbështete te veshi i Detit të Perëndimit një bobël pa kujtesë:
Bujtës i skamur në rrethinat e qyteteve tona, ti nuk do ta kapërcesh aspak pragun e Kompanisë së Lloyds-ve ku fjala jote nuk ka peshë dhe ari yt nuk ka vlerë.
„Unë do të banoj në emrin tim“, kështu ju përgjigje ti pyetësorit në port. Dhe në tabelat e këmbimtarit ti nuk pate çfarë të paraqitje, përveç turbullimit tënd,
Ashtu si ato monedha të mëdha hekuri që rrufeja i nxjerr nga dheu.

VII
« Sintaksë vetëtime, o ligjërim i kulluar i ekzilit ! I largët është bregu tjetër ku mesazhi rrezëllin:
“Dy balle të përhitura grash, nga i njëjti gisht i madh i prekur; dy flatra grash prapa grilash, nga e njëjta frymë të ngritura peshë…
“Vallë a fjetët dot atë natë nën pemën e madhe prej fosfori, o zemër lutëseje nëpër botë, o nënë e të Dëbuarit kur te pasqyrat e dhomës ishte mblatuar fytyra e tij?
“Dhe ti më e ndjeshmja nën vetëtimë, o ti më e ndjeshmja për t’u ngjethur në bregun tjetër të shpirtit të tij, ti që përherë frymën tënde e pate përzier me frymën e tij.
“A do të shtrihesh prapë në shtrojën tënde të qetë me kreshpërimin e shpirtit tënd prej gruaje?
“Ekzili s’është aspak i djeshëm! Ekzili s’është aspak i djeshëm!…Neverite, o grua, nën çatinë tënde këngën e zogut të Barbarisë…
“Ti nuk do ta dëgjosh fare rrebeshin atje tutje sesi e shumëfishon vrapin e hapave tanë, pa e sulmuar sërish nëpër natë klithma jote prej gruaje shqiponjën e dyshimtë të lumurisë!”

…Heshti ti, dobësi, dhe ti, parfum bashkëshorteje nëpër natë si vetë bajame e natës.
Kudo bredhëritëse në zallishte, kudo bredhëritëse nëpër dete, hesht ti, ëmbëlsi, dhe ti, prani
flatrashpalosur te lartësia e kalit tim.
Do ta nis prapë vrapin tim prej numidi përgjatë detit të patjetërsueshëm, pa asnjë lule shporizi midis buzëve, por duke ndier ende në gjuhë, si një kripë, atë tharm të botës së vjetër.
Nitrati dhe natroni janë temat e ekzilit. Mendimet tona rendin drejt veprimit mbi pista me kocka. Vetëtima më hap para syve shtratin e synimeve më të gjera. Rrebeshi më kot i zhvendos sinorët e mungesës.
Ata që shkuan të kryqëzoheshin në Inditë e Mëdha të Atlantikut, ata që nuhatin idenë e re në flladin e freskët të humnerës, ata që i bien bririt te dyert e të ardhmes,
E dinë se në ranishtet e ekzilit fishkëllejnë pasionet e thella, të mbledhura kutullaç nën kamxhikun e vetëtimës…O Plangprishës, i mbështjellë nga kripa dhe nga shkuma e qershorit, mbaje të gjallë midis nesh forcën e fshehtë të këngës sate!
Si ai që i tha emisarit dhe pikërisht ky qe mesazhi i tij:“Mbulojeni me vello fytyrën e grave tona; lartësojeni ballin e bijve tanë; dhe keni urdhër të lani gurët e pragjeve tuaja…Do t’ju them me zë të ulët emrin e burimeve ku nesër do ta lajmë zemërimin tonë të dëlirë.“

*
Dhe erdhi ora, o Poet, të perëndojnë emri, lindja dhe raca jote.

Long Beach Island, (New Jesey), 1941

Shënime:
1.Ky imazh të sjell ndër mend mishin e tejdukshëm të disa peshqve tropikalë me skelet zumrudi.
2.Arsace: themeluesi i një dinastie të lashtë persiane
3.azalaia: karvani i madh, i përvitshëm i kripës në shkretëtirën afrikane
4.Vetiver: bimë indiane, rrënja e së cilës përdoret në parfumeri
5.Sizal: agave e Meksikës

Përktheu: Anton PAPLEKA